9.6 Përpjekjet për shkollën

Zgjimi i identitetit kombëtar e i kulturës së Rilindjes ndër shqiptarët e jugut në këtë
periudhë ishte i lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtaritë politike e botuese, por edhe me përpjekjet për shkollën, e sidomos për një shkollë në gjuhën shqipe44. Mungesa e një arsimi
zyrtar kishte qenë gjithmonë pengesë e madhe për përparim e kulturë në Shqipëri. Të tria sferat
kulturore të ndryshme, në të cilat ndahej vendi, kishin sjellë me vete sisteme të ndryshme
shkollash fillore të huaja. Shumica myslimane mund të shkonte vetëm në medresetë në gjuhën
turke, shkolla të Kuranit, ku mësohej teologji dhe arabishtja. Pakica katolike në veriun malor të
vendit në fakt nuk kishte pasur fare shkolla para se të ngriheshin institucionet arsimore, që ishin
kryesisht italiane, nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër e përreth saj në mesin e shekullit të
nëntëmbëdhjetë, ndër to edhe një shkollë françeskane të ngritur më 1855 si dhe Kolegjia
Papnore Shqyptare e hapur nga jezuitët më 1859. Këtyre u duhet shtuar Kolegji i Shën
Françesko Saverit, zakonisht i njohur me emrin Kolegja Saveriane, e cila u hap në Shkodër më
1877. Me fillimin e shekullit të njëzetë ky institucion i shquar i drejtuar nga jezuitët pati mbi
katërqind nxënës. Një pjesë e mirë e popullsisë ortodokse në jug kishin mundësi të hynin në
shkollat me bazë gjuhën greke. Pra, deri në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë,
mësimi në Shqipëri jepej në gjuhë të huaja, rrethanë kjo që bëri e pamundur shkollimin e
masave të popullsisë.
Porta e Lartë i shihte arsimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e
gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur
kësisoj të gjithë vendin në padije e errësirë të thellë. Edhe ndonjë shkollë në gjuhën shqipe, që
kish mundur të hapej, ishte mbyllur menjëherë. Edhe në shekullin e njëzetë madje, autoritetet
osmane shpesh shkonin aq larg sa t’u hapnin njerëzve çantat dhe korrespondencën e të bastisnin
shtëpitë për të gjetur gjësendi të shkruar shqip. Publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-
1964) njofton për një bastisje të tillë shtëpie në prill 1903: “Nuk doli gjë e madhe. U gjet një
kartolinë e shkruar shqip në një fustan gruaje. Ky zbulim tronditës shkaktoi syrgjynosjen dhe
burgimin e tetëdhjetë zotërinjve nga krahina e Vlorës.”45 Për burgun e Vlorës thuhej se ishte
plot me kundërvajtës që u kishin gjetur ndonjë gjë të shkruar shqip. “Nja pesëqind veta janë
ngjeshur në këtë sallë të ngushtë pa dritare e të pashtruar. Shumica e tyre ishin përkrahës të së
ashtuquajturës ide kombëtare dhe prandaj edhe fajtorë për tradhti të lartë. Gjykatësi, vetë
shqiptar, më tha në prani të disa funksionarëve turq: ‘Po, e vërtetë është, mes tyre kemi edhe
disa vrasës dhe hajdutë, por ata nuk kanë aq rëndësi. Gjithë puna është tek ata kundërvajtës të
cilëve u janë gjetur fletë të shkruara shqip.'”46 Edhe kisha ortodokse greke në Shqipërinë e jugut
e shihte gjithë veprimtarinë kulturore shqiptare si rrezik për monopolin e saj mbi shkollën.
Madje ajo kërcënonte me shkishërim cilindo që pranonte alfabetin shqip, e madje në një numër
rastesh, për të ruajtur statusin e vet, nuk iu rresht as vrasjeve.
Në këto kushte të rënda, vetëkuptohet se ideologët e lëvizjes së zgjimit kombëtar të
Rilindjes në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë ia kushtuan një pjesë të mirë të energjive të tyre
luftës dhe përpjekjeve për shkolla në gjuhën shqipe. Vetëm nëpërmjet këtyre shkollave
popullsia do të mund të mësonte të lexonte e të shkruante gjuhën e vet e do të kapërcente
prapambetjen e së kaluarës. Veçanërisht zonat fshatare të Shqipërisë veriore me strukturën
fisnore dhe terrenin malor të thyer do të bënin pak përparim në fushën e arsimit deri nga mesi
i shekullit të njëzetë. Veriu mbeti prapa jugut realisht në të gjitha fushat, një dallim që mund të
ndihet edhe sot e kësaj dite.
Por në Shqipërinë e jugut rrjeti modest i shkollave në gjuhën greke, që funksiononte nën kujdesin e kishës ortodokse, u ndie deri diku në jetën e njerëzve. Këto shkolla arritën të sjellin
një farë arsimimi e përparimi në njërin prej vendeve më të prapambetura të Evropës, por në të
njëjtën kohë i detyronin të gjithë ata që e donin këtë arsimim të mohonin se ishin shqiptarë e të
asimiloheshin nga gjuha e nga kultura greke. Lufta për shkolla në gjuhën shqipe ishte në të
vërtetë një luftë e dyanëshme, si kundër Portës së Lartë që e kishte nxjerrë shkollimin shqip
jashtë ligjit, ashtu edhe kundër kishës ortodokse greke, e cila me sa duket e ndinte se do të
humbiste autoritetin e saj mbi grigjën shqiptare nëse lejohej shkollimi në gjuhën e ‘barbarëve’.
Në këtë pikë Patrikana ortodokse dhe autoritetet osmane në brigjet e Bosforit ishin në pajtim të
plotë.
Petro Nini Luarasi47 (1865-1911), një nga mësuesit e parë shqiptarë të periudhës së
zgjimit kombëtar, ishte në pararojë të lëvizjes për çeljen e shkollave shqipe. Ai lindi më 22 prill
1865 në Luaras të Kolonjës dhe ndoqi shkollat greke në Nokovë të Gjirokastrës dhe Hotovë të
Përmetit. Më pas ndoqi një kurs për përgatitje mësuesish në Qestorat. I ati kishte qenë mik me
Koto Hoxhin (1824-1895), anëtar drejtues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të
kombësisë shqiptare dhe i Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Konstantinopojë e, si
rrjedhim, idetë e zgjimit kombëtar shqiptar patën ndikim të hershëm tek ai. Pas kursit për
mësues në Qestorat, u emërua në fillim mësues i greqishtes në fshatin Berzhdan më 1882, ku
filloi t’u mësojë fëmijëve edhe shqipen, me të ashtuquajturin alfabet të Stambollit. Me gjithë
kundërshtimin e egër të kishës ortodokse greke e të autoriteteve osmane në Konstantinopojë, ia
doli mbanë që, me ndihmën financiare të Nikolla Naços (1843-1913) në Bukuresht, të ngrinte
në vitet më pas disa shkolla në Shqipërinë e jugut. Për këtë veprimtari u shkishërua prej Qirilit,
mitropolit i Korçës, më 1887. Petro Nini Luarasi qe gjithashtu njëri prej mësuesve të shkollës
së parë shqiptare të njohur zyrtarisht nga Porta, të hapur në Korçë më 7 mars 1887. Në pranverë
1891 mori në dorë drejtimin e kësaj shkolle pas Pandeli Sotirit (1852-1890) dhe ndihmoi për
financimin e shkollave të tjera në Shqipërinë e jugut. Më 20 shtator 1892 u shkishërua përsëri,
kësaj radhe nga Fillareti, mitropolit i Kosturit, pse gjoja propagandonte masoneri e
protestantizëm. Në një qarkore dërguar bashkësisë ortodokse, Fillareti mallkonte përpjekjet e
Luarasit për të mbledhur mësues të shqipes, një gjuhë kjo që ‘nuk ekziston’, dhe kërcënonte
cilindo që pranonte një detyrë të tillë ose libra ‘masone’ e ‘protestante’ me një mallkim nga i
Plotfuqishmi vetë. Më 1903-1904, kur qeveria osmane filloi të mbyllte të gjitha shkollat shqipe,
Luarasin e futën në burg, por ai arriti të ikë e të shpëtojë me një pasaportë të rreme e të emigrojë
në Amerikë me pseudonimin Petro Kostandini. Lejimi i tij për banim në Shtetet e Bashkuara
doli çështje e ngatërruar ngase nuk pranonte të regjistrohej si qytetar grek. Duke udhëtuar nëpër
Nju Inglend nga një ngulim shqiptarësh në tjetrin për të mbajtur ligjërata mbi historinë e
Shqipërisë, ai u bë shumë shpejt i njohur si Paul Revere i Shqipërisë. Më 1 janar 1906 ishte një
nga themeluesit e shoqërisë Malli i mëmëdheut në Bufalo të Nju Jorkut, ku do të dërgohej më
vonë Fan Noli (1882-1965). Ai gjithashtu shkroi artikuj për të përjavshmen shqiptaroamerikane
Kombi, që e nxirrte Sotir Peci (1873-1932) në Boston dhe për gazetën Drita të
Sofjes, si dhe botoi disa vjersha të zakonshme me frymëzim kombëtar. Në vitin e revolucionit
të xhonturqve, më 1908, Luarasi u kthye në Shqipëri pas një amnistie dhe vazhdoi veprimtarinë
e vet. Në Korçë rimori drejtimin e shkollës kombëtare në vitet 1908-1909, kurse pas një viti u
shpërngul në Manastir, ku dha gjuhën shqipe në një shkollë turke e ku bashkëpunoi në gazetën
Bashkim’ i kombit me artikuj për arsimin dhe mësimdhënien. Luarasi ishte edhe zëvendëskryetar
i kongresit të dytë të Manastirit më 1-6 prill 1910, në të cilin u zgjidh përfundimisht debati për
alfabetin e shqipes. Më pas dha mësim në shkollën e fshatit Negovan afër Follorinës. Në gusht
1911, dy ditë pas ceremonisë së përurimit të kishës në fshatin e tij të lindjes, ai u sëmur rëndë papritur në Ersekë,. Për këtë thuhet se është helmuar. Xhandarët vendës e rrethuan shtëpinë ku
e kishin strehuar dhe hapën fjalë se kishte pasur kolerë, duke mos lejuar askënd t’i afrohej,
madje as mjekun. Mendohet se i qe kurdisur një lojë e ndyrë. Nuk zgjati shumë dhe vdiq në
Gostivisht më 17 gusht 1911, në moshën dyzetegjashtë vjeçare, i munduar në udhë e sipër për
në fshatin e tij të lindjes.
Petro Nini Luarasi mbahet mend jo vetëm për veprën e tij në të mirë të arsimit shqiptar,
por edhe për një monografi greqisht dhe shqip me titullin Mallkim i shkronjavet shqip dhe
çpërfolja e shqipëtarit, Manastir 1911. Këtu ai mbron shkollën në gjuhën shqipe kundër kishës
ortodokse, që kish kërcënuar me shkishërim cilindo të krishterë që pranonte alfabetin shqip.
Titulli i kësaj vepre të kujton atë të komedisë me tri akte Mallkimi i gjuhës shqipe, Bukuresht
1905, të publicistit dhe shkrimtarit të periudhës së vonë të Rilindjes Mihal Grameno (1871-
1931), i cili gjithashtu e kundërshtoi me vendosmëri shovinizmin kulturor ortodoks grek.
Një tjetër figurë e shquar e arsimit dhe kulturës shqiptare është Papa Kristo Negovani48
(1875-1905), i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Ka lindur në Negovan afër Follorinës
në Greqinë veriore, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e
shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës. Shkollën e bëri në
Athinë, ku e dërgoi i ati Harallamb Çali, që ishte tregtar. Vdekja e të atit, të cilin e vranë
banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet e të punojë si mësues në
një shkollë fillore greke në Leskovik për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Braila të
Rumanisë ku punoi tre vjet si marangoz. Bash këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe
mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u
shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shtëpinë e vet Negovani e ktheu në shkollë dhe u
mësoi shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Ai edhe meshën e mbante
shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke. Më 10 shkurt 1905 Negovani
mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkop i Kosturit, i cili duke
dalë nga kisha, flitet se tha ato fjalë fatale, “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”. Pas dy
ditësh, të shtunën, 12 shkurt 1905, fshati u rrethua nga banditë, që e detyruan tridhjetëvjeçarin
Negovani, të vetëdijshëm për fundin që e priste, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta
masakruar pastaj me sëpatë bashkë me pesë të tjerë, ndër ta edhe i vëllai. Për të marrë hak për
këtë akt që hierarkia ortodokse greke ua veshi shqiptarëve, komiti shqiptar Bajo Topulli (1868-
1930) i zuri pritë dhe vrau Fotin, peshkopin e Korçës, në shtator 1906.
Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh
e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër
botimet e tij janë: Istori e dhiatësë vietërë, Bukuresht 1899; një përmbledhje vjershash me
78 faqe Vjershë shkresëtoreja, Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë , Sofje 1903; tregimi
i shkurtër I vogëli Dhonat Argjendi, Sofje 1904; libri me 122 faqe Bënjatë të shënjtorëvet
dërgimëtarë, Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); vepra në dy pjesë I drunjëti kryq, Sofje
1906; dhe një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, Selanik 1909, botuar pas vdekjes.
Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike
e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund
të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë.
Ndër edukatorë të tjerë të shquar toskë të kësaj kohe është familja Qiriazi49 ose Kyrias
nga Manastiri në Maqedoni. Gjerasim Qiriazi50 (1858-1894) ndoqi shkollën greke në Manastirin e tij të lindjes dhe, me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan
Xheni (Jenney), iu dha mundësia të studiojë në një kolegj amerikan në Samokov, Bullgari. Pas
katër vjet studimesh atje, iu dha një punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore (British
and Foreign Bible Society), për të cilën filloi të punojë në Korçë më 1883. Gjithashtu nisi të
shkruajë një gramatikë të shqipes dhe dihet se ka predikuar në gjuhën shqipe. Më 12 nëntor
1884, gjatë rrugës malore Korçë-Manastir u sulmua nga komitët dhe u mbajt peng për gjysmë
viti51. Hapja e së parës shkollë shqipe të njohur zyrtarisht në Korçë më 1887 e frymëzoi atë dhe
të motrat Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) të hapnin një
shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900) e sidomos të misionarëve
amerikanë e anglezë, ato morën autorizimin e duhur në Konstantinopojë dhe më 15 tetor 1891
hapën të parë shkollë shqiptare të vashave në Korçë. Verën tjetër u shpërngulën në një ndërtesë
më të madhe që mund të nxinte më shumë nxënëse. Hierarkia ortodokse greke e kundërshtoi
hapjen e shkollës në mënyrë fanatike që nga fillimi, dhe shkoi aq larg, sa të mos pranonte të
varroste djalin e njerit prej mercenëve të saj. Më 4 janar 1894 Gjerasim Qiriazi vdes, në moshën
tridhjetegjashtë vjeçare nga pleuriti, që e kishte marrë gjatë kohës së pengut. Ai është autor
vjershash, këngësh, skicash, dialogësh dhe tekstesh shkollore. Shkrime të tij të zgjedhura u
botuan nga i vëllai më i vogël Gjergji në antologjinë Hristomathi më katër pjesë, Sofje 1902.
Gjergj Qiriazi (1868-1912), i njohur në anglishte me emrin George Kyrias, ashtu si i
vëllai Gjerasimi, ndoqi shkollën greke në vendlindje Manastir dhe kolegjin amerikan në
Samokov. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore. Pas vdekjes së
të vëllait më 1894 mori në dorë drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, kurse më 1908 ishte
delegat në Kongresin e Manastirit. Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën
shqipe Bashkim’ i kombit më 1909, duke u dalluar vazhdimisht për një aktivitet politik. Përveç
hristomathisë së të vëllait, ai botoi një përmbledhje me vjersha fetare me titullin Kënkë të
shenjtëruara, Sofje 1906. Gjergj Qiriazi qe aktiv sidomos në botime tekstesh shkollore. Ai botoi
një tekst për fizikën, Fizika, Bukuresht 1899, si dhe një numër artikujsh në organe shtypi të
kohës. Vdiq në Manastir më 30 dhjetor 1912.
Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos (1871-1949) të
studionte në kolegjin me emër Robert College në Konstantinopojë e të luante një rol aktiv në
arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin
e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së
vashave në Korçë më 1891. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e
familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me
përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë se Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë
për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin,
gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi ajo vajti
në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen
Yll’ i mëngjesit.
Edhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970), e njohur edhe me emrin Paraskevi D. Kirias,
studioi në Robert College në Konstantinopojë dhe u kthye në Shqipëri për të punuar si mësuese.
Më 1909 ajo botoi një abetare për shkollat fillore. Më pas organizoi arsimin për të vegjël,
shkolla mbrëmjeje në Shqipërinë jugore dhe ndihmoi për të vënë bazat e një sistemi bibliotekar.
Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Ajo ndihmoi për themelimin e shoqatës Yll’ i
mëngjesit më 1909 dhe në Shtetet e Bashkuara botoi periodikun e ilustruar me të njëjtin emër,
që doli në Boston nga 1917 deri më 1920. E përdyjavëshmja Yll’ i mëngjesit, kushtuar ndriçimit
dhe përparimit të popullit shqiptar, përfshinte artikuj mbi politikën, shoqërinë, historinë, filologjinë, letërsinë, arsimin dhe folklorin. Parashqevi Qiriazi mori pjesë edhe në Konferencën
e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.
Arsimi zyrtar dhe kultura e shkruar në Shqipërinë e veriut, e cila zhvillohej kryesisht në
të vetmen qendër qytetare në ngritje e sipër që ishte Shkodra, gjendej nën Kultusprotektoratin,
por realisht në dorën e kishës katolike, sikundër e kemi parë deri tani. Figurë e shquar e arsimit
katolik në periudhën e Rilindjes qe Anton Xanoni52 (1862-1915) i cili, në zgrip të shekullit,
ushtroi një ndikim të dukshëm për zhvillimin e gegërishtes. Anton Xanoni, i njohur edhe me
emrin Ndoc Zanoni, lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër,
ku edhe mori arsim katolik. Etërit jezuitë, duke parë talentin e tij, e dërguan të kryente shkollën
e lartë jashtë. Këtë ai e kreu në manastirin Kartusian në Porta Coeli në veri të Valencias, në
Spanjë (1883), në një institucion jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat
(1884), në Kremona të Italisë (1886), dhe në Kolegjin Gregorian në Krakov (Kraków) të
Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua prift jezuit në Krakov dhe u kthye dy vjet më pas në
Shkodër për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë
trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896 dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kieri (Chieri),
në juglindje të Torinos në Itali, para se të kthehej në Shqipëri. Bashkë me poetin lirik klasik
Ndre Mjeda (1866-1937) e me të vëllanë e tij Lazër Mjeda, Xanoni ishte anëtar aktiv i shoqërisë
letrare Agimi, të themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në
letërsi, sidomos me anë të një alfabeti të ri.
Ishte Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin
verior të shqipes në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi
në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qendrim purist në shkrimin e shqipes,
ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me
rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh
studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët
e tij shkrimtarë, ai nuk ishte vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur
jetoi. Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit
me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me
vjersha të tijat apo përkthime që pëlqeheshin shumë. Ka mbetur në histori edhe për veprat
Gramatika shqyp, Shkodër 1909, dhe Shkurtorja e historis së moçme, 1910, si dhe në veçanti
për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një
pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Xanoni vdiq në Shkodër
më 16 shkurt 1915 dhe çmohet si një veteran i arsimit dhe i kulturës shqiptare.
Edukator dhe botues, Mati Logoreci53 (1867-1941), ka lindur më 10 shkurt 1867 në një
familje katolike në Shkodër. Në moshë të re punoi çirak në shoqërinë tregtare italiane Parruca,
e cila e dërgoi si llogaritar në Monfalkone afër Triestes. Po atje bëri shkollë edhe për mësues.
Pas kthimit në Shqipëri hapi një shkollë në Prizren më 1 maj 1889, për të cilën thuhet se ishte
shkolla e parë shqipe në Kosovë. Atje dha mësim për njëfarë kohe, sepse më pas dha dorëheqje,
për shkak se ra në konflikt me konsullatën austro-hungareze, që drejtonte arsimimin e
katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane nën kujdesin e Kultusprotektoratit. Më 1899
Logoreci ngriti një shkollë tjetër private shqiptare e cila, sikundër del nga dokumentet, ka
gëzuar mbështetje të gjerë. Të dyja shkollat u shkrinë më 1900. Shërbeu si mësues në Prizren
deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër. Më 14 nëntor 1907 nisi të
botojë gazetën e përdyjavshme Dašamiri, që e shtypte në Trieste me alfabetin e quajtur Agimi.
Gazeta nuk zgjati shumë. Ajo doli vetëm në katërmbëdhjetë numra deri sa u mbyll më 6 gusht 1908. Në nëntor 1908 Logoreci përfaqësoi shoqërinë Agimi të Shkodrës në Kongresin e
Manastirit, së bashku me poetin Ndre Mjeda (1866-1937). Po më 1908, me Lazër Mjedën, të
vëllanë e poetit, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Nën kujdesin e këtij klubi ai
botoi një tekst shkolle prej 201 faqesh për historinë e lashtë me titull Ndolliina historijet
t’motshme, Shkodër 1911, e cila mbulonte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si
dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë. Pas pavarësisë Logoreci shërbeu
si mësues në Tiranë, kurse nga 1916 deri 1918 si funksionar për arsimin në Shkodër. Më 1916
ishte edhe anëtar i Komisisë Letrare Shqype të ngritur në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet
austro-hungareze. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Shkodrës. Nga 1922
deri 1923 qe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli
në pension më 1930. Në vitet e fundit të jetës Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re,
Drita, numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936 dhe zgjati të paktën deri më 1939. Drita
kishte një tirazh prej 4000 kopjesh, pra qe gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së
Dytë Botërore. Mati Logoreci vetë i redaktoi nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars
1937. Përveç tekstit Ndolliina historijet t’motshme, Logoreci ishte autor i një numri tekstesh të
tjera shkollore dhe veprash për historinë, më e mira ndër të cilat është një libër 301 faqesh
Historija e përgjithshëme, Shkodër 1924, ku bie në sy një prirje e lehtë letrare e gjuhësore.
Është shquar si purist i gjuhës së dialektit të tij të Shqipërisë së Veriut. Mati Logoreci vdiq më
7 shkurt 1941 në Tiranë në moshën shtatëdhjetekatër vjeç, si figurë e shquar e arsimit shqiptar.

_________
44 Për shkollat e para në gjuhën shqipe, kr. F. Pipa 1961-1963, Redzepagiƒ 1968, dhe Myzyri 1973, 1978.
45 kr. Vlora 1911, f. 39.
46 vep. cit. f. 68.
47 kr. S. Luarasi 1958, Sevo 1936, Gjika 1974a, Faensen 1980, f. 124-127, dhe Xholi 1987, f. 353-382.
48 kr. Fullani 1960, dhe Faensen 1980, f. 133-134.
49 kr. Faensen 1980, f. 138-140.
50 kr. S. Luarasi 1962, Myzyri 1973 dhe Gjerasim Qiriazi 1991.
51 Rrëfimi për gjashtë muajt e këtij kalvari është përkthyer anglisht nga J. W. Baird nga Manastiri, kr. Gjerasim Qiriazi 1902/1994, në shqip kr. Gjerasim Qiriazi 1993.
52 kr. Kastrati 1962a, 1962b, 1980, f. 281-287, 297-298n.
53 kr. Shpuza 1965, Faensen 1980, f. 123-124, dhe Musa Kraja 1987.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]