7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht

Fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë shënoi kështu daljen e një numri të mirë poetësh e
autorësh arbëreshë që provuan të shkruanin shqip. Por, çka është më e rëndësishme për zgjimin
e kulturës së tyre, kishte një grup tjetër shkrimtarësh e studiuesish arbëreshë që shkruanin
italisht. Të nxitur në fillim nga lëvizja e romantizmit evropian, e cila zgjoi jo vetëm interesimin
për dijen, por edhe respektin e dashurinë e fortë për folklorin, këto figura filluan të hetojnë
rrënjët dhe traditat e tyre shqiptare duke e drejtuar vëmendjen e energjinë në zhvillimin e
kulturës së vet arbëreshe dhe në veçanti, në studimin e letërsisë gojore. Nga ana e tij, ky studim
jo vetëm i dha shtytje krijimtarisë së mëtejshme në gjuhën shqipe, të zgjuar nga veprimtaria e
Jeronim De Radës, por edhe i bëri arbëreshët t’i kushtojnë vëmendje përherë e më shumë
atdheut të largët në Ballkan dhe vëllezërve të tyre shqiptarë që hiqnin e vuanin barrën përherë
e më të padurueshme të sundimit turk.
Engjëll Mashi107 (ital. Angelo Masci, 1758- 1821), ishte një studiues arbëresh nga Shën
Sofia në krahinën e Kozencës, ku edhe studioi pranë të sipërpërmendurit Stefan Bafa (vd.
1808). Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i
një vepre në italishte me titull Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione
albanese, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit
shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjishte të studimit të Konrad Malt-Brën
(Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation
albanaise108 (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Historiani Xhovani Skiroi (ital. Giovanni Schirò) nga Hora e Arbëreshëvet studioi e analizoi
lidhjet midis Shqipërisë dhe Italisë së jugut në punimin e tij Rapporti tra l’Epiro e il Regno
delle Due Sicilie, 1834 (Marrëdhëniet midis Epirit dhe Mbretërisë së Dy Sicilive)109. Një tjetër
studiues i shquar ishte Zef Krispi (ital. Giuseppe Crispi, 1781-1859), nga Pallaci i Sicilisë. Ai
ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i seminarit grek atje.
Mbahet mend për punimin e tij Memoria sulla lingua albanese, Palermo 1831 (Shënime mbi
gjuhën shqipe), ku orvatej të provonte prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, një teori kjo
e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht. Ai është edhe autor i një
përmbledhjeje këngësh popullore arbëreshe të Sicilisë, shoqëruar nga përkthime në italishte, të
titulluar Canti degli Albanesi di Sicilia (Këngë të shqiptarëve të Sicilisë), botuar në Canti
popolari siciliani, Katania 1857 (Këngë popullore siciliane), të Leonardo Vigos dhe i Memorie
storiche di alcune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia, Palermo 1853 (Shënime historike për disa zakone në ngulimet greko-shqiptare të Sicilisë). Rafaele Lopez110
nga Shën Mitër, i cili ka dhënë mësim së bashku me De Radën në kolegjin e Shën Adrianit, ku
të dy u arrestuan më 1851 për veprimtari revolucionare, përgatiti një përmbledhje këngësh
popullore arbëreshe të përkthyera prej tij në italishte. Edhe një mik i ngushtë i tij, Luigj
Petrasi111 (ital. Luigi Petrassi, vd. rreth v. 1843), me prejardhje nga Qana (ital. Cerzeto),
mblodhi këngë popullore kalabreze. Po Petrasi përktheu këngën e parë të Çajlld Haroldit të
Lord Bajronit dhe Dei Sepolcri të Ugo Foskolos, që janë përkthimet e para në shqipe të njohura
deri tani të poezisë romantike evropiane. Feliçe Stafa112 (ital. Felice Staffa) nga Fallkunara
(ital. Falconara Albanese) në provincën e Kozencës ndoqi studimet në Napoli më 1820-1821
pranë Gabriele Rossettit, baba i para-rafaelitëve anglezë Kristina e Dante Rossetti. Thuhet se ka
marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 dhe është dënuar me tre vjet burg. Një kopje fort e
rrallë e një përmbledhjeje 32 faqesh me këngë popullore shqiptare, Canti albanesi, Napoli 1845
(Këngë shqiptare), ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Gjatë Revolucionit të vitit 1848
në Napoli ishte edhe Engjëll Bazile113 (ital. Angelo Basile, 1813-1848) nga Pllatani. Nga veprat
e tij të shumta, në të gjallë u botua vetëm një dramë në italishte, Ines de Castro, Napoli 1847,
kushtuar Jeronim De Radës dhe frymëzuar nga Os Lusiades e poetit kombëtar portugez Luis de
Camoes (1524-1580). Përmbledhja e tij me këngë popullore arbëreshe të përkthyera në italisht,
Raccolta di canti popolari albanesi (Përmbledhje këngësh popullore shqiptare) u botua nga
miku i tij i ngushtë Jeronim De Rada. Një mbledhës tjetër këngësh popullore shqiptare ishte
dramaturgu, poeti dhe prozatori arbëresh Emanuel Bidera114 (ital. Emmanuele Bidera, 1784-
1858) nga Pallaci i Sicilisë. Përsiatjet e tij tepër të lirshme për prejardhjen e shqiptarëve si
popull u botuan në katërvëllimshin Quaranta secoli racconti su le Due Sicilie, Napoli 1846-
1850 (Dyzet shekuj të rrëfyera për Dy Sicilitë). Vëllimi i parë përmban disa poezi popullore
arbëreshe. Themelues dhe drejtor i një shkolle të gojëtarisë në Napoli, Bidera shkroi edhe
librete operash për kompozitorin Gaetano Donixeti (ital. Gaetano Donizetti, 1797-1848) në të
ri të tij. Domenik Mauri115 (ital. Domenico Mauro, 1812-1873) ishte poet i njohur kalabrez me
prejardhje arbëreshe që shkroi vetëm italisht. Lindur më 13 janar 1812 në Shën Mitër, ai qe
njëri prej udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848 në Kalabri, dhe pas një periudhe mërgimi në
ishujt e Jonit e në Romë u bë një nga një mijë ‘këmishëkuqtë’ e Xhuzepe Garibaldit, duke i
vajtur pas deri në Marsejë. Ai vdiq në Firence më 17 janar 1873. Ndër botimet e tij letrare janë:
Versi sciolti in occasione della morte di mio padre in risposta all’amico, Napoli 1835 (Vjersha
të zgjedhura me rastin e vdekjes së babait tim, në përgjigje të një miku), Errico, Novella
calabrese, Cyrih 1845 (Erriku, tregim kalabrez), Poesie varie, Napoli 1862 (Vjersha të
ndryshme), dhe Errico, poemetto in cinque canti, Napoli 1869 (Erriku, poemth në pesë këngë).
Vargu i tij në stil bajronian është i frymëzuar e i gjallë, ndonëse vende-vende i mungon
disiplina poetike.
Shkrimtarët dhe studiuesit arbëreshë të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë u nxitën mjaft nga shenjat e qarta që vinin nga Shqipëria për zgjimin politik e kulturor të saj.
Përpjekjet e tyre qenë të dyfishta: t’i jepnin përkrahje këtij rizgjimi në atdhe dhe të luftonin për
njohjen e kulturës së tyre shqiptare në Italinë e jugut. Letërsia gojore dhe folklori, të hulumtuara
për herë të parë mbi një bazë më sistematike e shkencore, përbënin një pikënisje për
veprimtarinë e intelektualëve arbëreshë, ndërkaq që problemi qendror politik, që ishte lufta e
përpjekjet e mundimshme për pavarësi nga Perandoria Osmane në rënie, do të vihej shumë
shpejt në qendër të vëmendjes së tyre. Kësisoj, qëllimi i përbashkët i shqiptarëve në Ballkan e
në Itali gjatë gjithë luftës për të mbajtur gjallë kulturën, u bë ideali për një Shqipëri sovrane.
Shkrimtarët, studiuesit dhe personalitetet publike arbëreshe u dhanë ndihmë homologëve të tyre
shqiptarë aty ku mundën, dhe u forcuan lidhjet midis dy palëve për nxitjen e veprimtarisë
kulturore. Shekujve të gjatë të izolimit absolut nga Shqipëria po u vinte fundi për arbëreshët.
Ishin ruajtur lidhjet e pashlyeshme të gjakut.
Ndër udhëheqësit kulturorë të arbëreshëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë, botimet e të
cilëve në gjuhën dhe letërsinë shqipe u dhanë hov jo vetëm shqiptarëve në Itali, por edhe
lëvizjes së Rilindjes në atdhe, ishte filologu dhe folkloristi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio
Camarda, 1821-1882). Ai lindi në Horën e Arbëreshëvet në Sicili më 23 tetor 1821 dhe studioi
për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Pasi u shugurua në ritin bizantin më 1844,
banoi në Napoli e në fshatin e lindjes deri më 1848 kur u dëbua nga Mbretëria e Dy Sicilive prej
autoriteteve burbone me akuzën se kishte bashkëpunuar me liberalët. Në fillim vajti në Romë
e pastaj në manastirin benediktin të Çezenës. Më 1852 u emërua mësues në shkollën e mesme
në Livorno, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës si famullitar. Vdiq më 13 prill 1882. Kamarda
përmendet për veprën e tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, Livorno
1864 (Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe), një nga të parat vepra të
filologjisë diakronike shqiptare, ku u orvat të provonte afërinë e gjuhës shqipe me greqishten,
në kundërshtim me gjuhëtarin komparativist gjerman Franc Bop (gjerm. Franz Bopp, 1791-
1867), i cili kishte demonstruar prejardhjen e drejtpërdrejtë indo-evropiane të saj më 1854116.
Kjo vepër u pasua nga Appendice al saggio di grammatologia comparata, Prato 1866 (Shtojcë
për sprovën e gramatologjisë krahasuese), një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe.
Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe117 dhe botoi një libër me poezi shqiptare
kushtuar Dora d’Istrias, me titullin A Dora d’Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d’Istrias,
shqiptarët), që përmbante vjersha nga Preng Doçi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Jeronim De Rada,
Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.
Dora d’Istria118 (1828-1888), pseudonimi i Helena Gjikës, ka qenë një figurë
interesante e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kjo
shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare pati lindur në Bukuresht në familjen aristokrate
Gjika të ardhur nga Maqedonia. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. Që në moshë të re
Dora d’Istria udhëtoi me prindët dhe vizitoi oborret e Vjenës, Drezdenit dhe Berlinit, dhe kudo
u adhurua për talentin dhe bukurinë. Më 1849 martesa me princin Aleksandër Masalski e shpuri
në Rusi, ku kaloi gati gjashtë vjet. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul e vajti në Zvicër, ku
u bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau, kurse më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën
tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali. Përkushtimi i parreshtur i Dora d’Istrias ndaj aspiratave
të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas e ndaj arsimit
për popullin e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore në shkrimet e para, nuk ka kurrfarë dyshimi se studimi i saj La nationalité albanaise d’après les
chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866 në revistën
letrare të Parisit Revue des deux mondes, luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës
së Rilindjes. Ishte Dhimitër Kamarda ai që këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin
Fylétia e arbenoré prèj kanekate laoshima, Livorno 1867, dhe botoi për nder të saj atë antologji
poetike që e përmendëm më lart. Për historinë e familjes së vet Dora d’Istria botoi edhe një
vepër 455 faqesh me titull Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII,
XVIII e XIX, Firenze 1873 (Shqiptarët në Rumani. Historia e princëve Gjika në shekujt e 17-të,
18-të dhe 19-të).
Vëllai më i vogël i Dhimitër Kamardës, Zef Kamarda (ital. Giuseppe Camarda, 1831-
1878), përktheu Ungjillin e Shën Mateut në dialektin e Horës së Arbëreshëvet, variant ky i
rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1868 nga princi Louis-Lucien
Bonaparte119 (1813-1891). Zef Kamarda ishte edhe autor i disa poezive fetare, i një përralle e i
një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe.
Një variant kalabrez i Ungjillit të Shën Mateut, edhe ky i rishikuar nga Dhimitër
Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Louis-Lucien Bonaparte, u përkthye nga një
studiues tjetër i shquar arbëresh, Vinçenc Dorsa (ital. Vincenzo Dorsa, 1823-1885). Lindur në
Frasnitë në provincën e Kozencës më 26 shkurt 1823, Dorsa ndoqi studimet në kolegjin e Shën
Adrianit në Shën Mitër e më pas në kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe
mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me të
cilën u shqua është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët,
hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim, të
ndarë e të shprishur, por një i vetëm), që synonte, siç e thotë vetë Dorsa në parathënie, “të
tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur”.
E ndarë në njëzet krerë, vepra përmban të dhëna të bollshme, të para në dritën e mesit të
shekullit të nëntëmbëdhjetë, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e
Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe
letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime
etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria
citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të
pabotuara kanë mbetur vepra e tij Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip
gjatë studimeve në Romë më 1842120, dhe dorëshkrimi për afro gjashtëdhjetepesë këngë
popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi121 (Këngë popullore
shqiptare), të cilat i shërbyen Jeronim De Radës në përmbledhjen që ky hartoi me material
folklorik arbëresh.
Anton Argondica (ital. Antonio Argondizza, 1839-1918) ishte folklorist, poet dhe
botues nga Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës. Studimet i përfundoi
në kolegjin e Shën Adrianit, ku edhe qe mësues më vonë. Argondica bashkëpunoi me një varg
periodikësh me artikuj mbi folklorin dhe gjuhën shqipe. Më 1890 vizitoi Spanjën, Francën dhe
Shtetet e Bashkuara, ku themeloi gazetën L’Emigrato italiano. Më pas vizitoi Shqipërinë.
Argondica ka mbetur kryesisht si botues i Ili i Arbrešvet122 (Ylli i Arbëreshëve), revistë e
themeluar më 1896 me porosi të kongresit të parë albanologjik në Koriliano Kalabro të kryesuar
nga Jeronim De Rada më 1895. Kjo ishte një revistë me peshë në botën letrare arbëreshe, por,
ashtu si shumë organe shqiptare shtypi të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk e pati jetën të gjatë
dhe u zëvendësua një vit më pas nga La Nazione albanese e Anselm Lorekios. Përveç
shkrimeve në italishte për folklorin dhe gjuhën, dhe përveç një vepre mbi Collegio italo-greco
di S. Adriano, Koriliano Kalabro 1884 (Kolegji italo-grek i Shën Adrianit), Argondica ishte
edhe autori i disa vjershave shqip. Ato nuk kanë ndonjë nivel të dukshëm, vetëm mund të
përmenden për interesa gjuhësore123.
Gazetar, jurist dhe njeri i letrave, Pjetër Kjara (ital. Pietro Chiara, 1840-1915), lindi në
Pallac në Sicili. Kushëri i Gavril Darës së Riut (1826-1885), Kjara bëri udhëtime në Shqipëri e
në Ballkan më 1879 dhe, si shqipfolës që ishte, arriti të depërtojë thellë në gjendjen politike
gjatë atyre viteve të ndera e vendimtare të Lidhjes së Prizrenit. Është autor i dy librave italisht
për Shqipërinë: L’Albania, Palermo 1869 (Shqipëria), monografi në dymbëdhjetë krerë për
gjuhën, letërsinë, historinë dhe politikën shqiptare, dhe L’Epiro, gli Albanesi e la Lega, Palermo
1880 (Epiri, shqiptarët dhe Lidhja), përmbledhje shkrimesh informative të botuara së pari në
gazetën e Romës La Riforma, redaktuar në vitet 1871 deri 1874 nga Gavril Dara i Riu. Kjara, që
ishte edhe deputet në parlament, botoi artikuj në të përmuajshmen e De Radës Fiàmuri Arbërit,
e themeluar më 1883, si dhe shkroi disa poezi lirike modeste124.
Sikundër e pamë, letërsia arbëreshe lindi dhe lulëzoi në truallin pjellor të qytetërimit
italian, për të formuar një degë të letërsisë që nga fillesat e veta dhe nga zhvillimi që mori ishte
krejt e pavarur nga ajo e Shqipërisë. Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit
nëntëmbëdhjetë, vetëm në Italinë e jugut kushtet politike, sociale e ekonomike, sado të zymta
të kenë qenë, po të shihen me syrin e kohëve më të reja, ishin mjaft të qëndrueshme për t’u
dhënë mundësi shqiptarëve që të zhvillonin kulturën e tyre modeste të shkrimeve, çka do të
hidhte themelet e letërsisë së sotme shqiptare.
Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë, edhe Shqipëria më në fund po zgjohej nga pikëpamja
politike e kulturore. Në kujtesën kolektive të arbëreshëve, të flakur tej në brigjet e dheut të huaj,
të cilin ata do ta shihnin gjithmonë me një farë dyshimi, Shqipëria po dilte nga mjegulla e
kujtimeve të hershme e po shfaqej para syve të tyre si një realitet konkret, si një mëmëdhe që
lëngonte e luftonte, e që i frymëzonte ata për të ruajtur kulturën e vet të brishtë. I palodhshmi
Jeronim De Rada kishte çimentuar lidhjet midis ngulimeve arbëreshe, të shpërndara andej
këndej në mbarë vargmalet e veçuara e të thella të Italisë së jugut, dhe mëmëdheut të tyre në
Ballkan, që luftonte të ruante njëjtësinë e vet. Që atëherë e më pas gjatë mbarë shekullit të
nëntëmbëdhjetë, lidhjet politike, kulturore dhe letrare u zhvilluan e u forcuan, çka u dëshmua e
frytshme dhe e dobishme për të dy palët. Letërsia arbëreshe kishte lulëzuar vetë, dhe pa dyshim
ishte aq e pjekur në këtë kohë sa për të ecur me këmbët e veta, por lidhjet me gjakun e
shprishur, i dhanë mundësi të mbetej pjesë përbërëse e pandashme e kulturës shqiptare. Nga ana
tjetër, as letërsia shqiptare vetë nuk mund të përfytyrohet e të merret me mend pa rrënjët
arbëreshe.

_______
107 kr. Shuteriqi 1976, f. 160-161, Kastrati 1987a, dhe Emmanuele 1988, f. 71.
108 kr. Malte-Brun 1807-1809, vëll. 3, f. 145-234.
109 Botuar në periodikun e Palermos ‘Giornale di scienze, lettere ed arti di Palermo’.
110 kr. Shuteriqi 1976, f. 223.
111 kr. Straticò 1896, f. 276, dhe Shuteriqi 1976, f. 229-230.
112 kr. Shuteriqi 1976, f. 246-247, 1977, f. 219-233.
113 kr. Shuteriqi 1974, f. 120-142, 1976, f. 228, 260, 261.
114 kr. Mann 1955, f. 111, dhe Shuteriqi 1976, f. 253-254.
115 kr. Cingari 1965, dhe Gradilone 1974, f. 282-291.
116 kr. Bopp 1855.
117 kr. Camarda 1962.
118 kr. Bala 1967 dhe Goçi 1989.
119 Koleksioni Shqiptar në Kopenhagë ruan një numër tekstesh e dokumentesh të Dhimitër dhe Zef Kamardës, ndër to një dorëshkrim të përkthimit origjinal nga Zef Kamarda të Shën Mateut, të bërë me alfabetin grek. kr. Gangale 1973, f. 62 (IV 6).
120 kr. Shuteriqi 1976, f. 228.
121 kr. Shuteriqi 1976, f. 270, dhe Gangale 1973, f. 32 (II 28).
122 kr. Sammarra 1984.
123 kr. Mbuzati 1959, Gangale 1973, f. 7-8 (II 1), 38 (II 35), dhe Laudone 1983.
124 kr. Gangale 1973 (II 12).

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]