4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
Dy breza pas Gjon Buzukut vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda
Shqipërisë. Pjetër Budi17 (1566-1622), autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, lindi në
fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë
shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj
Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku
do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare u dorëzua
prift katolik dhe u dërgua menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës
kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkëvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në
famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i kristianizmit
në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.
Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme
kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë,
Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme
dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër
Portës. Më 1599 Budi u emërua famullitar i përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, post që
e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga
turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Pozita e tij kishtare ishte
nga shumë anë vetëm një mbulesë për aspiratat e tij politike.
Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke
dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte
me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe
me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte
kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më
vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe
bashkatdhetarët myslimanë.
Më 1616 Pjetër Budi vajti në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikqyrur botimin e
veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një pelegrinazh
tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit
1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e kurisë romake kundrejt gjendjes së mjerueshme të të
krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621
u bë peshkop i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), d.m.th. i krahinës së
Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe më fort e natyrës politike se
fetare. Një nga synimet e tij ishte që klerikët e huaj të zëvendësoheshin me shqiptarë vendës,
veprimtari kjo që nuk duhet të ketë qenë pritur mirë nga disa eprorë të tij në Itali. Në dhjetor
1622, pak ditë para Krishtlindjeve, Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është
hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur, ndonëse dëshmitë për këtë
nuk janë të sigurta18.
Mjaft nga të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar
15 shtator 1621, të cilën Budi ia drejtonte kardinal Goxadinit (Gozzadini) në Romë, e në të cilën
ai parashtron planet dhe strategjinë për një kryengritje në Ballkan. Në këtë letër ai theksonte
edhe:
“… gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet
për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke
shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të
Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona.”
Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, Budi
i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave fetare tashmë të humbura.
Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë
faqe brenda pesë vjetësh?
Vepra e parë e Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim
i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më
1618 dhe ruhet një kopje origjinale në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit
përmban këto të dhëna:
“Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R.
P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa
Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don
Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza
de’ Superiori.”
(Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII
nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i kishës së shenjtë Santa
Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga Reverend Don Pjetër Budi nga Guri i
Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e eprorëve.)
E shënuar me dorë në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae.
29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe
deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat
e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura
Doktrina Kristiane ‘e vogël’ e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për
përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër
gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i
Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në
Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve
1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960
kopje të librit19.
Me interes më të madh letrar se katekizmi vetë janë pesëdhjetë e tri faqe me vjersha
fetare shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë
më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose
italishtja, por një pjesë janë origjinale.
Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:
“Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi
Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV
liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621.
Svperiorvm permissv.”
(Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër
Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të
përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)
Po në dorëshkrim në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae.
29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319
faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush
thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum
Confessionis ose Pasëqyra e t’rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje
e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si “një lloj bashkëbisedimi
shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare
shqipe.” Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën
shqipe.
Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan
disa tipare fonetike interesante20. Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar
më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që
përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore.
Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi
në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
Në shikim të parë Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga
latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak.
Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në
mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm.
Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është
më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai
përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani
me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i
periudhës.
Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë.
Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë
të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe
poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha21 nga një Pal
Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe
normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili,
meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është
mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si,
fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që
vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453
fjalë22.
Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: “Më parë hodha (d.m.th.
kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i
përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit.” Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore
në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae,
dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):
“Dies irae, dies illa
Solvet saeclum in favilla,
Teste David cum sibylla.
Quantus tremor est futurus
Quando judex est venturus,
Cuncta stricte discussurus.
Tuba mirum spargens sonum
Per sepulcra regionum
Coget omnes ante thronum…”
“Ajo ditë me mënii
Qi të vinjë ndë e vonë
Këtë shekullë të zii
Ta diegë e ta përvëlonjë,
Si Profeta ban dëshmii
Me sibilënë, po thonë,
I madh gjyyq e mënii
Të vinjë për mkate tonë.
Saa dridhmë e cokëllimë
Të jeenë përgjithanë,
E n qiellshit shkepëtimë
Nd’ajërit e madhe gjamë…23”
Tërheqëse në poezinë e Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë dhe shqetësimi
i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë.
Një vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe
madhështinë e njeriut. Ajo nis kështu:
“O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;
Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s’shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?
Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;
Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?
Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,
Aty s’prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;
Aty s’prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;
Aty s’prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;
Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuom24…”
____________________
17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane
1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.
18 kr. Zamputi 1958, 1985.
19 kr. Archivo storico della S. Congregazione ‘de Propaganda Fide’, SC Stamperia 2, f. 246.
20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli 1986.
21 kr. Riza 1979, f. 120.
22 kr. Ashta 1966.
23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.
24 Transkriptimi i përshtatur nga Ismajli 1986, f. 64-67.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia