9.7 Zbulimi i letërsisë gojore

Zgjimi letrar dhe kulturor i popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të
nëntëmbëdhjetë nuk ishte thjesht çështje e përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla apo e krijimit
dhe botimit të prozës artistike, poezisë dhe publicistikës. Ajo kërkonte si domosdoshmëri
kthimin te burimet, te rrënjët, te traditat. Letërsia e shkruar në gjuhën shqipe kishte qenë
sporadike në shumë periudha të së kaluarës së saj dhe si e tillë nuk kishte mundur kurrë të
shprehte gjithë potencialin e kulturës shqiptare. Kjo vinte edhe për arsye të rrugës të
mundimshme të historisë së vetë popullit shqiptar. Ndërkaq letërsia gojore, d.m.th. traditat
folklorike të Shqipërisë, vazhdimisht e ka kompensuar këtë mangësi. Kjo përbënte një thesar të
vlefshëm kulturor në dorë të ideologëve të Rilindjes. Nuk dilte nevoja të krijohej një identitet
kombëtar, mjafton që ai vetëm të rizbulohej.
Lëvizja romantike në Evropë kishte ngjallur një interes të dukshëm për traditat
folklorike dhe letërsinë gojore. Këngët popullore dhe përrallat popullore shqiptare kishin
rrëmbyer imagjinatën jo vetëm të shkrimtarëve shqiptarë gjatë Rilindjes kombëtare, por edhe të
studiuesve dhe gjuhëtarëve të huaj të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Madje përmbledhja më e
hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan Georg fon Han54 (Johann
Georg von Hahn, 1811-1869) në trevëllimshin Albanesische Studien, Jena 1854 (Studime
shqiptare). Hani, shpesh i konsideruar si babai i studimeve shqiptare, bëri udhëtime në mbarë
Shqipërinë dhe Ballkanin si konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë dhe, në gramatikën që hartoi
për dialektin toskë, vuri si shtojcë dyzet e gjashtë faqe me këngë popullore, fjalë të urta dhe
përralla. Dhjetë vjet më pas ai botoi një përmbledhje në dy vëllime Griechische und
albanesische Märchen, Lajpcig 1864 (Përralla greke dhe shqiptare). Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) nga Gëtingeni
shërbeu në flotën greke kur u njoh së pari me folklorin shqiptar nga detarët e shumtë shqiptarë.
Më pas ai botoi një përmbledhje të shquar me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta
shqiptare bashkë me një gramatikë të shqipes në librin e tij Noctes Pelasgicae, Athinë 1855
(Netë pellazgjike). Në Itali, përveç përmbledhjeve me poezi popullore të hartuara nga
shkrimtarë të ndryshëm arbëreshë të shekullit të tetëmbëdhjetë e më pas, kemi edhe një
përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia, të botuara nga folkloristi Xhuzepe Pitre
(Giuseppe Pitrè, 1841-1916) në librin e tij me katër vëllime Fiabe, novelle e racconti popolari
siciliani, Palermo 1875 (Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane). Konsulli francez Ogyst
Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe
këngë popullore shqiptare në fillim në librin e tij Manuel de la langue chkipe ou albanaise,
Paris 1879 (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze), kurse dy vjet më pas në një vëllim të
posaçëm me titull Contes albanais, recueillis et traduits, Paris 1881 (Rrëfenja shqiptare, të
mbledhura e të përkthyera). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923), profesor i gjuhëve
dhe letërsive romane, botoi materiale folklorike shqiptare, ndër to një vjershë, dy përralla
popullore dhe pesëdhjetë e tre fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin e tij Zur
albanischen Sprachenkunde, Laipcig 1881 (Mbi gjuhësinë shqiptare), si dhe një përmbledhje
me rrëfenja dhe anekdota, përsëri nga Shkodra, në PÍíspvky ku poznání náÍe…í albánských,
Pragë 1883 (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes). Albanologu austriak Gustav Majer
(Gustav Meyer, 1850-1900), profesor në Universitetin e Gracit, botoi katërmbëdhjetë rrëfenja
shqiptare në Albanische Märchen, Laipcig 1884 (Rrëfenja shqiptare), si dhe një numër
rrëfenjash toske si shtojcë e gramatikës së tij të shqipes, Kurzgefaßte albanesische Grammatik
mit Lesestücken und Glossar, Laipcig 1888 (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor).
Një pjesë e mirë e materialit të tij folklorik u ribotua në vëllimet pesë dhe gjashtë të
Albanesische Studien të tij, Vjenë 1896-1897 (Studime shqiptare). Indoevropianisti i dëgjuar
danez Holger Pedersen (1867-1954), profesor i Universitetit të Kopenhagës, vizitoi Shqipërinë
më 1893 për të mësuar gjuhën e për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me tridhjetë e
pesë përralla popullore shqiptare, që i regjistroi këtu dhe në Korfuz, u botua në librin e tij
Albanesische Texte mit Glossar, Laipcig 1895 (Tekste shqipe me fjalor).
Nuk mund të themi që ishin vetëm studiuesit e huaj ata që gjatë gjysmës së dytë të
shekullit të nëntëmbëdhjetë sollën në Evropë materialin e parë për folklorin shqiptar, duke
nxitur kështu studimet shkencore për letërsinë gojore shqiptare. Ndërkaq dallohen edhe një
numër studiuesish shqiptarë që me botimet e tyre, kryesisht drejtuar bashkatdhetarëve të tyre,
ushqyen lëvizjen e zgjimit kombëtar me ndjenjën e traditës e të identitetit.
Një nga ‘zbuluesit’ e parë shqiptarë të kësaj trashëgimie kombëtare në Shqipëri ishte Zef
Jubani55 (1818-1880), i njohur edhe me emrin Zef Ndokillija ndërsa në italishte me emrin
Giuseppe Jubany. Mendohet që Jubani të ketë lindur në Shkodër me baba shqiptar e nënë
malteze. Rreth vitit 1830 u dërgua për të bërë shkollën te daja në Maltë, ku ndenji deri në vitin
1838. Pasi kreu atje studimet në një shkollë tregtare, u kthye në Shkodër dhe nga viti 1848
shërbeu për disa vite si ‘dragoman’ (përkthyes) i Lui Iasint Hekard-it (Louis Hyacinthe
Hécquard, 1814-1866), konsulli frëng në Shkodër, i cili po përgatiste një libër për Shqipërinë e
veriut. Hekardin e tërhiqte mjaft folklori dhe gjatë udhëtimeve nëpër malësinë shqiptare të
veriut mori me vehte të rinjtë Zef Jubani e Halil Kopliku. Një numër këngësh popullore që
mblodhi aty dolën në një përkthim frëngjisht në veprën pioniere të Hekardit, Histoire et
description de la Haute Albanie ou Guégarie, Paris 1858 (Histori e përshkrim i Shqipërisë së
Epërme ose Gegërisë). Përmbledhja e parë folklorike e vetë Jubanit, pa dyshim origjinalet e
teksteve të këngëve të botuara nga Hekardi, humbi për fat të keq në përmbytjen që e shkretoi qytetin e Shkodrës më 13 janar 1866. Më pas, për shkaqe që nuk dihen, Jubani iku në Itali për
një farë kohe, dhe u prit atje nga Jeronim De Rada (1814-1903) me të cilin mbante
letërkëmbim. Vepra për të cilën Zef Jubani përmendet më shumë është Racconti di canti
popolari e rapsodie di poemi albanesi, Trieste 1871 (Përmbledhje këngësh popullore e
rapsodish shqiptare). Ky libër përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte,
madje vepra e parë folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. Hyrja e kësaj
përmbledhjeje të Jubanit përmban përsiatje politike për gjendjen e vendit, një shpjegim për
‘sistemin e ri të shkrimit të shqipes me alfabet latin’ të hartuar prej tij, por duhet theksuar se ky
nuk ishte aspak praktik. Më tej përmban disa paradigma. Ndër këngët e përfshira janë ato të
botuara më parë në frëngjishte nga Hekardi, një material që kishte dalë më parë në Cuneus
prophetarum të Pjetër Bogdanit më 1685, dhe disa lirika bejtexhinjsh. Jubani është edhe autor
i një historie të papërfunduar të Skënderbeut, e cila mbeti e pabotuar. Nga krijimtaria e tij
poetike, vetëm dy vjersha kanë ardhur deri në ditët tona: njëra kushtuar Dora d’Istrias (1828-
1888) dhe tjetra Skënderbeut.
Përmbledhja e dytë e rëndësishme me letërsi gojore shqiptare e hartuar nga një shqiptar
u botua nga folkloristi dhe personaliteti kombëtar Thimi Mitko56 (1820-1890) nga Korça,
përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Xhaxhai i Thimit, Peti Mitko, kishte qenë
udhëheqës i revoltës së të krishterëve në Korçë dhe Tepelenë kundër reformave turke të
Tanzimatit dhe pikërisht me këtë xhaxha gati legjendar Thimi, pasi bëri shkollën greke në
vendlindjen Korçë, u largua nga Shqipëria më 1850, në fillim në Athinë, pastaj në Plovdiv e në
fund në Vjenë, ku edhe punoi disa vjet si rrobaqepës. Më 1865, në moshë të pjekur, Mitkoja
emigroi në Egjipt, ku hapi një punë tregtie në Beni Suef, që i eci mbarë, dhe iu përkushtua
lëvizjes kombëtare. Vdiq nga kanceri në grykë në Beni Suef më 22 mars 1890.
Thimi (ose Euthimios) Mitko filloi të shfaqë interesim për folklorin rreth vitit 1859 kur
ishte në Vjenë. Nga Spiro Dinia (1846?-1922) dimë se Mitkoja kishte nisur të regjistronte
material folklorik para vitit 1866. Ai i dha Dhimitër Kamardës (1821-1882) këngë popullore,
gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. Kurse përmbledhja e vetë Mitkos me folklor
shqiptar, që përbëhej nga 505 këngë popullore, dhe 39 përralla e fjalë të urta kryesisht nga
Shqipëria e jugut, u përfundua më 1874 dhe u botua me alfabet grek katër vjet më vonë, në vitin
e Lidhjes së Prizrenit, me titullin greqisht Albanikê melissa dhe shqip Bëlietta shqipëtare,
Aleksandri 1878 (Bleta shqiptare). Kjo vepër nuk qe vetëm e para përmbledhje e letërsisë
gojore e destinuar për publikun shqiptar, por edhe e para përmbledhje e tillë me interes të
vërtetë shkencor. Ndërkaq, flitet se një kopje e këtij libri është djegur publikisht në Athinë.
Botimet e mëparëshme me këngë dhe përralla popullore shqiptare kishin qenë tepër të rralla e
as kishin përfshirë aspektet më të bukura të letërsisë gojore shqiptare, as kishin mbuluar të
gjithë trevat e gjithë tematikën. Mitkoja u përpoq që këtë trashëgimi kombëtare të letërsisë
gojore ta paraqiste e ta ruante në mënyrë sa më të plotë. Në parathënie ai e shpreh kështu
qëllimin e tij në formë të përgjithshme: “… shpëtimi edhe dhënia brezave që vinë, i fjalëvet dhe
tekstevet shqipe, të cilat, para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime, dhe besoj
se do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare;
veçanërisht dua që t’u ipet një shkak e një nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë për kulturën edhe
për të studiuar gjuhën e tyre amtare, në këtë mënyrë t’u sjell dobi që të mundin edhe këta të
përparojnë…”. Materiali i ‘Bletës Shqiptare’ është klasifikuar dhe renditur sipas gjinive. Kështu,
libri përfshin pjesë me këngë të vegjëlish, këngë për festat popullore të motmotit, këngë
dashurie, këngë dasme, nizami, kurbeti, vaje e këngë vajë, balada, epika historike, si dhe
përralla, fabula e anekdota, kurse si shtojcë ka një fjalor shqip-greqisht. Me këtë përmbajtje për atë kohë kjo përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën
Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për
letërsinë gojore e për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej
në botë me atë vëmendje që meritonte. Vepra u ripërgatit për botim nga Gjergj Pekmezi (1872-
1938) në Vjenë më 1924, duke përdorur alfabetin shqiptar të kohës, me titullin Bleta shqypëtare
e Thimi Mitkos dhe në këtë variant u prit më mirë. Mitkoja hartoi edhe një përmbledhje tjetër
shtojcë me letërsi gojore shqiptare, e cila njihet me emrin ‘Bleta e vogël’, por nuk mundi kurrë
ta botojë. I pabotuar mbeti edhe fjalori i tij shqip-greqisht në rreth 3000 faqe dorëshkrim, i cili
u zbulua më vonë në Aleksandri. Dorëshkrime të tjera të tij, që presin të studiohen, janë ato që
gjenden në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë57. Përveç interesimit
për letërsinë gojore, Mitkoja ishte aktiv edhe në lëvizjen kombëtare, sidomos si autor i të paktën
pesë artikujve në periodikë evropianë në mbështetje të çështjes shqiptare. Kur shpërtheu lufta
me Malin e Zi në fund të vitit 1880, ai shpërndau një përkthim shqip të Marsejezës. Më 1881
Thimi Mitkoja qe një nga anëtarët themelues të seksionit egjiptian të Shoqërisë së të shtypuri
shkronja shqip e më pas ndërmori shpërndarjen në Egjipt të së përmuajshmes së Jeronim De
Radës Fiàmuri Arbërit, që u botua nga korriku 1883 deri në nëntor 1887 në Kalabri. Ai shkroi
edhe pak poezi, por të pesëmbëdhjetë vjershat që janë ruajtur – njëra prej tyre ndodhet në
antologjinë e Dhimitër Kamardës A Dora d’Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d’Istrias
shqiptarët) – nuk kanë ndonjë vlerë letrare të veçantë. Me interes letrar dhe historik më të madh
është letërkëmbimi i tij i vëllimshëm me albanologë të tjerë të shquar të kohës: Jeronim De
Rada (1814-1903), Dhimitër Kamarda (1821-1882), Panajot Kupitori (1821-1881), Jan Urban
Jarnik (1848-1923), Dora d’Istria (1828-1888), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Vissar
Dodani (rreth 1857-1939) dhe Gustav Majer (1850-1900).
Përpjekjet e Thimi Mitkos në fushën e folklorit u vazhduan nga bashkatdhetari i tij
Spiro Risto Dine58 (1846?-1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. Siç thotë vetë, Dinia që
fëmijë kishte mësuar alfabetin e Veqilharxhit nga mësuesi i tij i shkollës Than Xheka në fshatin
Treskë. Dinia emigroi në Egjipt më 1866, në moshën njëzet vjeç, rreth një vit pas Thimi Mitkos,
të cilin e takoi atje e me të cilin pas pak kohe do të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos
me këngë dhe përralla popullore shqiptare. Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të
Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881. Ndërkohë që ishte në Shibîn el
Kôm, Spiro Dinia pati letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe u frymëzua nga veprimtaria e
vëllezërve Frashëri. Më vonë në jetë do të entusiazmohej sidomos nga botimi i poemës epike të
Naim Frashërit Istori’ e Skënderbeut, Bukuresht 1898, e cila ishte vepra poetike më e dashur për
të. Vdiq më 12 prill 1922 në Egjipt.
Libri për të cilin përmendet Spiro Dinia, madje i vetmi botim i rëndësishëm i tij, është
një përmbledhje monumentale 856 faqesh me folklor e letërsi shqiptare, i titulluar Valët e detit,
Sofje 1908. Këtë titull Dinia e zgjodhi për të simbolizuar rrugën e mundimshme të historisë së
Shqipërisë si dhe dallgët e njëpasnjëshme të pushtimeve që kishin pllakosur atdheun e tij. Valët
e detit është e ndarë në dy pjesë. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines, asnjë
nga të cilat nuk është tërheqëse për lexuesin e sotëm, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë e të
udhëheqësve kombëtarë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin
Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto. Ndonjë vjershë atdhetare,
ndonëse disi e fryrë e në traditën e Rilindjes, iu kushtohet albanologëve të shquar si Johan
Georg fon Han, Dora d’Istria dhe Kostandin Kristoforidhi. Pjesa e dytë e veprës i kushtohet
letërsisë folklorike; ndër to gjejmë këngë dashurie, këngë dasme, vaje, vargje humoristike e satirike, ndonjë vjershë fetare e didaktike, përralla dhe mitologji. Në kohën e botimit Valët e
detit ishte libri më i madh në faqe se çdo libër tjetër shqip i botuar deri atëherë.
Shtjefën Konstantin Gjeçov-Kryeziu, zakonisht i njohur me emrin Shtjefën Gjeçovi59
(1874-1929) ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më
sistematike e më shkencore. Ka lindur në fshatin Janjevë në jug të Prishtinës në Kosovë më
12 korrik 1874 (sipas burimesh të tjera, më 3 tetor 1873). Në shkollën e vendlindjes qe nxënësi
më i mirë e me dhunti të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, autoritetet kishtare të Shkupit e
dërguan që të vogël në seminarin françeskan të Troshanit në veri të Lezhës. Më 1888, në
moshën katëmbëdhjetë vjeç, u dërgua për të vazhduar shkollën në institucione arsimore
françeskane në Bosnjë. Më 15 gusht 1892, hyri në seminarin e Fojnicës pranë Sarajevës,
vazhdoi pastaj në Derventa (1893) dhe Banja Luka (1893) në Bosnjën veriore dhe më pas hyri
në seminarin françeskan të Kreshevës, përsëri afër Sarajevës, ku studioi teologji së bashku me
shokun e klasës Pashko Bardhi (1870-1948), i cili më vonë do të bëhej gazetar i njohur dhe
pronar i revistës kulturore të Shkodrës Hylli i Dritës. Gjeçovi i ri u shugurua prift i urdhrit
françeskan më 1896 dhe po atë vit u kthye në Shqipëri. Shërbeu si famullitar në Pejë dhe më
1905-1906 zuri vendin e shokut të tij Pashko Bardhi si mësues i shqipes në fshatin shqipfolës
Arbanasi (ital. Borgo Erizzo), në rrethinat jugore të Zarës (Zadar) në bregun e sipërm dalmat.
Më vonë, Gjeçovi jetoi në një numër vendbanimesh të malësisë së thepisur të Shqipërisë së
veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit (rreth viteve 1899-1905), Gomsiqen, në lindje
të Shkodrës (1907-1915), Thethin në cepin verior (1916-1917), dhe Rubikun në rrethin e
Mirditës (rreth v. 1919-1921). Pikërisht këtu mes fisesh malësore ai filloi të mbledhë material
për letërsinë gojore, kanunin fisnor, arkeologjinë, si edhe objekte të kulturës popullore.
Ndër botimet më të para të Shtjefën Gjeçovit janë dymbëdhjetë vjersha që dolën nën
pseudonimin Lkeni i Hasit në organin me influencë të Faik Konicës Albania më 1901-1902. Ai
është autor edhe i disa krijimeve dhe përkthimeve fetare, të cilat i shkroi dhe i botoi alfabetin e
shkrimtarëve katolikë të shekullit të shtatëmbëdhjetë (Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër
Bogdani). Disa prej tyre tani gjenden rrallë, si Pajtoria e Durzit a se Sc’ Lucia, Shkodër 1902,
1904 (Pajtorja e Durrësit ose Shën Luçia), dy kopje të së cilës gjenden në Bibliotekën
Kombëtare në Tiranë; Atil Rreguli, Shkodër 1912, përkthim shqip i pjesës me tri akte ‘Atilio
Regolo’ të poetit dhe melodramaturgut italian Pietro Metastasio (1698-1782); Shna Ndou i
Padues, Shkodër 1912, përkthim i një vepre të një të quajturi A.N. Dal-Gal; dhe Joana d’Ark,
Shkodër 1915/1916, po kështu përkthimi i një vepre të një të quajturi A. F. nga Bergamo. Ai
gjithashtu la pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar
Quo vadis (1916) të Henrik Shenkieviçit (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916) dhe pjesëve nga
‘Scritti su Parga’ të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo (1778-1827). Përveç kësaj, Gjeçovi na
ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë
pjesë teatrore dhe disa tregime. Nga pjesët teatrore mund të përmendim Mojsi Golemi dhe
tragjikomedia kombëtare Mark Kuli Kryeqitas, të cilat, edhe pse aspak të përpunuara, kanë
vendin e tyre në fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Një numër nga këto vepra ruhen në
Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
Vështruar nga ana stilistike, veprat e Gjeçovit nuk kanë ndonjë nivel artistik fort të lartë,
ndonëse, si rregull, e tregojnë përkatësinë e fortë ndaj gegërishtes dhe njohjen e shkëlqyer të saj
me fjalorin e pasur dhe frazeologjinë shprehëse e të larmishme. Ndërkaq gjuha e tij është
përgjithësisht lakonike dhe e ngjeshur. Kritikët e kanë cilësuar purist në gjuhë, ashtu si Anton
Xanoni (1862-1915) dhe Mati Logoreci (1867-1941). Po ashtu si këta, ai ndiente kënaqësi të
thellë me fjalët e rralla dhe me shprehjet tipike veriore, që kuptoheshin vetëm në këto krahina.
Ndër botimet e tij më me interes është libri 144 faqesh Agimi i gjytetniis, Shkodër 1910, kushtuar Gjergj Fishtës, i cili përmban një përmbledhje artikujsh didaktikë dhe aforizmash për
Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Në këtë monografi të shkruar gegërisht mendimet i enden nga njëri
filozof a shkrimtar i madh tek tjetri dhe në epoka të ndryshme. Artikujt janë të grupuar në
mënyrë disi të përgjithshme sipas kësaj tematike: shoqnija, besimi e atëdheu, atdhedashnija,
dhe giuha. Ai është edhe autor i një numri artikujsh dhe studimesh, të botuara e të pabotuara,
për historinë, etnografinë dhe arkeologjinë e Shqipërisë. Gjeçovi madje ishte arkeolog i flaktë,
sidomos në Gomsiqe e më pas në Zym, një fshat në Has afër Prizrenit. Një dëshmi e entusiazmit
të tij për gërmime, për të zbuluar lashtësinë e Shqipërisë, mund të gjendet në Trashigime
thrako-ilirjane, një seri artikujsh studimorë të botuar në Hylli i Dritës më 1924. Në një studim
tjetër, Nji argtim arheologjik, i cili doli në revistën françeskane Zâni i Shna Ndout në korrik
1920, ai na thotë: “Arheologjia asht nji argtim aq i kandshëm, sa s’kallxohet me gojë, e sa asht
i kandshëm, aq e ma asht i vlefshëm… Shifni, pra, se gadi kurrnji ndryshim s’ka ndërmjet
arheologut e letrarit, qëllimi i njanit e i tjetrit ka nji qandërr e asht e mira e vendit e të qitunit
në dritë të visarit kombtar”.
Shtjefën Gjeçovi si studiues i kulturës shqiptare nuk la gjurmë vetëm në fushën e
arkeologjisë. Ai përmendet kryesisht për kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës
zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933, i cili së pari u botua pjesë-pjesë
në Albania të Faik Konicës më 1898 dhe 1899, e pastaj më gjerë në revistën e Shkodrës Hylli
i Dritës nga 1913 deri 1924. Kanuni i Lekë Dukagjinit është unikal si shkrim e përmbledhje e
ligjit të pashkruar të fiseve malësore të Shqipërisë së veriut. Ky kanun ishte ai që drejtonte dhe
rregullonte sjelljen në shoqëri, madje çdo anë të jetës në trevat e veçuara e të thella të malësisë
së veriut. Ai respektohej me rreptësi nga fiset dhe kishte përparësi mbi çdo legjislacion tjetër,
qoftë ekleziastik apo laik, që orvatej të zinte vend në malësi. Me anën e këtij kodi ligjor të
lashtë fiset malësore qenë në gjendje të ruajnë identitetin e tyre, autonominë e tyre, edhe pse për
pesë shekuj me radhë qenë zyrtarisht pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Vëzhguesit të
sotëm mund t’i duken barbare disa aspekte të Kanunit si përcaktimi i gjakmarrjes si mjet i
kërkimit të drejtësisë dhe statusi tepër inferior i gruas, së cilës i mohoheshin jo vetëm të drejtat
e privilegjet e burrit, por edhe të gjitha detyrat e tij. Kanuni thotë shprehimisht: “grueja âsht
shakull për me bajtë”. Megjithatë, këto tipare vetvetiu pasqyrojnë realitetin social të fiseve
patriarkale që aq shumë i nënshtroheshin gjakmarrjes. Gjakmarrja, ndonëse shumë e pakësuar
në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, prapëseprapë ka mbetur një tipar i shoqërisë shqiptare
në veri, sidomos në Kosovë, ku realisht mijëra familje kanë rënë në grackën e riteve të gjakut
dhe kanë mbetur të ngujuara edhe sot e kësaj dite. Një fushatë kundër gjakmarrjes më 1990, e
drejtuar nga një komitet intelektualësh të shquar shqiptarë të Kosovës dhe në veçanti nga
etnografi Anton Çetta (1920-1995), shpuri në pajtimin e mbi nëntëqind gjaqeve nëpërmjet
skenash emocionuese dramatike të tubimeve të mëdha. Një nocion i kanunit fisnor, që ende
shihet me një farë adhurimi apo të paktën mrekullimi, është ai i besës, mbajtja absolute e fjalës
së dhënë, çfarëdo që të ndodhë. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka qenë objekt që ka tërhequr mjaft
historianë, specialistë të drejtësisë dhe etnografë, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë por edhe më
gjerë. Kanuni është përkthyer italisht nga Pal Dodaj (Romë 1941) dhe anglisht nga Leonard
Foks (Leonard Fox) (Nju Jork 1989).
Më 1926 atë Shtjefën Gjeçovi u transferua në famullinë e Zymit, një nga fshatrat
katolike në krahinën e Hasit midis Prizrenit dhe Gjakovës në Kosovë. Atje, me famën që
gëzonte si luftëtar kombëtar shqiptar i vendosur dhe si studiues i interesuar në zbulimin dhe
nxjerrjen në dritë të lashtësisë së popullit të vet, ai ndezi urrejtjen e popullsisë serbe vendëse e
të autoriteteve serbe. U vra afër Zymit më 14 tetor 1929, rrugës kur po kthehej në shtëpi nga
Prizreni. Vrasja e Shtjefën Gjeçovit ishte një humbje për etnografinë dhe arkeologjinë shqiptare
dhe shkaktoi një tronditje të madhe në popull anembanë vendit. Në Tiranë Parlamenti e
përkujtoi vdekjen e tij me një radhë ligjërimesh prekëse më 11 nëntor të atij viti. Varri i Shtjefën Gjeçovit në Karashëngjergj afër Prizrenit ka mbetur një vend pelegrinazhi për
shqiptarët e të gjitha besimeve edhe sot e kësaj dite me gjithë mospëlqimin dhe zemërimin e
autoriteteve serbe, që ende përpiqen ta mbajnë Kosovën në zotërim të tyre me çdo çmim.

__________
54 Për jetën dhe veprën e Johan Georg fon Hanit, kr. Grimm 1964.
55 kr. Kastrati 1955, 1987b dhe Jubani 1966.
56 kr. Haxhihasani 1962, Qosja 1982, vëll. 2, f. 235-264, Shuteriqi 1979a, f. 201-218, dhe Mitko 1981.
57 kr. Gangale 1973, f. 19 (II 13), f. 44 (III 1, III 2, III 19).
58 kr. Mann 1955, f. 47-48, Faensen 1980, f. 95, dhe për gjuhën e tij Hidi 1987.
59 kr. Ajeti 1951, Mata 1982, Gjeçovi 1985, dhe Malaj 1990, f. 34-35.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]