6.3 Fjalorë dhe gramatika
Theodhor Kavalioti16 (rreth 1718-1789), i njohur në greqishte me emrin Theodôros
Anastasios Kaballiôtês, ka qenë një dijetar arumun nga Voskopoja, i cili dha një ndihmesë të
rëndësishme për shkrimin shqip në fushën e leksikografisë. Kavalioti studioi matematikë,
teologji dhe filozofi në Janinë midis viteve 1732 e 1734, ku dhe u njoh me veprat e Dekartit
(Descartes), Malenbranshit (Malebranche) dhe Lajbnicit (Leibniz). U kthye në vendin e vet në
Voskopojë, që kishte filluar të lulëzonte në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe u bë drejtor
i Akademisë së Re më 1746. Është autor i disa veprave filozofike të shkruara në greqishte, i një
gramatike elementare të greqishtes dhe i një libri për shkollat me titull Prôtopeiria, Venedik
1770 (libër fillestar), i cili përmban një fjalor trigjuhësh greqisht-arumanisht-shqip me rreth
1170 fjalë. Një kopje e kësaj vepre ndodhet në Bibliotekën e Akademisë Rumune në Bukuresht.
Ky fjalor u ribotua nga studiuesi suedez Johan Tunman (Johann Thunmann, 1746-1778) me një
përkthim latinisht më 177417 dhe është me interes gjuhësor për studentët qoftë shqiptarë apo
arumunë. Tunmani na thotë:
“Libri në të cilin gjendet ky fjalor është shtypur në Venedik më 1770 nga Antonio
Bortoli. Autori i tij është Protopapas ose predikatori më i shquar në Voskopojën e
Maqedonisë, Z. Theodhor Kavalioti. Është njeri i ditur ndër njerëzit e vendit të vet, që
ka përfituar nga studimet e gjuhëve, filozofisë dhe matematikës. Meqë kupton dhe flet
greqishten, arumanishten dhe shqipen si gjuhë amtare, bashkatdhetari i tij Z. Gjergj
Trikupa, i quajtur edhe Kosmiski, tregtar patriot dhe ithtar i shkollës dhe diturisë, e nxiti
e i mbushi mendjen të shkruajë këtë Protopeiria për të mirën e grekëve dhe e shtypi në
Venedik me shpenzimet e veta.”18
Një vepër tjetër në këtë hulli është Eisagôgikê didaskalia, Venedik? 1802 (Mësime
fillestare), një fjalor katërgjuhësh, greqisht-arumanisht-bullgarisht-shqip. Përmban rreth 1000
fjalë, si dhe 235 fraza të së folurës së përditshme të përkthyera lirisht, jo pa interes për studimin
e morfologjisë e sintaksës historike të gjuhës shqipe. Autori i këtij fjalori të dytë shumëgjuhësh
me shkrim grek, i hartuar në vitet 1793-1794, ishte Danieli i Voskopojës19 (1754-1825), i
njohur edhe si Mjeshtër Danieli ose Daniel (Dhanil) Haxhiu, kurse në greqishte me emrin
Daniêl Moschopolitês ose Daniêl Adam Chatzis, pa dyshim dijetar arumun nga Voskopoja dhe
nxënës i Kavaliotit, që me këtë vepër shpresonte t’u mbushte mendjen shqiptarëve, arumunëve
dhe bullgarëve të braktisnin gjuhët e tyre ‘barbare’ e të mësonin greqishten, ‘nënën e dijes’.
Marko Boçari20 (1790-1823), i njohur në greqishte si Markos Botzarês, një hero suljot
i luftërave greke (emrin e të cilit ka marrë një stacion metroje në Paris), ka qenë gjithashtu
autori i një fjalori greqisht-shqip, të cilin e hartoi në Korfuz më 1809 me nxitjen e Fransua
Pukëvilit (François Pouqueville, 1770-1839), vetë shkrimtar dhe konsull i Francës në Janinë.
Ky fjalor me 1484 leksema shqipe, ndonse është pa ndonjë vlerë letrare të veçantë, ka rëndësi
për të mësuar diçka për dialektin suljot të shqipes të zhdukur në ditët tona. Ai ruhet në
Bibliotekën Kombëtare në Paris21.
Një fjalor tjetër, kësaj radhe greqisht-anglisht-shqip me 2000 fjalë, është vepër e Jani
Evstrat Vithkuqarit22 (vd. 1822), i njohur edhe me emrin Eustratios nga Vithkuqi. Ka ndjekur
studimet në Akademinë e Re të Voskopojës e në Janinë. Njeri me njohuri të mira të greqishtes
dhe të shqipes, dihet se ka dhënë mësim në Artë, Voskopojë, Përmet e Janinë dhe ka qenë
drejtor shkolle në Gjirokastër. Vithkuqari është bashkautor i materialit për gjuhën shqipe, që u
përfshi në veprën Researches in Greece, Londër 1814 (Studime në Greqi), botuar nga studiuesi
britanik Uiliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Në parathënien për pjesën e tij
mbi gramatikën e shqipes. Liku shkruan: “The greater part of the information upon which the following remarks are founded, was derived from Evstratio of Viskuki, who holds the rank of
Hieroceryx in the Greek church, and had been many years school-master in Moskhopoli” (Pjesa
më e madhe e të dhënave tek të cilat u mbështetën shënimet e mëposhtme janë marrë nga
Evstratio Vithkuqari, i cili mban gradën e Hieroseriksit në kishën greke, dhe ka qenë për shumë
vjet mësues në Voskopojë).
Nga veprat e para gramatikore me shkrim grek, gjejmë të përmendur gramatikën e
gjuhës shqipe të një Germanosi i Kretës23 ose Germanos Hieromonachos (vd. 1760), për të
cilën thuhet se është ruajtur asokohe në manastirin e Trinisë së Shenjtë në veri të Greqisë; po
ashtu, një përkthim në shqip nga Nikolla Ikonom Postenani24 (rreth 1748-1838) të një
fragmenti nga një gramatikë e humanistit bizantin Manuel Krisolaras (Manuêl Chrysolaras,
rreth 1350-1414); si dhe një gramatikë të greqishtes të shkruar në shqip nga vëllai i Nikollës
Stefan Postenani25.
Nga kjo traditë greko-shqiptare e dijes kemi shënimet gramatikore greqisht-shqip të Jan
Vellarait26 (1771-1823), i njohur në greqishte edhe si Ioanis Vilaras (Iôannês Bêlaras). Bir i një
mjeku, Vellarai studioi mjekësi në Padovë më 1789 dhe më pas jetoi në Venedik. Më 1801 u bë
mjeku i Veliut, birit të Ali pashë Tepelenës. Mbahet mend kryesisht si poet modern grek dhe,
me sa duket, nuk ka qenë shqipfolës për së vogli. Tetëdhjetë e gjashtë faqet e tij me shënime
gramatikore dygjuhëshe, të datuara 1801, pa dyshim synonin t’u vinin në ndihmë
greqishtfolësve të tjerë për të mësuar shqipen. Shqipja e përdorur prej tij është një dialekt toskë
i shkruar me një alfabet origjinal prej tridhjetë shkronjash, mbështetur te latinishtja e më pak te
greqishtja. Dorëshkrimi i veprës i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare në Paris27 më 1819 nga
Fransua Pukëvili. I vetëdijshëm për vlerën e tij, Pukëvili shënonte: “Je possède un manuscrit,
une grammaire grecque vulgaire et schype qui pourrait être utile aux philologues” (Kam një
dorëshkrim, një gramatikë të greqishtes së folur dhe të shqipes, e cila mund të jetë e dobishme
për filologë), por nuk mendoi ta botojë së bashku me përshkrimet e tij të udhëtimeve. E vënë si
shtojcë në shënimet për gramatikën është edhe një letër me datë 30 tetor 1801, e shkruar shqip
me dorën e Vellaras në fshatin Vokopolë, në jug të Beratit. Në të ai ankohet për kushtet e
vështira të jetesës: “Kam tri muai qe fle mbë dhë; as shtratë, as paploma, as sëndonë, qe një gur
më dënonë si jastik”. Vellara vdiq më 23 dhjetor 1823.
_________
16 kr. Meyer 1895, Papacostea 1937, rishtypje 1983, f. 397-405, Qafëzezi 1938, Ruffini 1942, Peyfuss 1976, f. 117-118, 1985, dhe Hetzer 1981a, 1983a.
17 kr. Thunmann 1774 dhe 1976.
18 vep. cit. f. 177-178.
19 kr. Leake 1814, Kristophson 1974 dhe Kônstantakopulu 1988.
20 kr. Mid’hat Frashëri, Kalendari 1926, f. 117-196, Fjalori 1926, Shuteriqi 1976, f. 165, Jochalas 1980, 1993, dhe Lloshi 1995.
21 Bibliothèque Nationale de Paris, Supplément grec 251, ff. 25-136.
22 kr. Leake 1814 dhe Jochalas 1985.
23 kr. Shuteriqi 1976, f. 112.
24 kr. Shuteriqi 1976, f. 216-217.
25 kr. Shuteriqi 1976, f. 179.
26 kr. Jochalas 1985.
27 Bibliothèque Nationale de Paris, Supplément grec 251, ff. 138-187.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia