4.7 Përfundime për letërsinë e shekujve XVI e XVII

Të pesë shkrimtarët kryesorë shqiptarë të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani,
formojnë bërthamën e letërsisë së hershme shqiptare. Ata i dhanë kësaj letërsie frymëmarrjen e
parë të talentit krijues dhe farën e imët të zhdërvjelltësisë dhe nivelit artistik. Së bashku me një
radhë autorësh dytësorë që u përmendën më sipër si dhe pa dyshim me të tjerë që u kanë
humbur analeve të historisë së letërsisë, ata sollën në jetë një letërsi që u zhvillua vrullshëm, por
që do të mbytej në djep, si të thuash, nga shtrëngesat e rrjedhës së historisë shqiptare. Ato që
mund të kishin qenë rrënjë të forta të një letërsie kombëtare dinamike, si ato që u rritën në
rajonet më fatlume të Evropës në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u këputën dhunshëm nga
pushtimi turk dhe, si pasojë, nga dobësimi dhe rënia e mbrojtësit disi kontradiktor të Shqipërisë,
kishës katolike.
Pushtimi turk dhe kolonizimi i vendit, që kishte filluar që më 1385, e ndau Shqipërinë
në tri sfera kulture, të gjitha në thelb të pavarura nga njëra-tjetra: kultura kozmopolite e Orientit
islamik që përdorte në fillim turqishten, persishten dhe arabishten si mjete shprehjeje,
trashëgimia e zgjatur bizantine e Ortodoksisë greke në Shqipërinë jugore dhe kultura në zgjim
e arbëreshëve në Italinë e jugut, të ushqyer nga një klimë shoqërore, politike, ekonomike më e
favorshme si edhe nga trualli intelektual i qytetërimit italian.
Me pushtimin osman të Ballkanit, letërsia e hershme shqiptare menjëherë rrudhet e
rrëgjohet dhe me aq mbyllet përfundimisht kreu i parë i shquar i historisë së kësaj letërsie. Deri
para se të vinte lëvizja e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë,
letërsia në Shqipëri nuk do të mund të rifitonte atë karakter jetësor që kishte pasur në shekujt e
gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë. Letërsisë kombëtare do t’i duhej përsëri të fillonte nga
e para.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]