5. SHKËLQIMI I ORIENTIT.
LETËRSIA MYSLIMANE E SHEKULLIT XVIII
DHE FILLIMIT TË SHEKULLIT XIX

5.1 Kushtet historike dhe kulturore
Më 28 qershor 1389 turqit mundën koalicionin e forcave ballkanike nën udhëheqjen
serbe në Fushë-Kosovë, dhe u bënë zotër të Ballkanit. Më 1393 turqit kishin pushtuar Shkodrën,
ndonëse venedikasit do ta rimerrnin pas pak kohe bashkë me kështjellën madhështore të saj.
Pushtimi i Shqipërisë vazhdoi edhe në vitet e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë. Kështjella
malore e Krujës u mor më 1415, kurse qytetet po aq strategjike të Vlorës, Beratit dhe Kaninës
në Shqipërinë e jugut ranë më 1417. Deri më 1431 turqit e kishin përfshirë Shqipërinë jugore
brenda Perandorisë Osmane dhe kishin ngritur administratën e ‘sanxhakut’ me kryeqytet
Gjirokastrën, të pushtuar më 1419. Shqipëria feudale e veriut mbeti në dorë të fiseve autonome,
ndonëse tani nën suzerenitetin e Sulltanit.
Pushtimi turk nuk u prit pa kundërshtime nga ana e shqiptarëve, sidomos në kohën e
Gjergj Kastriotit, të njohur me emrin Skënderbej (1405-1468), princ dhe tani hero kombëtar. I
dërguar nga i ati si peng te Sulltan Murati II (sundoi 1421-1451), djaloshi Kastriot u kthye në
fenë islame dhe mori shkollim mysliman në Edrene (Adrianopol). Turqit e quajtën Iskander dhe
i dhanë titullin bej, nga edhe vjen emri Skënderbej. Më 1443 Skënderbeu përfitoi nga
shpartallimi i turqve në Nish nga ana e komandantit hungarez Janosh Huniadi (rreth 1385-1456)
dhe braktisi ushtrinë osmane, u kthye në Shqipëri dhe ripërqafoi kristianizmin. Arritja e madhe
e parë e tij qe bashkimi i fiseve feudale të përçara të Shqipërisë veriore në Lidhjen e Lezhës më
1444. Me anë të një dredhie ai mori kështjellën e Krujës dhe u shpall kryekomandant i një
ushtrie shqiptare, e cila, ndonëse e pavarur, as mund të krahasohej me fuqinë kolosale ushtarake
të turqve. Më 1453 vetë Konstantinopoja ra në duart e forcave të Sulltan Mehmetit II
Ngadhënjimtarit (sundoi 1451-1481), duke i dhënë fund kësisoj Perandorisë Romake Bizantine
njëmijëvjeçare të Lindjes. Por Shqipëria, ndonëse e braktisur në fatin e saj, nuk do të dorëzohej
lehtë.
Në vitet më pas, Skënderbeu zmbrapsi me sukses trembëdhjetë sulme osmane, përfshirë
edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët (Muradi II
më 1450 dhe Mehmeti II më 1466 dhe 1467). Për qëndresën ndaj turqve ai gëzoi adhurimin e
madh të botës kristiane dhe iu dha titulli ‘Atleta Christi’ nga papa Kalisti III (sundoi 1455-1458).
Qëndresa shqiptare u mposht vetëm pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468 në Lezhë. Më
1478 kështjella e Krujës u mor përfundimisht nga forcat turke, më 1479 ra Shkodra dhe, më në
fund, më 1501 ra Durrësi. Me fundin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë Perandoria Osmane ishte
ngritur në zenitin e saj politik dhe Shqipëria do të nënshtrohej krejt gjatë katër shekujve të
kolonizimit turk, i cili ia ndërroi rrënjësisht faqen vendit.
Studiuesit e sotëm shqiptarë kanë prirjen t’i vështrojnë pasojat e këtyre shekujve të
sundimit turk si tërësisht negative, me hordhi barbare aziatike që shkatërrojnë dhe plaçkisin një
vend që, përndryshe do të kishte lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian. Kjo pikëpamje mjaft
e njëanshme vjen e përcaktohet në një shkallë të madhe nga përvoja e lëvizjes kombëtare
shqiptare në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur Perandoria Osmane qe në një periudhë
kalbëzimi të thellë. Edhe pse pushtimi turk i Shqipërisë u solli vuajtje të pafundshme banorëve
të këtij vendi, ai solli edhe një kulturë të re e të përpunuar, e cila më vonë do të bëhej pjesë përbërëse e identitetit shqiptar.
Islami, si një fé e re, kishte çarë midis veriut katolik dhe jugut ortodoks të Shqipërisë
dhe, me kalimin e kohës, u bë besimi sundues i vendit. Ndonëse gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të
sundimit turk ndër vetë shqiptarët kishte pak myslimanë, deri në fillim të shekullit të
shtatëmbëdhjetë llogaritet se pesëdhjetë përqind e popullsisë së Shqipërisë veriore ishin kthyer
në fenë islame1. Katolicizmi romak dhe ortodoksizmi grek e serb në Shqipëri kishin qenë, në
fund të fundit, mjete transmetimi kulturash të huaja, të vëna në lëvizje nga gjuhët e huaja. Ato
ishin fe në të cilat shqiptarët, në krahasim me fqinjët serbë, bullgarë e grekë, kishin qenë
konvertuar vetëm në mënyrë të sipërfaqshme. Kthimi masiv i popullsisë shqiptare në fenë
islame bëhet edhe më i kuptueshëm po të kemi parasysh taksat e rënda (haraç) që iu vunë
rajave, banorëve kristianë të Perandorisë.
Hasan Kaleshi (1922-1976)2 ka shprehur një mendim bindës kur ka thënë se pushtimi
turk i Ballkanit e pati të paktën një rrjedhojë pozitive – i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi etnik
prej sllavëve, ashtu si sikundër vërshimi sllav në Ballkan në shekullin e gjashtë i pati dhënë
fund procesit të romanizimit që kishte kërcënuar me asimilim paraardhësit jo-latinishtfolës të
shqiptarëve një mijë vjet më parë. Ndonëse të panjohur nga turqit si pakicë etnike (popullsia e
Perandorisë Osmane ndahej sipas fesë e jo sipas kombësisë), shqiptarët ia dolën mbanë të
mbijetonin si popull dhe, në thelb, të zgjeronin zonat e ngulimeve të tyre nën sundimin turk.
Shkodra dhe qendrat e tjera qytetëse përgjatë bregdetit shqiptar u bënë për të parën herë qytete
të vërteta shqiptare dhe me popullsi shqiptare.
Perandoria Turke, me organizimin e saj qendror dhe bazën pushtetore të përqendruar në
Stamboll, e la Shqipërinë në një amulli kulturore e politike, siç kishte qenë që në fillim, ndërsa
kultura turke osmane, që do të arrinte kulmin gjatë Epokës së Tulipanit në shekullin e
tetëmbëdhjetë, depërtoi thellë në mbarë vendin. Qytete jugore e qendrore të Shqipërisë si Berati
dhe Elbasani me kalatë, xhamitë dhe medresetë e ndërtuara rishtas, u bënë qendra krahinore të
dijes orientale dhe përjetuan vërtet njëfarë rilindje kulturore nën Islamin, ashtu si dhe Shkodra
e Gjakova në veri. Poetë, artistë dhe dijetarë shëtitës filluan të gëzojnë përkrahjen e
qeveritarëve dhe pashallarëve vendës ashtu si ndodhte në mbarë Azinë e Vogël.
Sikundër autorët e parë të Shqipërisë kristiane kishin shkruar latinisht apo greqisht,
ashtu edhe shkrimtarët e parë nga Shqipëria myslimane përdorën mjetet letrare të Perandorisë
Osmane: turqishten3 dhe persishten, bile shumë prej tyre me sukses të dukshëm.

______
1 Për islamizimin e Shqipërisë, kr. Arnold 1896, Rossi 1942, Stadtmüller 1955, Skendi 1956b, dhe Bartl 1968.
2 kr. Kaleshi 1975.
3 Për historinë e letërsisë turke në Shqipëri, kr. Karateke 1995.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]