SHQIPTARËT DHE GJUHA E TYRE

Gjuha shqipe flitet nga të paktën gjashtë milion njerëz, kryesisht në Shqipëri e në ish-
Jugosllavi. Në Shqipëri vetë, kjo gjuhë flitet nga e gjithë popullsia prej 3,255,891 banorësh1,
përfshirë edhe disa pakica etnike dygjuhëshe. Statistika të besueshme për numrin e shqipfolësve
në ish-Jugosllavi nuk ka, por ata janë çmuar midis dy dhe tre milionëve.
Gjuha shqipe ndahet në dy grupe dialektore kryesore: ai gegë në veri të vendit dhe ai
toskë në jug2. Lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme, duke rrjedhur pranë Elbasanit e duke u
derdhur në Adriatik, formon kufirin e përafërt midis dy zonave. Këtu, në një zonë dhjetë deri
njëzet kilometra të gjerë, gjejmë edhe dialekte të ndërmjetme. Grupi i dialektit gegë, i
karakterizuar nga prania e zanoreve hundore, duke ruajtur n më të vjetër për r toskërishte (p.sh.
geg.: venë, Shqypni; tosk.: verë, Shqipëri) si dhe për një radhë tiparesh të veçanta morfologjike,
mund të klasifikohet më tej në një dialekt gegë veriperëndimor (Shkodër dhe zona përreth), në
një verilindor (Shqipëria verilindore dhe Kosova), në një qendror (midis lumenjve Ishëm e Mat
dhe drejt lindjes, përfshirë Dibrën dhe Tetovën) dhe në një jugor (Durrës, Tiranë). Grupi i
dialektit toskë është përgjithësisht më homogjen, ndonëse atë mund ta ndajmë në nëngrupe
dialektore veriore (nga Shkumbini në Vlorë në bregdet e në gjithë brendësinë e Shqipërisë
jugore në veri të lumit Vjosë), labe (në jug të Vjosës deri në Sarandë), dhe çame (cepi jugor i
Shqipërisë dhe brenda në Greqi). Gjuha e sotme letrare, e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit
më 20-25 nëntor 1972, është një bashkërendim i dy grupeve dialektore ndonëse bazohet në
masën 80% mbi atë toskë. Tani kjo është bërë normë e pranuar gjerësisht si në Shqipëri ashtu
edhe në ish-Jugosllavi3.
Në ish-Jugosllavinë, shqipja flitet nga një numër midis dy e tre milion vetësh dhe vjen
e dyta pas serbo-kroatishtes në ish-federatë. Qendra e popullsisë shqiptare është Krahina
Autonome e Kosovës me kryeqytet Prishtinën, tani Republika e Kosovës e vetëshpallur nën
pushtimin e dhunshëm ushtarak të Serbisë. Në Kosovë, shqiptarët përbëjnë rreth 90% të
popullsisë, të tjerët rreth 10%, kryesisht serbishtfolës. Që nga vendosja e kontrollit ushtarak
serb më 1989-1990, gjendja e të drejtave njerëzore e gjuhësore të shumicës shqiptare është
tejkeqësuar në mënyrë dramatike. Deri në atë kohë, të dyja gjuhët njiheshin zyrtarisht dhe ishin
në përdorim të plotë në të gjitha fushat e jetës në këtë rajon politikisht të turbullt4. Gjuha amtare
e shumicës së shqiptarëve të Kosovës është gegërishtja verilindore, të cilën e zumë në gojë më
sipër, ndonëse në të vërtetë të gjitha botimet këtu, ashtu si në Shqipëri, janë në shqipen letrare.
Edhe në radio, televizion dhe në shkollë, që nga kopshtet e fëmijëve e deri në universitet,
përdoret gjuha letrare shqipe5. Shqiptarët kanë një ritëm jashtëzakonisht të lartë lindjesh,
prandaj edhe përpjesëtimi i tyre në popullsinë e Kosovës dhe gjetkë në ish-Jugosllavi rritet nga
viti në vit.
Republika jugore e Maqedonisë vlerësohet të ketë të paktën një gjysmë milioni
shqipfolës, çka është e barabartë me deri 40% të mbarë popullsisë së republikës, ndonëse edhe
këtu nuk ka statistika të besueshme. Popullsia shqiptare gjendet në Shkup dhe përreth tij, ku ajo
përbën një pakicë me peshë, e sidomos nga Tetova, Gostivari, Dibra dhe deri poshtë në Strugë,
ku edhe përbën shumicën. Shqiptarët në Maqedoninë perëndimore gëzojnë njëfarë statusi ligjor,
por prapëseprapë nuk kanë të drejta gjuhësore e kulturore të plota. Shumica e shqiptarëve të
Maqedonisë flasin në dialektin gegë, ndonëse folës të toskërishtes mund të gjenden në jug të
Ohrit.
Gjithashtu, një pakicë prej rreth 50,000 shqipfolësish gjenden në Mal të Zi, kryesisht
përgjatë kufirit me Shqipërinë, d.m.th. në rajonet e malësisë së Gucisë dhe Plavës, në Tuz në jug
të Podgoricës, dhe në Ulqin në bregdetin jugor malazez. Përveç këtyre, janë edhe të paktën
100,000 shqipfolës të shpërndarë nëpër Serbinë jugore. Është fakt se shqiptarët sot mund t’i
gjesh në të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë, shumë prej tyre të emigruar nga rajoni i varfër dhe
i turbullt i Kosovës në republikat më të begata e të qëndrueshme veriore (Kroaci dhe Slloveni)
në kërkim të lirisë, punës dhe një niveli më të mirë jetese. Një numër i madh shqiptarësh nga
Kosova gjenden si punëtorë emigrantë dhe si refugjatë në Evropën Perëndimore, sidomos në
Gjermani dhe në Zvicër.
Një befasi për shumë njerëz është qenia e një pakice të madhe shqiptare në Italinë
jugore, të ashtuquajturit arbëreshë6. Ata janë pasardhësit e refugjatëve që lanë Shqipërinë pas
vdekjes se Skënderbeut më 1468. Falë një mjedisi politik e social më të favorshëm se ai në
Ballkan, arbëreshët qenë në gjendje të japin një ndihmesë vendimtare në zhvillimin e letërsisë
shqiptare dhe në lëvizjen kombëtare në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Letërsia e hershme
shqiptare, siç do ta shohim, është deri në një shkallë të madhe letërsi arbëreshe. Si pakicë
gjuhësore, arbëreshët tani përbëjnë rreth 90,000 folës, shumë prej të cilëve jetojnë në fshatrat
malore të Kozencës në Kalabri dhe në afërsi të Palermos në Sicili. Gjuha e tyre, e cila ende nuk
përfiton nga statusi zyrtar që u është dhënë pakicave të tjera kombëtare në Itali (gjermane,
franceze, sllovene, etj.), po vjen duke u shuar për shkak të ndikimit të fortë kulturor të italishtes
si dhe për shkak të emigrimit ekonomik. Ajo është tepër arkaike dhe dallohet shumë nga shqipja
që flitet sot në Ballkan, deri aty sa folësit arbëreshë e kanë të vështirë të komunikojnë në shqip
nëse nuk njohin gjuhën letrare shqipe. Emigrimi masiv i shqiptarëve në Itali më 1990-1991
ndoshta do të ndihmojë për ta stabilizuar gjuhën.
Në Greqi, numri i madh i shqiptarëve që populluan një pjesë të mirë të zonës qendrore
e jugore në mesjetën e vonë është asimiluar gjerësisht. Gjuha shqipe e atjeshme, e njohur në
shqip si arbërishte e Greqisë dhe në greqishte si Arvanitika7, prapëseprapë mund të dëgjohet
ende në rreth 320 fshatra, kryesisht përreth Levadhias, në Eubenë (Evinë) e jugut, Atikë, Korint
dhe në Androsin verior. Përderisa kjo gjuhë nuk gëzon ndonjë status zyrtar, statistika zyrtare
për numrin e folësve nuk ka. Arbërishtja e Greqisë, e cila po shuhet me shpejtësi, mendohet si
forma më arkaike e shqipes që flitet sot.
Gjetiu në Ballkan, folës shqiptarë ndeshen fare rrallë. Asgjë nuk ka mbetur nga ato
bashkësi të mëdha emigrantësh shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që lulëzuan dikur në
Bukuresht e në Sofje me institucionet e tyre kulturore (shoqata, klube, gazeta, shtypshkronja,
shkolla). Megjithatë, kjo gjuhë mund të dëgjohet në rajonin kufitar bullgaro-greko-turk, sidomos në fshatin bullgar të Mandricës8.
Gjithashtu, një numër i paktë shqipfolësish gjenden në Ukrainë9, sidomos në katër
fshatra (Zhovtnevoje, Gamovkë, Georgievkë dhe Denvenskoje) në krahinat e Melitopolit dhe
Odesës. Numri i shqiptarëve të Ukrainës, pasardhës të kolonëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë
të ardhur nga krahina e Varnës e Bullgarisë, vlerësohet më 1959 në rreth 5000.
Pak kanë mbetur nga ato koloni shqiptarësh që lulëzonin dikur anembanë Perandorisë
Osmane10. Pakica shqiptare në Egjipt tani është shkrirë, ndonëse bashkësi shqiptare ende
gjenden në numër të madh në Turqi (Stamboll etj.) dhe deri diku në Siri, sidomos në Damask.
Së fundi, grupe shqipfolësish në madhësi të ndryshme mund të ndeshen në vende
emigrimi si në Shtetet e Bashkuara11 (Boston, Nju Jork, Kënetikët, Nju Xhersi, Detroit), e deri
në një farë mase në Kanada, Australi dhe Argjentinë. Gjithashtu, shumë shqiptarë kanë
emigruar në Evropën Perëndimore (Itali, Greqi, Gjermani) dhe në Amerikë me rënien e
diktaturës në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.

_______
1 Shifra e popullsisë për v. 1990, kr. Vjetari Statistikor 1991, f. 37.
2 Për dialektet e shqipes kr. Desnickaja 1968, 1972, dhe Gjinari 1963, 1966.
3 kr. Kostallari 1973, Byron 1976, 1979b, Pipa 1989, dhe Samara 1989.
4 kr. Reuter 1982, Pipa & Repishti 1984 dhe Kohl & Libal 1992.
5 Radioja dhe televizioni në gjuhën shqipe u pezulluan pas vendosjes së kontrollit ushtarak serb, kurse mundësia e arsimimit është pakësuar shumë nga pushtetarët e Beogradit.
6 kr. Logoreci 1948, Cirrincione 1959, Nasse 1964, S. Petrotta 1966, Rother 1968, Tajani 1969, Kellner 1970, Zllatku 1976, Shkurtaj 1984, dhe Çabej 1987.
7 kr. Hamp 1961, Haebler 1965, dhe Sasse 1992.
8 kr. Shuteriqi 1965, dhe Sokolova 1983.
9 kr. Derzhavin 1948.
10 Për shqiptarët në vendet arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi & Halimi 1993.
11 kr. Albanian struggle… 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]