10. RRYMAT E LETËRSISË SHQIPTARE NGA
FILLIMI I SHEKULLIT XX DERI MË 1944
10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë
Pas pesë shekujsh sundimi osman Shqipëria u shpall e pavarur më 28 nëntor 1912 nga
Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919), i njohur më pas thjesht si Ismail Qemali, dhe nga një grup
prej 36 delegatësh, shumica myslimanë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. U formua një qeveri
e përkohëshme, pushteti i të cilës nuk dilte jashtë krahinës së Vlorës. Kryeministër u caktua
Ismail Qemal bej Vlora dhe ministër i punëve të jashtme nga 5 korriku 1913 Myfit bej
Libohova (1876-1927). U formua dhe një pleqësi prej tetëmbëdhjetë antarësh. Durrësi dhe
Tirana mbetën në dorë të çifligarit Esad pashë Toptani (1863-1920), kurse kalaja e Shkodrës,
fortesa e fundit turke në Ballkan, vetëm më 22 prill 1913 u braktis nga forcat osmane e iu la në
dorë malazezëve, e pastaj iu kalua Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Përveç rrëmujës dhe
intrigave të brendshme nga konflikte interesash ndërmjet çifligarëve të ndryshëm feudalë, fiseve
dhe grupeve të ndryshme fetare brenda vendit, fqinjët Greqia, Serbia dhe Mali i Zi u përpoqën
të gjithë të ushtronin ndikim sa më të madh në Shqipëri. Edhe pse pavarësia e Shqipërisë u njoh
de facto më 17 dhjetor 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vetëm më 29 korrik
1913, pas Luftës së Dytë Ballkanike e pas zgjidhjes së problemit delikat të Shkodrës, bashkësia
ndërkombëtare u mor vesh të mbështeste Shqipërinë si principatë asnjanëse, sovrane dhe e
trashëgueshme. Dëtyra si kryetar i këtij shteti të ri të Ballkanit i takoi princ Vilhelm Vidit
(Wilhelm zu Wied, 1876-1945). Ky princ gjerman pa të keq, një zgjidhje kompromisi ndërmjet
fuqive, mbërriti në portin e Durrësit më 7 mars 1914.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore princi Vilhelm e humbi gjithë mbështetjen
ndërkombëtare zyrtare dhe u largua nga Shqipëria më 3 shtator 1914 pas jo më shumë se gjashtë
muajsh sundimi të palavdishëm. Ndonëse Esad pashë Toptani ia doli të mbajë pushtetin
kryesisht në Shqipërinë e mesme për një farë kohe, një pjesë e mirë e vendit u shkel me radhë
nga trupat italiane, greke, serbe, bullgare, malazeze, austriake dhe franceze. Kësaj periudhe të
mbrapshtë i dha fund Kongresi i Lushnjës nga 28-31 janar 1920, ku Tirana u shpall kryeqytet
i ri i vendit e ku u formua një qeveri e re me Sulejman pashë Delvinën (1884-1932) si
kryeministër e me njëzetekatërvjeçarin Ahmet Zogu (1895-1961) si ministër të brendshëm. Në
shtator 1920, praktikisht e gjithë Shqipëria ishte në dorë të qeverisë së re dhe më 17 dhjetor të
atij viti ajo u pranua në Lidhjen e Kombeve si shtet sovran.
Në vitet më pas u pa ngjitja autoritare e Ahmet Zogut86, në fillim si ministër i brendshëm
e pastaj më 2 dhjetor 1922 si kryeministër. Zogu, i mbështetur kryesisht nga aristokracia e
çifligarëve dhe klasa e mesme, u shtrëngua të ikë nga vendi në kohën e Revolucionit të
Qershorit 1924, gjatë të cilit peshkopi Fan Noli (1882-1965) e drejtoi vendin për një periudhë
të shkurtër prej gjashtë muajsh si kryetar i një qeverie pak a shumë demokratike. Njeri me
shkollim amerikan, Noli u hyri ndryshimeve të thella, përfshirë edhe një reformë agrare tepër të
domosdoshme në Shqipëri, por pa kaluar shumë kohë, idealizmi i tij do të pësonte disfatë nën
peshën e traditës. Me ndihmën e Beogradit e të mbeturinave të ushtrisë ruse të gjeneral
Vrangelit, i eturi për pushtet Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri dhe mori në dorë vendin me një grusht shteti më 24 dhjetor 1924. Më 21 janar 1925, Shqipëria, zyrtarisht ende principatë, u
shpall republikë me Ahmet Zogun si të parin president të saj. Duke mbytur çdo opozitë brenda
vendit e duke luajtur herë me Italinë e herë me Jugosllavinë, Zogu krijoi njëfarë shkalle
qëndrueshmërie politike e autoriteti në vitet më pas. Kjo vazhdoi deri në gjysmën e dytë të
viteve njëzet, kur varësia ekonomike përherë në rritje e Shqipërisë nga Italia fashiste fqinje e
kishte kthyer tashmë këtë vend të vogël të Ballkanit në protektorat italian, sidomos pas
përfundimit të Paktit të parë të Tiranës në nëntor 1926. Më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu u shpall
Zog I, ‘Mbreti i Shqiptarvet’, me bekimin e Musolinit. Synimet ekspansioniste të Italisë ndaj
Shqipërisë arritën kulmin me pushtimin e vendit të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939. Mbreti
Zog, e shoqja hungaro-amerikane Gjeraldinë dhe i biri triditësh Leka u arratisën në Greqi, kurse
vendi ra brenda katër ditësh në duart e Italisë. Pas largimit të Zogut, në Tiranë u mblodh
asambleja kombëtare e cila, në prani të ministrit të Jashtëm italian Kontit Çano (1903-1944), e
shpalli Viktor Emanuelin III (1869-1947) Mbret të Shqipërisë. Shteti shqiptar pushoi së qeni.
Në tetor 1940 Italia fashiste sulmoi Greqinë dhe, me gjithë suksesin e fillimit, shumë
shpejt u spraps nga një kundërmësymje e vendosur greke. Sundimi italian u sigurua përsëri në
pranverë të vitit 1941 kur Jugosllavia dhe Greqia ranë në dorë të Gjermanisë naziste. Në këto
vite të pushtimit të huaj dhe luftës civile Kosova u ribashkua me Shqipërinë. Por Shqipëria vetë
u nda thellë nga prania e tre grupeve rivale të rezistencës: komunistët nën Enver Hoxhën (1908-
1985), Balli Kombëtar antikomunist nën Mid’hat Frashërin (1880-1949) dhe lëvizja më e vogël
monarkiste Legaliteti nën Abaz Kupin (1891-1976). Me kapitullimin e Italisë fashiste më 8
shtator 1943, Ministria e Jashtme gjermane u orvat të krijonte një shtet shqiptar asnjanës e të
pavarur për të mbrojtur interesat strategjike gjermane në Ballkan. Administrata e re e ngritur në
Tiranë nuk qe në gjendje të ushtronte autoritetin e duhur në të gjithë vendin, i cili po zhytej tani
në një luftë civile të përgjakshme. Ndërkaq kur trupat gjermane u shtrënguan të tërhiqen nga
Shqipëria në fund të nëntorit 1944, komunistët me Enver Hoxhën në krye morën pushtetin dhe
ngritën më pas Republikën Popullore të Shqipërisë.

_________
86 Për Shqipërinë nën Ahmet Zogun, kr. Fischer 1984 dhe Schmidt-Neke 1987.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]