10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni.
Çfarë rrjedhimesh pati pavarësia e Shqipërisë mbi letërsinë? Në fillim kurrfarë rrjedhim.
Dhjetëvjeçari i parë i pavarësisë nga shpallja në Vlorë më 1912 deri në daljen e Ahmet Zogut
në fillim të viteve njëzet u shënua nga trazira politike të skajshme, nga gjakderdhje e vuajtje.
Qëllimi politik zyrtar i lëvizjes kombëtare, d.m.th. pavarësia, ishte arritur, e ndërsa shqipja ishte
bërë gjuhë zyrtare në vend, rrëmuja e vazhdueshme politike u jepte shkrimtarëve dhe
intelektualëve brenda vendit tepër pak kohë për të përsiatur përmasat e reja të kulturës
kombëtare. Kultura e romantizmit kombëtar të Rilindjes, e rrënjosur thellë në letërsinë
shqiptare, jo vetëm vazhdoi të ndihet, por edhe të ndikojë gjatë gjithë periudhës së pavarësisë.
Vazhdimësia e ideve dhe aspiratave të shprehura në shkrimet shqipe do të arrinte brenda
pak kohe një nivel shumë më të lartë artistik nga çfarë ishte arritur ndonjëherë në letërsinë e
Rilindjes në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Të shkruarit në shqip pushoi së qeni thjesht një
akt atdhetarie kundër imperializmit kulturor të huaj, dhe intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta
për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara.
Institucionet shkollore katolike të ngritura në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga
françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe pas pavarësisë shkollimi në gjuhën shqipe në mbarë
vendin, kishin çarë rrugën për krijimin e një elite në Shqipëri. Ato dhanë frytet e veta në vitet njëzet. Letërsia e krijuar nga kjo shtresë intelektualësh të shkolluar në gjuhën dhe kulturën e
tyre u shpreh përsëri kryesisht në poezi, ndonëse praktikisht u shfaqën të gjitha gjinitë letrare.
Periudha e pavarësisë dëshmoi lindjen e tre poetëve, krijimtaria e të cilëve pasqyron
fuqishëm vazhdimësinë e kulturës së Rilindjes. Ata ishin Andon Zako Çajupi në Egjipt, Ndre
Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.
Andon Zako Çajupi87 (1866-1930) lindi më 27 mars 1866 në Sheper, fshat në krahinën
e Zagorisë së Sipërme në Shqipërinë jugore, bir i një tregtari të pasur duhanesh, Harito Çako, i
cili bënte tregti në Kavallë e në Egjipt. Në vogëli Andon Zakoja, i cili më pas pëlqente ta
thërrisnin me pseudonimin Çajupi sipas emrit të një mali jo larg vendlindjes së tij, ndoqi
shkollat në gjuhën greke në krahinën e lindjes, kurse më 1882 emigroi në Egjipt, ku studioi pesë
vjet në liceun francez ‘Sainte Catherine des Lazaristes’ në Aleksandri. Më 1887 vajti të studiojë
për drejtësi në Universitetin e Gjenevës. Përfundoi atje studimet për jurisprudencë më 24 tetor
1892 dhe mbeti në Zvicër për nja dy a tre vjet të tjerë, ku edhe ishte martuar me një vajzë të
quajtur Evgjeni, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Evgjenia vdiq aty nga viti 1892, humbje
tragjike kjo për poetin, dhe Çajupi u kthye në Kavallë për ta lënë të birin në kujdesin e së ëmës
Zoica. Rreth viteve 1894-1895 Çajupi u kthye në Egjipt dhe u lidh me një firmë juridike
gjermane në Kajro. Por karriera e tij juridike mori fund shpejt për shkak se bëri një gabim
strategjik, mbrojti një shoqëri franceze në një konflikt kundër interesave të khedivit88.
Megjithatë, duke mos qenë i varur financiarisht, Çajupi e kaloi këtë katastrofë profesionale pa
dhimbje. U tërhoq në vilën e tij në Heliopolis afër Kajros dhe iu përkushtua letërsisë e më pas
edhe forcimit të mëtejshëm të lëvizjes së gjallë kombëtare shqiptare në Egjipt. Në vitet pas
pavarësisë së Shqipërisë Çajupi vazhdoi të luajë një rol aktiv në bashkësinë shqiptare të Nilit,
e organizuar sikundër ishte në klube e në shoqëri të ndryshme atdhetare, që ishin në grindje me
njëra-tjetrën për çështje politike. Vdiq në shtëpinë e tij në Heliopolis më 11 korrik 1930. Eshtrat
e tij u sollën në Shqipëri më 1958.
Etapa më e rëndësishme e veprimtarisë letrare e kombëtare të Çajupit është nga 1898
deri më 1912. Më 1902 ai ishte anëtar dhe veprimtar i Vëllazërisë së shqiptarëve të Egjiptit dhe
po atë vit botoi vëllimin me poezi për të cilin ka mbetur i mirënjohur, Baba-Tomorri, Kajro
1902. Kjo përmbledhje, me emrin e malit Tomorr, Parnasi i mitologjisë shqiptare, përmban
lirika, shumica me tema atdhetare, dhe ndahet në tre krerë: 1) Atdheu, 2) Dashuria, dhe 3)
Përralla të vërteta e të rreme. Suksesi qe i menjëhershëm. As edhe një përmbledhje tjetër me
poezi shqiptare nuk qe bërë kaq popullore ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit që me
përmbledhjet e Naim Frashërit. Çajupi nuk u mjaftua me mallin romantik të poetëve të
mëparshëm të mërgimit si Filip Shiroka. Sigurisht që ai ishte një nacionalist, por ai ishte edhe
i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe. Një nga baladat më të spikatura në këtë
përmbledhje, Fshati im, ka në qendër për shembull pabarazitë në shoqërinë patriarkale:
“Maletë me gurë,
Fushat me bar shumë,
Aratë me grurë,
Më tutje një lumë.
Fshati për karshi
Me kish’ e me varre,
Rrotull ca shtëpi
Të vogëla fare.
Ujëtë të ftohtë,
Era pun’ e madhe,
Bilbili ia thotë,
Gratë si zorkadhe.
Burrat nënë hie,
Lozin, kuvendojnë,
Pika që s’u bie,
Se nga gratë rrojnë!
Gratë venë nd’arë
Dhe në vreshta gratë,
Gruaja korr barë,
Punon dit’ e natë.
Gratë në të shirë
Në të vjela gratë,
Ikinë pa gdhirë,
Kthenenë me natë.
Gruaja për burrë
Digjetë në diell,
Punon e s’rri kurrë
As ditën e diel.
O moj shqipëtarkë,
Që vet’ e nget qetë,
Edhe drek’ e darkë
Kthenesh e bën vetë;
Moj e mjera grua
Ç’e do burrëzinë,
Që ftohet në krua
Dhe ti mban shtëpinë!”

Edhe pse ky vëllim poetik ishte më i rëndësishmi i viteve të para të shekullit të njëzetë,
Baba-Tomorri nuk ishte i vetmi botim i Çajupit. Më 1921 ai botoi 113 fabula të La Fontenit (La
Fontaine, 1621-1695) në Përralla, Heliopolis 1920/1921, dhe menjëherë pas atij libri një
përmbledhje poezish sanskrite, Lulé te Hindit, Kajro 1922, të cilat i kishte përkthyer nga një
antologji frënge e me një përkushtim për Faik bej Konicën (1875-1942). Veprat e tjera poetike
të tij mbetën të pabotuara sa qe gjallë. Ndër to janë një poemë satirike me 6000 vargje Dhiat’ é
vjéter é chfacure, e njohur edhe me titullin Baba Musa lakuriq, e cila u shkrua rreth viteve
1903-1905 mbështetur në ngjarjet e Dhiatës së Vjetër.
Ndonëse me shumë të meta teknike në vjershat, metri tetërrokësh i drejtpërdrejtë që të
kujton këngët popullore të Shqipërisë së jugut, idetë e qarta dhe frymëzimi atdhetar i tyre e bënë
këtë poezi jashtëzakonisht të përhapur në të rritur e në fëmijë, kurse vetë Çajupin – poetin më të
rëndësishëm shqiptar pas Naim Frashërit (1846-1900).
Çajupi ishte edhe dramaturg, autor i një tragjedie në vargje për Skënderbeun me titull Burr’ i dheut, shkruar më 1907. Ajo u pasua nga komedia origjinale në një akt Pas vdekjes,
shkruar më 1910 dhe botuar, ashtu si dhe tragjedia, më 1937 nga Sofokli Çapi. Një tjetër dramë
në vargje, që mbeti e pabotuar sa qe gjallë, është një komedi në katër akte Katërmbëdhjetë vjeç
dhëndër. Po të gjykojmë sipas kritereve bashkëkohore, asnjëra nga këto pjesë dramatike, të
shkruara kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgenj, nuk të ngjall frymëzim. Pjesa teatrale
Detyra ka humbur, sikundër ka humbur edhe përmbledhja poetike e Çajupit Kenge dhé vomé,
vargje të Luftës së Parë Botërore. Ndër krijimet më minore të këtij autori janë dy tregime të
shkurtra të shkruara frëngjisht, një pamflet për ‘Klubin e Selanikut’ të botuar më 1909 në të
përmuajshmen e Jani Vruhos në Kajro Rrufeja, dhe një letërkëmbim me Visar Dodanin, Jani
Vruhon dhe Asdrenin.
Çajupi s’ishte aspak poet modern. ‘Weltanschauung’-u i tij ishte i lidhur me luftën e
lëvizjes kombëtare dhe me kulturën e Rilindjes. Njëkohësisht, nëse krahasojmë vargun e tij me
atë të Naim Frashërit, do të vëmë re një evoluim të qartë. Ky hap përpara drejt një kulture
sovrane për një komb sovran bëhet edhe më i dukshëm në veprat e bashkëkohësit të tij nga
Shqipëria e veriut, Ndre Mjeda prej Shkodre, i cili do të ushtronte një ndikim shumë më të gjerë
në kulturën shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë.
Sikundër Çajupi, poeti klasik Ndre Mjeda89 (1866-1937) është një urë që lidh kulturën
e Rilindjes të periudhës së fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë me krijimtarinë letrare
dinamike të periudhës së pavarësisë. Mjeda ka lindur më 20 nëntor 1866 në Shkodër dhe, ashtu
si shumë shkrimtarë të tjerë gegë të kësaj kohe, shkollimin e mori nga jezuitët. Në edukimin e
tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo De
Martino (1830-1923). Shoqata e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e
specializime. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit
në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t
në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion
retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin
dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga
Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në
Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.
Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën
melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti
i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i
Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke,
ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të
Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga pena e tij u kushtohen temave të tilla
kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por
edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të
cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një
italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi
i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907),
medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio
(Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco
Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-
1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi
e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një
shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 T’ perghjamit e Zojs Bekume
(Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një
përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën
Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).
Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të
Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer
(Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës Gjûha shqype,
e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit
Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe)
kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te
Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet
e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet
punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-
1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689). Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit
italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku
shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i
metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me
sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk
njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë
u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.
Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas
kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Preng Doçit (1846-
1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua
mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë
e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austrohungareze
nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901, për shkak të pikëpamjeve
të ndryshme lidhur me alfabetin, Ndre dhe Lazër Mjeda themeluan një organizatë tjetër,
shoqatën letrare Agimi, e cila gjithashtu propagandonte përdorimin e shqipes në tekste shkollore
e letërsi, e që ishte për një sistem shkronjash me kroatishten si model. Me këtë alfabet Ndre
Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet
për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga
Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e
13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione
palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e
ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri
që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e
Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Mjeda
ishte anëtar i Komisisë Letrare të ngritur në Shkodër më 1 shtator 1916 nën administratën
austro-hungareze, kurse nga 1920 deri më 1924 ishte deputet në parlament. Pas dështimit të
Revolucionit të Qershorit të Fan Nolit dhe vendosjes përfundimtare të diktaturës së Zogut në
fund të vitit 1924, ai u tërhoq nga politika dhe punoi më pas si famullitar në Kukël, një fshat
midis Shkodrës dhe Shëngjinit. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në
kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Poezia e Mjedës, sidomos përmbledhja e tij Juvenilia, Vjenë 1917, shquhet për stilin
klasik dhe pastërtinë e gjuhës. Ndoshta nuk është rastësi që titulli i kësaj vepre më të shquar të
Mjedës është po ai i vëllimit poetik të Xhozue Karduçit Iuvenilia i botuar pothuajse një gjysëm
shekulli më parë. Juvenilia e Mjedës përfshin jo vetëm poezi origjinale, por edhe përshtatje nga
poezia e huaj – nga Tomaso Grosi (Tommaso Grossi, 1790-1853), Xhuzepe Kaparoco (Giuseppe Capparozzo, 1802-1848), Çarls Vulf (Charles Wolfe, 1791-1823) dhe nga Johan
Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832). Një cikël i dytë poezish i nisur
nga Mjeda do t’u kushtohej qyteteve të lashta të Ilirisë: Lissus (Lezha), Scodra (Shkodra),
Dyrrachium (Durrësi) dhe Apollonia (Pojani). Por vetëm dy pjesët e para të këtij cikli mundën
të shohin dritën e botimit. Lissus, e përbërë prej dymbëdhjetë sonetesh, doli në maj 1921 në të
përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, kurse Scodra u botua pas vdekjes së autorit më 1939.
Po nga kjo periudhë e jetës së tij është cikli Lirija i përbërë prej gjashtë sonetesh, si dhe oda e
shkëlqyer Shqypes arbnore, e botuar së pari nga Fulvio Kordinjano S.J. (Fulvio Cordignano,
1887-1952) më 1931, e cila fillon me këto vargje:
“Nalt përmbi re, mbi qeta
Shndritsa për bor’ amshore,
Porsi ‘j vetimë, si zhgjeta,
Me flatra fishkullore
Sielle ndër thepa e shita,
Shqype, t’aguemit drita.
T’ kaltërt e qiellës mbi krye,
Hyjzit ke shokë, që shndrisin
Si gur t’ paçmuem, e ty
Petkun t’ nusisë t’ qëndisin
O e bardha natë, ku dijen
Shprazi nji Zot, e shijen.
Qeti mbretnia yte,
Shqype, pengim liria;
E npër hapsina t’ tyte
E hyjve harmonia
T’argton e t’ dalmen hana
Ndihet përmallshën zana.
Por ndër fushore t’veja
N’vrrije ku rrinë zogjt’ t’tu,
Me bumullina rrfeja
Shkrepet përmnerë tu’ ushtue
E tine n’ato maje
Nuk ndien ushtim’ as vaje.
Oh, zbrit ndër ne, mbretnore
Shqype, edhe ‘j herë, si zbrite
Kur përmbi ball’ madhnore,
T’madhit Kastriot i shndrite,
E u trand gjith’ bota unji.
Prej vringllit t’shpatës s’tij.”
Edhe pse nuk mbulon ndonjë gamë të gjerë tematike, poezia e Mjedës dëshmon një
gjuhë mjaft të përpunuar nën ndikimin e klasikëve italianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe,
përgjithësisht një nivel të lartë përsosmërie metrike. Sikundër Andon Zako Çajupi, ai ngre një
urë kalimi midis letërsisë së Rilindjes dhe asaj të periudhës së pavarësisë, por, po ashtu si
Çajupi, mbetet i ngulur fort në fillimet e këtij kalimi.
Në dhjetëvjeçarët e parë të pavarësisë kombëtare Naim Frashëri vazhdoi të ishte burim
i madh frymëzimi dhe pishtar për shumë poetë dhe intelektualë shqiptarë. Ndikimi i tij është
veçanërisht i dukshëm në veprat e para të bashkatdhetarit të tij toskë Asdreni90 (1872-1947),
pseudonim i Aleks Stavre Drenovës, i cili është njëherazi i pari poet i periudhës kalimtare që
mund ta vendosim, si të thuash në anën tjetër të urës. Sikundër Naimi, Asdreni jetoi pak në
Shqipëri dhe qe po aq i flaktë për vetëdijen kombëtare.
Asdreni ka lindur më 11 prill 1872 në fshatin Drenovë, rreth pesë kilometra larg Korçës.
Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në
Korçë kur i ati i vé Stavri Thimiu vdiq dhe e la Aleksin trembëdhjetëvjeçar jetim.
Gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë krahina e Korçës kishte qenë burim kryesor i
emigracionit shqiptar. Tërmeti i fuqishëm që goditi këtë qytet më 1879 vetëm sa e shtoi
dëshpërimin, pra edhe vargun e kurbetlinjve punëtorë e fshatarë që linin vendlindjen për të
kërkuar punë dhe jetë më të mirë gjetiu. Një numër i madh nga këta kurbetlinj shqiptarë u
vendosën në Egjipt, disa vajtën në Bullgari dhe shumë të tjerë më vonë në Shtetet e Bashkuara,
por synimi i parë i emigracionit nga Shqipëria juglindore në shekullin e nëntëmbëdhjetë ishte
Rumania, ku kishte lindur një koloni shqiptare e gjallë91. Në vjeshtë të vitit 1885, Aleksi
trembëdhjetëvjeçar mbërriti në Bukuresht me të dy vëllezërit më të mëdhenj. Pikërisht këtu, në
koloninë shqiptare mjaft të gjallë nga ana kulturore, ai erdhi në kontakt me idetë dhe idealet e
lëvizjes kombëtare në mërgim. Në verë 1881 Jani Vretoja (1820-1900) kishte ardhur nga
Konstantinopoja në Bukuresht për të themeluar degën e Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip
dhe ngriti të parën shtypshkronjë në gjuhën shqipe, që nisi të botojë libra më 1886. Po në
kryeqytetin rumun, pishtari i lëvizjes kombëtare, Naim Frashëri, botoi për herë të parë ato vepra
letrare që do të përcaktonin rrugën e mëtejshme të letërsisë shqiptare të fundit të shekullit të
nëntëmbëdhjetë: Bagëti e Bujqësija, Bukuresht 1886, Luletë e verësë, Bukuresht 1890, dhe
Istori’ e Skenderbeut, Bukuresht 1898. Më 15 maj 1887, në qytetin Braila buzë Danubit të
poshtëm, doli numri i parë i së përjavshmes Drita, për t’u ndjekur vitin tjetër nga organi me
katër faqe Shqipëtari/Albanezul, i botuar në Bukuresht nga shoqëria Drita. Botuesi i saj, Nikolla
Naço (1843-1913) nga Korça, që ishte si të thuash tutor i Asdrenit, do të themelonte më pas një
institut kulturor shqiptaro-rumun për përgatitjen e mësuesve shqiptarë. Bukureshti ishte
përgjigjësisht vend i përshtatshëm për veprimtarët kombëtarë shqiptarë të kohës. Kurse Asdreni
i ri, me gjithë skamjen dhe vështirësitë e fillimit, bëri përpara në këtë qytet, më kozmopoliti i
Ballkanit, ‘Parisi i Lindjes’.
Asdreni në fillim punoi si qymyrxhi e çirak, kurse më pas ndoqi studimet në mënyrë
private dhe, për një kohë të shkurtër, pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të
Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëvet shqiptarë, i cili në mars
1902 u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij
shkrimtar Kristo Anastas Dako (1878-1941). Në verë të vitit 1899, në moshën njëzet e shtatë
vjeç, poeti u kthye në Korçë duke kaluar nga Stambolli për ta vizituar vendlindjen për herë të
parë si i rritur. Pasi ndenji pesë muaj mes asaj atmosfere fshatare të fëminisë, u kthye në
Bukuresht. Tani e dinte fare mirë se vendin e kishte në Rumani. Më 1905 Asdreni ishte mësues
në një shkollë shqipe në portin e Konstancës, kurse një vit më vonë u bë kryetar i degës së re të
Bukureshtit të shoqërisë Dija, e cila qe themeluar së pari në Vjenë. I entuziazmuar nga krijimi
i shtetit të pavarur shqiptar, ai zbriti në Durrës buzë Adriatikut në pranverën e vitit 1914 për të
përshëndetur kryetarin e sapocaktuar të shtetit, princin Vilhelm Vid, nga i cili shpresonte të
emërohej si arkivist në administratën e re mbretërore. Por u duk menjëherë se nuk kishte ç’të qeverisej e nuk kishte nevojë për shërbime të atilla. Pas një vizite të shkurtër në Shkodër,
Asdreni u kthye në Bukuresht në korrik 1914, ndërkohë që Evropa përgatitej për luftë. Në vitet
më pas Asdreni vazhdoi të marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Sidoqoftë,
e pa të udhës të qëndrojë në Rumani, si sekretar i konsullatës shqiptare, e cila u hap atje në mars
1922. Bëri një vizitë tjetër në Shqipëri në nëntor 1937 me rastin e njëzet e pesë vjetorit të
pavarësisë, me shpresë se pas kaq vjetësh shërbimi ndaj shtetit shqiptar do të merrte pension
shtetëror. Ndenji ca kohë në Tiranë dhe pastaj bëri një vizitë në Shkodër, ku takoi Gjergj
Fishtën në shkurt 1938.
Asdreni në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia në pashkët e vitit 1939
dhe shkroi Credere, obedire, combatere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri
fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Prandaj u kthye përsëri në
Bukuresht në korrik të vitit 1939, ndërkohë që Evropa po përgatitej përsëri për luftë. Vdiq në
skamje më 11 dhjetor të vitit 1947, në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare.
Asdreni kishte nisur të shkruajë poezi e të botojë artikuj në shtypin vendor që në fillim
të shekullit të njëzetë. Më 1904 botoi përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetenëntë vjersha,
Rézé djélli, Bukuresht 1904, të cilën ia kushtoi heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Ky
vëllim u prit mirë nga lexuesit shqiptarë e nga kritika e kohës dhe e vuri emrin e Asdrenit në
krye të vendit si poet shqiptar katër vjet pas vdekjes së Naim Frashërit dhe një vit pas vdekjes
së Jeronim De Radës. Temat ishin tipike rilindëse: malli për atdheun e largët dhe thirrje popullit
të tij për t’u bashkuar e për t’u ngritur kundër pushtuesve turq. Ndërkaq gjejmë edhe vargje të
holla për bukuritë e natyrës si dhe disa lirika filozofike në stilin e Naim Frashërit. Asdreni
kishte bindje të patundur se poezia lypset të ndihmojë për fuqizimin e vetëdijes kombëtare e për
t’i provuar botës se gjuha shqipe ishte gjallë. Me gjithë se u pëlqye nga të gjithë për patosin
kombëtar që shprehte, vlera artistike e poezisë së Asdrenit në këtë periudhë të hershme qe e
kufizuar, si në pikëpamje të formës së shprehjes ashtu dhe në pikëpamje të thellësisë së
mendimit. Ajo mbeti poezi e bukur emocionuese për antologji shkollore.
Vëllimi i dytë i Asdrenit Endra e lote, Bukuresht 1912, i botuar tetë vjet më pas, shfaq
një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me nëntëdhjetë e nëntë vjersha si e para, ndahet
në tre cikle: atdheu, natyra, mendimi dhe bukuria, dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së
Shqipërisë Edith Durham (1863-1944). Me një gamë më të gjerë temash e motivesh e me një
mjeshtëri gjuhe më të lartë, Asdreni dëshmoi me këtë se poezia e tij nuk ishte thjesht
propagandë atdhetare. Nën ndikimin e poetëve bashkëkohës rumunë, vendin e thirrjeve shpesh
të cekëta me frymë romantike kombëtare tani po e zinte kulti universal i bukurisë, gjë që
ndihmoi për ta ngritur letërsinë shqiptare në një nivel artistik më të lartë, që i shkonte më shumë
kulturës së një vendi evropian.
Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie
në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psallme murgu, Bukuresht 1930, i
botuar tetëmbëdhjetë vjet pas vëllimit Endra e lote. Psallme murgu, e fundit përmbledhje që
Asdreni arriti të botojë, shënon kulmin e krijimtarisë së tij poetike. Ndër vjershat më të mira në
këtë përmbledhje është Adriatikut e botuar së pari në dhjetor 1913, fryt i vizitës së parë të
Asdrenit në Durrës.
“Të pashë, det Adriatik, të pashë,
Si zanë je prej qiellit i pikuar,
Plot me margaritarë je trazuar
Dhe gjiri i yt plot hire si një vashë.
Më gjunj si perëndeshe ty të rashë
Për hijet, bukurin’ e patreguar,
Prej gazit madh që ndjeva, pa duruar
Me lot për faqe shkova dhe të lashë.
Si ar i derdhur dritët të shkreptijnë,
Pallate prrallash çfaqen plot magjie
Tek valle vajza dredhin mbi lendinë.
Të rinj për dorë, tek po ven’ e vinjë,
Kujtime t’ëmbla, botë lumërie:
M’u duk se pashë vetë Perëndinë!”
Së bashku me dy përmbledhje të përkryera të Lasgush Poradecit (1899-1987), botuar në
Rumani më 1933 dhe 1937, dhe me vëllimin e hollë Vargjet e lira, 1936, nga Migjeni i ri (1911-
1938), Psallme murgu shënon kthesë në letërsinë shqiptare. Në truallin më fort shkëmbor të
letërsisë shqiptare po hidhte rrënjë edhe fryma e modernizmit. Në horizontin e largët ishte
shfaqur periudha bashkëkohore.
Në vitet e fundit të jetës, në skamje e brengë, shtatëdhjetëvjeçari Asdren përgatiti
një përmbledhje të katërt me vjersha, Kambana e Krujës, por nuk arriti ta shohë të botuar. Në
këtë vëllim elementi universal vjen më i zbehtë, kurse patosi kombëtar vjen e bëhet përsëri
mbizotërues, siç kishte qenë në veprën e tij të parë, por tani në dëm si të gamës tematike ashtu
edhe të nivelit të përgjithshëm artistik. Për t’i dalë më krah poetit të moshuar, duhet thënë se
Asdreni ka gjasa të mos i ketë dhënë dorën e fundit shumicës së vjershave të kësaj
përmbledhjeje, e cila u botua së pari nga Rexhep Qosja më 1971. Mungesa e freskisë dhe e
spontaneitetit ka të ngjarë të jetë edhe pasqyrë e moshës.
Sikundër është menduar, Asdreni është ndikuar mjaft nga Naim Frashëri dhe kultura e
Rilindjes, sidomos në përmbledhjen e tij të parë Rézé djélli. Megjithatë, periudha e tij e
pjekurisë vjen në harmoni më të plotë me veprat e paraardhësve dhe bashkëkohësve të tij
rumunë. Duke jetuar në pjesën më të madhe të kohës në Bukuresht, Asdreni u ndikua thellë nga
rrymat e letërsisë rumune, të cilat gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dekadat e para
të shekullit të njëzetë shfaqën një nivel më të lartë zhvillimi e mjeshtërie sesa shkrimet letrare
shqiptare. Edhe Lasgush Poradeci rrugën drejt frymës moderne e gjeti në truallin rumun92. Në
poezitë e hershme të Asdrenit spikatin dukshëm elemente të një romantizmi kombëtar të
ndikuara nga lirikat patriotike të poetit dhe dramaturgut rumun Vasile Aleksandri (Vasile
Alecsandri, 1821-1890). Kënga e bashkimit në vëllimin Endra e lote është madje dukshëm
përshtatje e poezisë Hora unirii të Aleksandrit, 1857 (Vallja e bashkimit). Poeti kombëtar
rumun Mihai Eminesku (Mihai Eminescu, 1850-1889) natyrisht luajti një rol të madh në veprat
e Asdrenit, sikundër në ato të Lasgush Poradecit, jo vetëm me idealizmin e tij panteist, por edhe
me elementet konkrete të fjalorit poetik. Shprehja e angazhimit të fortë social e politik të
Asdrenit pasqyrohet në poezinë e George Koshbukut (Gheorghe CoÕbuc, 1866-1918), poet i
fshatarësisë rumune, poezia e fuqishme e të cilit Noi vrem p|mînt, 1894 (Ne duam tokë), gjen
refleks në vjershën e Asdrenit Zëri i kryengritësvet të vitit 1912. Ndikimi i Aleksandru
Maçedonskit (Alexandru Macedonski, 1854-1920), babai i simbolizmit rumun, dhe i të
guximshmit Tudor Argezi (Tudor Arghezi, 1880-1967) është më i dukshëm në përmbledhjen e
tretë të Asdrenit Psallme murgu. Tre vjet para daljes së këtij libri, ish murgu Argezi kishte
botuar lirikat e tij mjeshtërore Psalmul de tain| 1927 (Psallmet e fshehtësisë) dhe ishte vënë
nën zjarrin e polemikave letrare që zienin në Rumani asokohe. Shkrimtarët shqiptarë të
Bukureshtit, në ballë të të cilëve qenë Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli (1907-1966) nuk mund të mos ndikoheshin nga një kulturë më kozmopolite siç ishte kultura rumune
e kohës.
Përgjithësisht, Asdreni nuk ishte ndër ata që mund të quheshin poetë modernë, si
Lasgush Poradeci apo Migjeni, as nuk ishte sublim e vërtet poet i madh si Gjergj Fishta, por roli
që luajti ishte me të vërtetë vendimtar në vënien e poezisë shqiptare në rrugën drejt
modernitetit. Përmbledhja e tij Psallme murgu me përsosmërinë e vet klasike ende konsiderohet
si një nga vëllimet më të mira poetike shqiptare të botuar në këtë shekull.

_________________
87 kr. Gj. Zheji 1966, Shuteriqi 1977, f. 373-417, dhe Dado 1983.
88 d.m.th. princ i Egjiptit nën suzerenitetin osman.
89 kr. Gradilone 1960, f. 162-206, Shuteriqi 1963b, M. Gurakuqi 1980, Idrizi 1980, Qosja, Historia, vëll. 3 (1986), f. 427-510, dhe Quku 1990.
90 Për një studim të shkëlqyer të Asdrenit, shih Qosja 1972.
91 Për kolonitë shqiptare në Rumani e Bullgari, kr. Dërmaku 1987.
92 Për lidhjet letrare shqiptaro-rumune kr. Bala 1965 dhe Qosja 1972, f. 262-268.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]