10.6 Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët
Bazat e arsimimit që hodhi Kisha Katolike në Shkodër në gjysmën e dytë të shekullit të
nëntëmbëdhjetë duket se kishin dhënë fryte në periudhën e pavarësisë. Shqipëria e veriut, e
sidomos rajonet e izoluara të malësive të veriut, me kulturën unikale fisnore, kishte mbetur
gjithmonë prapa jugut më të përparuar nga pikëpamja arsimore, madje edhe sot ende kështu
është. Ndërkaq, në të tretën e parë të shekullit të njëzetë, Shkodra vetë e linte në hije
kryeqytetin e ri të vendit, Tiranën, si nga ana arsimore ashtu edhe nga ajo kulturore.
Rol themelor në përparimin kulturor të veriut luajti kleri katolik i cili, me mbështetjen
e qarqeve kishtare nga Austria dhe Italia, i hapi rrugën qytetit gjysmëkatolik e gjysmëmysliman
dhe krahinës përreth jo vetëm për arsim zyrtar e për institucione botuese e kulturore, por edhe
për hyrjen e një game të gjerë idesh të reja Perëndimore. Letërsia shqiptare vazhdoi të përfitojë
nga kujdesi që tregonin për të etërit françeskanë dhe jezuitë, sikundër kishte përfituar në
shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur pjesëtarë me ide kombëtare të klerit katolik, si Pjetër Zarishi
(1806-1866), Leonardo de Martino (1830-1923), Ndue Bytyçi (1847-1917) dhe Preng Doçi
(1846-1917), kishin qenë ndër të parët në atë kohë, që krijuan dhe botuan poezi të shquar në
shqip, duke mos u përqendruar tërësisht në tema fetare. Figura që zinin vendin e kreut në
kulturën shkodrane e në letërsinë shqiptare në përgjithësi midis dy luftërave, ishin ati
françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), zëri i kombit, si dhe prozatori me formim jezuit Ernest
Koliqi (1903-1975). Por pati edhe mjaft të tjerë, që dhanë ndihmesë për zgjimin e një kulture
shqiptare të pavarur në Veri, dhe në veçanti qenë tre poetë katolikë: Vinçenc Prennushi (1885-
1949), Lazër Shantoja (1892-1945) dhe Bernardin Palaj (1894-1947).
Dhjetëvjeçarët e fundit të kulturës katolike shkodrane e të zhdukjes së saj pas marrjes së
pushtetit nga komunistët duket se do t’i përfaqësonte sot, më shumë se kushdo tjetër, një
shkrimtar katolik po nga Shkodra. Poet, folklorist dhe përkthyes, Vinçenc Prennushi30 (1885-
1949), emri i shkruar edhe Prenushi dhe Prendushi, lindi më 4 shtator 1885 në Shkodër dhe
studioi në një kolegj katolik në Austri. Më 25 mars 1908 u shugurua prift françeskan. I
magjepsur nga kultura gojore e Shqipërisë së veriut, Prennushi nisi të mbledhë këngë popullore
nga fiset veriore. Përmbledhja e një materiali folklorik u botua nga arkeologu dhe historiani
austriak Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) në vëllimin Kângë popullore gegnishte, Sarajevë
1911, dhe solli një ndihmesë të madhe për studimin e letërsisë gojore shqiptare. Prennushi
gjithashtu shkroi artikuj me tema të ndryshme për shtypin katolik të kohës, në periodikë të
Shkodrës si Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit, Hylli i Dritës, Posta e Shqypniës dhe Zâni i Shna
Ndout.
Në karrierën e tij ekleziastike Vinçenc Prennushi shërbeu si provincial nga 1929 deri më
1936. Më 19 mars 1936 u emërua peshkop i Sapës, kurse më 1940 kryepeshkop i Durrësit, duke
u bërë kështu një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri. Më 1924 Prennushi botoi një vëllim me poezi lirike të holla në dialektin gegë, me
titullin Gjeth e lule, Shkodër 1924, i cili u ribotua më 1931. Kjo përmbledhje me
gjashtëdhjetepesë vjersha përmban poezi me frymëzim kombëtar dhe fetar. Vjershat e tij me
temë atdheun të kujtojnë motivet e zakonshme të poezisë së Rilindjes si Skënderbeun, flamurin,
vetëmohimin për atdheun nën zgjedhë, dhe shpesh kanë më fort një tingëllim luftarak sesa
françeskan. Vjersha të tilla u bënë popullore në kohën e vet dhe shumë prej tyre recitoheshin në
publik, si p.sh. Grueja shqiptare 1918, në të cilën një vashë i kalon ditët duke qëndisur një
flamur shqiptar kuqezi, por, me merakun për atdheun vdes nga hidhërimi dhe e mbulojnë në
varr me atë flamur. Vjershat e tij fetare përshkohen më shumë nga përjetimet shpirtërore sesa
nga idetë dhe kanë karakter përsiatës. Mjaft prej tyre trajtojnë tema tipike katolike si shpëtimtari
në kryq, Shën Mëria, Shën Françesku i Asizit dhe Duns Scotus. Toni i përgjithshëm i këtyre
vjershave, disa prej të cilave kanë përsiatje të mprehta mbi kotësinë e ekzistencës mbi dhe,
është më fort i zymtë e i trishtuar, se i qetë e optimist.
Nga përkthimet e Prennushit, mund të përmendim dramën në pesë akte për fëmijë
E Trathtuemja, Shkodër 1919, nga italishtja Tradita, 1903, nga një T. A. Rolando, si dhe
përkthimet e tij në shqip të romanit Quo vadis, Shkodër 1933, nga fituesi i Çmimit Nobel
Henrik Shenkieviç (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916); të romanit Fabiola, 1924-1925, nga
kardinali Nikolas Uajzmen (Nicholas Wiseman, 1802-1865); i Dreizehnlinden të poetit minor
gjerman Fridrih Vilhelm Veber (Friedrich Wilhelm Weber, 1813-1894), poemë epike për futjen
e kristianizmit te saksonët; dhe i Le mie prigioni, kujtime të poetit dhe dramaturgut italian
Silvio Peliko (Silvio Pellico, 1789-1845).
Sipas bashkëkohësve Vinçenc Prennushi ishte njeri i virtytshëm dhe modest dhe gëzonte
respekt të madh në popullsinë katolike. Me gjithë rangun e lartë që zinte në hierarkinë kishtare,
ai nuk ishte aktiv në politikë. Megjithatë u arrestua nga autoritetet komuniste, u torturua e u
dënua nga një gjykatë ushtarake në Durrës me njëzet vjet burg e punë të rëndë si armik i
popullit. I dobësuar prej kushteve të burgut e i sëmurë nga astma dhe zemra, kryepeshkopi
gjashtëdhjetetrevjeçar vdiq në spitalin e burgut më 19 mars 1949.31
Lazër Shantoja32 (1892-1945) ishte një poet, eseist e përkthyes nga Shkodra që, edhe
pse i talentuar, botoi pak. Lindur më 2 shtator 1892, ai studioi në Kolegjian Papnore Shqyptare
të jezuitëve në Shkodër, ku për mësues pati Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Anton Xanonin
(1862-1915), të cilët e ushqyen me dashuri për gjuhën amtare e për gjuhët e huaja. Shantoja
studioi për teologji në Insbruk dhe u shugurua prift më 1920. Më tej, ai punoi në disa famulli
fshati në Shqipërinë e veriut, sidomos në Sheldi, në lindje të Shkodrës. Prift me temperament,
ai e donte muzikën dhe njihej në krahinë si ‘prifti me piano’, sepse e panë kur solli pianon në
fshat ngarkuar mbi një mushke. Kur Lazër Mjeda, i vëllai i poetit Ndre Mjeda, u emërua
kryepeshkop i Shkodrës më 1924, Shantoja u caktua sekretar personal i tij. Ndër detyrat e tij në
Shkodër ishte që të merrte pjesë aktive në të përjavshmen demokratike katolike Ora e maleve,
e themeluar në prill 1923 nga Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Anton Harapi (1888-1946). Këtë
e kreu duke botuar artikuj me stil të fuqishëm dhe ironi të hollë shkodrane. Në dhjetor 1924, kur
erdhi në fuqi me anën e grushtit të shtetit Ahmet Zogu (1895-1961), Lazër Shantoja, si shumë
intelektualë të tjerë të kohës, iku në mërgim, në fillim në Jugosllavi e në Austri. Në janar 1928
në Vjenë nisi të botojë një të përdyjavshme të një grupi politik të pavarur mërgimtarësh
shqiptarë me titull Ora e Shqipnisë, por kjo e pati jetën të shkurtër. Më pas Shantoja vijoi në
Zvicër, ku, i shoqëruar nga e ëma plakë shkodrane, shërbeu si kapelan në Bernë.

Lazër Shantoja përmendet si stilist i shkëlqyer, mjaft i ngjashëm me Ernest Koliqin,
ndonëse numri tepër i vogël i botimeve dhe largimi për një kohë të gjatë nga Shqipëria e kanë
vënë disi në skaj të letërsisë shqiptare. Ai është autor i disa prozave me stil mjaft të shkathët, si
Grueja, dhe i disa lirikave të holla, të shpërndara nëpër faqet e shtypit të Shkodrës, si në Hylli
i Dritës, Zâni i Shna Ndout dhe Leka. Me pseudonim ai botoi një varg tingëllimash dashurie
kushtuar një vajze në Shkodër. Libri i tij me 180 faqe Për natë kazanesh, Shkodër 1919, është
një përmbledhje humoristike anekdotash dhe proverbash. Mjaft të pëlqyera janë përkthimet e tij,
kryesisht nga gjermanishtja. Ndër to janë Wilhelm Tell (Vilhelm Tel ) dhe Das Lied von der
Glocke (Kënga e kumborës) nga Fridrih Shileri (1759-1805), dhe Hermann und Dorothea
(Herman dhe Dorotea, 1936) si dhe pjesë të Faustit nga Johan Volfgang fon Gëte (1749-1832).
Fan Noli i palodhur (1882-1965), vetë përkthyes i shquar, e kishte nisur e pastaj e kishte lënë
një përkthim të Faustit kur qe në mërgim në Berlin pas rrëzimit të qeverisë së vitit 1924. Kur e
lexoi përkthimin e Shantojës, ai i dërgoi një letër në Zvicër për t’i shprehur admirimin e tij:
“Nuk gjej fjalë për të të uruar për përkthimin tënd në shqip të poezisë veçse duke të
siguruar se, po ta dinte shqipen, gjigandi i Veimarit do të të falenderonte ty, një Nerval
shqiptar, për këtë përkthim.”
Pas një kohe të gjatë jashtë Shantoja nuk u tregua i arsyeshëm kur mori vendimin për t’u
kthyer në Shqipëri më 1940. U vendos me të ëmën në Tiranë. Katër vjet më pas, u arrestua prej
autoriteteve komuniste, u torturua në mënyrë të pamëshirshme dhe u pushkatua në pranverën e
vitit 1945.

Një poet tjetër françeskan i dhënë me mish e me shpirt pas folklorit ishte Bernardin
Palaj33 (1894-1947). Lindi më 2 tetor 1894 në malësinë e Shllakut dhe filloren e kreu në
shkollën e etërve françeskanë në Shkodër, që më pas u njoh me emrin Collegium Illyricum, të
drejtuar nga Gjergj Fishta. Françeskanët e dërguan për të vazhduar të mesmen në Zalcburg
(Salzburg) të Austrisë, kurse për shkollim fetar – në Insbruk. U bë anëtar i urdhërit françeskan
më 15 shtator 1911 dhe u shugurua prift në gusht 1918. Me t’u kthyer në Shqipëri, Palaj punoi
si prift famullie në malësi, kurse më pas si mësues i shqipes dhe i latinishtes në Collegium
Illyricum.
Sikundër Vinçenc Prennushi e Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Bernardin Palaj gjatë
udhëtimeve më këmbë nëpër malësi mblodhi këngë popullore dhe shkroi artikuj për letërsinë
gojore gegërishte e për zakonet fisnore. E tërhoqën sidomos Këngët e kreshnikëve, cikli i epikës
heroike të Mujit e të Halilit, të cilat i botoi bashkë me Donat Kurtin (1903-1969) në Kângë
kreshnikësh e legenda, Tiranë 1938.
Palaj është edhe autor lirikash klasike dhe elegjike, në pjesën më të madhe të botuara në
vitet tridhjetë në revistën françeskane Hylli i Dritës. Kjo poezi me muzikalitet harmonik dhe
përsosmëri teknike, si ajo e poetit italian Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907),
dëshmon për përfytyrimin atdhetar mbi të kaluarën historike dhe për kulturën e pasur vendëse
të popullit të vet. Vjersha e parë e tij Prej burgut të jetës, e botuar më 1933 me pseudonimin
Kukel Lapaj, është një himn fetar 248-vargjesh për rënien e njeriut dhe shpërblimin. Ajo
mbyllet me thirrjen:

“O njeri i shkretë! Mbate, si të duesh ket jetë:
Ká rruga kjo qi të qesin në Hind – te Leka,
Te Çezari në Romë, a larg atje m’nji detë,
Nji Napoljon kû e xûni në ngûjim deka.
Kot u rrek njeri gjithnduersh per të diktuem
Se kû i ká shtonet e veta lumnija!
Në daç shoq me kênë me Zotin e mishnuem,
‘Kalo tuj bâ mirë!’ – kshtu urdhnon Perendija!”
Valët e nji shpirtit, me 1533 vargje, e vitit 1934 u kushtohet perandorëve romakë me
prejardhje ilire, sidomos Konstandinit të Madh (mbretëroi 307-337), i cili futi krishterimin në
Evropë. Viti 1937 qe mjaft prodhimtar për Palajn. Atë vit ai botoi: Moskë – Alkazar, me 893
vargje, për rrethimin e akademisë ushtarake Alkazar në Toledo kur po shpërthente lufta civile
në Spanjë, një ngjarje në korrik 1936 që tronditi keqas pjesën profashiste të klerit katolik të
Evropës jugore; Vorreve të flamurit dhe Kuq e zi, himne kombëtare me rastin e njëzetepesëvjetorit
të pavarësisë së Shqipërisë, në të cilat poeti i bën thirrje zanës për të nderuar varret e
dëshmorëve të kombit. Ndërmjet të Shën Gjergjavet, me 1184 vargje, shkruar më 1938,
përmban skena të freskëta baritore me dritë e ngjyrë në prag të ditës së Shën Gjergjit në
pranverë. Nga respekti për mësuesin e tij Gjergj Fishta, Palaj nuk shkroi mjaft poezi epike, edhe
pse afria me botën magjike të rapsodive të Mujit e të Halilit i pati zgjuar talentin dhe prirjet për
atë lloj poezie. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940, ngjarje që e preku thellë Palajn. Me këtë rast ai
shkroi për nder të tij elegjinë me 1180 vargje Kah nata e vetme. Edhe këtu kemi përsëri zanën,
muzën e adhuruar të Fishtës e të kombit shqiptar, që vajton për fatin mizor dhe vetminë e varrit
sipas traditës së gjâmës, këngëve të vajtimit të letërsisë gojore gege. Poezia e Palajt është
redaktuar nga Angjela Çirinçone (Angela Cirrincione) në vëllimin shqip-italisht Opere, Romë
1969 (Vepra).

Në vitet e luftës, Palaj botoi edhe një numër studimesh etnografike për kanunin, mitet
dhe legjendat. Në vjeshtë 1944, pasi kishte humbur çdo shpresë se forcat antikomuniste mund
të fitonin dhe duke e ndier se fundi qe afër, iu zbraz Karl Gurakuqit (1895-1971) me lotë në sy:
“Do të tërhiqem në nji famulli të malevet të mija të dashuna dhe aty ku mbahet gjallë
fryma e shpirti arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash
sa e sa vjetë, tue e gjurmue në historìn, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të
përplotsoj e do të sistemoj rapsodìt, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë.34”
Bernardin Palaj u arrestua në Shkodër, u keqtrajtua rëndë e u dënua me vdekje për
tradhti. Vdiq në dhjetor 1947 në një burg të Shkodrës.
Këta tre poetë katolikë, Vinçenc Prennushi, Lazër Shantoja dhe Bernardin Palaj mund
të themi se simbolizojnë një numër të madh studiuesish dhe shkrimtarësh të dorës së dytë nga
gjiri i klerit katolik, që qenë aktivë në fushën e kulturës e të arsimit deri më 1944 dhe që dhanë
ndihmesë të rëndësishme për letrat shqiptare. Vdekja e këtyre tre burrave, krahas vdekjes së
dialektit gegë si gjuhë letrare, simbolizon gjithashtu fundin e shkrimit katolik shkodran si rrymë
në letërsinë shqiptare e madje edhe të epokës së artë të kulturës katolike shkodrane në Shqipëri.
Por jo vetëm poetët katolikë do të vuanin në duart e sundimtarëve të rinj

antiintelektualë. Gjergj Bubani (1899-1954), i njohur edhe si Jorgji Bubani, ishte një poet
toskë, që studioi në Athinë. Madje vjershat e para i shkroi greqisht. Pasi u shpërngul në Rumani,
e cila tërhoqi mjaft intelektualë shqiptarë në dekadat e para të shekullit të njëzetë, Bubani punoi
për të përjavshmen kombëtare shqiptare Shqipëri’ e re, e botuar në fillim në Bukuresht, kurse
nga korriku 1920 në Konstancë prej studiuesit Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964). Në janar 1922
hapi një organ periodik të ri me emrin Dodona, sipas emrit të orakullit grek të lashtësisë në
Epir, kurse në mars 1926 hapi revistën Zëri shqipëtar, që pati jetë të shkurtër. Gjithashtu punoi si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e më pas për njëfarë kohe në konsullatën në
Sofje. U kthye në Konstancë buzë Detit të Zi dhe u bë kryeredaktor i gazetës Shqipëri’ e re, në
të cilën bashkëpunoi me artikuj të nënshkruar me nofkën Brúmbulli. Bash në këtë gazetë dhe në
Dodona dolën vjershat e para satirike të tij. Bubani gjithashtu përktheu pjesë teatrore e tregime
nga rusishtja dhe rumanishtja, sidomos vepra të Viktor Eftimiut (1889-1972), dramaturg rumun
me prejardhje shqiptare. Gjergj Bubani, shkrimet letrare të të cilit ende nuk janë mbledhur e
redaktuar në formën e një vëllimi, nuk arriti për fat të keq të shohë ndonjë kulm të krijimtarisë
së tij letrare. Me t’u kthyer në Shqipëri më 1945, u arrestua me akuzën e bashkëpunimit politik
dhe u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, ku edhe vdiq.
Poeti satirik dhe diplomati Ali Asllani (1884-1966)35 nga Vlora është autori i njërës prej
veprave poetike më të këndshme të letërsisë parakomuniste shqiptare, i poemës rrëfimtare me
frymë të ngrohtë popullore e familjare Hanko Halla, Tiranë 1942. Asllani u shkollua në Janinë
dhe në Stamboll para se të punonte si nëpunës në administratën osmane. Më 1912 ai
bashkëpunoi me qeverinë e parë të pavarur shqiptare të Ismail Qemal bej Vlorës (1844-1919),
kurse më pas pati disa detyra shtetërore. Në vitet tridhjetë ai përfaqësoi Shqipërinë në misionet
diplomatike jashtë, si konsull në Trieste e si ambasador në Sofje dhe në Athinë. Ndonëse
Asllani ka shkruar disa lirika dashurie të ndjera36, ai përmendet në radhë të parë për Hanko
Hallën me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor. Ky rrëfim plot
humor në vargje pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që
është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat e reja të jetesës. E rritur në një shoqëri
patriarkale tradicionale, ajo mbetet gojëhapur nga risitë që sjell në jetë rinia, e njëherazi vë në
lojë konservatorizmin e vet. Hanko Halla hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në
letërsinë shqiptare.
Një poet shkodran, që ndryshe nga të tjerë nuk ishte pjesëtar i klerit katolik, ishte
Gaspër Pali (1916-1942). I lindur në Shkodër më 14 gusht 1916, Pali botoi vjershën e parë të
brishtë në moshën njëzetvjeçare në të përdyjavëshmen e Korçës Rilindja. Më 1940 kreu
studimet për letërsi në Firence dhe u kthye në Shkodër, ku punoi si mësues në gjimnazin e
shtetit më 1941-1942. Pas dy vjetësh u mposht nga tuberkulozi, mjaft i përhapur në Shqipërinë
e veriut në atë kohë. Nëntëmbëdhjetë vjershat e Palit u botuan në vëllimin Hyjt mbi greminë,
Tiranë 1959. Ndër to gjenden vjersha meditative e intime të mallit për Shkodrën, por poezia e
tij ndryshon në thelb nga shfrimet sentimentale për kombin të epokës së Rilindjes. Pali ishte
poet i kohës së vet dhe një poet në zhvillim. Karriera e tij e shkurtër si mësues e si shkrimtar u
mbyll shumë shpejt më 21 korrik 1942, kur vdiq në moshën njëzet e gjashtë vjeç.
Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki
Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull Këngët e zambares, Tiranë
1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin Zëri i fyellit, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu,
poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin Fjala ime,
Tiranë 1961, por që pati sukses më pak.
Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes në pushtet të komunistëve mund të përmenden:
Kristaq Cepa (1908-1988), satirik i majtë nga Korça, i njohur në mes të viteve tridhjetë me
pseudonimin Kapa; Vedat Kokona (l. 1913), prozator dhe përkthyes i shkolluar në Francë;
Petro Marko (1913-1991), anarkist dhe veteran i luftës civile të Spanjës, të cilit Migjeni i pati
thënë: “Vajtja jote në Spanjë është poema jote më e bukur”; Andrea Varfi (1914-1992), poet
i majtë që, edhe pse u burgos së bashku me Petro Markon pas luftës, u bë ndër shkrimtarët
kryesorë të realizmit socialist; Veli Stafa (1914-1939), revolucionar komunist i njohur në shkrime me emrin Platonicus, që vdiq nga tuberkulozi në moshë të re; i vëllai Qemal Stafa
(1920-1942), figurë revolucionare dhe autor poezish e skicash në prozë, nën pseudonimin
Brutus; Dhimitër Shuteriqi (l. 1915) nga Elbasani, që më pas do të bëhej historian letrar
‘zyrtar’ i Shqipërisë socialiste; Aleks Çaçi (1916-1989), poet i viteve të para të realizmit
socialist; Arshi Pipa (l. 1921), studiues dhe kritik, që u burgos për dhjetë vjet pas lufte dhe u
arratis më 1958 në Shtetet e Bashkuara; Vehbi Bala (1923-1990) nga Shkodra; Jusuf Luzaj
(l. 1913), autor i përmbledhjes sentimentale me 293 faqe Rrëfimet, Korçë 1937; gazetari
Thanas Konomi; Manush Peshkëpia (1910-1951), i burgosur e më pas i pushkatuar gjatë
reprazaljeve pas bombës së hedhur në ambasadën sovjetike në shkurt 1951; i vëllai Nexhat
Peshkëpia (1908-1970); dhe juristi Kudret Kokoshi (vd. 1991) nga Vlora, i burgosur edhe nga
fashistët, dhe më pas nga komunistët.

___________
30 kr. A. Çapaliku 1996.
31 Për një përshkrim të viteve të fundit dhe të vdekjes, kr. Pipa në Sinishta 1976, f. 79-90.
32 kr. Koliqi në Sinishta 1976, f. 110-117, dhe Koliqi 1986-1987.
33 kr. K. Gurakuqi 1953, Koliqi 1972a dhe Palaj 1969.
34 L’Albanie libre, 25 tetor 1953, f. 3.
35 Ditëlindja e Asllanit jepet e ndryshme, herë 1882 e herë 1884.
36 kr. Plasari 1991a.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]