4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
Frang Bardhi (1606-1643) është i katërti në radhën e shkrimtarëve të hershëm
shqiptarë me emër. Ai është autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 30 maj 1635,
që njëherazi përbën në gjuhën shqipe veprën e parë pa brendi fetare të drejtpërdrejtë.
Frang Bardhi, i njohur edhe si Frano Bardhi apo Frangu i Bardhë, kurse në latinishte si
Franciscus Blancus apo Blanchus, lindi në Nënshat ose Kallmet (në veri të Lezhës) në krahinën
e Zadrimës të Shqipërisë veriore në një familje me tradita në dërgimin e djemve të saj për
peshkopë kishe apo për ushtarë a nëpunës të Republikës së Venedikut. Ungji i tij qe peshkop i
Sapës e i Sardës. Bardhi u dërgua në Itali ku studioi për teologji, ashtu si Pjetër Budi, në
Kolegjin Ilirian të Loretos, afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë.
Më 30 mars 1636, pa dyshim nën ndikimin e familjes, ai u emërua peshkop i Sapës e i Sardës,
duke zëvendësuar të ungjin, i cili u bë kryepeshkop i Tivarit (Antivari). Para nisjes për në
Shqipëri më 8 prill të atij viti, ai mori ‘imprimatur’-in e domosdoshëm për botimin e dytë të
Doktrinës së Kërshtenë të Budit, që mban emrin e tij:
“Nos Franciscus Blancus Dei, & Apostolicae Sedis gratiae electus Episcopus
Sappatensis, & Sardanensis… vidimus ac studiose considerauimus versionem Doctrinae
christianae in Epiroticum idioma olim impressam ac publicatam…”
(Ne Frang Bardhi, në emër të Zotit e të Selisë Apostolike, i zgjedhur peshkop i Sapës
dhe i Sardës… kemi parë dhe shqyrtuar me imtësi variantin e Doktrinës së Krishterë në
gjuhën epirote të shtypur e të botuar dikur…)
Që nga viti 1637, Bardhi vazhdoi t’i dërgojë nga Shqipëria Kongregacionit të
Propaganda Fides raporte25 italisht e latinisht, që përmbanin një minierë të tërë të dhënash për
dioqezën e tij, për ngjarjet politike, zakonet shqiptare dhe për strukturën e vendin që zinte kisha.
Nëntëmbëdhjetë nga këto letra dhe raporte ruhen në arkivin e Propaganda Fides. Më 1641, dy
vjet para vdekjes, dihet se ka ardhur në Romë për të dorëzuar një raport me dorën e vet. Pas një
jete të shkurtër por të dendur si shkrimtar e si figurë kishtare, Frang Bardhi vdiq më 9 qershor 1643 në moshën tridhjeteshtatëvjeçare.
Viti i fundit në Kolegjin e Propaganda Fides qe ai kur Frang Bardhi njëzetënëntëvjeçar
botoi fjalorin 238-faqesh latinisht-shqip, për të cilin ka mbetur në histori26. Kjo vepër që mban
titullin Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis,
Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht me disa shprehje të përditshme), përmban 5640 zëra
latinisht të përkthyer shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë.
Në parathënien e tij shqip të titulluar “Githë atyne tarbenesceve ghi ta marrene mee
zghiedhune e mee zan”, Bardhi shpjegon synimet e tij:
“Tve passune dite, e perdite (te dascunite e mij mbassi hina nde College) cuituem me
ghisc zoppe Libre chesce me ndimuem mbe gna ane ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po
bastastardhohete saa maa pare te vè; e maa fort me ndimuem gith e atyne ghi iane
ndurdhenite tine zot, e te Scintesse Kisce Cattoliche, e sdijne ghiuhene Latine, paa te
ssijet as cusc smune scerbegne si duhete, paa te madh error, e fai, hesaapete, zaconete,
e Ceremoniate e Scintesse Kiscesse Romesse. Me ndy io pach mire me marre, e me
nchethyem nghiuhet ze Letine mbe ghiuhet Tarbenesce gna Ditionaar, ghi tietre sascte
vecesse gna Libre, ghi kaa nde uetehe saa fiale, e saa emena iane, e gingene nde chete
piesse Seculi: possi cuur me thanë, te Nienezet, e te Stasseuet, & Vienauet, e te Maleuet,
e te Fuscavet, e te saa tiera cafsceue, ghi gindene ndene kielt, ende mbi kielt, possi cuur
te tine zot, te Engiet, e te Scintenet &c. I silli Libre me pelghiei, e mu duch se chiste me
u chiene per ndoogna ndime, ndoonesse te pache…”
(Pasi vrava mendjen për ca kohë (të dashurit e mij, pasi hyra në kolegj) se me ç’lloj libri
do të mundja nga njëra anë të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e
po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit
e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk
mund t’u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive të Kishës së Shenjtë të Romës ashtu
sikundër duhet, pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e
të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veçse një
libër me fjalë dhe emra të ndeshur në këtë pjesë të botës. Pra, emra njerëzish, kafshësh,
ujrash, malesh, fushash dhe gjëra të tjera që gjenden në qiell e në tokë, si dhe zoti,
engjëjt dhe shenjtorët etj.. Ky libër më pëlqen mua dhe shpresoj se do t’u ndihmojë
sadopak të tjerëve.)
Siç shihet, dy synimet e këtij fjalori ishin të shpëtonin gjuhën shqipe nga ‘bastardhimi’
e të ndihmonin klerin shqiptar të mësonte latinishten. Synimi i parë mund të vështrohet në
kuadrin e atij ndikimi të fortë që turqishtja po ushtronte mbi gjuhën shqipe në shekullin e
shtatëmbëdhjetë. Si do të çmonte një prift katolik shprehjen ‘Allah, Allah!’, që Bardhi e jep si
shprehje admirimi? Synimi i dytë del qartë në letrat dhe raportet e Bardhit dërguar Romës, në
të cilat ai ankohet për nivelin e klerit shqiptar. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kisha katolike
në Shqipërinë veriore ishte në gjendje shthurjeje të shpejtë. Shumica e peshkopatave qenë të
paplotësuara me klerikë, ndërkaq shumë prej tyre qenë pa shkollë. Pjesa më e madhe e
shërbyesve shqiptarë në kisha me sa duket kishin njohuri të cekëta për doktrinën e kishës, kurse
shumë syresh, për të mos mbetur prapa kolegëve ortodoksë, qenë të martuar. Synimi i Bardhit
ishte t’i ndihmonte për të mësuar latinishten si për të ngritur nivelin ashtu edhe për të kapërcyer
nevojën për një kler të huaj shpesh pa emër të mirë brenda këtij vendi, kler ky që, nga ana e vet,
e dinte pak ose aspak gjuhën shqipe. Në një rast raportohej me keqardhje se grave shqiptare u
duhej të rrëfeheshin nëpërmjet përkthyesit. Në njërin nga raportet e tij, të datuar 8 shkurt 1637,
Bardhi shton se kishte përkthyer vepra të tjera kishtare27 në gjuhën shqipe, çka dëshmon se
fjalori latinisht-shqip nuk qe e vetmja vepër e tij në shqipe. Nuk dihet nëse këto përkthime të
tjera u botuan e u vunë ndonjëherë në qarkullim.
Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më
e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa
duket, ka pasur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë28 gjendeshin
rreth 360 kopje të këtij libri. Dictionarium latino-epiroticum nuk është as punim sistematik e as
i hartuar në një mënyrë të lehtë për nevojat praktike të përdoruesit, por si vepër e parë e këtij
lloji, autorit mund t’i falen mangësitë. Bardhi nuk e ka të vështirë të japë në shqipe terma
konkretë, por gjuha e tij shpesh ngec e nuk ecën kur ndodhet para konceptesh më abstrakte:
materia “aste gna cafsce, seayet te tierate bahene (një gjë nga e cila bëhen gjërat e tjera)”,
substantia “aste gna caffsce ghi mbaa giaal nierine (një gjë që mban gjallë njeriun)”, patria
“dheu cu aste leem nierye (dheu ku është lindur njeriu)”.
Me jo më pak interes se vetë fjalori është shtojca prej tridhjetë e tri faqesh, e ndarë në
shtatë krerë (1. emra dhe numërorë, 2. tituj familjarë, 3. qytete dhe kështjella, 4. ndajfolje, 5.
parafjalë, 6. pasthirrma, 7. proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje). Një pjesë e mirë e
shtojcës është katërgjuhëshe (latinisht, italisht, shqip dhe turqisht). Duke renditur fjalorin e tij
të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi na jep skeletin e një gramatike të shqipes. Të 113
proverbat dhe fjalët e urta që ai përfshin në fjalor, e para përmbledhje e tillë, si dhe dialogët që
vijnë më pas, janë me rëndësi parësore si për historianët e gjuhës ashtu edhe për folkloristët.
Në frymën e shekullit të shtatëmbëdhjetë, para korpusit të fjalorit janë vënë katër vjersha
të shkurtra panegjirike latinisht, të shkruara nga bashkëstudentët e Bardhit në Kolegj: Stefan
Gaspari (Stephanus Gasparus) nga Durrësi, Françesk Azopardi (Franciscus Azzopardus) nga
Malta dhe Mateu Dudesi (Matthaeus Dudesius) nga Dalmacia; vjershat lëvdojnë veprën e
Bardhit dhe e krahasojnë me Ovidin dhe Homerin.
Bardhi ka botuar gjithashtu një traktat shtatëdhjetë e gjashtë faqesh latinisht për
Skënderbeun, të titulluar Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum
Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus, Venedik 1636, (Gjergj Kastrioti
i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbe, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i Epirit, i
kthehet popullit dhe vendit të tij), në të cilin ai hedh poshtë mëtimin e peshkopit boshnjak
Tomeus Marnavitius se heroi kombëtar shqiptar ishte me prejardhje boshnjake. Ajo është një
vepër erudite dhe me ndjenjë atdhetare, e ngjashme me polemikat që bëhen dhe çmohen edhe
sot në Ballkan.
Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për
fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit
shqip në gjysmën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vepra e tij nuk është pa rëndësi të
madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të vet dhe si dijetar me
horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.
24 Transkriptimi i përshtatur nga Ismajli 1986, f. 64-67.
25 kr. Zamputi 1956, 1963b/1965b.
26 Gjenden dy botime të fjalorit, duke përfshirë të dy kopjet fotostatike të origjinalit: Roques 1932a, dhe Sedaj 1983. Për studime të mëtejshme kr. K. Kamsi 1956, Ashta 1962, 1971-74, Geci 1965, Daka 1983, dhe Demiraj 1986
27 Professione della fede (Dëshmia e fesë) dhe Ordine del Sinodo posto nel pontif. Romano (Rendi i sinodit të vendosur në pontifikatin roman). kr. Shuteriqi 1976, f. 73.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia