HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE
nga
ROBERT ELSIE

1. Shqiptarët dhe gjuha e tyre

2. Historia e hershme e shqiptarëve
2.1 Nga Iliria deri te Bizanti
2.2 Përmendjet më të hershme për shqiptarët

3. Lindja e letërsisë së shkruar në Shqipëri
3.1 Traditat humaniste të Rilindjes evropiane
3.2 Fillimet e shkrimit shqip

4. Fillimet e letërsisë në Shqipëri. Shekujt XVI e XVII
4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)
4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)
4.6 Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë
4.7 Përfundime për letërsinë e shekujve XVI e XVII

5. Shkëlqimi i Orientit. Letërsia myslimane e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX
5.1 Kushtet historike dhe kulturore
5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht
5.3 Letërsia e bejtexhinjve
5.4 Shkrimtarë minorë të periudhës
5.5 Përfundime për letërsinë e shekullit XVIII dhe fillim-shekullin XIX

6. Trashëgimia e Bizantit. Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX
6.1 Përçarje në identitetin kulturor
6.2 Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera
6.3 Fjalorë dhe gramatika në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX
6.4 Përfundime shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX

7. Sotto il sereno cielo italiano (Nën qiellin e kthjellët italian). Letërsia arbëreshe në shekujt XVIII e XIX
7.1 Emigrimi shqiptar në Itali
7.2 Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë
7.3 Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë
7.4 Jeronim De Rada dhe letërsia arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë
7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe
7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë
7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht

8. Letërsia myslimane dhe bektashiane 1850-1950
8.1 Arti bektashian
8.2 Rënia e traditës myslimane

9. Periudha e Rilindjes. Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar
9.1 Fillimet e ndërgjegjes kombëtare (1830-1850)
9.2 Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë
9.3 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar të Rilindjes
9.4 Letërsia toske e Jugut të Shqipërisë nën ndikimin kulturor grek
9.5 Shkrimtarët gegë veriorë të Shkodrës
9.6 Përpjekjet për shkollën
9.7 Zbulimi i letërsisë gojore
9.8 Lindja e gazetarisë shqiptare
9.9 Figura minore të letërsisë së Rilindjes
9.10 Përfundime për periudhën e Rilindjes

10. Rrymat e letërsisë shqiptare nga fillimi i shekullit XX deri më 1944
10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë
10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni
10.3 Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë
10.4 Gjergj Fishta, zëri i kombit
10.5 Migjeni dhe Lasgush Poradeci, lajmëtarët e bashkëkohësisë
10.6 Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët
10.7 Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë
10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944
10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë

11. Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi
11.1 Kushtet politike dhe historike
11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më 1961
11.3 Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara
11.4 Prozatorë të tjerë nga 1961 deri më sot
11.5 Poezia e sotme në Shqipëri
11.6 Dramaturgjia në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot

12. Letërsia shqiptare në Kosovë
12.1 Vendi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi
12.2 Lindja e prozës shqiptare në Kosovë
12.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
12.4 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare në Kosovë

13. Gjaku ynë i shprishur. Letërsia shqiptare e shekullit XX në Itali e diasporë
13.1 Etapa e pjekurisë për letërsinë dhe studimet arbëreshe
13.2 Letërsia e sotme arbëreshe
13.3 Shkrimtarët shqiptarë në diasporë

14. Kronologji e letërsisë shqiptare

Parathënie e botimit shqip
Origjinali në gjuhën angleze i kësaj Historie të Letërsisë Shqiptare u shkrua gjatë një
periudhe prej pesë vjetësh, nga 1988 deri më 1993, dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës me pak vonesë më 1995. Vitet e grumbullimit e të studimit të materialit dhe përgatitja
e këtij libri përkuan me vitet e kthesës dramatike për popullin shqiptar. Nata e gjatë e diktaturës
dhe terrorit komunist në Shqipëri më në fund mbaroi, duke e lënë vendin të rrënuar, kurse
njerëzit në dëshpërim e kaos. Populli i Kosovës nga ana e tij, i cili, krahasuar me vetë
Shqipërinë, kishte gëzuar njëfarë demokracie dhe lirie individuale gjatë viteve shtatëdhjetë dhe
tetëdhjetë, e pa vendin e vet të përpirë nga valët e histerisë nacionaliste e të pushtuar
ushtarakisht, sikundër të kishte rënë pré e një oreksi të panginjur prej ujku. Asgjë nuk ka mbetur
ashtu siç ishte.
Kjo Histori e Letërsisë Shqiptare është një përpjekje për të trajtuar zhvillimin historik të
letërsisë në gjuhën shqipe nga fillimet deri rreth vitit 1990. Libri u shkrua duke pasur parasysh
lexuesin e huaj, me synimin që t’i paraqitej botës së jashtme një kulturë në thelb e panjohur,
ndonëse kulturë evropiane. Për këtë arsye, kërkesat për një përkthim shqip të kësaj vepre i
pritëm në fillim me njëfarë ngurrimi. Normalisht, nuk i takon një ‘vëzhguesi të huaj’ të shkruajë
një histori të letërsisë shqiptare për vetë shqiptarët, kur studiuesit vendës sigurisht kanë një
njohje më të mirë e më të thellë të kulturës së tyre. Por, megjithatë, pranuam të përkthehet në
gjuhën shqipe kryesisht për shkak të mungesës së vazhdueshme të çfarëdo historie tjetër letrare
gjithëpërfshirëse e ideologjikisht asnjanëse. Nuk mund të pritet tani për tani që studiuesit
shqiptarë, të izoluar siç qenë, të varfër siç janë dhe pa mjete moderne në dispozicion (biblioteka
të pajisura mirë, qendra studimore, kompjuter e internet), siç do të jenë edhe për një farë kohe,
të mundin menjëherë të përmirësojnë gjendjen. Përdorimi edhe më tej i teksteve standarde të së
kaluarës me një vështrim të njëanshëm e konformist, e në thelb të shtrembëruara e të censuruara
nga ekstremistë politikë, vetëm se do të pengojë përparimin kulturor e intelektual të
shqiptarëve.
Besojmë se lexuesi shqiptar do të na falë ndonjë karakteristikë a gjurmë ‘të huaj’ që
mund të gjejë në këtë punim, p.sh. një prirje të lehtë për të anuar nga burimet e jashtme e jo nga
ato në gjuhën shqipe, digresione dhe shpjegime që mund të jenë të tepërta për të, dhe ndonjë
rast mungese etike ndaj gjërash që në Ballkan mbahen të shenjta.
Në krahasim me variantin në gjuhën angleze, janë bërë ndryshime dhe përmirësime të
vogla, kurse disa pjesë të origjinalit janë lënë jashtë. Bibliografia është përditësuar disi, por nuk
është bërë ndonjë orvatje serioze për të përfshirë në tekstin e librit zhvillime më të reja të
letërsisë shqiptare, domethënë ato rreth vitit 1990 e këndej.
Për sa i përket letërsisë së sotme dhe autorëve bashkëkohorë të përmendur në krerët e
fundit të këtij libri, vlen të theksohet se ata janë vetëm disa prej shkrimtarëve të shumtë që kanë
dalë në Shqipëri, në Kosovë dhe në vise të tjera shqipfolëse dhe që mund të kishim paraqitur.
Nuk ka ardhur ende koha për një radhitje përfundimtare sipas parimesh krejtësisht estetike. Siç
e kam theksuar përpara, është lexuesi vetë që do të japë gjykimin përfundimtar për të gjitha
veprat. Kështu, do të kërkoja prej tij që t’i lexojë krerët e kësaj vepre si një prezantim të
mundshëm dhe jo si një botim zyrtar. Kjo kërkesë nga ana ime vlen në fakt për gjithë librin. Një
histori letërsie nuk është dhe nuk mund të jetë unike, si të thuash e shkruar një herë dhe e dhënë
përgjithmonë. Mendoj, se aty ka hapësirë për prezantime nga më të ndryshmet, me të cilat
kuptohen mendime e trajtime të saj.
Autori dëshiron të falënderojë edhe një herë shumë miq e kolegë për ndihmën dhe
inkurajimin e tyre. Ndër ta në radhë të parë janë: Abdurrahim Myftiu për punën aq të
mundimshme të përkthimit të një vepre kaq të gjatë e të imtë në një shqipe të rrjedhshme e të
saktë; Maks Gjinaj, bibliograf i cilësuar në Bibliotekën Kombëtare, që ma ka lehtësuar shumë
punën për njohjen dhe konsultimin e veprave e të studimeve për letërsinë shqiptare; dhe Emil
Lafe në Akademinë e Shkencave për redaktimin e kujdesshëm letrar si edhe për një varg
saktësimesh e sugjerimesh të vlefshme. Një falënderim i veçantë i drejtohet Shoqatës Gjermane
për Bashkëpunimin Teknik (Deutsche Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit), agjensi e
qeverisë gjermane, për mbështetjen bujare financiare që bëri të mundur botimin shqip të kësaj
vepre.
Robert Elsie
Pranverë 1997

Parathënie e botimit anglisht
Prej kohësh është ndier nevoja e ngutshme për një vështrim të plotë të letërsisë
shqiptare, për të cilën brenda vendit nuk ka ende një përfytyrim të qartë, kurse jashtë tij ajo ka
mbetur në thelb e panjohur. Në të vërtetë as edhe një letërsi kombëtare tjetër në Evropë nuk i ka
shpëtuar vëmendjes së publikut të botës perëndimore aq shumë sa letërsia shqiptare. Në këtë
aspekt, ky punim rreket të mbushë këtë mungesë duke dhënë një vështrim historik tërësor të
krijimtarisë së shkruar në gjuhën shqipe që nga fillimet e deri në ditët tona.
Letërsia shqiptare ka pasqyruar fatin e popullit shqiptar nëpër shekuj, fatin e një vendi
të vogël në një rajon të Evropës, i cili për arsye politike, historike, ekonomike dhe gjeografike
ka mbetur më i pazhvilluari në këtë kontinent. Popujt më fatlumë të Evropës kanë mundur t’i
gëzohen shkëlqimit të kulturave dhe trashëgimisë së tyre kombëtare, të pasuruara e të kulluara
nga shekujt, ndërsa historia e Shqipërisë ka qenë diçka më shumë se luftë për të mbijetuar. Kjo
e vërtetë është më e dukshme se kurrë tani që shekulli i njëzetë po i afrohet fundit.
Pas fillimesh të vona e të vështira, letërsia shqiptare, si një kaçubë e njomë, zuri rrënjë
në dheun shkëmbor të atdheut të saj, por rrënjë që do të priteshin e këputeshin herë pas here.
Letërsia e hershme e shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë, fidan i Kundërreformës,
u fshi menjëherë nga pushtimi turk i Ballkanit. Letërsia shqiptare myslimane e
shekujve të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, e shkruar me alfabetin arab dhe e frymëzuar nga
Orienti, nuk mund të mbahej më në këmbë gjatë luftërave të shqiptarëve për pavarësi kundër
Perandorisë Osmane dhe u braktis në të mirë të modeleve më perëndimore. Letërsia e periudhës
së parë të shekullit të njëzetë nuk u la të merrte frymë pas ardhjes në fuqi të komunizmit në
vitin 1944, me qëllim që t’i hapej rrugë krijimit të një letërsie të re proletare. Kursi i acaruar i
marrëdhënieve politike shqiptaro-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore ua bëri që në fillim të
qartë shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, se për kulturën e tyre të shkruar, ata nuk mund të
mbështeteshin te Tirana. Për këtë arsye letërsia e tyre e kohëve të reja ka një histori dhe
zhvillim të vetin por është njëherazi pjesë përbërëse e jetike e krejt letërsisë shqiptare. Letërsia
italo-shqiptare ose arbëreshe, fryt i gjenisë krijuese të paraardhësve të refugjatëve shqiptarë që
lanë atdheun dhe u hodhën në Italinë e Jugut në shekullin e pesëmbëdhjetë pas vdekjes së
Skënderbeut dhe shuarjes së qëndresës së armatosur kundër turqve, lindi e u zhvillua në mënyrë
vërtet të pavarur nga paraardhësja e saj në trojet ballkanike. Në të dy rastet, shqiptarëve iu desh
të rimbillnin farën e kulturës së shkruar. Përsëri letërsia shqiptare nisi të lulëzojë mbi lastarët e
traditave të veta letrare. Mund të flitet vërtet për disa letërsi shqiptare. Por, me gjithë rrjedhën
e turbullt të historisë shqiptare e ballkanase, shqiptarët si bashkësi gjuhësore mbetën një, kurse
letërsia e tyre, shprehja kulturore e kësaj bashkësie, lypset vështruar si një tërësi, sado
heterogjene në dukje.
Deri tani janë shkruar një numër historish të ndryshme nga njëra-tjetra për letërsinë
shqiptare, por në një mënyrë a në një tjetër ato kanë dalë të pakënaqshme, qoftë si të paplota,
qoftë duke u bërë tejet të vjetëruara e qoftë duke qenë të politizuara që në ngjizje. Për ata që e
lexojnë shqipen, Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983, botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe
Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, përbën një fillim. Ky është një
variant i ripunuar e i zgjeruar i punimit në dy vëllime të Universitetit të Tiranës Historia e
letërsisë shqipe, Tiranë 1959, 1960. Të dyja këto vepra mbulojnë letrat shqiptare nga shekulli
i gjashtëmbëdhjetë deri në fund të viteve ’30 të shekullit tonë, por ato vuajnë, ashtu siç vuajnë
në të vërtetë të gjithë librat e tjerë të botuar në Tiranë gjatë gjysmës së shekullit të diktaturës
komuniste, nga paragjykime të forta politike e nacionaliste. Prirja për të ndarë gjithë veprat dhe
shkrimtarët shqiptarë, qoftë edhe ata të shekujve të mëparshëm, në kategori absolute – kategoria
e mirë (përparimtare, d.m.th. e majtë, atdhetare) dhe kategoria e keqe (reaksionare, d.m.th. e
djathtë, tradhtare), ishte me pasoja fatale. Kategori të tilla pak hyjnë në punë në vështrime të
prodhimit letrar dhe në vlerësime të ndikimit që vepra letrare të veçanta kanë pasur në kulturën
shqiptare. Ndër monografi të tjera, ajo në tre vëllime e Rexhep Qoses Historia e letërsisë
shqipe: Romantizmi, Prishtinë 1984, 1984, 1986, jep një pasqyrë të mirë të periudhës së
shekullit të nëntëmbëdhjetë të romantizmit kombëtar në letërsinë shqiptare. Për letrat
bashkëkohore në Shqipëri deri në mesin e viteve shtatëdhjetë, mund të konsultojmë Historia e
letërsisë shqiptare të realizmit socialist, Tiranë 1978, me kryeredaktor Koço Bihikun, e cila
është shkruar, siç edhe mund të pritej, me një paragjykim politik të skajshëm.
Në anglishte, lexuesi mund të shfletojë punimin tonë Dictionary of Albanian literature,
Nju Jork & Uestport 1986 (Fjalor i letërsisë shqiptare), i cili jep të dhëna kryesore biografike
dhe bibliografike për mbi pesëqind shkrimtarë shqiptarë dhe tema që kanë të bëjnë me letërsinë.
Punimi i Stuart Mannit Albanian literature. An outline of prose, poetry and drama, Londër
1955 (Letërsia shqiptare. Vështrim mbi prozën, poezinë dhe dramën) përmban informacion të
bollshëm e të drejtpërdrejtë për shkrimtarët shqiptarë, por përfshirja në të është e kufizuar dhe
mbyllet me Luftën e Dytë Botërore. I shtypur në kohë më të vona është varianti i shkurtuar në
anglishte i punimit të Namik Ressulit Albanian literature, Boston 1987 (Letërsia shqiptare). Por
kjo hyrje prej 42 faqesh në shkrimet shqipe që nga fillimet e deri më 1943, duke u ndalur më
fort në traditën katolike të Shkodrës, është përkthyer aq keq, sa që mund të kuptohet vetëm me
një njohje të mirë të italishtes. Veç këtyre, në anglisht (si dhe në frëngjishte, italishte dhe
rusishte) gjendet edhe përkthimi i bërë në Tiranë i punimit të kritikut Koço Bihiku History of
Albanian literature, Tiranë 1980, i cili përqëndrohet në letërsinë e realizmit socialist deri më
1977, i parë në një këndvështrim partiak të ekzaltuar. Punimi jep një material jashtëzakonisht
të ndryshëm duke lënë jashtë me vetëdije shumë autorë të mëdhenj të viteve njëzet e tridhjetë
të ndaluar për të hyrë në Parnasin shqiptar si dhe gjithë letërsinë e Kosovës. Ndonëse nuk është
rreptësisht një histori letërsie si e tillë, punimi i Arshi Pipës Albanian literature: social
perspectives, Mynih 1978 (Letërsia shqiptare: perspektiva sociale), përmban të dhëna të
dobishme për periudha të ndryshme. Letërsia e sotme nga Shqipëria, pa Kosovën, mbulohet
gjithashtu nga punimi prej 175 faqesh i Pipës Contemporary Albanian literature, Nju Jork 1991
(Letërsia bashkëkohore shqiptare), i cili përmban mjaft analiza.
Në italishte, lexuesi mund të përdorë punimin e Zef Skiroit, i Riu (Giuseppe Schirò)
Storia della letteratura albanese, Firence 1959 (Historia e letërsisë shqiptare), i cili mbulon
letrat shqipe deri në Luftën e Dytë Botërore duke shqyrtuar gjerësisht letërsinë arbëreshe deri
në atë kohë; si dhe punimin e Gaetano Petrotës (Gaetano Petrotta) Popolo, lingua e letteratura
albanese, Palermo 1932 (Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare), ashtu edhe Svolgimento storico
della cultura e della letteratura albanese, Palermo 1950 (Zhvillimi historik i kulturës dhe i
letërsisë shqiptare), ky i dyti sidomos për periudhën e pavarësisë nga viti 1912 deri në Luftën e
Dytë Botërore. Për letërsinë e hershme shqiptare deri më 1700, mund t’i drejtohemi gjithashtu
punimit të Xhuzepe Ferrarit (Giuseppe Ferrari) Storia della letteratura albanese, vëll.1, Bari
1978 (Histori e letërsisë shqiptare). Ende mund të hyjë në punë deri diku për letërsinë gojore
dhe të hershme arbëreshe punimi i Albert Stratikoit (Alberto Straticò) Manuale di letteratura
albanese, Milano 1896 (Doracak për letërsinë shqiptare), që mund të quhet historia e parë e
vërtetë e letërsisë shqiptare.
Me gjithë botimet e mësipërme, kjo histori e letërsisë shqiptare, që po ju paraqesim,
mëton të jetë në shumë pikëpamje një vepër pioniere, sidomos ngaqë mundohet të jetë
gjithëpërfshirëse dhe ngaqë nuk lë jashtë asnjë periudhë të letërsisë së shkruar. Synimi ynë në
këtë punim ka qenë të paraqesim tërësinë e letërsisë shqiptare në zhvillimin e vet historik e në
kontekstin kulturor. Është lënë jashtë vetëm letërsia gojore, së cilës i duhet kushtuar një vëllim
më vete. Lexuesi do të na falë që i jemi rreshtur shprehjes së gjykimeve kritike për të gjitha
veprat. Kjo rreshtje, ose më mirë të themi – ky parapëlqim për të përshkruar më fort se për të
dhënë verdikte – buron jo vetëm nga një farë ngurrimi për të imponuar shijet tona vetjake, por
edhe nga një mungesë dëshire nga ana jonë për ta gjykuar letërsinë shqiptare nga optika e një të
huaji. Ndonëse kur je vëzhgues i jashtëm ke një varg epërsish të dukshme, është lexuesi
shqiptar ai që, në analizë të fundit, jep gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat, pavarësisht
se ç’mund të thonë kritikët letrarë, qoftë të vendit, qoftë të huaj.
Për një pjesë të mirë të letërsisë shqiptare ende nuk ka ardhur koha për të bërë
konkluzione përfundimtare përderisa historia dhe zhvillimi i saj janë ende tepër të paqarta.
Shumë vepra dhe autorë të rëndësishëm, edhe pse të cituar e të ricituar, janë në të vërtetë pak të
njohur. Burimet parësore mungojnë deri në një shkallë shqetësuese, kurse shumë dorëshkrime
që kanë mbetur gjallë nga rrëmuja ballkanike, kurrë nuk janë botuar me kriteret e duhura
shkencore. Botimet origjinale të shumë vëllimeve me rëndësi të madhe letrare e kulturore të
shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë janë aq të rralla, e për këtë arsye aq të vështira për t’u
siguruar, sa që nis e vret mendjen se kush mund t’i ketë lexuar, qoftë edhe në kohën e botimit.
Shumicës së veprave letrare ka vite që nuk u ndodhen më kopje në qarkullim, kurse disa libra,
këtë e them me siguri, as edhe nuk janë parë kurrë me sy nga kritikët që i lëvdojnë apo i hedhin
poshtë.
Nëse burimet parësore janë në një gjendje për të ardhur keq, po në këtë gjendje është
edhe niveli i tanishëm i studimeve shqiptare, pjesërisht ngaqë njerëzit në Shqipëri kanë qenë për
një gjysmë shekulli të izoluar e të veçuar nga pjesa tjetër e botës prej regjimit politik në atë
vend. Pikëpamje të gabuara dhe mendime subjektive, të mbështetura në ideologji, kanë kaluar
nga njëra penë në tjetrën, nga njëra makinë shkrimi në tjetrën dhe nga njëri libër në tjetrin
derisa kanë arritur të merren si realitete të padiskutueshme. Në vlerësimin e letërsisë shqiptare
ka një nevojë të ngutshme për një objektivitet më të madh, sidomos pas dhjetëvjeçarëve të
fundit të shtrembërimit politik të ndërgjegjes. Historia e kritikës letrare në Shqipëri deri në ditët
tona e bën këtë nevojë edhe më fort të dukshme.
Në pajtim me natyrën prej pionieri të kësaj vepre, historisë vetë i është shtuar një
bibliografi e gjerë e letërsisë shqiptare në ndihmë të lexuesit të interesuar për të bërë kërkime në
këtë fushë mjaft të shpërfillur. Bibliografia, natyrisht, nuk mund të përfshijë të gjitha veprat e
letërsisë shqiptare, kurse përfshirja e veprave të autorëve të sotëm, në veçanti, është bërë nga
nevoja në mënyrë përzgjedhëse. Përfshirja ose lënia jashtë e veprave të këtyre autorëve nuk
duhen marrë doemos si pohim i drejtpërdrejtë i vlerave të tyre letrare.
Fillimi i viteve nëntëdhjetë, kohë gjatë së cilës u përfundua ky libër, e ka parë kombin
shqiptar në një gjendje katastrofe politike, ekonomike e intelektuale, gjendje kjo me rrjedhoja
dramatike për rrugën e letërsisë dhe të kulturës bashkëkohore. Në të vërtetë të gjitha
ndërmarrjet botuese në gjuhën shqipe ose kanë falimentuar ose janë mbyllur. Nuk ka as fonde,
as letër, as bojë, as punë dhe, ç’është më e keqja sot, as shpresë. Shqipëria vetë nuk ka ç’të
tregojë nga dyzet e gjashtë vjetët e “izolimit të shkëlqyer” dhe të diktaturës staliniste, përveç
urisë dhe rrënimeve të atilla që pjesa tjetër e Evropës nuk i ka njohur për një gjysëm shekulli.
Populli i Kosovës, nga ana e tij, po ballafaqohet me një shkallë të atillë shtypjeje dhe
përndjekjeje, që nuk e ka shoqen në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Është një periudhë vuajtjesh, ankthi dhe pasigurie, ndoshta e papërshtatshme për
botimin e një vepre të tillë. Populli shqiptar ndodhet përpara detyrës komplekse, pas një
mungese të gjatë, për të fituar vendin e vet në Evropë e në botën Perëndimore dhe, njëherazi,
për të ruajtur identitetin e vet kombëtar në një periudhë krize. Nëse ky libër mund të ndihmojë,
sadopak, atëherë qëllimit ia ka arritur.
Autori e shikon me vend të shprehë mirënjohje për të gjithë ata që e kanë ndihmuar për
realizimin e veprës në fjalë. Për mendimet dhe ndihmën konkrete, që më kanë dhënë, do të doja
të falenderoja, duke i përmendur në rend alfabetik, zz. Anton Berisha (Prishtinë), Heinz Bothien
(Frauenfeld), të ndjerin Martin Camaj (Mynih), Johannes Faensen (Berlin), Flutura Greva
(Tiranë/Uashington), Sabri Hamiti (Prishtinë), Rexhep Ismajli (Prishtinë), Perikli Jorgoni
(Tiranë), Rudolf Marku (Tiranë), Rexhep Qosja (Prishtinë), Michael Schmidt-Neke
(Hamburg/Kiel), Barbara Schultz (Ottava), Agim Vinca (Prishtinë) dhe Petro Vuçani
(Grottaferrata). Veç tyre, jam shumë mirënjohës për ndihmën që më është dhënë me gjithë
zemër në studimet e mia nga punonjësit e Bibliotekës Kombëtare (Tiranë), nga antarët e
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në veçanti nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë
(Tiranë), nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (Tiranë), nga Instituti
Albanologjik (Prishtinë), nga Universiteti i Prishtinës, dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve të
Kosovës (Prishtinë). Falenderimet e mia të përzemërta u takojnë gjithashtu shumë organizatave
dhe individëve të tjerë të panumërt që më kanë dhënë zemër në një mënyrë a në një tjetër gjatë
pesë vjetëve të punës sime.
Në shumë raste, gjatë vizitave nëpër Shqipëri e Kosovë, kam pasur kënaqësinë hutuese
të provoj mikpritjen tradicionale e të pakufishme shqiptare në rrethana shpesh tepër të vështira
ekonomike e politike për mikpritësit e mi. E di fare mirë se kjo çiltërsi, mirësi dhe bujari nuk
është diçka individuale, por një tipar kolektiv i shqiptarëve, të cilëve u jam thellësisht
mirënjohës.
Adhurimi im i takon, në këto fjalë përmbyllëse, numrit të vogël të intelektualëve të
guximshëm në Shqipëri të cilët, gjatë viteve të fundit të mpira të diktaturës komuniste, patën
guximin, në raste shumë të rralla, të më bënin vërejtje dykuptimshe e sugjerime të holla që më
shpinin në drejtimin e saktë, larg gënjeshtrave zyrtare që ata vetë ishin të detyruar të
propagandonin.
Robert Elsie
1988 – 1993

Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)”
nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997)

[cite]