4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)

Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), i njohur në italishte si Pietro Bogdano, është
shkrimtari i fundit dhe dukshëm më origjinali i letërsisë së hershme në Shqipëri, autor i Cuneus
prophetarum (Çeta e profetëve), vepra e parë e rëndësishme në prozë e shkruar drejtpërdrejt
shqip (d.m.th. jo përkthim)29.
Lindur në Gur të Hasit afër Prizrenit rreth vitit 163030, Bogdani u edukua me traditat e
kishës katolike, së cilës i kushtoi gjithë energjitë e veta. I ungji Ndre Bogdani (Andrea
Bogdani, rreth 1600-1683) ishte argjipeshkëv i Shkupit dhe autor i një gramatike latinishtshqip,
tani e humbur. Për Bogdanin thuhet se shkollimin e parë e ka marrë nga françeskanët në
Çiprovac të Bullgarisë veriperëndimore dhe pastaj ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos
afër Ankonës, sikundër edhe paraardhësit e tij Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Nga 1651 deri më
1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në
filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Peshkop i Shkodrës, post që e mbajti për njëzet e një vjet,
dhe u caktua administrator i Kryedioqezës së Tivarit deri më 1671. Gjatë viteve të turbullta të
luftës turko-austriake, 1664-1669, u fsheh në fshatrat Barbullush e Rjoll të Shkodrës. Edhe sot
e kësaj dite emrin e tij e mban një shpellë ku qe strehuar atëhere. Më 1677 pasoi të ungjin si
kryepeshkop i Shkupit dhe administrator i Mbretërisë së Serbisë. Me zellin fetar dhe zjarrin
atdhetar në zemër ai mbeti në konflikt me autoritetet turke dhe, në atmosferën e luftës e të
rrëmujës që mbretëronte, u detyrua të ikë në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në
Venedik dhe Padovë, me dorëshkrimet me vete. Në Padovë u prit me përzemërsi nga kardinal
Gregorio Barbarigo (1622-1697), të cilit i kishte shërbyer në Romë. Kardinali Barbarigo,
peshkop i Padovës, ishte ngarkuar për të ndjekur çështjet kishtare të Lindjes dhe kishte interes
të madh për kulturën e Orientit, përfshirë Shqipërinë. Ai kishte ngritur edhe një shtypshkronjë
në Padovë, Tipografia del Seminario31, që shërbente për nevojat e gjuhëve orientale dhe kishte
matrica për gjuhët hebraike, arabe e armene. Kështu që Bogdani, në punët me vlerë historike që
po ndërmerrte, do të ndihmohej nga Barbarigo me dëshirën e mirë, gatishmërinë dhe aftësitë e
tij. Pasi i vuri punët në vijë për botimin e Cuneus prophetarum, Bogdani u kthye në Ballkan
në mars 1686 dhe i kaloi vitet e tjera duke mbështetur qëndresën kundër ushtrive të Perandorisë
Osmane, sidomos në Kosovë. Ai organizoi bashkimin e një force prej 6000 ushtarësh shqiptarë
me ushtrinë austriake që kishte mbërritur në Prishtinë dhe e shoqëroi në marrjen e Prizrenit. Por
atje, ai dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u ndeshën me një kundërshtar tjetër po aq të
tmerrshëm, me sëmundjen e murtajës. Bogdani u kthye në Prishtinë, por sëmundja e vuri poshtë
përfundimisht më 6 dhjetor 1689. I nipi, Gjergji, bënte të ditur më 1698 se eshtrat e të ungjit
ishin shvarrosur më pas nga ushtarët turq e tartarë dhe u ishin hedhur qenve në mes të sheshit
në Prishtinë. Kështu përfundoi një nga figurat më të mëdha të kulturës së hershme shqiptare,
shkrimtari i përmendur shpesh si babai i prozës shqiptare.
Cuneus prophetarum, traktati i tij i gjerë mbi teologjinë, u botua shqip e italisht
pikërisht në Padovë më 1685, me ndihmën e kardinalit Barbarigo. Bogdani e kishte përfunduar
variantin shqip dhjetë vjet më parë, por nuk i qe dhënë leja e botimit nga Propaganda Fide, e
cila urdhëroi që dorëshkrimi paraprakisht të përkthehej32, pa dyshim për të lehtësuar punën e
censorit. Titulli i plotë i variantit të botuar është:
“Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate, italice et
epirotice contexta, et in duas partes diuisa a Petro Bogdano Macedone, Sacr. Congr. de
Prop. Fide alvmno, Philosophiae & Sacrae Theologiae Doctore, olim Episcopo
Scodrensi & Administratore Antibarensi, nunc vero Archiepiscopo Scvporvm ac totivs
regni Serviae Administratore”
(Çeta e profetëve të Krishtit, shpëtimtar i botës dhe i fjalës së tij të vërtetë, botuar në
gjuhët italiane e epirote dhe ndarë në dy pjesë nga Pjetër Bogdani i Maqedonisë, student
i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fides, doktor në filozofi e teologji të shenjtë,
ish-peshkop i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kurse tani kryepeshkop i Shkupit dhe
Administrator i mbarë Mbretërisë së Serbisë).
Cuneus prophetarum u shtyp me alfabetin latin sikundër përdorej në botimet italisht,
duke shtuar po ato shkronja cirilike që patën përdorur Pjetër Budi e Frang Bardhi, veprat e të
cilëve duket se Bogdani i ka njohur. Dihet se gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides,
Bogdani ka kërkuar libra shqip nga shtypshkronja e kolegjit: “pesë kopje të Doktrinës së
Krishterë dhe pesë fjalorë shqip”, me siguri vepra të Budit e të Bardhit. Në një raport dërguar
Propaganda Fides më 1665, ai gjithashtu përmend një ‘Evangelii in Albanese’ (Ungjij në
shqip)33, për të cilët kishte dëgjuar, dhe ka të ngjarë të jetë Meshari i Buzukut i vitit 1555.
Cuneus prophetarum u botua në dy shtylla përkrah njëra-tjetrës në çdo faqe, njëra shqip
e tjetra italisht, në dy vëllime, secili prej tyre kishte katër pjesë (scala). Vëllimi i parë, i cili në
fillim ka disa përkushtime e panegjirika të shkruara latinisht, shqip, serbisht dhe italisht, dhe
përfshin dy vjersha shqip tetëvargëshe, njëra nga kushëriri i tij Lukë Bogdani (Luca Bogdani)
dhe tjetra nga Lukë Suma (Luca Summa), trajton kryesisht tema nga Dhjata e Vjetër: i) Si e
krijoi Zoti njeriun, ii) Profetët dhe rrëfimet e tyre për ardhjen e Mesisë, iii) Jeta e profetëve dhe
profecitë e tyre, iv) Jeta e dhjetë Sibilave. Vëllimi i dytë, i titulluar De vita Jesu Christi
salvatoris mundi (Mbi jetën e Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës), i kushtohet kryesisht Dhjatës
së Re: i) Jeta e Jezu Krishtit, ii) Mrekullitë e Jezu Krishtit, iii) Vuajtjet dhe vdekja e Jezu
Krishtit, iv) Ringjallja dhe ardhja e dytë e Krishtit. Kjo pjesë përfshin një përkthim nga Libri i
Danielit, 9, 24-26, në tetë gjuhë: latine, greke, armene, siriake, hebraike, arabe, italiane dhe
shqipe, dhe pasohet nga një krye mbi jetën e Antikrishtit, me tregues italisht dhe shqip dhe me
një shtojcë trifaqesh mbi Antichità della Casa Bogdana (Lashtësia e Shtëpisë së Bogdanëve).
Kjo vepër u rishtyp dy herë nën titullin “L’infallibile verità della cattolica fede”,
Venedik 1691 dhe 1702 (E vërteta e pagabueshme e besimit katolik)34.
Cuneus prophetarum merret si kryevepra e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e
para vepër me tipare të plota letrare e artistike në gjuhën shqipe. Ajo përfshin një gamë të gjerë:
filozofi, teologji, shkencë (me trajtime në gjeografi, astronomi, fizikë e histori). Ndërsa me
poezinë dhe prozën letrare të saj prek çështje të estetikës e të teorisë së letërsisë. Ajo është një
vepër humaniste e Epokës Baroke e ndikuar nga traditat filozofike të Platonit, Aristotelit, Shën
Agustinit dhe Shën Thoma Akuinit. Qëllimi filozofik themelor i Bogdanit është njohja e Zotit,
zbërthimi dhe shpjegimi i problemeve të qenies, çka ai e kryen me armët e arsyes e të mendjes.
Edhe pse talenti i Bogdanit bie më shumë në sy në prozë, poezisë së tij të thjeshtë fetare
nuk i mungon eleganca. Trungun e poezisë së tij e përbëjnë vjershat për dhjetë Sibilat (e
Kumës, e Libisë, e Delfit, e Persisë, e Eritresë, e Samosit, e Kumanit, e Helespontit, e Frigjisë,
e Tivolit),
vjersha që përshkohen nga prirja e shija baroke për tema fetare dhe aludime klasike. Ja, për
shembull, Sibila e Persisë:
“Kumbon zani malsh e keletth ndë shkretëti,
Xihariq me dhan’e u e të dërejtë,
Shekullit me çelë, e fajevet për mengji,
Pagëzimnë predikon mbë ketë jetë,
Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
Ndë parrijsit vendtë gjanjë si do vetë,
Tue trusun’ kryetë asaj bishe,
Mirë tu bam, e shpesh tu votë n’kishe.”
Nga të gjithë shkrimtarët e tjerë të hershëm shqiptarë Bogdanin e dallon shqipja e tij e
veçantë. Ai kishte një interesim të vetëdijshëm për fjalët e vjetra të harruara si dhe një leksik
shumë të pasur, të cilin e përdori me mjeshtëri për të shprehur nocione të reja abstrakte.
Bogdani filozofon mbi skolasticizmin dhe teologjinë me siguri dhe zhdërvjelltësi, ndërkohë që
paraardhësi Frang Bardhi, pesëdhjetë vjet para tij, kishte hasur vështirësi të dukshme për të
shprehur nocione abstrakte të çdo lloji. Në veprën e Bogdanit ndeshemi për herë të parë me atë
që mund të quhet gjuhë letrare. Kësisoj, ai e meriton të mbajë cilësimin e babait të prozës
shqipe.

28 kr. Archivo storico della S. Congregazione ‘de Propaganda Fide’, SC Stamperia 2, f. 257.
29 Studimet më të plota për Bogdanin deri më sot janë kryer nga Sciambra 1965 dhe Rugova 1982. Shih edhe Weigand 1927, Zamputi 1954, 1963a, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Redzepagiƒ 1966, Xholi 1986a/1986b, Marlekaj 1989, Shuteriqi 1989, Marquet 1989, 1991, Kostallari (red.) 1991, Plasari 1994b, Fortino 1995, dhe Sh. Osmani 1996.
30 Disa autorë pëlqejnë ta datojnë vitin e lindjes 1625, por megjithatë viti 1630 ka më shumë të ngjarë.
31 kr. Bellini 1938.
32 “Compositio de qua fit mentio, translatetur” (Shkrimi për të cilën është fjala, le të përkthehet). kr. Zamputi 1954, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Rugova 1982, f. 46.
33 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.
34 Cuneus prophetarum gjendet edhe në rishtypje që i është bërë në ditët tona, kr.
Bogdani 1977 dhe 1989.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]