5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.
Një nga më origjinalët ndër poetët e hershëm të Perandorisë Osmane ishte Mesihi i
Prishtinës4 (rreth 1470-1512) i njohur në turqishtë si PriÕtineli Mesihi. Mendohet se ka qenë
shqiptar nga Prishtina, edhe pse duhet të ketë banuar në Stamboll që në moshë të njomë e më
pas. Mesihi nuk qe vetëm një poet jashtëzakonisht i talentuar, por edhe një mjeshtër me talent
për kaligrafi, dhe pati postin e sekretarit të Kadim Ali Pashës gjatë sundimit të Bajazidit II
(sundoi 1481-1512). Një Õehr o—lani (djalë qyteti) qefli, sikundër e cilëson biografi Ashik
Çelebi, Mesihinë mund ta gjeje më lehtë nëpër parqe e bahçe dëfrimi me miqtë dhe dylberët e
tij sesa në punë. Ndonëse mënyra hedonistike e jetesës do t’ia ketë penguar përparimin në
karierë, ai krijoi atë që mund të quhet si ndër më të mirat poezi osmane të kohës së vet. Më e
përmendura është Murabba’-i bahar5 (Odë për pranverën) e cila, pas botimit në përkthim
latinisht më 1774 nga orientalisti Sër Uilliam Xhounz (Sir William Jones, 1746-1794), do të
bëhej poezia më e njohur turke në Evropë për një kohë të gjatë. Ajo fillon kështu:

(Dëgjo bilbilin, ditët e pranverës kanë ardhur,
Stina e pranverës i ka gjallëruar tërë kopshtet,
Lulet e bajames lëshojnë rreze të argjendta,
Pi dhe bëj qef, se ditët e pranverës të ikën e të lënë.)
Më origjinale se ‘Odë për pranverën’ është poezia e Mesihisë şehr-engîz (Tmerri i
qytetit), që pas pak kohe do të bëhej model i një gjinie letrare të re në poezinë osmane. Në 186
kupletet e tij ai i këndon bukurisë dhe nurit të dyzet e gjashtë djelmoshave të Edrenesë
(Adrianopojës). Është kjo një kryevepër e poezisë turke të fillimit të shekullit të
gjashtëmbëdhjetë që, me lojën e fjalëve dhe humorin therës, sjell një farë lehtësimi e shlodhjeje
në mes të atij vërshimi të përgjithshëm të poezisë intelektualiste mistike. Mesihi pranon me
humor se vjersha e tij është mëkatare, por edhe se ka besim që Zoti do ta falë: “Zemra ime
bredharake është bërë aq shumë copash, saqë secila ka vajtur te njëra prej atyre bukurive.”
Një shkrimtar tjetër i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me prejardhje shqiptare ishte Jahja
bej Dukagjini6 (vd. 1575), i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Yahyâ bey ose TaÕlicali Yahyâ.
Pinjoll i një fisi dukagjinas që banonte në alpet e zhveshura shqiptare në veri të lumit Drin, ai
vetë doli nga krahina e Plevlës, tani në veri të Malit të Zi, dhe u dërgua në rini për të shërbyer
si jeniçer. Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë të shkolluar në shërbim të Perandorisë Osmane,
nuk e kishte lënë në harresë prejardhjen e tij shqiptare. Në njërën nga vjershat e tij thotë:

(Raca shqiptare është raca ime,
Mbarë populli im mban shpatën pranë,
Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë
Të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjve,
Kjo është dhunti e racës shqiptare,
Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.)

Jahja beu ishte ushtar trim e njëkohësisht shkrimtar i guximshëm. Ai nuk kishte frikë t’i
dilte kundër opinionit publik ose t’ua prishte qejfin nëpunësve të oborrit me vargun e tij shpesh
me frymë polemike. Një herë, i akuzuar nga Veziri i Madh pse kishte guxuar të shkruante një
elegji për vdekjen e princ Mustafait, i cili qe ekzekutuar në Konjë nga i ati, sulltan Sulejman
Madhështori (sundoi 1520-1566) më 1533, Jahja beu iu përgjigj me zgjuarësi: “Ne e dënojmë
me Padishahun, por e vajtojmë me popullin”. E prapëseprapë, meqë kishte bërë shumë armiq,
e pa më të arsyeshme të tërhiqej në çifligun e tij afër Zvornikut në Bosnjë, ku, plak i moshuar
në të tetëdhjetat e me divanin e tij në dorë për ta përfunduar, vdiq më 1575 [983 A.H.]. Nga
pesë mesnevî të tij më e njohura është Shâh u gedâ (Mbreti dhe lypësi), për të cilën na thotë se
e ka mbaruar brenda jo më shumë se një jave. Kjo poemë e çmuar shumë, e shkruar me vargje
të rregullta, idealizon dashurinë e pastër për një djalosh nga Stambolli me bukuri të rrallë (i
dhënë si mbret meqë mbretëron mbi zemrën e tij) nga dashnori i tij i përunjur (i dhënë si lypës
për shkak të lutjeve plot dëshirë e mall). Ai ishte edhe autori i një divani gazelesh të përmendur
më sipër, që përgjithësisht mendohet se janë më pak origjinale. Një tjetër poet turk me emër
ishte i vëllai i Jahja beut, Ahmed bej Dukagjini, i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Ahmed
bey.
Me prejardhje shqiptare duket se kanë qenë të paktën tre prozatorë turq të vjetër. Ata
janë Ajazi (Ayâs), autor i fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i cili ka hartuar një kronikë
të mbetur pa u botuar; Veziri i Madh Lutfi Pasha (vd. 1564), autor i një traktati për detyrat e
shtetit; dhe Koçi Beu nga Korça, këshilltar i Sulltan Muradit IV (sundoi 1623-1640), traktati
politik i të cilit për problemet shqetësuese të Perandorisë dhe rrugët për mënjanimin e tyre e bëri
orientalistin e madh austriak Baron fon Hamer-Purgshtal (Baron von Hammer-Purgstall7 1774-
1856) ta quante ‘Monteskjë Osman’.
Gjatë pesë shekujve të bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane, Shqipëria do të
nxirrte shumë burra të tjerë të mëdhenj, ndikimi i të cilëve mbi kulturën turke kurrsesi nuk qe
anësor. Ndër ta ka qenë teologu dhe dijetari Hoxha Hasan Tahsin (1812-1881), i pari rektor i
Universitetit të Stambollit; leksikografi dhe enciklopedisti Sami bej Frashëri (1850-1904), i
njohur në turqisht si Shemsedin Sami (Ôemseddin Sami); poeti mbarislamik Mehmet Akif
(1873-1936) nga Peja, autor i himnit kombëtar turk të vitit 1921; dhe Riza Tevfik (1868-1949),
një nga filozofët më të mëdhenj turq të kohës.
Ndërkaq, për fat të mirë, në shekullin e tetëmbëdhjetë, energjitë krijuese të shqiptarëve
osmanë filluan të rrjedhin edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës së tyre kombëtare.

____________
4 kr. Gibb 1902, vëll. 2, f. 226-256, Bombaci 1969, f. 330-333, Morina 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 22-24.
5 kr. Rossi 1954.
6 kr. Gibb 1904, vëll. 3, f. 116-132, Bombaci 1969, f. 345-346, dhe Kaleshi 1991, f. 19-22.
7 kr. Hammer-Purgstall 1836-1838.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]