HOXHI KOTO


HOXHI KOTO
✤ (Kostandin Hoxhi, 1824-1895). Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit e i kulturës shqiptare, Mësues i Popullit. Lindi në Qestorat të Lunxhërisë (Gjirokastër), ku më pas punoi si mësues i shkollës së mesme në gjuhën greke, duke dhënë fshehurazi shqipen. Një ndër nxënësit e tij ishte edhe P. N. Luarasi. Zhvilloi veprimtari të gjallë patriotike për zbatimin në atdhe të programit të Shoqërisë së Stambollit. Më 1879 mori pjesë në komisionin e posaçëm të Komitetit të Stambollit, që u formua për shqyrtimin e çështjes së alfabetit, ku mbrojti variantin e hartuar nga Sami Frashëri, si dhe në botimin e «Alfabetares» së Stambollit. K. H. njihet gjithashtu si një nga themeluesit e teatrit shqiptar, organizoi më 1874 shfaqjen teatrale «Dasma lunxhote». Shkroi vjersha patriotike dhe ishte një nga nismëtarët e poezisë didaskalike për fëmijë. Vjershat e tij me gjuhë e varg popullor u bënë të njohura në popull, disa u botuan pas vdekjes në vëllimet e Visarion Dodanit e të Spiro Dines. Për veprimtarinë e tij patriotike K. H. u burgos dhe u përndoq nga qeveria osmane e kisha fanariote, por mbeti deri në fund i vendosur në qëndrimet e tij.

(Sh. O.-Xh. Ll.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hoxhi Koto


[cite]