2.2 Përmendjet më të hershme për shqiptarët
Shqiptarët kanë hyrë në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë të shekullit
të njëmbëdhjetë. Vetëm në këtë periudhë mund të flitet me ndonjë shkallë qartësie për një
popull shqiptar ashtu siç e njohim sot. Në ‘Historinë’ e tij të shkruar më 1079-1080, historiani
bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) qe i pari që përmendi se Albanoi kishin
marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës më 1043 dhe se Arbanitai ishin
nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit. Po ashtu, historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes)
përmend (rreth v. 1081) Arbanites si pjesë të trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor
Basilaku (Nicephorus Basilacius).
Për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë për herë të parë aty nga fillimi i shekullit të
katërmbëdhjetë. Në të vërtetë kemi katër përmendje të qarta e të padyshimta midis viteve 1285
dhe 13327.
E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe, ajo e vitit 1285,
nuk ndodh në Shqipëri, por në Dubrovnik (Ragusa), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi
shqiptare të konsiderueshme. Në hetimin e një grabitjeje në shtëpinë e Petro del Volcios nga
Belena (më vonë Prati), një farë Mateu, bir i Markut të Mançes, që del se ka qenë dëshmitar i
krimit, thotë: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që
thërriste në male në gjuhën shqipe)8.
Njëzetetre vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi
Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore)9, një tekst latin mesjetar
i vitit 1308 të erës sonë, i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti
mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i
shkolluar në Francë, me më shumë gjasa i Urdhërit Dominikan, i dërguar nga kisha në Serbi, ku
edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Teksti i Anonymi Descriptio
Europae Orientalis gjendet në një radhë kodikësh mesjetarë10. Përveç pjesëve që pasqyrojnë
rajone të ndryshëm të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë
dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla ky për
këtë vend në vitet e para të shekullit të katërmbëdhjetë. Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje për gjuhën shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis
ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një
gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të
merren vesh me popuj të tjerë).
Për herë të tretë shohim se për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një
pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 132211. Rrëfimet e udhëtarëve për në Tokën
e Shenjtë janë vërtet një burim parësor të dhënash për një pjesë të madhe të Mesdheut lindor në
gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Ndonëse shumica e pelegrinëve nuk tregonin veçse një
interesim kalimtar për vendet nga kalonin në rrugën drejt destinacionit përfundimtar, dy
pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t’u themi
Simon Simoni dhe Hugo Ndriçuesi, u ndalën më 1322 në Shqipëri gjatë udhëtimit dhe i pari
bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij i jep një vështrim të rrallë të bregdetit
shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të katërmbëdhjetë. Simon Simoni i Urdhërit Françeskan
u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 bashkë me mikun dhe shoqëruesin e tij
Hugo Ndriçuesi, dhe kaloi nga Uellsi verior në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien,
Paris, Bônë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë
dhe Viçencë deri në Venedik. Këtu ata i hipën një anijeje tregtare për në Tokën e Shenjtë, e cila
gjatë rrugës u ndal në Pula, Zarë (Zadar), Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe
Kretë, para se të mbërrinte në Aleksandri. Përshkrimet e udhëtimit të Simonit, të njohura si
Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga
Irlanda në Tokën e Shenjtë), ndodhet tani i ruajtur në dorëshkrim në bibliotekën Corpus Christi
College në Kembrixh12. ‘Itinerari’ përmban të dhëna të bollshme për një larmi të madhe
çështjesh, si kontrolli dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe
prodhimet e vendeve të vizituara e natyrisht për kishat dhe vendet e shenjta. Duke lundruar
teposhtë bregdetit të Adriatikut, Simoni shënon: “Albanya est provincia inter Sclavoniam et
Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë dhe
Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Për qytetin e Durrësit ai vazhdon: “Inhabitatur
enim Latinis, Grecis, Judeis perfidis, et barbaris Albanensibus” (Sepse ai është i banuar nga
latinë, grekë, çifutë të pabesë dhe shqiptarë barbarë). Mjaft interesante është që në Dubrovnik
(Ragusa) ai bën fjalë përsëri për gjuhën e këtyre ‘barbarëve’: “In eadem dominantur Veneti, et
ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu
et lingua Latinis in omnibus difformes” (Venedikasit mbizotërojnë në të [Dubrovnik], ndërkaq
e vizitojnë shpesh sllavët, barbarët, paterinët dhe tregtarët e tjerë përçarës, të cilët ndryshojnë
krejtësisht nga latinët në zakone, veshje dhe gjuhë).
E fundit nga këto raste kur përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e
vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo më 1332 nga murgu domenikan frëng
Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus). Në një vepër latinisht të titulluar
Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shënon: “Licet Albanenses aliam omnino
linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis
libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse
përdorin shkronjat latine në të gjitha librat e tyre)13. Ndonëse çka përmendet për ekzistencën e gjuhës është e qartë, ajo për shkrimin e
shqipes është e dyshimtë. Nuk mund të thuhet me siguri nëse Brokardi ka pasur parasysh libra
në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine.
Mundësia e parë është ajo që natyrisht ka rrëmbyer imagjinatën e brezave pasardhës të
studiuesve, dhe me këtë qëllim ky tekst shpesh citohet në historitë dhe studimet për letërsinë
shqiptare. Është shkruar apo jo gjuha shqipe nga ndokush gjatë kësaj periudhe kur Shqipëria
luhatej midis sferave të influencës së Venedikut, Perandorisë së Bizantit dhe Perandorisë Serbe
që po shembej, pë këtë nuk është zbuluar ende ndonjë dokument.

_______
7 kr. Elsie 1991c.
8 kr. Jirecek 1904 cituar nga Ajeti 1977, f. 693, 1982a, f. 167, 1982b, f. 117.
9 kr. Elsie 1990a.
10 Përfshirë Ms. Lat. 5515 dhe Ms. Lat. 14693 në Bibliothèque Nationale (Biblioteka Kombëtare) në Paris, Ms. 263 në bibliotekën e qytetit Puatje (Poitiers), dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Leidenit. kr. Górka 1916.
11 kr. Elsie 1991g.
12 Dorëshkrim nr. 407. Për “Itinerarin”, kr. Nasmith 1778, Esposito 1960, dhe Hoade 1952, 1970.
13 kr. Recueil 1906, f. 484. Kjo vepër nganjëherë i mvishet gabimisht Guillelmus Adam-it ose Adae-s.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]