6.4 Përfundime
Mbizotërimi i greqishtes si gjuhë e arsimit dhe kulturës së krishterë në Shqipërinë jugore
si dhe qëndrimi shpesh armiqësor i kishës ortodokse ndaj përhapjes së shkrimeve në gjuhën
shqipe e bënë të pamundur zhvillimin e një letërsie shqiptare me alfabetin grek. Kisha
ortodokse si mjeti kryesor i përhapjes së kulturës në Ballkanin jugor, ndërsa synonte të përhapte
arsimin dhe vlerat kristiane, nuk qe kurrë e bindur për dobinë e shkrimit të të folmeve vendëse
si mjet për kthimin fetar të masave, ashtu sikundër kishte qenë e bindur, deri në një farë shkalle,
kisha katolike në Shqipërinë veriore gjatë kohës së kundërreformës. Me përjashtim të
shtypshkronjës jetëshkurtër në Voskopojë, shqiptarët e jugut nuk patën ndonjëherë as mjete
botimi si ato që u viheshin në dispozicion klerikëve dhe dijetarëve të Shqipërisë katolike në
Venedik e në Dalmaci. Si rrjedhim, tradita ortodokse në shkrimet shqipe, duke qenë një
trashëgimi e fortë kulturore e shkollës dhe dijes, edhe pse e kufizuar kryesisht me përkthime
tekstesh fetare e hartime fjalorësh, do të mbetej një filiz që kurrë nuk lëshoi gonxhe të vërteta.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia