9.5 Shkrimtarët gegë veriorë të Shkodrës

Në Shqipërinë veriore lëvizja e zgjimit kombëtar, Rilindja, do të zinte rrënjë më me
ngadalë se në pjesën jugore. Terreni i ashpër malor dhe struktura fisnore feudale e popullsisë që
banonte në luginat pak pjellore e të izoluara të veriut i kishin bërë gegët tipa të veçantë,
malësorë të lirë, të fortë, të ashpër e të pavarur, që jetonin sipas zakoneve dhe ligjeve të tyre tradicionale. Me që mjetet e komunikimit dhe transporti qenë mjaft të vështirë në malësinë e
thyer të Alpeve të Shqipërisë së veriut, të mbuluara me borë në dimër e të thata e zhuritëse në
verë, shumica e këtyre fiseve kishin pak lidhje me botën e jashtme. Përhapja e dukurisë së
gjakmarrjes ndër ta dhe përvoja me forcat dhe trupat e tagrambledhësit osmanë u kishte mësuar
të hapnin sytë mirë e të ruheshin nga çdo gjë që vinte nga jashtë. Ligjet tradicionale, si Kanuni
i Lekë Dukagjinit, drejtonin dhe rregullonin të gjitha anët e jetës në këto malësi30.
Vetëm në qytetin hibrid të Shkodrës me klasën e vet tregtare dhe me mundësinë e daljes
në det, urtësia tradicionale malësore mundi të pasurohej me bazat e një edukimi të rregullt në
shkollat e rralla të huaja, dhe pikërisht këtu kultura shqiptare e veriut filloi të lulëzojë. Fiset e
Shqipërisë së veriut kishin pak gjëra të përbashkëta mes tyre, pa folur më shumë për dallimet
me toskët në jug. Megjithatë, kundërshtimi ndaj sundimit turk apo çdo ndryshimi në të, që u
shpreh në kryengritjet njëra pas tjetrës gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë, si dhe meraku
i përhershëm për ekspansionizmin malazez në drejtim të jugut, ushqeu te gegët një ndjenjë
kombëtare mbarëshqiptare.
Një figurë nga Shqipëria veriore që luajti rol vendimtar në kulturën e Rilindjes të
shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte Pashko Vasa31 (1825-1892), i njohur edhe me emrat Wassa
Effendi, Vaso Pasha, apo Vaso Pasha Shkodrani. Ky burrë shteti, poet, romancier dhe atdhetar
ka lindur më 17 shtator 1825 në Shkodër. Nga 1842 deri 1847 punoi si sekretar i konsullatës
britanike në këtë qytet të Shqipërisë veriore, ku pati mundësi të përsoste njohuritë e veta në një
numër gjuhësh të huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Dinte edhe pak anglisht e
serbokroatisht, kurse më vonë mësoi edhe arabishten. Më 1847, mbushur me ideale e guxim në
mendje e në zemër, u nis për në Itali në vigjilje të ngjarjeve të vrullshme që do të ndodhnin atje
si dhe nëpër Evropë më 1848. Prej tij kemi edhe dy letra të shkruara në Bolonjë në verë të atij
viti revolucionesh, në të cilat ai shpreh qartë pikëpamjet e veta republikane e antiklerikale. Më
pas e gjejmë në Venedik ku mori pjesë në betejën e Margerës (Marghera) më 4 maj 1849, gjatë
kryengritjes venedikase kundër austriakëve. Pas mbërritjes së trupave austriake më 28 gusht të
atij viti Pashko Vasa u shtrëngua të ikë në Ankonë ku, si qytetar osman, u dëbua e u dërgua në
Konstantinopojë. Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin La mia prigionia,
episodio storico dell’assedio di Venezia, Konstantinopojë 1850 (Burgimi im, episod historik nga
rrethimi i Venedikut). Nuk është e rastit që kjo biografi historike italisht mban një titull të
ngjashëm me atë të kujtimeve të famshme të atdhetarit dhe dramaturgut italian Silvio Pellico
(1789-1845), Le mie prigioni (Burgjet e mija), botuar më 1832. Në Konstantinopojë, pas një
periudhe fillestare varfërie e vështirësish, ai fitoi një vend pune në Ministrinë e Punëve të
Jashtme, nga ku u dërgua më pas në Ambasadën Perandorake Osmane në Londër për një farë
kohe. Më vonë kreu detyra të ndryshme me përgjegjësi në shërbim të Portës së Lartë. Më 1863,
falë njohurive për gjuhën serbokroate, siç na thotë vetë, u emërua sekretar dhe përkthyes i
Ahmed Xhevdet pashës, shtetar dhe historian osman, në një mision në Bosnjë dhe Hercegovinë,
që zgjati njëzet muaj, nga pranvera e vitit 1863 në tetor 1864. Ngjarjet e lidhura me këtë mision
i përshkroi në La Bosnie et l’Herzégovine pendant la mission de Djevdet Efendi,
Konstantinopojë 1865 (Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut). Rreth vitit
1867 e gjejmë në Halep. Pak vjet më pas botoi një vepër, tani të rrallë, me interes historik, Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie, Konstantinopojë 1872
(Skicë historike e Malit të Zi sipas traditave shqiptare).
Megjithëse punonte në funksione të ndryshme për Portën, Pashko Vasa nuk e harroi
kurrë atdheun e tij, Shqipërinë. Në vjeshtë të vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit
qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare në Konstantinopojë. Nëpërmjet
kontakteve që pati atje, mori pjesë edhe në organizimin e Lidhjes së Prizrenit më 1878. Pa
dyshim, ai ishte edhe një nga autorët e Memorandumit për Autonominë e Shqipërisë dorëzuar
Ambasadës Britanike në Konstantinopojë. Së bashku me figura të tjera kombëtare në brigjet e
Bosforit, si hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një
alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull L’alphabet latin
appliqué à la langue albanaise, Konstantinopojë 1878 (Alfabeti latin zbatuar për gjuhën
shqipe), në mbështetje të një alfabeti me shkronja vetëm latine. Ai ishte edhe anëtar i Shoqëri
e të shtypuri shkronja shqip, themeluar në Konstantinopojë më 12 tetor 1879 për të nxitur
shtypjen dhe përhapjen e librave në gjuhën shqipe. Më 1879 Pashko Vasa punoi në Varna buzë
Detit të Zi në administratën e vilajetit te Edrenesë me Ismail Qemal bej Vlorën (1844-1919).
Gjithashtu mori titullin pasha dhe më 18 korrik 1883 u bë guvernator i Libanit, post që sipas
traktateve ndërkombëtare i jepej një katoliku me shtetësi osmane, dhe post që me sa duket ai e
mbajti, siç e ka pasur Libani traditë edhe atëhere e siç e ka edhe tani, në një atmosferë
korrupsioni levantin e intrigash familjare. Atje kaloi vitet e fundit të jetës deri sa vdiq në Beirut
pas një sëmundjeje të gjatë më 29 qershor 1892. Më 1978, në njëqindvjetorin e Lidhjes së
Prizrenit, eshtrat e tij u sollën nga Libani e u vunë në një varr modest në Shkodër32.
Ndonëse, si nëpunës civil i shërbeu me besnikëri Perandorisë Osmane, Pashko Vasa
energjitë e tij si shkrimtar shumëgjuhësh ia kushtoi lëvizjes kombëtare shqiptare. I vetëdijshëm
për rëndësinë e Evropës në luftën e Shqipërisë për t’u njohur, ai botoi La vérité sur l’Albanie et
les Albanais. Etude historique et critique, Paris 1879 (E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Studim historik dhe kritik), monografi historike e politike që doli në një përkthim anglisht me
titull The truth on Albania and the Albanians. Historical and critical study, Londër 1879, si dhe
në shqipe, gjermanishte, turqishte e greqishte po atë vit, e më vonë në arabishte (1884) e në
italishte (1916). Varianti shqip, Shqypnija e shqyptart, u botua në Allfabetare e gluhësë shqip,
Konstantinopojë 1879, krahas veprës së Sami Frashërit dhe Jani Vretos. Në këtë traktat të
hartuar që të informonte lexuesin evropian për popullin e vet, ai jep një pasqyrë të historisë së
Shqipërisë nga pellazgët dhe ilirët e lashtë e deri në kohën e tij dhe shtjellon rrugët dhe mjetet
për zhvillimin dhe përparimin e kombit. Duke mos bërë aspak thirrje për pavarësi të Shqipërisë
dhe për më tepër as për autonomi brenda Perandorisë, Pashko Vasa propozonte thjesht
unifikimin e të gjitha trevave shqipfolëse në një vilajet të vetëm dhe deri diku një farë qeverisje
lokale. Mundësia e një shteti sovran shqiptar ende nuk mund të mendohej. Ai nuk do të rronte
aq sa të lexonte traktatin, që e zumë në gojë, të Sami Frashërit Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo
të bëhetë, të shtypur njëzet vjet më pas, ku del i pjekur përfundimisht nocioni i pavarësisë së
plotë.
Për ta bërë gjuhën shqipe më të njohur e për t’u dhënë evropianëve të tjera mundësi për
ta mësuar, ai botoi Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent appendre cette langue
sans l’aide d’un maître, Ludgate Hill 1887 (Gramatika e shqipes për ata që duan ta mësojnë këtë
gjuhë pa mësues), një nga gramatikat më të rralla të kohës33.
Pashko Vasa ishte edhe autori i një numri veprash letrare të shquara. E para nga këto
është një vëllim me poezi italisht me titull Rose e spine, Konstantinopojë 1873 (Trëndafila dhe gjëmba)34, me dyzet e një vjersha plot ndjenjë (gjithsej rreth 1600 vargje) kushtuar temave të
dashurisë, vuajtjeve shpirtërore, vetmisë dhe vdekjes sipas traditave të poezisë romantike të
paraardhësve të tij evropianë Xhakomo Leopardi (Giacomo Leopardi, 1798-1837), Alfons de
Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869) dhe Alfred de Mysé (Alfred de Musset, 1810-
1857). Ndër temat që trajtojnë këto vjersha përsiatëse, dy ndër të cilat u kushtohen poetëve
italianë Françesko Petrarka (Francesco Petrarcha, 1304-1374) dhe Torkuato Taso (Torquato
Tasso, 1544-1595), janë jeta në mërgim dhe tragjedia familjare, pasqyrim i jetës vetjake të
Pashko Vasës. Gruaja e tij e parë, Drandja, me të cilën qe martuar më 1855, si dhe katër nga
pesë fëmijët me të i vdiqën sa qe vetë gjallë, por edhe më pas e ndoqi fati tragjik familjar. Më
1884, pak kohë pasi qe emëruar guvernator në Liban, gruaja e tij e dytë Katerina Bonati, i vdiq
nga tuberkulozi, ashtu siç i vdiq edhe e bija që i pat mbetur gjallë, Roza, më 1887.
Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise, Paris 1890 (Bardha e Temalit, skena nga
jeta shqiptare), është një roman në gjuhën frënge që Pashko Vasa e botoi në Paris me
pseudonimin Albanus Albano po atë vit që përmbledhja e shquar poetike e Naim Frashërit
Luletë e verësë doli në Bukuresht. ‘Bardha e Temalit’, edhe pse jo në shqipe, është, pas prozës
shumë të shkurtër të Sami Frashërit ‘Dashuria e Talatit me Fitneten’, romani më i vjetër i
shkruar e i botuar nga një shqiptar dhe pa dyshim romani më i vjetër me temë shqiptare. Me
ngjarjet e vendosura në Shkodër më 1842, ky roman – feuilleton me ndërtim klasik, tepër
sentimental për shijet e sotme, ndjek travajet e vajzës së bukur, por të martuar Bardha dhe të
dashurit të saj, djaloshit Aradi. Është shkruar jo vetëm si një histori zbavitëse dashurie, por edhe
për t’i dhënë lexuesit perëndimor njohuri për doket dhe zakonet e shqiptarëve të Veriut. Madje
natyra e tepruar informative e kësaj historie në prozë është edhe një nga dobësitë artistike më të
mëdha të saj. Bardha është pa dyshim personifikimi i vetë Shqipërisë, e cila bashkëjeton me
shtete e fuqi të tjera jashtë vullnetit të saj. Përveç karakterit didaktik dhe ndonjë pretendimi
letrar që mund të ketë pasur autori, ‘Bardha e Temalit’ ka një sfond politik më të veçantë. Nga
disa intelektualë shqiptarë të kohës ajo u interpretua si mjet për diskreditimin e fisit të
Gjonmarkajve, të cilët, në bashkëpunim të fshehtë me abatët e fuqishëm të Mirditës, sundonin
në krahinën e Shkodrës35. Ka të ngjarë që për këtë arsye e botoi me pseudonimin Albanus
Albano. Vepra nuk dihet të ketë pasur ndonjë jehonë të veçantë në shtypin frëng të kohës, kurse
në gjuhën shqipe më në fund u përkthye nga Ymer Jaka (l. 1937) më 1969.
Ndonëse shumica e botimeve të Pashko Vasës qenë në frëngjishte e italishte, është një
vjershë, ndoshta vjersha më popullore e më me ndikim e shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe,
që i ka siguruar një vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare, e famshmja O moj
Shqypni. Kjo thirrje prekëse e emocionuese për zgjim kombëtar mendohet të jetë shkruar aty
diku midis vitit 1878, viti dramatik i Lidhjes së Prizrenit, dhe vitit 1880. Ajo u botua për herë
të parë nga gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923) më 188136. Një kopje tjetër e kësaj
vjershe me 72 vargje, e cila fillon me fjalët Mori Shqypni, është gjetur në arkivin e De Radës në
Biblioteca Civica të Kozencës në shtator 1975 dhe për një farë kohe u mendua se ishte shkruar
nga dora e Pashko Vasës. Por, pas një shqyrtimi më të imët, ky variant, që i ishte dërguar
Jeronim De Radës më 1881, doli se ishte me shkrimin e Sami Frashërit. Një variant i tretë i
kësaj vjershe është gjetur në arkivat e Thimi Mitkos në Aleksandri37. Këtu po japim të plotë variantin e Jarnikut:

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qit me krye n’hi?
Ti ke pas ken nji zoj e rand,
Burrat e dheut të thirshin nan.
Ke pas shum t’mira e shum begati,
Me varza t’bukra e me djelm t’ri.
Gja e vend shum, ara e bashtina,
Me arm të bardha e me pushk ltina,
Me burra trima e me gra t’dlira
Ti ndër gjith shoqet ke ken ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i Shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka ken për luft e n’luft ka dekun
E dhunë mprapa kurr s’i ka metun.
Kur ka lidh besën burri i Shqypnis,
I ka shti dridhën gjith Rumelis;
Ndër lufta t’rrebta gjithkund ka ra,
Me faqe t’bardh gjithmon asht da.
Por sot, Shqypni, po m’thuej, si je?
Por sikur lisi rrxuem për dhe!
Shkon, bota sipri, me kamb e shklet,
E nji fjal t’ambël kurrkush s’ia flet.
Si mal me bor, si fush me lule,
Ke pas ken veshun, sot je me crule
E nuk t’ka metun as emn as bes,
Vet e ke prishun për faqe t’zez.
Shqyptar, me vllazën jeni t’u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thon kam fe, sa thon kam din,
Njeni: jam turk, tjetri: latin
Do thom: jam grek, shkje disa tjerë,
Por jeni vllazën, t’gjith, more t’mjer!
Priftnit e hoxhët ju kan hutue,
Për me ju da e me ju vorfnue.
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e me motër;
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën as gjakun tuej.
Kjani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqyptari u zu si zok ndër leqe!
Kjani ju trima, bashk me ne,
Se ra Shqypnija me faqe n’dhe,
E s’i ka metun as buk as mish,
As zjarm në votër as drit as pish,
As gjak në faqe as nder ndër shok,
Por asht rrëxue e bamun trok!
Mblidhnju ju varza, mblidhnju ju gra,
Me ata sy t’bukur q’dini me kja,
Eni t’vajtojm Shqypnin e mjer
Qi met e shkret pa emn, pa nder,
Ka met e vej si grue pa burr,
Ka met si nan qi s’pat djal kurr!
Kujt i ban zemra me e lan me dek
Kët far trimneshet qi sot asht mek?
Kët nan të dashtun e do ta lam,
Qi njeri i huej ta shklas me kamb?
Jo! jo! Kët marre askush s’e do,
Kët faqe t’zez gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnija,
Me pushk në dor le t’des trimnija.
Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n’nji bes shtrëngonju,
E mos shikjoni kish e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptarija!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë,
Asht tok e jona, t’part na e kan lan,
Kush mos na e preki, se desim t’tan!
Desim si burrat qi diqne motit
E mos turpnohna përpara Zotit!”

Pashko Vasa i prek thellë ndjenjat e lexuesit shqiptar kur Shqipërinë e krahason sikur
lisi rrxuem për dhe! ose, edhe më tepër, si zoj e rand e shkelur dhe e turpëruar nga të huajt.
Lidhur me këtë, është me interes të theksojmë se, në vlerat patriarkale të kohës, ishte burri ai që
duhet të mbante turpin kur përdhunohej e shoqja apo e motra. Vasa gjithashtu thekson
karakterin përçarës të fesë në gjirin e popullit të tij dhe shpall: Feja e shqyptarit asht
shqyptarija, shprehje e cila zuri vend në mendimin e luftëtarëve kombëtarë shqiptarë gjatë
periudhës së Rilindjes e më pas.

Dom Ndoc Nikaj38 (1864-1951), prozator dhe botues nga Shqipëria veriore, është
quajtur babai i romanit shqiptar. Nikaj studioi në kolegjin jezuit Kolegjia Papnore Shqyptare në
Shkodër, u shugurua më 1888 dhe më pas punoi si prift famullie në malësinë e Shkrelit. Që në
moshë të re, edhe ai ia kushtoi energjitë të tij lëvizjes kombëtare për çlirimin e popullit nga
pushtimi i huaj. Së bashku me Preng Doçin (1846-1917), ai themeloi Lidhjen e mshehët, e cila
hapi udhën për kryengritjen që filloi më 25 mars 1910. Ndërkaq, ai ishte edhe anëtar i shoqërisë letrare Bashkimi në Shkodër. Me pseudonimin Nakdo Monici, ai bashkëpunoi aktivisht me
organin e njohur periodik të Faik Konicës Albania, të botuar në Bruksel e më pas në Londër.
Vetë si botues, Nikaj e nisi karierën duke themeluar më 1 janar 1910 gazetën e përjavshme
Koha. Në numrin e dytë ai ia ndryshoi emrin në Bashkimi, me siguri për të theksuar afërinë me
shoqërinë letrare me të njejtin emër. Kjo gazetë me katër faqe në shqip botonte artikuj për
politikën, çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë, dhe vazhdoi kështu deri afër
vitit 1912. Në pranverën e vitit 1913 Ndoc Nikaj themeloi një gazetë tjetër, Besa Shqyptare, që
dilte dy deri katër herë në javë gjer më 1921. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e
italisht. Pas një periudhe të shkurtër, nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë pati emrin Zani i
Shkodërs. Përveç punës për nxjerrje gazetash, Ndoc Nikaj kishte edhe firmën e vet të vogël
botuese Shtypshkroja Nikaj39, të themeluar më 1909, ku u botuan shumë nga veprat e tij dhe të
të tjerëve. Këtu ai shtypi libra këndimi në gjuhën shqipe, revista periodike si Hylli i Dritës dhe
dhjetëra vepra të tjera. Ndonëse firma botuese nuk i dilte me fitim financiar, biznesmeni Nikaj
dinte si të kompensonte humbjen me fitime në fusha të tjera më të leverdisshme si ato të tregtisë
së lëndës së drurit apo të armëve. Pas Luftës së Parë Botërore, Nikaj iu kthye më fort
shkrimeve, dhe botoi libra shkollorë, libra fetarë për kishat, si dhe ndonjë prozë letrare. Më
1921 u arrestua dhe bëri dyzetegjashtë ditë burg në Tiranë për arsye që nuk dihen, kurse që rreth
vitit 1924 nuk shkroi më. Për jetën personale në vitet e mëvonëshme deri në fundin e Luftës II
Botërore dihet pak. Në kuadrin e përndjekjeve ndaj klerit katolik në Shqipërinë e veriut në fund
të Luftës së Dytë Botërore, dom Ndoc Nikaj u arrestua nga komunistët më 1946, në moshën
tetëdhjetedy vjeç, me akuzën absurde të planeve për përmbysjen e qeverisë me dhunë, dhe vdiq
në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, në janar 1951, që është më shumë se një fund tragjik
për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.
Ndër botimet e shquara arsimore, fetare e didaktike të Nikajt përmenden: një libër 320
faqesh Vakinat e scêites kisc, Romë 1888 (Historia e kishës së shenjtë); Bleta nner lule
t’Parrizit, Shkodër 1899; libri 416 faqesh Historia e Shcypniis , Bruksel 1902, Shkodër 1917;
përkthimi i një historie italisht të Turqisë, Historia e Turkiis, Londër 1902, e cila shërbeu si
tekst për shkollat, si dhe vepra të tjera ekleziastike.
Në fushën e letërsisë artistike Nikaj është autor i shumë vëllimeve, kryesisht në prozë,
që tani pothuajse nuk gjenden, si dhe i ndonjë drame. Ndër më të njohurat janë novelat: Marzia
e ksctenimi n’filles t’vet, Shkodër 1892; Fejesa n’djep a se Ulqini i mârrun, Shkodër 1913; dhe
Shkodra e rrethueme, Shkodër 1913. Kjo e fundit është një histori, në formën e një romani të
shkurtër, për rrethimin e Shkodrës gjatë luftës ballkanike të vitit 1912. Vepra të tjera janë
tregimet historike të dashurisë Bukurusha, Shkodër 1918, subjekti i së cilës shtjellohet në vitet
1478-1479; Lulet në thes, Shkodër 1920, subjekti i së cilës shtjellohet në vitet 1830-1833;
Burbuqja, Shkodër 1920, me subjekt nga vitet 1815-1817; dhe pjesa teatrale për vajza Motra
për vllàn, Shkodër 1921. Edhe pse Nikaj ishte në gjendje t’i botonte të gjitha veprat e tij të
mëvonëshme në shtypshkronjën e vet, me sa duket i ka shtypur në tirazh mjaft të kufizuar, sepse
sot veprat e tij është shumë vështirë të gjenden. Pas vdekjes së tij vetëm Shkodra e rrethueme
dhe Bukurusha janë ribotuar. Heshtja për të mos botuar të tjera nga ky autor i njohur si ‘babai i
romanit shqiptar’ ka ardhur patjetër ngaqë autoritetet komuniste të Tiranës e ndienin veten
ngushtë për shkak të fundit të tij tragjik.
Është e qartë se Ndoc Nikaj dha një ndihmesë të dukshme për zhvillimin e prozës
shqiptare, e cila në fillim të shekullit ishte ende në shpërgënj. Për sa i përket romanit, që
zakonisht cilësohet pak a shumë një vepër në prozë mbi dyqind faqe, me sa duket asnjë libër i
Nikajt nuk hyn në atë kategori. Deri në këtë periudhë të historisë së letërsisë, romane të botuara në gjuhën shqipe nuk ka pasur fare. Të vetmet romane shqiptare që mund të përmenden, ose
janë shkruar në gjuhë të huaja, si p.sh. TaaÕÕuk-u Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me
Fitneten) i Sami Frashërit në turqishte, botuar më 1872, dhe Bardha de Témal, scènes de la vie
albanaise, Paris 1890 (Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare) i Pashko Vasës në
frëngjishte, ose kanë mbetur të pabotuar, si vepra 282-faqesh e papërfunduar e Françesk Anton
Santorit Sofia Kominiate. Vetëm kur në duart e tyre të kenë edhe vepra të tjera të Nikajt, kritikët
do të jenë në gjendje të gjykojnë nëse epiteti ‘baba i romanit shqiptar’ është i përligjur apo jo.
Tani për tani më i saktë do të ishte cilësimi ‘baba i prozës gege të shekullit të njëzetë’, nëse
terma të tillë kategorikë e të sipërfaqshëm mund të kenë ose jo ndonjë kuptim.
Po nga Shkodra ishte Luigj Gurakuqi40 (1879-1925), shkrimtar dhe figurë politike
madhore e Rilindjes në Shqipërinë veriore. Lindur më 19 shkurt 1879, Gurakuqi ndoqi studimet
në Kolegjin Saverian të drejtuar nga jezuitët në Shkodrën e tij të lindjes, një nga shkollat më të
mira në vend asokohe. I nxitur nga mësuesit e tij Anton Xanoni (1862-1915) dhe Gaspër Jakova
Merturi (1870-1941) ai nisi të shkruajë poezi në italishte, latinishte dhe shqipe, këto të fundit të
botuara në revistën jezuite të kulturës fetare Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Më 1897 vajti në
Itali për studime në kolegjin italo-shqiptar të Shën Mitrit nën drejtimin e Jeronim De Radës
(1814-1903), i cili do të ushtronte një ndikim të fortë mbi të. Ai gjithashtu studioi për mjekësi
tre vjet në Napoli, por interesimet e tij kryesore ishin shkencat natyrore dhe shoqërore. Në
Napoli ra në kontakt me figura politike dhe letrare arbëreshe si studiuesi Zef Skiro (1865-1927)
dhe bashkëpunoi me organet periodike arbëreshe La Nazione albanese (Kombi shqiptar) i
botuar nga Anselmo Lorekio dhe La nuova Albania (Shqipëria e re) botuar nga Xhenaro Lusi
(Gennaro Lusi). Po në Napoli Luigj Gurakuqi botoi tekste shkollore shqiptare dhe një libër mbi
prozodinë. Më 1908, pas revolucionit të xhonturqve, Gurakuqi u kthye përfundimisht në
Shqipëri dhe pas pak kohe u bë figurë udhëheqëse në lëvizjen kombëtare që shpuri në
pavarësinë e vendit më 1912. Në nëntor 1908, së bashku me Gjergj Fishtën, ai përfaqësoi
shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës në Kongresin e Manastirit. Gurakuqi qe zëvendëskryetar
i këtij kongresi dhe u zgjodh në komisionin të cilit iu dha detyra e vështirë për të
vendosur për një alfabet përfundimtar të gjuhës shqipe. Në shtator 1909 mori pjesë në
Kongresin e Elbasanit, i cili u mbajt për të organizuar arsimin dhe mësimdhënien në gjuhën
shqipe. Kur u hap në Elbasan më 1 dhjetor 1909 shkolla e parë shqiptare për përgatitjen e
mësuesve, Shkolla Normale, Luigj Gurakuqi u emërua drejtor i saj. Gurakuqi ishte edhe një nga
udhëheqësit e kryengritjes së malësisë së veriut më 1911 dhe, së bashku me Ismail Qemal bej
Vlorën (1844-1919), që më pas do të bëhej i pari kryeministër i Shqipërisë, i dërgoi një
memorandum me dymbëdhjetë pika qeverisë turke në qershor 1911, duke i kërkuar pavarësinë
e Shqipërisë. Ai gjithashtu mori pjesë në kryengritjen e Shqipërisë së jugut më 1912, kurse në
mars të atij viti vajti në Shkup e në Gjakovë për të siguruar mbështetje për qëndresë të hapur
kundër sundimit turk e për përfshirjen e Kosovës në shtetin e ri shqiptar. Gurakuqi mori pjesë
në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 dhe u caktua ministër i arsimit në
qeverinë e parë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal bej Vlora. Më 1915, kur Shkodra e
lindjes së tij u pushtua nga trupat malazeze, Gurakuqi u kap e u burgos në Mal të Zi deri pas
ardhjes së forcave austro-hungareze. Më 1916 ai luajti rol në punën e Komisisë Letrare Shqype
për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, çka ndihmoi gjithashtu për t’i dhënë shtytje botimit të
teksteve shkollore shqip. Gjatë pushtimit austro-hungarez të Shkodrës, ai punoi si drejtor i
përgjithshëm i arsimit dhe ndihmoi për ngritjen e rreth dyqind shkollave fillore. Më 1918
Gurakuqi u emërua përsëri ministër i arsimit, kësaj radhe në qeverinë e formuar rishtas të
Durrësit. Një vit më vonë vajti në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, e cila
konfirmoi ekzistencën e shtetit të ri shqiptar, ndonëse trevat shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavinë e jugut nuk qenë përfshirë. Më 1921 u emërua ministër i brendshëm në qeverinë
jetëshkurtër e Hasan bej Prishtinës (1873-1933), kurse më 1924 ministër i financave në qeverinë
e Fan Nolit (1882-1965). Në gusht 1924 Gurakuqi vajti në Gjenevë për të mbrojtur interesat e
Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve por, me rrëzimin e qeverisë demokratike të Fan Nolit nga
forcat totalitare të Zogut, u shtrëngua të ikë në Itali dhe u vra në Bari më 2 mars 1925 nga një
farë Baltjon Stambolla, pa dyshim agjent i Ahmet Zogut (1895-1961).
Luigj Gurakuqi i shërbeu çështjes kombëtare jo vetëm duke luajtur një rol aktiv në jetën
politiko-shoqërore, por edhe me artikuj informativë në një numër të mirë organesh periodike
shqiptare, ndër to në revistën Albania të Faik Konicës, në Liria e Shqipërisë të Kristo Luarasit
në Sofje, në revistën françeskane Hylli i Dritës dhe në të përjavshmen Ora e maleve në
Shkodër. Përveç kësaj ai qe autor veprash poetike, shkollore e didaktike, pjesën më të madhe të
të cilave i botoi me pseudonimin Lek Gruda dhe Jakin Shkodra. Ndër botimet didaktike mund
të përmendim: Knnimé t’para per msojtoré filltaré t’Shcypniis, Napoli 1905, botuar me
pseudonimin Lek Gruda; Abétar i vogel shcyp mas abévét t’Bashkimit é t’Stambollit mé trégimé
n’t’dy dhialéktet, Bukuresht 1906; Vargenimi n’gjuhe shcypé me gni fjalorth shcyp-frângisht
n’marim, Napoli 1906, që ishte kodifikimi i parë i prosodisë botuar në gjuhën shqipe; Fjalorth
shcyp-frângisht e frângisht-shcyp i fjalevé t’réja, Napoli 1906; si dhe katër vëllime tekstesh për
shkollat fillore me titull Kendimét per çunat, që i shtypi në Athinë më 1912. Ky i fundit u botua
në dialektin e mesëm të Elbasanit, në anën e të cilit ishte Gurakuqi në betejën që zhvillohej për
një gjuhë letrare të njësuar. Gramatika e tij e gjuhës shqipe mbeti e pabotuar. Luigj Gurakuqi
gjithashtu e rregulloi me shtëpinë botuese të Napolit Tocco e Salvietti për të nxjerrë botimin e
tretë të idilit mjeshtëror të dashurisë të Zef Skiroit Mili e Haidhia, Napoli 1907, për të cilën ai
shkroi një hyrje. Këtë vepër ai e konsideronte si një nga më të bukurat e letërsisë shqiptare.
Në poezinë e vet Gurakuqi është disi më pak i frymëzuar. Një përmbledhje e poezisë së
tij, e mbrujtur me ndjenjë të fuqishme atdhetarie e me romantizëm kombëtar, iu botua për herë
të parë pas vdekjes nën titullin Vjersha, Bari 1940, me 94 faqe nga Gjikam, pseudonimi i Gjon
Kamsit. Ndonëse përmban tabllo të gjalla, përfshirë përshkrime stinësh, shtrëngatash e
shkrepash malorë që lartohen deri në re, dhe kuptohet që të gjitha këto vijnë nga natyra e
vendlindjes, kësaj poezie shpesh i mungon melodia dhe ritmi. Gurakuqi vërtet ishte i talentuar
në gjuhë, por mjeshtër në poezi nuk ishte. Thuhet se kishte njohuri të shkëlqyera për shumë
dialekte të shqipes dhe, po t’i kishte kushtuar më shumë kohë letërsisë, atëherë me siguri do ta
kishte pasuruar mjaft gjuhën letrare. Por, duke parë rrjedhën e stuhishme të historisë në dy
dhjetëvjeçarët e parë të shekullit, nuk është për t’u habitur që ai pëlqeu më fort veprimtarinë
politike e atdhetare sesa kënaqësinë abstrakte të krijimtarisë letrare. Shkodra gjithmonë ka qenë
krenare për Luigj Gurakuqin dhe më 29 maj 1991 universitetit të sapothemeluar në atë qytet i
vuri emrin e tij.
Filip Shiroka (1859-1935) është një poet klasik i Rilindjes, poezia e të cilit do të bëhej
e njohur më vonë. Ai lindi e u rrit në Shkodër dhe shkollën e kreu te françeskanët. Ndër
mësuesit e tij ishte poeti Leonardo De Martino (1830-1923), ndikimi i të cilit ndihet kudo në
poezinë e Shirokës. E para vjershë e tij e botuar, All’Albania, all’armi, all’armi! (Shqipërisë,
armëve, armëve!), ishte më fort një vjershë patriotike e dobët për mbrojtjen e Ulqinit, e shkruar
italisht dhe e shtypur në Osservatore Cattolico (Vëzhguesi katolik) në Milano më 1878.
Sikundër shumë intelektualë shqiptarë të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Filip Shiroka
kaloi një pjesë të madhe të jetës në mërgim. Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, ai
emigroi në Lindjen e Mesme dhe u ngul me banim në Egjipt e Liban, ku punoi si inxhinier
ndërtimi hekurudhash.
Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua
kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në
periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku,
është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e
përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike. Përmbledhja e tij poetike,
Zâni i zêmrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy
vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.
Poezia e Filip Shirokës, e frymëzuar nga poetë romantikë francezë e italianë të fillimit
të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si Alfred de Mysé (1810-1857), Alfons de Lamartin (1790-
1853), dhe Tomaso Grosi (1790-1853), të cilët ai i lexoi në kohë të rinisë në Shkodër, nuk
mbulon ndonjë gamë tematike apo leksikore të veçantë dhe nuk është e gjitha me nivel letrar,
ndonëse kjo e fundit vlen pa dyshim të thuhet për shumë poetë të Rilindjes. Shiroka mbahet
mend si lirik thellësisht emocional e si poet me gjuhë të pastër, i zhytur me mish e me shpirt në
fatin vetiak e në atë të atdheut të largët. Bashkudhëtare në veprën e tij është tema e mallit për
vendlindjen. Ndoshta më e mirënjohura e më tipikja nga vjershat e tij është Shko dallndryshë,
një poezi e mbushur plot mall e trishtim:
“Udha e mbarë se erdh pranvera,
Shko, dallndryshë, tue fluturue,
Prej Misirit, n’dhena tjera,
Fusha e male tue kërkue;
N’Shqypni shko pra fluturim,
Shkon në Shkodër, n’gjytet tim!
Shndet prej meje të m’i falesh
‘saj shpisë vjetër ku kam le,
Me ato vende rreth t’përfalesh
Ku kam shkue kohën e re;
Atje shko, pra fluturim,
Fal me shndet gjytetin tim! …
Dhe kur t’mërrish në Fush’ t’Rmajit,
Dallndryshë ulu me pushue;
Kam dy vorre n’at vend vajit,
T’nanës e t’babës qi m’kanë mjerue;
Qaj me za t’përmallshëm shqim
Nji kangë tanden gjith vajtim!
Ka shumë kohë qi s’jam n’Shqypni,
N’ato vorre me vajtue;
Ti, dallndryshë, veshun në zi,
Ti aty pra qaj për mue,
Me nj’at za t’përmallshëm shqim
Kangën tande për vajtim!”
Nga plejada e poetëve të periudhës së fundit të Rilindjes duhet përmendur edhe Hilë
Mosi41 (1885-1933), atdhetar, shkrimtar dhe figurë politike, veprat e të cilit, ashtu si ato të Luigj
Gurakuqit dhe Filip Shirokës, i përkasin po periudhës së parë të pavarësisë. Lindur më 22 prill
1885 në Shkodër, Mosi ndoqi shkollën fillore italiane dhe Kolegjin Saverian, të themeluar nga jezuitët më 1877. Për katër vjet, rreth viteve 1904-1908, ai studioi në Klagenfurt, në Austrinë e
jugut, në një shkollë për mësues. Atje, nën drejtimin e gjuhëtarit Gjergj Pekmezi (1872-1938)
mori pjesë në organizimin e studentëve shqiptarë në Austri në klubin atdhetar Lirija, që më
27 dhjetor 1904 mori emrin Dija. Pas kthimit në Shqipëri më 1908, shërbeu si sekretar i
Kongresit të Manastirit dhe, për një farë kohe, banoi në Korçë. Gjatë kohës së studimeve, duke
përdorur pseudonime të ndryshme si Zog Sokoli, Lekë Dushmani, Malo Krimshi, Speci dhe
Lirijasi, Mosi ishte bërë një bashkëpunëtor i palodhur në shumë organe periodike që botoheshin
në atë kohë: Albania që doli në Bruksel e në Londër, Drita të Sofjes, Kombi të Bostonit,
Albanija të Beogradit, dhe Shpnesa e Shcypeniis të Dubrovnikut, kurse më pas në Korça dhe
Lidhja orthodhokse të Mihal Gramenos, që dilnin në Korçë. Në fund të dhjetorit 1909, së
bashku me personalitetin atdhetar Dervish Hima (1873-1928), filloi të botojë gazetën e vet të
përjavshme Shqipëtari-Arnavud në Konstantinopojë, me artikuj shqip, turqisht dhe frëngjisht.
Më 1911 mori pjesë aktive në kryengritjen e Shqipërisë së veriut dhe dha mësim një vit në
Shkollën Normale në Elbasan. Në fund të vitit 1912 e gjejmë përsëri në Austri, ku mori pjesë në
Kongresin Shqiptar të Triestes në ditët e para të marsit 1913. Më pas kthehet në Shqipëri për të
themeluar një të përjavshme tjetër kombëtare, kësaj radhe në Shkodër. Shqypnia e re, të cilën
e ngriti në bashkëpunim me mikun e tij të ngushtë Risto Siliqi (1882-1936) dhe me Karlo
Sumën, doli më 15 qershor 1913 dhe pati një vit jetë. Për veprimtarinë e tij kombëtare Mosi u
arrestua nga malazezët, të cilët kishin zënë Shkodrën më 27 qershor 1915, dhe u internua në
Cetinjë për shtatë muaj së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Risto Siliqin. Nën administratën
austro-hungareze, që erdhi më pas, ai u emërua shef i policisë, kurse më 1916 themeloi një klub
atdhetar me emrin Vllaznija. Po atë vit u bë anëtar i Komisisë Letrare Shqype të ngritur në
Shkodër nga autoritetet austro-hungareze për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën
shqipe. Nga viti 1920 deri më 1924 përfaqësoi Shkodrën e tij të lindjes në Parlament, kurse nga
nëntori 1920 qe anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 u emërua
ministër i arsimit, por me sa duket këtë detyrë nuk e filloi. Në kohën e qeverisë së Fan Nolit më
1924, Hilë Mosi qe prefekt i Korçës e i Gjirokastrës derisa u shtrëngua të ikë në Brindizi kur
Ahmet Zogu (1895-1961) mori pushtetin aty afër krishtlindjeve të atij viti. Më 1926, me
amnistinë e shpallur nga Zogu, Mosi u kthye në Shqipëri dhe u bë ministër i punëve botore. Një
vit më pas punoi si drejtor i përgjithshëm i rendit publik dhe më 1930 si ministër i arsimit,
detyrë që e mbajti deri sa vdiq më 22 shkurt 1933.
Hilë Mosi është autor vjershash atdhetare dhe lirikash dashurie, të shkruara kryesisht
midis viteve 1900 e 1925 e të botuara në organe shtypi, si dhe në një numër të vogël
përmbledhjesh. Këngat shqipe, Selanik 1909, e para përmbledhje poetike e tij, përmbante jo
vetëm disa vjersha atdhetare të tij me frymëzim e nivel artistik modest, por edhe vjersha nga
Mihal Grameno (1871-1931) dhe Asdreni (1872-1947) si dhe vargje folklorike. Më pas u botua
Zân’ i atdheut, Trieste 1913, një vëllim tjetër vjershash me tema kombëtare. Të dy vëllimet
dëshmojnë ndjenjën e thellë patriotike të Mosit në një kohë kur shqiptarët po luftonin jo vetëm
për pavarësi por edhe për afirmim kulturor. Veçse asnjëri prej tyre nuk paraqet ndonjë interes
të madh letrar. Aty gjejmë vaje për gjendjen e rëndë të Shqipërisë, thirrje bashkatdhetarëve për
të ngritur krye e për të hequr qafe zgjedhën turke, përshkrime të rëndomta të natyrës së atdheut
dhe të jetesës së vajtueshme të mërgimtarëve, hymnizime të heronjve shqiptarë dhe, ashtu si
Filip Shiroka, mallin për vitet e tij të rinisë në Shkodër. Nga të gjithë ata poetë të Rilindjes që
njihen mirë, Mosi qe më pak i frymëzuari. Karrierist i palodhur, siç e cilëson Stuart Man42,
Mosi qe pjesërisht poet, pjesërisht përkthyes dhe pjesërisht figurë politike, duke mos gjetur
asnjëherë kohë dhe qetësi shpirtërore për t’i përqëndruar të gjitha energjitë e veta në një fushë.
Hilë Mosi sa ishte në Klagenfurt, kishte qenë ndikuar nga romantizmi gjerman, dhe më pas iu kushtua përkthimeve nga letërsia gjermane e italiane. Ndër përkthimet e tij letrare, jo të
gjitha me nivel, janë: Die Räuber (Cubat) nga Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805), një
dramë në tri akte nga Teodor Kërner (Theodor Körner, 1791-1813), dhe Il servo di due padroni
(Shërbëtori i dy zotërinjve) e I due servitori (Dy shërbëtorët), dy komedi këto nga Karlo
Goldoni (Carlo Goldoni, 1707-1793). Dorëshkrimi i tij i përkthimit të veprës së Gëtes Die
Leiden des jungen Werthers (Vuajtjet e djaloshit Verter) ka mbetur i pabotuar.
Nga krijimtaria origjinale e Mosit më me interes është vëllimi poetik Lotët e dashtnies,
Shkodër 1916, që ka meritën se nisi një zhanër të ri në letërsinë shqiptare – poezinë e dashurisë.
Së bashku me Andon Zako Çajupin (1866-1930) dhe Asdrenin (1872-1947), Hilë Mosi qe nga
të parët poetë të shekullit të njëzetë që botoi vargje dashurie, një dukuri kjo relativisht e re në
letrat shqiptare. Në botimin e dytë të kësaj përmbledhjeje, nën titullin më dinjitoz Lule
prendvere, Tiranë 1927, Mosi përfshin edhe përkthime të tij vjershash dashurie nga poetë të
huaj – Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), Shandor Petëfi
(Sándor Petöfi, 1823-1849), Ludvig Uland (Ludwig Uhland, 1787-1862), Teodor Kërner
(Theodor Körner, 1791-1813), Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805), Hajnrih Hajne
(Heinrich Heine, 1797-1856), Katuli (Catullus, 84-54 para erës sonë), Xhozue Karduçi (Giosuè
Carducci, 1835-1907), pa dyshim për t’i thënë publikut shqiptar se poezia e dashurisë ishte një
zhanër letrar dhe më se i pranueshëm. Në hyrjen e shkruar për botimin e vitit 1927 ai e përligj
kështu këtë vendim:
“Ka shum kohë qi jam kah matëm për m’e shtypë një libër me vjersha dashtnore, edhe
përpara se m’e vue nën shtyp m’asht dashtë shum herë me mendue: A thue i ka ardhë
koha, qi në Shqipnië të shtypet një libër kësisojit, a por jo? Ma në funt, tuj mendue se
leterësia asht ajo, e cila i hapë rrugën njerëzies në fushë të përparimit, vendova m’e
shtypë ket libër, i cili, pa dyshim, njerzve pa të ndime mundet me iu dukë një sent tepër
i ri, ose edhe ndoshta kundër moralit.”43
Sot, është e vështirë të kuptohet që poezia aq e përmbajtur për një dashuri
heteroseksuale mund të trondiste këtë vend të Evropës në fillimin e shekullit të njëzetë, por e
tillë ishte atëhere Shqipëria. Misioni i poezisë në periudhën e Rilindjes ishte të ndizte ndjenjën
atdhetare e t’i shërbente fuqizimit kombëtar dhe përparimit shoqëror, jo të humbiste kohë me
dashurinë e me shprehjen e ndjenjave intime. Kjo pikëpamje për qëllimin e poezisë, e
kanonizuar pas Luftës së Dytë Botërore pak a shumë po në këtë formë, vazhdoi të gjejë mjaft
mbështetje deri në fundin e diktaturës së Enver Hoxhës. Nënkuptohet se kjo poezi dashurie, të
cilën kritikët shqiptarë e quajnë ‘poezi erotike’, ishte shumë larg erotikës në kuptimin
Perëndimor të fjalës.
____________
30 Për ligjet malësore tradicionale dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit, kr. N. Ashta 1897-1899, 1901-1902, L. Mjeda 1898-1899, Thallóczy 1916, 1, f. 409-462, Gjeçovi 1933, 1941, 1993, Villari 1940, M. Hasluck 1954, Fox 1989, Del Re & Gustincich 1993, Illia 1993, dhe Baxhaku & Kaser 1996.
31 kr. Khair 1973, Kastrati 1975, Bala 1979, Qosja 1984, vëll. 2, f. 306-348, Vasa 1987 dhe 1989.
32 kr. Mobarak 1989.
33 kr. Kastrati 1992.
34 kr. K. Kodra 1992.
35 kr. Hetzer 1991a, f. 148-151.
36 kr. Jarnik 1881, f. 3-6.
37 kr. Bulo 1986.
38 kr. Lacaj 1963 dhe Plasari 1991d.
39 Për një pasqyrë mbi veprimtarinë e kësaj shtypshkronje, kr. revista Leka, Shkodër, IX, 8-12 (1937), f. 680-684.
40 kr. Lacaj 1959, Gradilone 1974, f. 149-216, Pollo 1979, dhe Tako 1980, 1981.
41 kr. Lacaj 1961.
42 kr. Mann 1955, f. 75.
43 kr. Mosi 1927, f. 3.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]