10.4 Gjergj Fishta, zëri i kombit
Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të
shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta100 (1871-1940), i cili më shumë se cilido
shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar
e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si ‘poet kombëtar i Shqipërisë’ dhe ‘Homeri
shqiptar’, Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor
1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet
me radhë. Kush ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin ‘poet kombëtar’edhe gjysmë
shekulli më vonë?
Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga
misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane
në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga
misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij çuni të zgjuar dashurinë për letërsinë
dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga
françeskanët në Bosnjë për t’u bërë prift, si dhe shumë djem të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe
institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo, djaloshi Gjergj studioi teologji, filozofi
dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për
karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin
boshnjak Gërga Martiq (Grga Martiƒ, 1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir
Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranj…eviƒ, 1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar e me të
cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhrin françeskan. Me
t’u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në
Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 ai bashkëpunoi me Preng Doçin
(1846-1917), abati me influencë i Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-
1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare
Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit të
shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në
gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 19081, ende fjalori më i mirë i dialektit
gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipërinë
e veriut e sidomos në Shkodër.
Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku
përmendet sidomos se zëvendësoi italishten me shqipen për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo
masë ndikoi për t’i dhënë fund mbisundimit kulturor italian në katolikët e Shqipërisë së veriut
dhe u ushqeu të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla një ndjenjë identiteti kombëtar.
Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare
Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga
Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe, problem ky i studiuar hollësisht nga Fishta. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga
kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin
më të mirë të alfabeteve të propozuara. Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën
të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i
cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin
pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë
vendit të bëhej më e volitshme.
Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi
të nxjerrë të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës,
folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe viteve
menjëherë pas saj, 1915-1920 si dhe të viteve të hershme të diktaturës së Ahmet Zogut, 1925-
1929, kjo revistë me influencë e me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944 dhe
ndihmoi për zhvillimin e kulturës gege të veriut ashtu si revista Albania e Faik Konicës në
Bruksel kishte ndihmuar për kulturën toske të jugut. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918
Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e
subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat
pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Po më 1916,
së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin
(1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austrohungarezëve
me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për
të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur
botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi me të
drejtë që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare.
Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i
Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do
të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si
udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim e të
drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) nga
viti 1921, i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe
një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.
Në gusht 1919 Gjergj Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori
pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit,
imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej
në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi
Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin
shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti
mjaft në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në
konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej
nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga
viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë.
Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të
Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, kishën dhe kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta ulej në hije
dhe merrej me poezinë e vet. Si poet kombëtar i brezit të tij, Gjergj Fishta është nderuar me
diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austrohungarez
më 1911, është dekoruar nga papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është
dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus
honoris causae nga urdhëri françeskan, dhe është bërë antar i rregullt i Akademisë Italiane të
Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më
mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me Lahuta e malcís, Shkodër 1937. Ajo
është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e
pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo
kryevepër letrare ishte shkruar në fillim midis viteve 1902 e 1909, pastaj u ripunua nga autori
gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë
botërore.
Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht
famullitarin vendor. Atje u njoh e u miqësua me fshatarin e moshuar Marash Uci (vd. 1914) nga
Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Në mbrëmjet që i kalonin së bashku Marash
Uci i rrëfente priftit djalosh për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në
veçanti për betejën e famshme në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë.
Pjesët e para të Lahuta e malcís, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zadar më 1905 e
1907, e u ribotuan më pas të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i
veprës në tridhjetë këngë u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të
shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë suksesin e Lahuta e malcís dhe personalitetit të
shquar të autorit, kjo vepër dhe të tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore
kur komunistët erdhën në pushtet. Megjithatë, kjo poemë epike, e ribotuar në Romë më 1958,
në Lubjanë më 1990 dhe në Romë më 1991, gjendet edhe në përkthime në gjermanisht dhe
italisht2.
Në përmasat e veta historike, Lahuta e malcís nis me përleshjet kufitare midis fiseve të
Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25)
u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka
kufitare shqiptare Malit të Zi dhe shpuri në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur
interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhonturqve, i cili në
fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie, si dhe luftërat
ballkanike të viteve 1912 e 1913, që shpunë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarjet e
kësaj poeme epike mund të përmblidhen si vijon:
Kënga I – Cubat
Më 1858, me gjithë pesë shekujt e gjatë nën zgjedhën turke, shqiptarëve nuk u ishte
shuar dëshira dhe vullneti për të fituar lirinë. Cari i Rusisë, për të shtrirë ndikimin në
Ballkan, i shkruan një letër mikut të vet, princit Nikolla të Malit të Zi. Në këtë letër ai
i premton atij ndihmë dhe i kërkon që të përvetësojë një copë të Shqipërisë së veriut
duke mos i lënë turqit të qetë. Letra, duke kaluar male e lugina në duart e të dërguarit
personal të Carit, mbërrin në oborrin e Cetinës dhe mirëpritet nga sundimtari malazez,
i cili e bind trimin Vulo Radoviq, serdar i Vasoviqit, të gatisë banditët e tij për të
shkretuar Vraninën në liqenin e Shkodrës.
Kënga II – Oso Kuka
Vulo Radoviqi e merr Vraninën pa qëndresë. A do të zbresin malësorët nga malet për të
dëbuar banditët malazezë? Avdi Pasha në Shkodër ankohet se në Shqipëri nuk kanë
mbetur burra të vërtetë, se ajo është bërë vend vashash. Djaloshit Oso Kuka i hipën
gjaku në kokë kur dëgjon një fyerje të tillë dhe i kundërvihet duke i thënë se shqiptarët
e kanë mbrojtur vendin e tyre kurdoherë me trimëri pa u kursyer para asnjë sakrifice. Në
krye të javës, vetë Oso Kuka organizon një grup prej dyzet luftëtarësh të zgjedhur, që përmenden të gjithë në poezi në mënyrë homerike, dhe niset për në Vraninë.
Kënga III – Preja
Në një kullotë pranë Vraninës, Vulo Radoviqi vret bariun shqiptar Avdi Hisa dhe ia
merr tufën si pre. E motra e Avdiut, Turkina, e vajton të vëllanë sipas traditës malësore.
Kur dëgjon vajin e saj, Oso Kuka thërret luftëtarët e tij për të marrë hak. Ata vihen në
ndjekje dhe i arrijnë vjedhësit e tufës mu në breg të Moraçës, ku pas një beteje të ashpër
ua rimarrin tufën. Sllavët humbin dy burra, kurse shqiptarët përgatiten për t’u tërhequr,
të kënaqur se ia morën gjakun Avdiut dyfish. Rrugës në të kthyer Oso Kuka sheh se i
mungon njëri prej luftëtarëve, Kerrni Gila nga Zagorja. Kthehet dhe e sheh Kerrni Gilën
të mbërthyer në një dyluftim për jetë a vdekje me luftëtarin malazez Jovan, të cilin poeti
e karakterizon me përmasa vërtet epike. Oso Kuka i ndan nga njëri tjetri dhe ia fal jetën
Jovanit, duke i thënë të shkojë në shtëpi “e thuej nânës e nuses s’ ré se per s’ dytit sod ké
lé.”
Kënga IV – Vranina
Figura e Oso Kukës përshkruhet me imtësi. Ai është hero me fuqi të mbinatyrshme, të
cilit i trembet princ Nikolla. Princi mbledh komandantët e ushtrisë së tij dhe u paraqet
planet që kishte bërë. Dyqind luftëtarë do të dërgohen në ishullin e Vraninës në liqenin
e Shkodrës. Këshilltari i tij Mirko Kapidani e këshillon të mbjellë farën e përçarjes mes
shqiptarëve si mjet për t’i mundur. Poeti u bën thirrje zanave të njoftojnë Oso Kukën për
këtë mësymje që po përgatitet.
Kënga V – Deka
Oso Kuka ka parë një ëndërr. Duke ngrënë bashkë me burrat, ai pyet Soko Tonën, që
ishte i zoti për të parathënë të ardhmen. Nga blana në shpatullën e një bishe të vrarë,
Soko Tona sheh varre, tym dhe gjak. Kaçel Doda merr lahutën dhe këndon këngën e
famshme të Gjergj Elez Alisë dhe Harapit të zi. Oso Kukës i hyn meraku dhe dërgon
roje në va. Por, në mes të rojeve është edhe një tradhtar, Zeliq Gjuka, i cili u rrëfen
udhën malazezëve nëpër një va natën. Në betejën më pas luftëtarët shqiptarë munden.
Tridhjetë të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Ndër ata që shpëtojnë është Oso Kuka, i cili
me burrat që i kishin mbetur gjeti strehë në një xhebehâne, depo baruti e fortifikuar.
Malazezët mësyjnë, kurse Oso Kuka, për të mos iu dorëzuar armikut, hedh në erë
kullën, duke u vrarë vetë, shokët e tij të plagosur dhe mësymësit. Ndërkohë që poeti i
jep bekimin Oso Kukës, flamuri malazez ngrihet mbi Vraninë.
Kënga VI – Dervish Pasha
Njëzet vjet më pas një lajmëtar shqiptar ndalet te porta e Sulltanit në Stamboll dhe
rrëfen për vuajtjet e gjata të Shqipërisë nën sundimin e Malit të Zi. Sulltani vendos të
dërgojë një ushtri prej pesëdhjetë batalionesh nën komandën e Dervish Pashës për të
sprapsur malazezët. Poeti u bën një thirrje kushtrimtare bashkëvendësve për t’u ngritur
për liri, kurse turqit korrin fitore. Në tri mësymje, pushtohen Podgorica, Kernica, liqeni
i Shkodrës dhe kryeqyteti Cetinë. Princ Nikolla tërhiqet maleve. Por Kongresi i Berlinit
do të vendosë ndryshe. Poeti konkludon:
“Vall, a hîn Pasha n’Cetinë?..
Nuk e diej a hîn n’Cetinë;
Por n’Cetinë e diej se s’rrin;
Diç po vlon atje n’Berlin.”3
Kënga VII – Kuvendi i Berlinit:
Poeti pyet muzën e tij, zanën, se ç’është ai gjëmim që vjen nga larg. Ka shpërthyer lufta
ruso-turke. Krerët e shteteve të Evropës, të personifikuar në shtatë krajlat e letërsisë
gojore shqiptare, janë mbledhur në Berlin për të vendosur për fatin e popujve të
Ballkanit. Të gjithë kanë mbrojtësit e tyre, përveç shqiptarëve. Princ Nikolla i Malit të
Zi del para kongresit i reckosur dhe kërkon ndihmë. Atij i jepen tokat me popullsi shqipfolëse
të Plavës, Gucisë, Shkodrës dhe Alpeve të Shqipërisë së veriut deri poshtë në
lumin Drin. Poeti mallkon të gjithë ata që nënshkruajnë dhënien e këtyre territoreve dhe
parathotë fatkeqësi për pushtuesit malazezë. Princi i ngazëlluar kthehet në Cetinë dhe
urdhëron Pal Milanin të marshojë mbi Shqipëri me pesë batalione. Milani shpreh droje,
por princi përgjigjet duke u tallur me të.
Kënga VIII – Ali Pasha i Gucís:
Ali pashë Gucia niset më të aguar, duke i lënë lamtumirën nënës dhe së shoqes. Rrugës
nëpër male, ulet nën një lis për të pushuar dhe takon aty orën. Ajo i qorton shqiptarët
për mungesë patriotizmi dhe i thotë Aliut të mos harrojë se ç’i ka dhënë vendi i tij: hije,
ujë gurrash, livadhe pranverore. Ai betohet mbi gurin e varrit se nuk do ta kursejë as
veten e as të birin për të mirën e Shqipërisë. Me një bisk rozmarine, ora i fal atij fuqi
magjike për të shkulur pemë e për t’i mbjellë prapë.
Kënga IX – Lidhja e Prizrendit:
Ndërkohë që dielli ngrihet mbi majën e Cukalit, zanat dhe orët janë mbledhur për t’u
këshilluar për ngjarjet e Prizrenit, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Olimpit
bisedonin për rrjedhat e Luftës Trojane. Vendin e nderit nuk e ka zënë Agamemnoni,
por Ali pashë Gucia. Nga bjeshkët ato vrojtojnë ngjarjet dhe numërojnë pjesëmarrësit e
Lidhjes të mbledhur në Prizren më 1878. Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë shqiptarë
i drejtohen Lidhjes me fjalë të zjarrta dhe marrin vendim t’i shkruajnë letër Kongresit të
Berlinit për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve sllave në dëm të tokave të tyre.
“Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,
Eja e t’kndojm, oj Zâna e malit,
Eja e t’kndojm më Lahutë t’Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në Prizrend na janë bashkue,
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m’e pshtue
Prej çapojve t’Malit t’Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî n’Plavë, me hî n’Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér kû dán vendi me Drî;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhânka Knjaz Nikollës
Me ndezë zjarm aj m’votra t’ona,
Me ngá qét aj n’ara t’ona,
Me bâ drû n’zabele t’ona,
E me grá e me vasha t’ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né,
Thue se s’ká Shqyptarë mbí dhé.”4
Kënga X – Mehmet Ali Pasha
Telegramet sjellin lajmin se Sulltani ka caktuar një pasha tjetër. Në Gjakovë, krerët e
malësisë shqiptare mblidhen në shtëpinë e Abdullah Drenit për të takuar të dërguarin e
ri. Mehmet Ali pasha i përshëndet krerët me ngrohtësi dhe shtrëngohet të rrëfejë se
Sulltani ka vendosur t’i lëshojë pe princ Nikollës. Shqiptarët revoltohen kurse Mehmet
Ali pasha i zë e i burgos. Miqtë dhe të afërmit e pengjeve i kërkojnë Abdulla Drenit t’ua
dorëzojë pashën. Sipas kanunit të rreptë të mikpritjes shqiptare, Abdulla Dreni natyrisht
nuk mund t’u dorëzojë mikun, kështuqë shtëpinë e marrin me sulm. Pasha dhe një numër
nga paria e shqiptarëve vriten. Poeti ankohet se, edhe kësaj radhe, shqiptarët luftojnë me
njëri tjetrin për shkak të turqve. Krerët shqiptarë i dërgojnë Sulltanit një letër që t’u
sjellë një pashë tjetër. Ata janë betuar të mos pranojnë kurrë të jetojnë nën sundimin e
princ Nikollës të Malit të Zi.
Kënga XI – Lugati:
Princ Nikolla po kalon një mbrëmje të qetë në sarajet në Cetinë me të shoqen, Milenën,
duke u mburrur për heroizmin e tij në të kaluarën e për bëmat e mëdha që e prisnin.
Milena i thotë të mos e marrë me aq vrull. Ajo i jep verë, duhan dhe gështenja të pjekura
para se të bien për të fjetur. Gjen çastin dhe i thotë se fëmijët kishin frikë të binin në
shtrat ngaqë u kishte dalë lugati një natë më parë. Princ Nikolla e quan besimin në
lugetër e fantazma gjepur kalamajsh. Pas gotës së fundit të verës dhe llullës së fundit me
duhan, princi bie për të fjetur. Natën i del një lugat. Është hija e Mehmet Ali pashës së
vrarë, që i rrëfen për vdekjen e tij në duart e shqiptarëve dhe që e këshillon të marrë në
dorë malësinë e tyre. Hija zhduket, siç na thotë poeti: “tue lânë mbrapa nji qelbsinë qi
dér vonë u ndie n’ Cetinë.” Princi hidhet nga shtrati, thërret gjeneralin e tij Mark Milanin
dhe e urdhëron të prijë forcat malazeze drejt Shqipërisë.
Kënga XII – Marash Uci
Kjo këngë qe e para nga Lahuta e malcís që u botua, dhe përmban mjaft vargje të
spikatur. Ajo sillet rreth figurës së Marash Ucit, dikur luftëtar trim i Sulltanit, kurse tani
një bari i moshuar, i urtë e plot përvojë. Kënga fillon kështu:
“Te nji mriz, te nji lejthí
Kishin ndollun tre barí,
Dy me dhên e nji me dhí,
Njâni plak e dy të rí:
Marash Uci e t’bijt e Calit,
Dy djelm t’letë si shpezt e malit.”5
Lart në bjeshkë, Marash Uci këshillon barinjtë e rinj të ruajnë traditat burrërore të kulturës së tyre fisnore dhe gjithmonë të mbajnë besën. Pastaj ai kalon nga mali në mal
e shkon te Çun Mula, bajraktari i Hotit, dhe i bën thirrje të mbledhë krerët në kishën e
Shën Gjonit në Brigje.
Kënga XIII – Te kisha e Shnjonit:
Krerët e bajrakut të Hotit janë mbledhur në kishën e Shën Gjonit. Çun Mula e hap
kuvendin dhe aty Marash Uci mban një fjalë të gjatë e prekëse për marrëdhëniet e
vështira të Shqipërisë me turqit, për autonominë fisnore e për Kanunin e lashtë të Lekë
Dukagjinit. Tani punët kanë ndryshuar, shton ai. Evropa, kurva e motit, i ka tradhtuar
shqiptarët, që kur Kongresi i Berlinit i dha princit të Malit të Zi tokat e Hotit, Grudës,
Plavës dhe Gucisë.
“Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá token e Shqypnís
Per me mbajtë klysht e Rusís?”6
Krerët e fisit vendosin të shkojnë në luftë për të mbrojtur malësinë, me Çun Mulën
komandant. Të gjithë burrat e bajrakut, të rinj e pleq, rrëmbejnë armët, duke lënë
shtëpitë, arat dhe bagëtinë nën kujdesin e grave.
Kënga XIV – Te ura e Rrzhanicës:
Riza Pasha, komandanti turk i kalasë në Shkodër, hedh vështrimin nga veriu dhe sheh se
mjegulla ka mbuluar liqenin. Nuk është mjegull, i thotë myftiu, por tymi i barotit në
përleshjet e përgjakshme midis forcave malazeze nën komandën e Mark Milanit dhe
malësorëve të Grudës e të Hotit. Poeti thërret zanat për të marrë vesh numrin e trupave
sllave, të cilat pastaj radhiten në një mënyrë homerike. Dymijë e shtatëqind trupa
malazeze ngjishen në Urën e Rrzhanicës përballë njëzet malësorëve dhe njëzet
pushkëve, e ndër ta janë Halil Haka e Palokë Gjoka. Beteja që pason përshkruhet në të
gjitha imtësitë e veta heroike, derisa sllavët munden dhe Mark Milani detyrohet t’ia
mbathë me të katra.
Kënga XV – Kasneci:
Një sorrë ogurzezë ulet e zë vend në pullaz të pallatit në Cetinë ndërkohë që arrin
lajmëtari me lajmin se ushtria malazeze është mundur dhe malësorët kanë ndërmend të
hyjnë në Mal të Zi.
Kënga XVI – Kulshedra:
Kënga XVI përbën një interlud pas lufte me një analogji mitologjike për betejën. Në
kohë stuhie, nje kulshedër e tërbuar shtatë-krerëshe ka ikur nga një shpellë në Shalë për
të marrë hak mbi një drangue, Vocërr Bala. Drangojt, që personifikojnë heronjtë e
malësisë, mblidhen për t’i bërë ballë e për të mundur përbindëshin gjigant. Pasi korrin
fitore, drangojt marrin pjesë në një drekë me grurë, bukë, mish dreri dhe mjaltë, të ftuar
nga orët e Shalës që e kanë soditur betejën nga një shkëmb aty pranë. Pas buke orët ia
nisin valles dhe këndojnë këngën e vashës Eufrozinë nga Janina, e cila zgjodhi vdekjen
e nuk iu dorëzua tiranit Ali pashë Tepelena:
“Varza ká e varza s’ká,
Por, si ká nji vajzë n’Janinë,
Kurkund shoqen s’i a ké pá,
Kah bje diell e serotinë:
Synin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija,
Eufrozinë e quejti nâna,
Augur t’mirë m’e pasë Shqypnija.
Atê e páka aj Alì Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m’e kerkue.
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të ká lypun.
T’u thafët goja! shka po thue?
I a kthen vasha fjalen marë;
Se un nji vajz-o kam qillue:
S’diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali Pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m’a pré,
Si i ká pré kushdi sá krena;
Gjallë por s’lshoj un erz as fé.
Asht mushë Pasha me mëní,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigio harap i zí,
Se dy herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n’fund t’liqênit
T’a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit?
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m’liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N’mes të liqênit si kan dalë,
Atí trapi vend ká zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk ká tjeter, tash, lum vasha:
E s’jam nieri fjalës qi i luej:
A me shkue sande te Pasha:
A shî ktû me t’mytë ty n’ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshë,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t’shkoj nji herë me u veshë,
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t’birit t’qênit,
Mêrr e hidhet n’ujë prej trapit,
Edhè zhduket n’fund t’liqênit.
Doli fjala neper dhé:
Njekso varzash ká n’Shqypní,
Qi per erz edhè per fé
T’rijt e jeten i bâjn flí.”7
Kënga XVII – Në Qafë-Hardhi:
Pas betejës në këngën XVI, orët dhe drangojt kanë ikur në shtëpi të vet. Mbeten vetëm
dy drangoj, Rrustem Uka dhe Xhem Sadrija, që do të përgatiten për dasmën. Ata
fluturojnë e ngjiten në Qafë-Hardhi. Aty bëjnë një pushim, duke pirë duhan e duke
pastruar armët. Mark Milani është kthyer me tetë batalione të reja, i vendosur të
pushtojë Plavën e Gucinë. Dy drangojt shqiptarë shtrëngohen të mbrojnë qafën nga
treqind trupa malazeze. Ata zihen ngushtë, por u vijnë në ndihmë barinj të ndodhur
andej afër, dhe fitojnë betejën. Mark Milani vendos t’i tërheqë trupat për një betejë tjetër
në Sutjeskë. Zanat, të cilat përsëri e kanë soditur betejën nga një majë aty afër, zënë
vend tani në një majë shkëmbi që sheh nga Sutjeska dhe rrinë në pritje.
Kënga XVIII – Te Ura e Sutjeskës:
Trupat e Mark Milanit mblidhen te Ura e Sutjeskës për të marrë Gucinë, por Ali pashë
Gucia u ka zënë pritë me dymijë ushtarë shqiptarë. E gjithë kënga i kushtohet betejës së
egër, përshkrimit të luftëtarëve të veçantë dhe bëmave të tmerrshme në një përleshje për
jetë a për vdekje. Vjen pastaj një interlud me vajin prekës të një zogu të zi për vdekjen
e Smajl Arifit. Por është edhe nëna e Cen Brahimit për t’u vajtuar, sepse i biri e ka
turpëruar veten duke mos i marrë hakun probatinit të tij Sadri Çuni të vrarë në betejë.
Kokën e Sadriut e kanë vënë majë një huri dhe e kalojnë para shqiptarëve për t’u tallur:
“Do me t’thashë, me giasë, or Pashë,
Se t’bân êmer Mark Milani,
Mark Milani Kapidani,
Me i a ndreqë cilen n’Xhamí,
Dreken n’Plavë, darken n’Gusí.”8
Kënga XIX – Pater Gjoni:
Duke bërë një mallkim të zjarrtë patriotik, Pater Gjoni i Kelmendit dënon bëmat e
poshtra të sllavëve, që për pesëqind vjet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë munduar
shqiptarët dhe u kanë marrë tokat. Por malësorët janë kockë e fortë dhe kanë mbijetuar.
Po të mos ishte prift, ai vetë do të kishte rrëmbyer armët e do të dilte në mbrojtje të
maleve të atdheut. Sa të ketë ujë lumi i Drinit, sllavët nuk kanë për të shkelur në tokën
shqiptare. Kur fillon të derdhet gjaku, Lulash Ndreu këndon një këngë patriotike, Patër
Gjoni niset për në Sutjeskë me burrat e Kelmendit prapa.
Kënga XX – Lekët:
Skena edhe më të përgjakshme beteje në Urën e Sutjeskës. Luftëtarët shqiptarë të
malësisë si dhe kundërshtarët e tyre sllavë po aq të vendosur përshkruhen një nga një, si luftëtarët e Agamemnonit dhe Priamit nën muret e Trojës së lashtë. I ngjashëm me
episodin e Glaukut dhe Diomedit te Iliada është takimi i probatinëve të vjetër, sllavit
Mil Spasi dhe shqiptarit Bec Patani. Në përleshje e sipër, të dy e njohin njëri tjetrin,
këmbejnë fjalë përshëndetjeje dhe mbështetin kokat në supet e njëri tjetrit, siç e do
zakoni. Në interlud rrëfehet si kishte lindur miqësia e tyre. Kur Rrustem Uka mbërrin
me përforcime nga Gucia, Bec Patani e shpëton probatinin e tij. Mbi atë kasaphanë bie
nata.
Kënga XXI – Ndërmjetsija:
Pas një përshkrimi të gjatë të skenave të betejës të mbushur plot me gjak, gjymtyrë dhe
koka të prera, shfaqet Patër Gjoni i këngës XIX. Ai i kërkon pashait t’i japë leje të
shkojë te Mark Milani për një armëpushim, për të varrosur të vrarët. Pashai pranon. I
shoqëruar nga një gjakon, Patër Gjoni niset për në kampin e komandantit malazez. Atje
e presin me nderime. Pason një dialog midis patriotit Patër Gjoni dhe Mark Milanit, që
tregohet fisnik, dhe armëpushimi vendoset. Por disa luftëtarë nuk duan t’ia dinë dhe
mezi ç’presin të luftojnë. Me njëzet shokë besnikë me vete, Bec Patani mësyn në një tufë
dhensh në Mal të Zi. Hyjnë në një vathë natën dhe e rrëmbejnë tufën. Skena të kujton
Iliadën, plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan. Rrugës në kthim ata
marrin vesh se Mark Milani kishte ndërmend t’i mësynte përsëri sapo të mbaronte
armëpushimi, kësaj radhe në Nokshiq. Nxitojnë që t’ia japin këtë lajm Ali pashës.
Kënga XXII – Tringa:
Veprimi ndodh në Nokshiq (pa dyshim Novshiqi i sotëm) në luginën e Limit të sipërm
në juglindje të Malit të Zi. Për t’i shpëtuar kërdisë, të gjithë banorët janë larguar, madje
edhe kafshët e egra. Mbetet në shtëpi vetëm vajza trime shqiptare Tringa, për t’u
kujdesur për të vëllanë Curr Ula që po vdes. Përkushtimi dhe vetmohimi i motrës së
ndershme e sypatrembur, figurë e marrë nga letërsia gojore shqiptare, jepet nga poeti me
imtësi të holla. Curr Ula vdes dhe i bie Tringës ta varrosë në tokën e vet, megjithëse pas
pak do të shpërthejnë luftimet. Një luftëtar sllav që kalon aty, Gjur Kokoti, e kallëzon
dhe kërkon ta marrë “si ré nanës t’m’i ndihmojë n’shpi”, por Tringa nuk do t’ia dijë. Ajo
rrëmben pushkën dhe e qëllon në krahëror, duke marrë edhe vetë një plumb në kokë nga
shoku i Gjur Kokotit, Vasil Ndreka. Kënga mbyllet:
“Edhè dielli dheut i rá,
Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’rá”9
Kënga XXIII – Ke tbanat e Curr Ulës:
Luftëtari shqiptar Gjetë Gega nga Shllaku mbërrin në vend dhe merr hak për Tringën
duke vrarë Vasil Ndrekën. Më tej Gjetë Gegën e sulmon sllavi Millosh Pera në një duel,
që poeti e krahason me një përleshje për jetë a vdekje midis një luani e një tigri. Në
përleshje e sipër Millosh Pera pengohet te kufoma e Vasil Ndrekës dhe vritet nga Gjetë
Gega, i cili i pret kokën Vasilit dhe e flak në oborr pranë trupit pa jetë të Tringës. Më tej
në këtë këngë përshkruhen duele të tjera, ku trimat shqiptarë e malazezë përqeshin e
shpotitin njëri tjetrin në një mënyrë epike.
Kënga XXIV – Zana e Vizitorit:
Zana e Madhe kundron betejën e përgjakshme nga më e larta pikë e malit Vizitor mbi Plavë, ashtu si Zeusi sodiste Luftën e Trojës nga maja e lartë e malit Ida. E zemëruar në
kulm kur sheh Tringën e virtytshme, e cila që fëmijë kishte qenë nën mbrojtjen e zanave
të malit, ajo zbret për t’ia marrë trupin e për ta sjellë në rudinat e malit Vizitor. Trupin
e saj e lajnë me ceremoni, e ndërrojnë dhe e varrosin rrëzë një bliri, ndërsa Zana e
Madhe e vajton. Tringës i duhet marrë haku. Ky është vullneti i Zanës së Madhe që
ngrihet mbi malësi dhe u lëshon burrave kushtrimin për të shpejtuar për në fushëbetejën
e Nokshiqit. Retë e luftës mblidhen në horizont ndërsa fiset e Shalës, Shoshit, Shllakut,
Temalit, Merturit, Gjâjit dhe Dushmanit përgatiten për betejë.
Kënga XXV – Gjaku i marrun:
Kjo këngë, më e gjata nga të gjitha, me 1184 vargje, i kushtohet përsëri ashpërsisë së
betejës, të cilën poeti shpirtbutë françeskan e përshkruan me kënaqësi. Nga vendi ku
është ulur në majën e lartë të Durmitorit, ora e Malit të Zi dëgjon kushtrimin therës të
Zanës së Madhe të Vizitorit dhe niset për të lajmëruar Mark Milanin, duke vajtuar:
“Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá
Janë lá n’gjak, q’se fati i zí
Flakë e agzot vûni per brî,
Vû per brî Shqypní e Mal t’Zí!”10
Ora i del Mark Milanit me fytyrën e poetit epik malazez Petar Njegosh për t’i njoftuar
se shqiptarët po bëhen gati të zbresin në Nokshiq e ta tërheqin për të hyrë në betejë.
Mark Milani trim i hyn orvatjes së fundit të pasuksesshme për të pushtuar malësinë
shqiptare. Ai u bën thirrje luftëtarëve të vet të hidhen në sulm, duke u premtuar “cilen
n’Plavë, dreken n’Gusí, zamren n’Hot e darkën n’Shkodër.” Beteja ndizet e përgjakshme
dhe përshkruhet edhe një herë me gjithë vrullin e heroizmit e batërdinë e saj. Zanat e
maleve, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, ndërhyjnë për të
mbrojtur luftëtarët e dashur e për t’i dërguar të tjerët në atë botë. Mark Milani e kupton
se malazezët janë të rrethuar dhe kërkon nën një rrebesh shiu Mirko Kapidanin, për t’i
thënë që të tërhiqet. Mirkoja është kapur rob nga shqiptarët në një urë mbi Lim. Këtu
ora malazeze dhe zana shqiptare, të mbështetura nga dy shtriga mbi kurriz breshke, zënë
e përleshen vetë. Ora mundet, e lodhur në pemën e blirit mbi varrin e Tringës, ku e
rrahin gjarpërinjtë. Hakmarrja është kryer. Zana e Madhe këndon:
“A t’kam thânë, ‘or’ Knjaz Nikolla,
Se un, dér sande pa marrë dielli,
Tringen do t’a kish’ pague:
Treqind krena un tue t’i pré,
Treqind rob un tue t’i zanun,
Trí mij çika e nuse t’reja
Para kohës tue t’i lânë veja.”11
Kënga XXVI – Koha e re:
Pas skenash të gjata me beteja, kënga XXVI bën kontrast me karakterin idilik të skenave
të saj. Këtu hyn vetë poeti. Ai po e kalon pranverën në Lezhë për të përfunduar Lahuta e Malcís, dhe fton për vizitë zanën, muzën e tij. Bukuritë e Lissusit të lashtë në ato ditë
pranvere e frymëzojnë poetin të rikujtojë historinë e krahinës: ndërtimin e kështjellës së
Lezhës me muret e saj ciklopike, jetën e mbretërve legjendarë të Ilirisë, varrin e
Skënderbeut, legjendat dhe mitologjinë. Tani, pas pesë shekujsh sundimi turk, po agon
një kohë e re, ajo e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë.
Kënga XXVII – Xhemjeti (Komiteti):
Ka ardhur shekulli i njëzetë. Në brigjet e Bosforit, gjatë revoltes së xhonturqve më
1908, mblidhet një pseudokomitet pashallarësh turq për të vendosur për fatin e
Shqipërisë. Liberalizmit të Sinan Pashës i kundërvihen Xhavit dhe Turgut Pasha, për të
cilët në Perandori ka vetëm një kombësi, ajo turke, dhe që kërkojnë të përdoret forca për
të mposhtur kryengritësit shqiptarë.
Kënga XXVIII – Dedë Gjo’ Luli:
Fryma e qëndresës ndaj malazezëve vazhdon të gjallojë në Shqipërinë moderne në
figurën e Dedë Gjo’ Lulit, kryeluftëtar i çështjes kundër turqve. Jemi në vitin 1911, një
vit para luftërave ballkanike, kur turqit nisën orvatjen e tyre të fundit për t’i nënshtruar
malësorët shqiptarë nën sundimin osman. Me Dedë Gjo’ Lulin dhe çetën e tij prej njëzet
petritash është edhe plaku Marash Uci nga Rapsha e Hotit, që e kemi parë në këngën
XII. Turgut Pasha me shtatëdhjetë batalionet e tij kërkon që malësorët të dorëzohen
brenda pesë ditësh, dhe pastaj përgatitet për sulm, por tani gjendja e mjerueshme e
Shqipërisë i ka rënë në sy edhe Evropës.
Kënga XXIX – Lufta e Balkanit:
Perandori i Austrisë Franc Jozefi e këshillon Sulltanin të mos i ngacmojë shqiptarët, se
përndryshe do të ketë me ta më shumë probleme nga sa kujton ai. Cari i Rusisë shtyn
miqtë e vet sllavë t’i shpallin luftë Turqisë dhe kështu nis Lufta Ballkanike e vitit 1912.
Nga humbja e Turqisë do të përfitojnë bullgarët, dhe përsëri sllavët sulmojnë
Shqipërinë. Mbreti i Anglisë fton gjashtë mbretërit e tjerë, përfaqësues të Fuqive të
Mëdha, në Konferencën e Londrës për të zgjidhur këtë problem, sepse “prej Balkanit
hajr nuk ké!”
Kënga XXX – Konferenca e Londonit:
Pas tridhjetë vjetësh pune me Lahuta e malcís, poeti e mbyll këngën duke i bërë thirrje
zanës, e cila prej kohësh e ka ndjekur pa u ndarë andej-këndej nëpër lëndinat e Parnasit.
Ashtu si Horaci në exegi monumentum, poeti na thotë:
“Ndertue kemi ‘i pomendare,
Rrfé as mot mos m’e dermue.”12
Përshkrimit nga poeti të ngjarjeve të Konferencës së Londrës, ku të ‘shtatë krajlat’
bisedojnë për fatin e Shqipërisë, nuk i mungon një notë humori e ironie. Pas shumë
debatesh, pjesëmarrësit pranojnë të njohin shtetin e ri e të pavarur shqiptar. Flamuri kuq
e zi, “porsì fleta e Engllit t’Zotit”, valëvitet tani mbi tokën e Skënderbeut.
Lahuta e malcís është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e
shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me ndikim persian e Dalip Frashërit Hadikaja, rreth v. 1842 (Kopshti); nga poema epike shiite e
Shahin bej Frashërit Myhtarnameja, 1868 (Historia e Myhtarit); nga poema disi e
shkapërderdhur e Jeronim De Radës Scanderbeccu i pa-faan, 1872-1884; nga poema me frymë
kombëtare po jo dhe aq e arrirë e Naim Frashërit Istori’ e Skenderbeut, 1898; nga poema epike
shiite po e tij Qerbelaja, 1898; nga poema e mërgimit e Zef Skiroit Te dheu i huaj, 1900; dhe
deri tek ajo e Frano Krispi Glavjano Mbi malin e Truntafilevet.
Epoka e poemave bektashiane e shiite sipas traditës turko-persiane natyrisht kishte
marrë fund, kurse tema klasike e poemave epike shqiptare, bëmat e heroit kombëtar të shekullit
të pesëmbëdhjetë, Skënderbeut, e cila ishte trajtuar me një nivel artistik të kufizuar nga dy
shkrimtarët shqiptarë më me emër të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Jeronim De Rada dhe Naim
Frashëri, tani ishte tepër e largët dhe e mjegullt për t’u vënë në qendër të një poeme epike të
shekullit të njëzetë. Gjergj Fishta zgjodhi për subjekt atë çka njihte më mirë: kulturën heroike
të vendlindjes, malësisë shqiptare të veriut. Synimi i tij me këtë poemë, e cila është një arritje
e pashoqe në letrat shqiptare, ishte të paraqiste jetën e fiseve të Shqipërisë së veriut, e të
njerëzve të saj në përgjithësi, në përmasa heroike. Autori pati fatin e mirë që në ato vite të
jetonte mu në burimin e së vetmes shoqëri heroike të pacenuar në Evropë. Kështu, struktura
fisnore e banorëve të Alpeve të Shqipërisë së veriut ndryshonte rrënjësisht nga rajonet më të
përparuar e më “të qytetëruar” të jugut toskë. Ajo çka i mahniste vizitorët dhe etnografët e huaj
në Shqipërinë e veriut të këtyre viteve ishte shoqëria e fortë patriarkale e malësisë, një sistem i
mbështetur në zakone të trashëguara në shekuj nga ligji fisnor, e në veçanti nga Kanuni i Lekë
Dukagjinit. Në Lahuta e malcís kemi të gjitha tiparet dalluese të kësaj shoqërie: zakonet e doket
e lindjes, martesës dhe varrimit, mikpritjen bujare të fiseve, gjakmarrjen dhe besën.
Lahuta e malcís është frymëzuar fuqishëm nga poezia gojore shqiptare13, si nga ciklet e
poezisë heroike të quajtura Këngë kreshnikësh me ndërtimin e vargut tetërrokësh, të ngjashme
me juna…ke pjesme serbo-kroate, ashtu edhe nga ciklet po aq popullore të poezisë historike të
shekullit të tetëmbëdhjetë, të ngjashme me poezinë kleftike greke apo me haidutska pesen të
bullgarëve. Fishta e njihte këtë poezi gojore të kënduar nga fiset malësore gege me lahutën e
tyre me një tel, dhe e pëlqente gjuhën e ritmin e saj. Prandaj rrëfimi në poemë është plot fjalor
arkaik të pasur dhe figura ligjërimi të larmishme e të gjalla, që përdoren nga fiset luftëtare
malësore të veriut, e që sot nuk janë aq të kuptueshme, madje edhe për vetë shqiptarët e veriut14.
Natyrisht, lidhjet e ngushta me letërsinë gojore janë një tipar më se i zakonshëm për poemat
epike, ndonëse disa autorë e kanë kritikuar Fishtën për ‘folklorizëm’, për imitim të folklorit, pa
mundur të krijojë një poemë të vërtetë epike. Metri kryesor i Lahuta e malcís është tetërrokshi
trokaik apo shtatërrokshi, i cili harmonizohet më bukur me poezinë gojore shqiptare se sa
heksametri klasik i poemave epike greke e latine. Megjithatë, ndikimi i poemave të mëdha të
lashtësisë klasike, Iliada dhe Odiseja e Homerit apo Eneida e Virgjilit, është kudo i pranishëm
në Lahuta e malcís, sikundër kanë pasur kënaqësinë ta theksojnë një numër studiuesish, e
sidomos Maksimilian Lamberci dhe Xhuzepe Gradilone15. Pra, mjaft paralele në stil e në
përmbajtje kanë kapërcyer shekujt. Vetë Fishta më pas përktheu shqip librin e pestë të Iliadës16.
Ndër figurat stilistike kryesore që karakterizojnë Lahuta e malcís dhe pa dyshim pjesën
më të madhe të epikave, janë metafora, aliteracioni dhe asonanca, si dhe hiperbola dhe arkaizmat. Tipari kryesor heroik i subjektit dhe rrëfimi i imtë i skenave të betejave për fat të
mirë janë harmonizuar me përshkrimet lirike dhe idilike të bukurisë së natyrës së Alpeve të
Shqipërisë së veriut, të cilat i japin Lahuta e malcís një dritë e hijeshi poetike. Mangësia në këtë
aspekt do t’i sillte mungesa të dukshme veprës.
Lahuta e malcís mbështetet thellësisht në legjendat dhe mitologjinë shqiptare dhe është
e mbushur plot figura mitologjike nga letërsia gojore, që ashtu si perënditë dhe perëndeshat e
Greqisë së Lashtë, sodisin ngjarjet dhe, kur del e nevojshme ndërhyjnë në to. Ndër to janë:
zanat, hijet trimëresha të malësisë, që rrijnë pranë burimeve e përrenjve dhe u japin mbrojë
luftëtarëve shqiptarë; orat, hijet femër, që edhe vetë emrin e kanë tabu; lugatet; shtrigat; dhe
drangojt, figura gjysmënjeri të lindur me krahë flatrash e me fuqi të mbinatyrshme, që si qëllim
kryesor në jetë kanë luftën kundër kulshedrës zjarrvjellëse me shtatë krerë derisa ta vrasin atë.
Shkrirja e elementeve heroike dhe mitologjike është më se e dukshme në një numër
personazhesh, të cilëve Fishta u jep një vend të rëndësishëm në Lahuta e malcís. Kështu, Oso
Kuka, luftëtari trim e i rreptë, që më mirë vdes se i dorëzohet i gjallë armikut sllav; bariu i
moshuar Marash Uci, i cili i këshillon luftëtarët e rinj të mbrojnë lirinë dhe të mos harrojnë
zakonet e të parëve; si dhe vasha trimëreshë Tringa, që i gjendet te koka të vëllait e që është e
vendosur të mbrojë tokën e vet.
Aspekti heroik i jetës në malësi është një nga tiparet që fiset shqiptare të veriut e kanë
të përbashkët me fqinjët e vet sllavë të jugut e sidomos me malazezët. Të dy popujt, edhe pse të
ndarë nga gjuha dhe nga rrjedha e hidhur e historisë, kanë mjaft gjëra të përbashkëta mes tyre.
Edhe pse malazezët si personazhe janë ‘negativë’ në qëllimin e Fishtës për t’i thurur lavdi
atdheut të vet, ai nuk kishte mbetur i pandikuar e i paemocionuar nga arritjet letrare të sllavëve
të jugut në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sidomos të poezisë epike për
qëndresën sllave kundër turqve. Kemi përmendur rolin e atit françeskan Gërga Martiq, veprat
e të cilit i shërbyen djaloshit Fishta si model gjatë studimeve në Bosnjë. Fishta u frymëzua
gjithashtu nga shkrimet e një shkrimtari më të hershëm françeskan, Andrija Kaçiq-Mioshiq
(Andrija Kacic-Miošic, 1704-1760), poet dhe publicist dalmat i periudhës së Iluminizmit, i cili
përmendet sidomos për veprën e tij Razgovor ugodni naroda slovinskoga, 1756 (Bisedë e
këndshme e popullit sllav), përmbledhje me prozë e poezi për historinë serbo-kroate; po ashtu,
edhe nga veprat e poetit kroat Ivan Mazhuraniq (Ivan Mazuranic, 1814-1890), autor i poemës
së njohur epike Smrt Smail-age ‚Cengica, 1846 (Vdekja e Smail Aga Qengiqit). Burim tjetër
frymëzimi letrar për Fishtën ka qenë poeti e princi malazez Petar Petroviq Njegosh (Petar
Petrovic Njegoš, 1813-1851). Nuk është rastësi që titulli Lahuta e malcís është mjaft i ngjashëm
me titullin Gorski vijenac, 1847 (Kurora e maleve), poemë epike e Njegoshit për qëndresën
heroike të Malit të Zi ndaj pushtuesve turq, e cila tani përgjithësisht konsiderohet si eposi
kombëtar i malazezëve dhe serbëve. Fishta arriti të vërtetonte se edhe gjuha shqipe ishte në
gjendje të jepte një epos letrar të përkryer me po ato përmasa heroike.
Edhe pse Gjergj Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satirik
nuk janë më pak të mëdha se ato në gjini të tjera. Shumë studiues vlerësojnë më lart poezinë e
tij lirike.
Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vierrsha i pershpirteshem t’kthyem shcyp,
Shkodër 1906, përmblidhte krijime me frymëzim të fortë katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh
të mëdhenj italianë si arkadiani Pjetro Metastazio (Pietro Metastasio, 1698-1782) nga Roma;
romancieri e poeti romantik Alesandro Manxoni (Alessandro Manzoni, 1785-1873) nga Milano,
të cilin Fishta e adhuronte pa masë; patrioti Silvio Peliko (Silvio Pellico, 1769-1845) nga
Torino; liriku dhe historiani i letërsisë Xhakomo Xanela (Giacomo Zanella, 1820-1888) nga
Viçenca si edhe të tjerë.
Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin Pika voëset, Zadar
1909, kushtuar bashkëkohësit të tij Luigj Gurakuqi (1879-1925). Pas saj vjen më 1913, në agim të pavarësisë së Shqipërisë, botimi i parë i librit Mrizi i zânave, Shkodër 1913, që përfshin edhe
disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma e përgjithshme që përshkon përmbledhjen Mrizi i
zânave është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në
botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në një botim të fundit pas vdekjes më 1941.
Vjersha si Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheut, Shqypnija e lirë dhe Hymni i flamurit kombtár
shprehin gëzimin dhe krenarinë e Fishtës për historinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e re të saj.
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi
i saj Shqyptarja e gjytetnueme.
Krahas poezisë me tema atdhetare të përqëndruara në vëllimin e mësipërm, poezinë e
vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrîzit, Shkodër
1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si Të kryqzuemit, Të zânun e pafaj të
Virgjërês Mri, Nuntsiata dhe Shë Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në
Shqipëri.
Gjergj Fishta ishte gjithashtu mjeshtër i përkryer i poezisë satirike, që e përdori
zgjuarsinë dhe penën e mprehtë për të qortuar cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të
bashkëvendësve të vet. Ai nuk kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Çajupit, por satirën
therëse e djegëse, shpesh të pamëshirshme, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse
të Faik bej Konicës. Fishta kishte botuar mjaft vjersha të tilla në revistën Albania me
pseudonimin kuptimplotë ‘Castigat ridendo’ (qorton duke qeshur). Më 1907, ai botoi pa vënë
emrin e tij përmbledhjen satirike me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila hodhi
themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga mjaft kritikë konsiderohet si
vepra më e mirë poetike e tij. Në të parën e satirave të tij, Nakdomonicipedija (Mësim për
Nakdo Monicin), ai i drejtohet mikut të tij, shkrimtarit dhe botuesit jezuit Dom Ndoc Nikaj
(1864-1951), të cilin me dashuri e thërret me pseudonimin e tij Nakdo Monici, për t’i shprehur
simpatinë e vet, ngaqë vepra 416 faqesh e këtij të fundit, Historia é Shcypniis, e botuar në
Bruksel më 1902, nuk ishte pritur me interesimin e duhur nga bashkatdhetarët. Shqiptarët qenë
shumë indiferentë ndaj historisë së vet e madje ndaj gjendjes së tashme të vajtueshme në
përgjithësi. Arsyeja e këtij indiferentizmi, na thotë Fishta, është konkurrenca midis Shën
Nikollës dhe djallit. Shën Nikolla kishte kapërcyer dete me urdhër të Zotit për të shitur arsye
dhe shije. Djalli, nga ana e tij, konkurronte me një vapor plot me çizme të vjetra që donte t’i
shiste. Kur të dy tregtarët mbërritën në portin e Shëngjinit, shqiptarët biseduan me njëri-tjetrin
dhe vendosën të blejnë çizmet veresie. Me masa të tilla të pashkolluara, Fishta i rekomandon
Nikajt të ngushëllohet me sjelljen gjakftohtë dhe përbuzëse të Tartufit të Molierit. Anxat e
Parnasit, e shkruar më pas Anzat e Parnasit, me shumë shprehje therëse, por të bukura, që nuk
mund të priteshin në një masë të tillë nga një prift françeskan i butë, u ribotua më 1927, 1928,
1942 dhe 1990, dhe i solli Fishtës shumë miq e armiq. Gomari i Babatasit është një tjetër vëllim
satirik-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i
Parlamentit shqiptar. Në këtë vepër, që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, ai godet
patriotët e rremë dhe dembelët.
Përveç melodramave të përmendura më sipër Shqyptari i gjytetnuem dhe Shqyptarja e
gjytetnueme, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje
nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. I ligu per mend, Shkodër 1931, komedi në tri akte e
Molierit, dhe Ifigenija n’Aulli, Shkodër 1931, e Euripidit. Ndër veprat e tjera dramatike që
hartoi apo përshtati në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgënj janë edhe disa
pjesë të shkurtra me tema fetare. Ndër to përmendet pjesa me tri akte për Krishtlindjen Barìt e
Betlêmit; Sh’ Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabé, Shkodër 1923; Sh’
Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941, e fundit
ndër veprat e tij, që u botua sa qe gjallë.
Deri para daljes së Gjergj Fishtës në skenën letrare, letërsia kombëtare e Shqipërisë kishte marrë një farë toni tosk. Ai vërtetoi se Shqipëria e veriut mund të ishte partner i barabartë
me jugun më të përparuar në krijimin e një kulture kombëtare. Por Lahuta e malcís nuk u prit
me brohori nga të gjithë, në veçanti nga kritikët toskë. Disa autorë e kanë shikuar shkrirjen e
letërsisë gojore e asaj të shkruar si të pafrytshme, kurse të tjerë e kanë parë këtë poemë epike
mbi një temë vërtet bashkëkohëse thjesht si një anakronizëm në shekullin e njëzetë. Ismail
Kadare (l. 1936) e ka nënçmuar Lahuta e malcís si një “poemë të gjatë monotone, një kronikë
sterile, e cila duke qenë, veç të tjerash, moralizuese e didaktike, ngjante me epet e veriut aq sa
ç’mund të ngjante ujët e distiluar me ujvarat e bjeshkëve17.” Vetëm koha do ta tregojë nëse
Fishta do ta rifitojë vendin e vet si ‘poet kombëtar’ pas një gjysëm shekulli lënie në harresë për
arsye politike.
Shkolla katolike shkodrane e letrave, që në krye të vendit kishte Gjergj Fishtën, hyri në
epokën e vet të artë në dekadat e para të shekullit të njëzetë dhe, për këtë lulëzim të kulturës
gege, atij i takon një meritë të madhe. Poetë dhe studiues françeskanë si Pashko Bardhi (1870-
1948), Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Pal Dodaj (1880-1948), Vinçenc Prennushi (1885-1949),
Marin Sirdani (1885-1962), Anton Harapi (1888-1946), Justin Rrota (1889-1964), Bernardin
Palaj (1894-1947), Donat Kurti (1903-1969), Benedikt Dema (1904-1960) dhe Gjon Shllaku
(1907-1946), e madje në të vërtetë të gjithë ata intelektualë të tjerë shqiptarë, që kaluan vitet e
tyre krijuese në Shkodër gjatë kësaj apo asaj periudhe të katër dekadave të para të shekullit, u
ndikuan nga figura madhore e atë Gjergj Fishtës. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980)
shkruante:
“I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t’u kthyer gjithmonë
rishtas atje, Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godina
e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një
qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tija dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zanavet. Ay nuk qe
asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e
kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ay qe një nga ato natura, të cilat
ngrihen e rriten dalngadal prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit
(popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ay u bë, në një tjetër kuptim
sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë18.”
Në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore Gjergj Fishta vërtet u njoh nga të
gjithë si ‘poet kombëtar’. Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963) e ka cilësuar
si “poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria19”, kurse Gabriele D’Anuncio (1863-1938) e ka
quajtur “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”. Për të tjerë ai ishte “Homer
shqiptar”.
Por pas luftës Fishta u godit e u përgojua ndoshta më shumë se çdo shkrimtar tjetër i
paraluftës dhe u la menjëherë në harresë. Poeti kombëtar u kthye në mallkim. Historia e
Letërsisë Shqiptare e vitit 1983, histori zyrtare e Tiranës, e cila pati bekimin e Partisë së Punës
së Shqipërisë, i linte trajtimit të Fishtës një minimum hapësire absolutisht të kufizuar:
“Përfaqësuesi më kryesor i këtij kleri, Gjergj Fishta (1871-1940), poet, publicist,
pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të, interesat e kishës e të fesë
qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me
tërë demagogjinë, por edhe cinizmin, dhe e kishte vënë në themel të punës së tij si letrar.
Vepra e tij kryesore, poema epike ‘Lahuta e Malësisë’, duke sulmuar shovinizmin e
fqinjëve të Veriut, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër
pushtuesit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit
fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur
lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Vepra të
tjera, si poema satirike ‘Gomari i Babatasit’, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës
dhe idetë demokratike, ishin karakteristike të luftës së egër që bëri kleri katolik për të
ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i
shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti,
efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit, gjer në banalitet,
argumentimet e tyre false, që orvaten të imponohen me pahir, si dhe një qëndrim i
theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë
fashiste20.”
Arsyeja e vërtetë për rënien e Fishtës pas ‘çlirimit’ më 1944 duhet kërkuar jo në gjoja
pro-italianizmin e tij, por në zanafillën e vetë Partisë Komuniste Shqiptare. PKSH, më pas
Partia e Punës e Shqipërisë, ka qenë themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore nën kujdesin e të
dërguarve jugosllavë Dushan Mugosha (1914-1973) dhe Miladin Popoviq (1910-1945). Në
korrik 1946, Shqipëria dhe Jugosllavia nënshkruan një Traktat të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe
Ndihmës Reciproke si dhe një numër marrëveshjesh të tjera, që i dhanë Jugosllavisë kontrollin
real mbi të gjitha çështjet shqiptare, përfshirë edhe fushën e kulturës. Serbokroatishtja u fut si
lëndë e detyrueshme në të gjitha shkollat e mesme shqiptare, kurse në pranverë 1948, po
përgatiteshin plane për bashkimin e të dy vendeve. Nuk ka dyshim se ndjenjat antisllave të
shprehura në Lahuta e malcís bënë që vepra dhe autori i saj të ndaloheshin nga autoritetet
jugosllave, edhe pse Fishta qe shkolluar në Bosnjë dhe qe frymëzuar nga letërsia serbe dhe
kroate. Elementi antisllav i veprës së Fishtës është gjithashtu i vetmi që theksohet në botimin e
parë të pasluftës të Enciklopedisë së Madhe Sovjetike në Moskë. Në të është shkruar (Mars
1950):
“Veprimtaria letrare e priftit katolik Gjergj Fishta pasqyron rolin që ka luajtur kleri
katolik në përgatitjen e agresionit italian kundër Shqipërisë. Si ish agjent i
imperializmit austro-hungarez, Fishta, në vitet e para të veprimtarisë së tij letrare, mori
një qëndrim kundër popujve sllavë, të cilët ishin kundër planeve grabitqare të
imperializmit austro-hungarez në Shqipëri. Në poemën e tij shoviniste antisllave ‘Lahuta
e malcís’, ky spiun ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve
sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër sllavëve.21”
Pasi marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën më 1948, kishte shumë gjasa që shprehjet
e ndjenjave antimalazeze e antiserbe të mos konsideroheshin mëkat i madh sipas mendimit të
Partisë, por për sa i përket Fishtës tashmë ishte marrë një qëndrim zyrtar dhe, ndoshta për shkak të respektit për aleatët e rinj sllavë në Moskë, ky qëndrim nuk mund të hiqej pa shkaktuar
ndonjë skandal. Gjergj Fishta, ai që veçse pak vite më parë ishte vlerësuar si poet kombëtar i
Shqipërisë, u zhduk nga skena letrare dhe nuk i dukej më asnjë gjurmë. Aq frikë e patën, saqë
më vonë thonë se edhe eshtrat ia nxorrën fshehurazi nga dheu e ia hodhën në lumë.
Por me gjithë katër dekadat e propagandës së vazhdueshme partiake, e cila e quante
Fishtën ‘poet klerik e fashist’, populli i Shqipërisë së veriut, e sidomos banorët e Shkodrës ku
kishte lindur, nuk e kishin harruar. Vepra e tij ka qarkulluar fshehurazi dorë më dorë, dhe është
lexuar nëpër brezat e shqiptarëve. Pas afro gjysmë shekulli, Gjergj Fishta u përkujtua hapur për
herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Gjatë të parit recital me vepra të Fishtës në Shqipëri
pas dyzet e pesë vjetëve, aktori në një çast ngeci në recitim, por menjëherë e në mënyrë
spontane u ndihmua nga salla, e cila e mbante mend ende përmendësh Lahuta e malcís.
______
100 kr. Çabej 1941, Dema 1941, Ercole 1941, Lambertz 1949, Schirò 1959, Shêjzat 5, 1961, 11-12 (Numër përkujtimuer për 90 vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës) Koliqi (red.) 1941, Stadtmüller 1942b, 1942d, Koliqi 1972b, Nekaj 1981, Gradilone 1983, Jeta e re, Prishtinë, 11-12, 1990 (Atë Gjergj Fishtës me rastin e 50 vjetorit të vdekjes), Berisha & Musliu 1990, Duka-Gjini 1992, Zamputi 1993b, S. Çapaliku 1995, dhe A. Plasari (red.) 1996.
1 kr. Fialuer… 1908.
2 kr. Fishta 1925, 1958b, 1968-1970.
3 Lahuta e malcís VI. 480-484.
4 Lahuta e malcís IX.1-20.
5 Lahuta a malcís XII.1-6.
6 Lahuta e malcís XIII. 40-44.
7 Lahuta e malcís XVI. 524-579.
8 Lahuta e malcís XVIII. 329-333.
9 Lahuta e malcís XXII. 881-882.
12 Lahuta e malcís XXX. 23-24.
13 kr. A. Berisha 1990.
14 Për leksikun e Fishtës, kr. Kolgjini 1969.
15 kr. Lambertz 1949 dhe Gradilone 1983.
16 kr. Hylli i Dritës, Shkodër, VII, 1, 3, 4 (1931).
17 kr. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991, f. 40.
18 kr. Koliqi (red.) 1941, f. 31; dhe Çabej 1941.
19 kr. Lambertz 1948, f. 368.
20 kr. Shuteriqi (red.) 1983, f. 470-471. Për të qenë të drejtë, duhet shënuar, sipas Shuteriqit, se Vehbi Bala (1923-1990), kishte përgatitur 40 faqe për Fishtën, për historinë e letërsisë të Akademisë, por nuk qe lejuar ta botonte.
21 kr. Bolshaja Sovjetskaja Enciklopedija, vëll. 2 (Moskë, 18 mars 1950), f. 49.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia