4. FILLIMET E LETËRSISË NË SHQIPËRI. SHEKUJT XVI E XVII
Nga shekulli i pesëmbëdhjetë e këndej, Shqipëria u nda në tri sfera kulturore e gjuhësore
të dallueshme nga njëra-tjetra: sfera e turqve myslimanë, ajo e grekëve ortodoksë dhe ajo e
‘latinëve’ katolikë. Ndonëse fiset malësore vendëse kishin kulturën e vet popullore dhe një
letërsi gojore të pasur, ato nuk kishin alfabet dhe, si pasojë, as kurrfarë traditash të shkruara në
gjuhën shqipe. Kështu, ato nuk patën mundësi për arsimim të rregullt e kulturë intelektuale, që
do t’i kishte dhënë shtytje krijimit të një letërsie të shkruar. Këto elemente do të silleshin nga tri
kulturat fqinje që e kishin ndarë vendin.
Kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë, forcat turke që pushtuan Shqipërinë,
sollën me vete një kulturë të re myslimane që do të mbijetonte këtu deri në shekullin e njëzetë.
Gjuhët e kulturës dhe të dijes në Shqipërinë myslimane gjatë kësaj periudhe qenë turqishtja,
persishtja dhe arabishtja. Arsimimi në gjuhën turke jepte mundësi jo vetëm për karierë fetare,
por edhe për karierë politike apo ushtarake në shërbim të Portës së Lartë. Gjuha shqipe qe e
pamjaftueshme për realizimin e plotë intelektual në këtë perandori përherë në zgjerim me
tradita të pasura kulturore turke e persiane; ajo nuk u zbulua si mjet i krijimtarisë letrare islame
veçse në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë.
Pjesa më e madhe e viseve të Shqipërisë që, me gjithë pushtimet turke, kishin mundur
t’i bëjnë ballë kulturës së re e përherë kërcënuese islame, i mbetën besnike kishës ortodokse dhe
traditave të ngurtësuara të Bizantit. Por edhe shqiptarët ortodoksë nuk qenë në gjendje të
përdornin gjuhën e vet për qëllime arsimore e kulturore, përderisa gjuhët tradicionale të kishës
ortodokse, pra edhe të vetmet gjuhë të mundshme për t’u shkruar, ishin greqishtja në jug të
vendit dhe sllavishtja kishtare në veri.
Fuqia e tretë kulturore në këtë vend, ajo e kishës katolike të Romës, nuk i kishte më të
pakta synimet për t’i asimiluar shqiptarët e për t’i përfshirë në grigjën e latinishtes e të italishtes.
Megjithatë, në disa raste të rralla në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo lejoi gjuhën vendëse të
kalonte, ka të ngjarë si reagim ndaj reformizmit protestant në Evropën veriore. Në ato vende,
njëfarë përdorimi më liberal i gjuhëve kombëtare e lokale shpuri në një lidhje më të ngushtë me
kishën, meqë njerëzit e thjeshtë kishin mundësi kësisoj të kuptonin se ç’bëhej e, gjithashtu, në
krijimin e shumë letërsive në gjuhën vendëse. Edhe brenda kishës katolike, gjithashtu po
ndiehej ndikimi i frymës së humanizmit dhe i respektit për pasionin intelektual, të cilët ishin
arritje të Rilindjes italiane.
Letërsia e hershme shqiptare, ajo e shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë,
ishte në thelb letërsi fetare. Në fillim ajo përbëhej nga përkthime tekstesh kishtare nga
latinishtja e italishtja në shërbim të Kundërreformës, kurse më vonë nga vepra origjinale të
hartuara me një gjuhë vendëse të re, ende e papërshtatur për abstraksione filozofike e teologjike.
Karakterin fetar të kësaj letërsie e përcaktuan dy faktorë. Së pari, publikun lexues të asaj
kohe në Shqipërinë ‘latine’ e përbënte tërësisht kleri i shkolluar në pjesën më të madhe në Itali.
Së dyti, kisha kishte në të vërtetë monopolin e botimeve në Shqipëri si edhe gjetiu, gjë që u linte
pak hapësirë krijimeve të tjera që nuk ishin tekste fetare. Autorët e hershëm shqiptarë mund të
kenë shkruar apo përkthyer edhe tekste laike, por vepra të tilla nuk e kanë parë dritën e botimit.
Në Shqipëri botimi i shkrimeve kurrë nuk ka qenë punë e lehtë. Të vetmet shtypshkronja të asaj
periudhe mund të gjendeshin në Itali dhe në bregun dalmat të Republikës së Shën Markut.
Përveç kësaj, çdo vepër, qoftë fetare apo laike, duhet të kalonte nëpër një censurë të rreptë para
se të merrte ‘vulën’ e kishës. Në atë kohë të paqëndrueshme të Kundërreformës pikëpamjet dhe
mendimet se ç’ishte e parrezikshme për t’u botuar ndryshonin me shpejtësi, çka bënte që shumë
vepra të botuara të hiqeshin më pas nga qarkullimi. Letërsia fetare, për një numër arsyesh, ishte
një shteg i përkryer për përmbushjen e aspiratave të kësaj klase intelektualësh shqiptarë. Nga
njëra anë, një literaturë e tillë ndihmonte për përhapjen e doktrinës se kishës katolike, kurse, më
anë tjetër, çante rrugën për zhvillimin e një kulture dhe letërsie me tipare dalluese kombëtare
shqiptare. Botimet e para fetare në gjuhën shqipe përbënin gjithashtu një akt kundërshtimi ndaj
pranisë depërtuese të një kulture myslimane turke në këtë vend.
Sikundër ka ndodhur shpesh në historinë e letërsisë shqiptare, të shkruarit në gjuhën
shqipe përfaqësonte një simbol të qendresës ndaj fuqive të huaja që sundonin në Shqipëri ose
mbizotëronin në kulturën e saj.
Përveç mungesës së mjeteve botuese, shkrimtarët e parë që guxuan të shpreheshin në
gjuhën shqipe, u ndodhën edhe para pengesash të tjera. Vetë krijimi i një alfabeti të
përshtatshëm për sistemin tingullor të shqipes, problem ky që nuk u zgjidh plotësisht para
fillimit të shekullit të njëzetë, kërkonte në fillim frymë të fortë iniciative e energji të mëdha. Së
dyti, përshtatja e një gjuhe fisnore për një sistem më të përpunuar e më intelektual komunikimi
nxirrte probleme të atilla, që mund të zgjidheshin, në analizë të fundit, vetëm nga dijetarë me
formim arsimor të qëndrueshëm. Jo vetëm sistemi i shkrimit, por edhe idetë u sollën nga jashtë
e u gatuan për t’iu përshtatur nevojave, aspiratave dhe ëndrrave të popullit shqiptar.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]