11.4 Prozatorë të tjerë nga 1961 deri më sot
Vendi më i lartë që Ismail Kadareja ka zënë në letërsinë e sotme shqiptare, shoqëruar me
emrin që ka fituar në botë, ka lënë disi në hije të gjithë shkrimtarët e tjerë shqiptarë të sotëm.
Një shkrimtar që ka çarë rrugën drejt bashkëkohësisë para Kadaresë është Petro Marko
(1913-1991). Lindur më 25 nëntor 1913 në fshatin Dhërmi të bregdetit të Himarës, Petro Marko
ndoqi shkollën tregtare të Vlorës. Filloi të shkruante kur ishte njëzet vjeç. Tregimet e para iu
botuan në revistat e kohës me ndihmën e Ernest Koliqit (1903-1975) që qe edhe mësues i tij.
Nga 1 marsi 1936 Marko botoi në Tiranë revistën jetëshkurtër ABC, një e përdyjavshme letrare
që shpejt do të mbyllej nga autoritetet zogiste. Gjithmonë tip revolucionar e anarkist në shpirt,
Petro Marko vajti më 1936 në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzet shqiptarësh dhe
hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Internacionale. Migjeni (1911-1938), poeti i sëmurë nga
tuberkulozi, që pas pak kohe do të vdiste në një sanatorium në Italinë e veriut, do ta përcillte me
këto fjalë: “Nisja për në Spanjë është poema jote më e bukur.” Në Madrid Petro Marko
njëzetetrevjeçar, së bashku me të talentuarin Skënder Luarasi (1900-1982), filluan botimin e një
reviste njëzet-faqëshe në gjuhën shqipe me emrin Vullnetari i lirisë, e cila doli vetëm në dy
numra. Petro Marko ka takuar edhe Ernest Heminguein (1899-1961) në një kongres
shkrimtarësh të mbajtur në Valencia më 1937, ku morën pjesë edhe Aleksei Tolstoi (1882-
1945), Ludvig Ren (Ludwig Renn, 1889-1979), Ana Zegers (Anna Seghers, 1900-1983), Andre
Malro (André Malraux, 1901-1976) dhe Pablo Neruda (1904-1973). Ishte përvoja nga koha e
Luftës Civile të Spanjës që shërbeu si bazë për romanin e tij të mirënjohur Hasta la vista,
Tiranë 1958.
Më 1940 Petro Marko u shtrëngua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit
më vonë u arrestua nga pushtuesit italianë dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të
tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e veçuar Ustika të detit Tirren në veri të Sicilisë. Romani
380 faqesh Nata e Ustikës, Tiranë 1989, është fryt i kësaj periudhe internimi. Në tetor 1944
Marko u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vjetësh si kryeredaktor i gazetës Bashkimi u
arrestua më 1947, kësaj radhe nga komunistët, dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi
Xoxes (1917-1949), u lirua dhe u lejua të punojë si mësues në Tiranë.
Në fund të viteve pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë dolën për herë të parë
disa vëllime në prozë e përmbledhje me poezi të Petro Markos. Romani surrealist Qyteti i
fundit, Tiranë 1960, pasqyron fundin e hidhur të ushtrisë pushtuese italiane në Shqipëri. Për disa
ky është romani i parë modern në letërsinë shqiptare. Qyteti i fundit është i përkthyer japonisht
(Tokyo 1969). Rrugë pa rrugë, Tiranë 1964, me 204 faqe, është një përmbledhje me
gjashtëdhjetë rrëfenja e skica të shkruara në vitet e rinisë, nga 1933 deri më 1937. Në romanin
Një emër në katër rrugë, Tiranë 1973, ngjarjet shtjellohen në periudhën e Zogut. I botuar në
vitin politikisht të turbullt të spastrimeve Paçrami dhe Lubonja, ai u ndalua e u dogj, siç u bë
edhe me një vëllim poetik të Markos. Petro Marko humbi të drejtën e botimit për një periudhë
prej tetë vjetësh, kurse i biri u dënua me gjashtë vjet burg me akuzën se kishte fyer Enver Hoxhën.
Petro Marko, autor i tetë romaneve, filloi të botojë përsëri më 1982 dhe nga mjaft kritikë
konsiderohet si një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare. Edhe pse disa shkrimtarë
e kanë kritikuar për stilin telegrafik, këmbëngulja e zjarrtë për teknika të reja përshkrimi, dhe
trajtimi i subjekteve origjinale janë pritur me miradije të gjerë. Vdiq në Tiranë më 27 dhjetor
1991.
Ndër figurat më pak të njohura të letërsisë shqiptare të viteve të para të pasluftës është
Kasëm Trebeshina (l. 1926). Trebeshina ka lindur në Berat më 8 gusht 1926 dhe ka studiuar
në Shkollën Normale të Elbasanit derisa hyri në lëvizjen e rezistencës komuniste më 1942. Pas
luftës ndoqi studimet në Institutin e Teatrit Ostrovski në Leningrad. Komunist i angazhuar, por
kurrsesi konformist, Trebeshina doli nga partia dhe më vonë nga Lidhja e Shkrimtarëve në
Tiranë. Pjesën më të madhe të veprave i shkroi në fund të viteve dyzet e në fillim të viteve
pesëdhjetë, por pa u botuar kurrë.
Me një akt jashtëzakonisht të rrallë disidence të hapur në jetën intelektuale shqiptare,
Trebeshina i dërgoi një ‘pro memoria’ Enver Hoxhës më 5 tetor 1953, duke e paralajmëruar se
politika e tij kulturore po e shpinte vendin në rrugën e shkatërrimit. Ai theksonte:
“… Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist,
qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinjer i mirë, një inxhinjer i keq dhe një i gabuar që
ndreqet. Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet, e kështu me radhë. Një i mirë,
një i keq dhe një që ndreqet. Komunistët janë gjithnjë heronj të situatave, ata vijnë në
faqet e librave ose në skenat e teatrove vetëm për të na recituar monologje me
përmbajtje heroike…
Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjësh mesjetarë. Në
krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar të dëgjojnë,
përgjersa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh. A nuk e kuptoni se është një koncept
dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë ‘funksione’ dhe ‘privilegje’? Le ta shikojmë
si keni vepruar ju gjatë këtyre vjetëve. Ju vendosni në Komitetin Qëndror që Kolë
Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë vendimin tuaj.
Kritika thërret e çirret që ‘Halili dhe Hajrija’ e Kolë Jakovës është një vepër e madhe.
Pastaj vëmendjen tuaj së bashku me favoret e fiton Dhimitër S. Shutëriqi si kryetar i
Lidhjes. Më mirë le ta lëmë këtë pikë.
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk
është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një cenzure nga më të
çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë
cenzurë, atëherë ajo le të krijohet si një institucion dhe le t’i ushtrojë hapur funksionet
e saj. Kështu do të dinim kujt t’i përgjigjeshim dhe nuk do të na ngatërroheshin nëpër
këmbë funksionarët e Partisë që, megjithëse nuk janë kompetentë, vijnë e japin mendime
aty ku nuk ua kërkojnë… Ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë
si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH. Lidhja e
Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri
feudale ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale.
Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një shembull që nuk
duhej të kishte vend në shoqërinë tonë. Dihet se romani im ‘Rinia e kohë sonë’ është
shkruar që më 1948-ën, kurse romani tjetër ‘Mbarimi i një mbretërie’ është shkruar më
1951. Por nuk duhet harruar se romani ‘Harbutët’ i Sterjo Spasses është shkruar që më
1946-ën. Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep
kohë Dhimitër S. Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë
‘Çlirimtarët’? Pse Partia ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon
gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumbetuar si romanin e parë në gjuhën shqipe? Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të madh të letërsisë shqipe.
Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane. Edhe
në gjuhën shqipe. A është e denjë që të merret një parti e tërë nëpërmjet funksionarëve
të saj kryesorë me gjëra të tilla? Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka
dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i
Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një
strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni.
Duhet t’i varrosni kohët e errta dhe të ktheheni në Shekullin e Njëzetë për idealet e të
cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta…
Unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore
shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në
veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të
krijuar një shtet të ashpër policor. Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet
hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe
nga shtypja e mendimit edhe brenda radhëve të partisë. Nuk është çështja për fëmijët e
varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem
dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty,
varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të
bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rrezikshëm për atë
vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të
udhëheqjes që do të transformohet dalëngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një
monarkie pa kuptim në realitetin historik të Shekullit të Njëzetë. Në përfundim të këtij
procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri tjetrin dhe populli do të mbytet në
gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe
kjo është arsyeja që po jua drejtoj këtë ‘Pro memoria’ të shkruar në mënyrë të
ngutshme.”
Nënkuptohet se diktatorit nuk i erdhi mirë. Kasëm Trebeshina, autor i pabotuar i
tetëmbëdhjetë vëllimeve me vjersha, dyzet e dy pjesësh teatrale, njëzet e dy romanesh dhe
tregimesh etj., u zhduk nga skena letrare gati pa lënë gjurmë me këtë akt vullnetar vetasgjësimi.
Pas shtatëmbëdhjetë vjetësh burgu me ndërprerje, dënim ky relativisht i lehtë siç do të shënonte
më vonë, dhe njëzet vjet heshtjeje, Trebeshina ka dalë tani në breg me një tufë shkrimtarësh,
artistësh dhe intelektualësh të tjerë. Ndër ta përmendim Lazër Radi (l. 1916), Kapllan Resuli (l.
1935), Frederik Rreshpja (l. 1941), Fatos Lubonja (l. 1951), Visar Zhiti (l. 1952) dhe Bashkim
Shehu (l. 1955), duke pohuar kështu parashikimin e Trebeshinës.
Nga krijimet e vëllimshme të Trebeshinës, vetëm një përmbledhje poetike, Artani dhe
Min’ja ose hijet e fundit të maleve, Tiranë 1961, si dhe një përkthim pa emër i pjesëve të Garsia
Lorkës u botuan në kohën që u shkruan. Ndërkaq, tri nga prozat e tij janë botuar nga Ardian
Klosi (l. 1957) në vëllimin Stina e stinëve, Prishtinë 1991, duke i hapur për herë të parë lexuesit
një dritare për të hyrë në një botë fantazie që ngjason me atë të rrëfenjave të Mitrush Kutelit
(1907-1967). Stili surrealist i asaj çka autori e quan ‘realizmi poetik’ i tij është rezultat i revoltës
së vetëdijshme kundër rrymës sunduese të realizmit socialist.
Sabri Godo (l. 1929) nga qyteti jugor i Shqipërisë Delvinë, është prozator i shquar për
romanet e tij historike. Vepra e parë, Plaku i Butkës, Tiranë 1964, qe një biografi e Sali Butkës
(1852-1938), figurë kombëtare dhe poet minor folklorik, që udhëhoqi luftëtarët shqiptarë
kundër grekëve e kundër xhonturqve. Ali Pashë Tepelena, Tiranë 1970, pasqyron dhe ngre lart
jetën e ‘Luanit të Janinës’, i cili me sundimin dinak e të rreptë tronditi Sulltan e Napoleon, por
dhe magjepsi djaloshin Lord Bajron. Vepra më e mirënjohur e tij është Skënderbeu, Tiranë
1975, pasqyrim epik i jetës dhe luftës së heroit kombëtar shqiptar nga lindja deri në vdekje. Kjo tablo e epokës së Skënderbeut, që është përkthyer rumanisht (Bukuresht 1981) dhe gjermanisht
(Tiranë 1983), është bërë shembull i romanit historik të viteve të fundit dhe, me mënyrën e vet
të shkrirjes së faktit real me trillimin, bën kontrast interesant me romanin e Ismail Kadaresë me
të njëjtën temë, Kështjella, botuar pesë vjet më parë.
Ndër veprat e tjera në prozë të Godos janë: përmbledhja me tregime Zëra nga burime të
nxehta, Tiranë 1971, një roman disi i mërzitshëm me temë partizane Prova e zjarrit, Tiranë
1977, dhe një përmbledhje me skica e shënime udhëtimi Kohët që shkojnë, kohët që vijnë,
Tiranë 1985. Kjo e fundit përbën një farë preludi për romanin e parë të Godos me temë aktuale
Ujërat e qeta, Tiranë 1988, me 500 faqe. Koha e njeriut, Tiranë 1990, ringjall kulturën e shuar
të bashkësisë bektashiane shqiptare. Heroi, Dervish Merxhani, është klerik bektashi që ka për
model figurën e baba Faja Martaneshit (vd. 1947), udhëheqës i rezistencës në Luftën e Dytë
Botërore. Duke botuar Koha e njeriut nën petkun e një romani për jetën partizane, Godo, vetë
bektashi me prejardhje, pati dorë të lirë në trajtimin e kësaj teme fetare, që në atë periudhë ishte
një nga tabutë e mëdha shqiptare. Një muaj pas rënies së diktaturës në dhjetor 1990, Sabri Godo
u zgjodh kryetar i një partie në Shqipëri, Partisë Republikane, dhe që atëherë ka qenë aktiv në
jetën politike.
Një shkrimtar i bindur, e si pasojë që i eci më mbarë, është Dritëro Agolli (l. 1931), që
u vu në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve menjëherë pas eliminimit të Fadil
Paçramit dhe Todi Lubonjës në Plenumin e Katërt më 1973, detyrë që e mbajti deri në janar
1992. Ky shkrimtar, detyrimisht duhet pasur parasysh për ndikimin e tij në rrugën e zhvillimit
të letërsisë së sotme shqiptare.
Agolli ka lindur në një familje fshatare në Menkulas të Devollit dhe kreu shkollën e
mesme në Gjirokastër më 1952. Më pas vazhdoi studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit
të Leningradit dhe me t’u kthyer në Shqipëri ushtroi gazetarinë, duke punuar për pesëmbëdhjetë
vjet në gazetën e përditshme Zëri i popullit.
Në vitet shtatëdhjetë, pasi kishte pasur sukses si poet i tokës, Dritëro Agolli, sikundër
dhe Kadareja, iu kthye përherë e më shumë lëvrimit të prozës, ku u shfaq më i fortë në tregimin
e shkurtër se në roman. Një përmbledhje me tregimet e fillimit, ajo me 213 faqe Zhurma e
erërave të dikurshme, Tiranë 1964, ka të veçantën se është ndaluar. Autorin e patën akuzuar
atëherë për revizionizëm sovjetik. Partia pati bërë thirrje për më shumë koncepte revolucionare
(maoiste) në letërsi e për t’iu përkushtuar më shumë masave punonjëse.
Si prozator Agolli bëri emër zyrtar me romanin Komisari Memo, Tiranë 1970, në fillim
i ngjizur si tregim. Ky roman edukativ me një ide të kthjellët shoqërore e politike është
përkthyer anglisht (Tiranë 1975), si dhe gjermanisht (Tiranë 1976), turqisht (Ankara 1977),
norvegjisht (Oslo 1977), portugalisht (1977), greqisht (1977), suedisht (1978), rumanisht
(Bukuresht 1983) dhe frëngjisht. Memo Kovaçi është prototipi i heroit partizan të
ndërgjegjshëm me një rol të dyfishtë: të bëjë luftë në male kundër pushtuesve gjermanë dhe të
bëjë punë edukative mes popullit si komisar politik. I plagosur në një betejë, Memon e trajton
për ta shëruar një mjek që orvatet t’ia dobësojë bindjet politike duke i mbushur mendjen se
asnjanësia është zgjidhja më e qëlluar në kohë trazirash politike. Memoja ka përballë edhe
Rrapo Tabanin, komandant batalioni, i cili ndërhyrjen e komisarëve politikë e sheh si në dëm të
aftësive luftarake të forcave të tij. Busti prej bronzi, i ngritur në kujtim të Memo Kovaçit në
fshatin e lindjes pas vdekjes, është simbol i rëndësisë që partia i jepte edukimit politik e
ideologjik.
Edhe romani i dytë i Agollit, Njeriu me top, Tiranë 1975, trajton temën e luftës
partizane, por nga një këndvështrim tjetër e me një mjeshtëri më të hollë. Mato Gruda është një
fshatar i thjeshtë ‘në gjak’ me fisin e Fizëve, i cili ka rënë në qerthullin e gjakmarrjes që sillet
nga njëri brez në tjetrin. Një ditë në pyll ai zbulon një top të braktisur nga ushtria e tërhequr
italiane, të cilin e fsheh në plevicë, me idenë e hakmarrjes ngulur në kokë. Konflikti personal me Fizët dhe me patriarkun e tyre, plakun Mere, e bën të mos shohë dasinë politike të thellë në
fshat, të shkaktuar nga prania e lëvizjeve rivale të rezistencës, dhe nevojën e ngutshme të
partizanëve në luftën e tyre kundër pushtuesve gjermanë. I zhgënjyer nga padija e vet dhe nga
dështimi në goditjen me top të shtëpisë së Fizëve, si dhe helm e vrer nga vrasja e shokut të tij
Murat Shtaga, Mato Gruda arrin të kuptojë se interesa më të lartë janë vënë në rrezik, prandaj
dhe e tërheq topin e tij të vetëm zvarrë për t’u ardhur në ndihmë aleatëve të tij partizanë, që u
kishin zënë pritë gjermanëve. Njeriu me top është përkthyer anglisht (Tiranë 1983), bullgarisht
(Sofje 1981, 1987), danisht (Århus 1987) dhe frëngjisht (Paris 1994).
Pas këtyre dy romaneve disi konformistë për heroizmin partizan, temë standart e nxitur
nga partia, Agolli shkroi një vepër shumë interesante, veprën satirike Shkëlqimi dhe rënja e
shokut Zylo, Tiranë 1973, e cila edhe ia afirmoi emrin më tej. Shoku Zylo është një model i një
aparatçiku shpirtmirë por jokompetent, drejtor i një sektori shtetëror çështjesh kulturore të
pacilësuar qartë. Kotësia e tij patetike, entusiazmi donkishotesk, qëndrimi grotesk në publik, pra
gjithë shkëlqimi dhe rënia e tij, regjistrohen të gjitha deri me imtësi ironike nga vartësi dhe
shoku i tij i zellshëm e më fort finok, që shërben si vëzhgues asnjanës. Kthesa në karrierën e
shokut Zylo më në fund vjen kur i kërkohet të shprehë pikëpamjet për një pjesë teatrale:
“Drama është e gabuar ideologjikisht. E para, heroi negativ del i fortë. Nëse vutë re,
heroi negativ ngjitet në kodër. Ç’është kjo, shokë? Kjo do të thotë se ai ngjitet në
piedestal, domethënë në kodër. Ai duhet të zbresë nga kodra bile të futet në pus. Në
kodër duhet të ngjitet heroi pozitiv.”
Këto fjalë që, sipas Agollit, ishin thënë vërtet në Tiranë nga një ithtar i zellshëm i
realizmit socialist, vijnë përpara rënies së Zylos, kur ajo pjesë më vonë gjykohet si sukses nga
të tjerët që qëndrojnë më lart se ai në shkallën hierarkike. Shoku Zylo është figurë universale,
karakter që mund të ndeshet në çdo shoqëri e në çdo epokë, kurse kritikët kanë nxituar të heqin
paralele nga Daniel Defo dhe Revizori i Nikollai Gogolit deri te Franc Kafka dhe Zert i Milan
Kunderës. Por pa dyshim më fort se kushdo tjetër, të gjitha imtësitë e këtij romani i shijon
lexuesi evropianolindor. Vepra gjendet e përkthyer bullgarisht (Sofje 1975, 1987), rusisht
(Moskë 1990?), frëngjisht (Paris 1990), gjermanisht (Kiel 1991), italisht (Leçe 1993) dhe
greqisht (Athinë 1994). Shkëlqimi dhe rënja e shokut Zylo u botua së pari më 1972 në revistën
satirike Hosteni në Tiranë dhe si libër me vete doli një vit më vonë. Fakti që ky roman arriti të
botohej në Shqipërinë staliniste, një vend aspak i njohur në atë kohë për tolerancë ndaj
gjithçkaje që sadopak i dukej si kritikë ndaj sistemit, është pa dyshim i lidhur me rrethanën se
si prototip për personazhin e Zylos shërbeu një gazetar e shkrimtar i njohur i kohës, dhe shërbeu
pikërisht për të diskredituar të ashtuquajturën lëvizje liberale në përgjithësi.
Naum Prifti (l. 1932) ka lindur në fshatin Rehovë afër Kolonjës në një familje
muratorësh. Në fillim studioi për mjekësi në Tiranë ku dhe punoi për një farë kohe si ndihmës
mjek. Më vonë e ushtroi këtë profesion në Korçë, por pasioni për letërsinë e bëri ta braktisë atë
e t’i kthehet studimit të gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Fillimisht ka punuar në
revistën satirike Hosteni dhe në revistën Ylli, kurse më vonë ishte shkrimtar në profesion të lirë.
Ndër vëllimet e shumta të tij janë: Tregimet e fshatit, Tiranë 1956, Lëkura e ujkut, Tiranë 1958
(përkth. angl. The wolf’s hide, Tiranë 1988), përkthyer tri dekada më pas nga i vëllai Peter Prifti
(l. 1924) i Universitetit të Kalifornisë (San Diego); Çezma e floririt, Tiranë 1960; Një pushkë
më shumë, Tiranë 1966; Litar i zjarrtë, Tiranë 1970; Tre vetë kapërcejnë malin, Prishtinë 1972;
Njerëz të kësaj toke, Tiranë 1975; dhe Njëqind vjet, Tiranë 1983. Naum Prifti ka shkruar edhe
pjesë teatrale e është shquar sidomos për vëllimet e shumta për fëmijë. Jo të gjithë prozën e ka
emocionuese, megjithatë një numër i madh tregimesh nga dora e tij lexohen me ëndje.
Romancieri, tregimtari, dramaturgu dhe shkrimtari Dhimitër Xhuvani (l. 1934), lindur në Pogradec, ka studiuar për mjekësi në Tiranë dhe punoi disa vjet si ndihmës mjek, kohë kur
bëri edhe sprovat e para letrare si tregimtar, por pasion për letërsinë e çoi të studiojë në degën
e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Studioi edhe në Moskë në Institutin
Gorki. Romani tij i parë 190 faqesh, Tuneli, Tiranë 1966, mbi ndërtimin e hidroçentralit të
Bistricës, u zgjodh nga partia në një fushatë gjatë viteve të ‘revolucionit kulturor’ për të trembur
të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët, dhe pas pak kohe u hoq nga qarkullimi. Xhuvani e pa
veten të akuzuar për krijimin e një vepre me gabime politike e ideologjike të rënda, me ide të
huaja borgjezo-revizioniste, me frymë dekadente, dhe nxirje të realitetit socialist dhe të
punonjësve. U dënua dhe u dërgua për të punuar si punëtor krahu në kooperativa bujqësore, në
hidroçentralin e Bistricës e në industrinë kimike në Fier.
Reagimi i ashpër i partisë ndaj Tunelit bëri më pas që autori t’i shmanget çdo
eksperimentimi letrar e sidomos pasi u lejua t’i kthehet punë së mësuesit, gazetarit dhe
shkrimtarit. Për këtë arsye romani i ri i Xhuvanit Përsëri në këmbë, Tiranë 1970, është një
imitim i plotë i modelit të parrezikshëm stalinist Si u kalit çeliku, Moskë 1937, i romancierit
sovjetik Nikollai Aleksejeviç Ostrovski (1904-1936). Nuk është për t’u habitur që ky roman u
prit shumë më mirë në qarqet zyrtare. Përsëri në këmbë, për të cilin iu dha Çmimi i Republikës,
është saga e Din Hykës, model i ‘heroit pozitiv’, një djalosh mekanik që i humbet të dyja këmbët
në një aksident dhe lufton me vendosmëri për të fituar vendin e vet në shoqëri si qenie njerëzore
normale e jo si objekt mëshire e keqardhjeje. Ka edhe mundësi që Xhuvani ta ketë shfrytëzuar
historinë e Din Hykës si simbol të karrierës së vet, të prerë e shkurtuar në të gjitha përmasat nga
lokomotiva e partisë74. Romani është botuar edhe në Kinë e në Japoni. Fan Smajli, Tiranë 1971,
është një roman për ndërtimin socialist, që nënvizon forcimin e vetëdijes politike të punëtorëve
në vitet pesëdhjetë. Romanet që vijnë më pas, disa të arritur, e disa jo, e kanë afirmuar emrin e
Xhuvanit si prozator të rëndësishëm të kohës së sotme: Zgjimi i Nebi Surrelit, Tiranë 1974;
Shtegu i Bardhë, Tiranë 1976; Do të jetojmë ndryshe, Tiranë 1979; Vdekja e zotit Kaloti, Tiranë
1981; Shpirtin nuk e shes, Tiranë 1988; dhe Dhimbja e dritës, Tiranë 1990.
Një prozator tjetër që ka ridalë pas vitesh internimi është Kapllan Resuli (l. 1935), i
njohur edhe me emrin Kapllan Kallushi. Resuli ka lindur në Ulqin dhe ka ndjekur studimet në
Shkup, të cilat i përfundoi më 1957. Tregimet e para iu botuan në revistën letrare të Kosovës
Jeta e re. Resuli spikati në brezin e parë të prozatorëve seriozë të Kosovës, brez që doli në
letërsi në fund të viteve pesëdhjetë e që autoritetet serbe e detyruan politikisht të heshtë. Nga të
tjerët e këtij brezi, Adem Demaçi (l. 1936) u burgos më 1959, Martin Camaj (l. 1925) emigroi
në Itali, Ramadan Rexhepi (l. 1940) iku në Suedi, kurse Anton Pashku (1937-1995) dhe
Azem Shkreli (l. 1938) ranë në heshtje. Vetë Resuli u arrestua më 1959, në një vit me Demaçin,
kurse pas një viti në burg bëri gabimin fatal se besoi që do të gjente liri në Shqipëri. Duke u
arratisur nga Jugosllavia me not nëpër lumin Buna, ai u kap nga autoritetet shqiptare dhe u
dërgua në një kamp internimi në Lushnjë, ku e mbajtën dy vjet. Pas kësaj, në vitet gjashtëdhjetë
fitoi të drejtat si shkrimtar dhe arriti të botojë proza në organet letrare Nëntori dhe Drita. Ndër
librat e tij të kësaj periudhe janë romani 392 faqesh Tradhëtia, Tiranë 1965, për të cilin
përmendet më shumë; një përmbledhje me tregime për Kosovën me titull Ushtima e Korabit,
Tiranë 1968, dhe tregimi Gjarpni, Tiranë 1969. Më 1966, Resuli erdhi në konflikt për herë të
parë me pushtetarët për shkak se u shpreh hapur me kritika për Ismail Kadarenë. I akuzuar më
pas për tradhti, u dënua më 1970 me pesëmbëdhjetë vjet punë të rëndë, një afat që iu zgjat deri
në dyzet e pesë vjet. U lirua më në fund më 1991 nga fshati Plug në fushën e Myzeqesë. Tani
jeton si refugjat në Gjenevë, Zvicër, ku edhe ka botuar kohët e fundit një vëllim me vjersha.
Një roman i viteve shtatëdhjetë me mjaft ngjyra lokale pavarësisht nga meritat letrare të
kufizuara është Shembja e idhujve, Tiranë 1975, nga Skënder Drini (l. 1935). Me subjektin që shtjellohet mes fiseve të prapambetura malësore të Shqipërisë së veriut, ky roman jep një tablo
të gjallë të zakoneve vendore, duke krijuar një kuadër ideologjik në udhëkryqin midis traditës
dhe progresit. Kjo dikotomi e jetës fshatare në vitet tridhjetë personifikohet nga një prift fshati
me emrin dom Engjëll Shtjefni, i cili mishëron planet djallëzore të kishës katolike, dhe nga një
mësues i ri (komunist) që përpiqet t’i sjellë arsim dhe përparim social një shoqërie patriarkale
tradicionale. Në romanin 679-faqesh Midis dy kohëve, Tiranë 1978, i cili stilistikisht është më
i përpunuar, ndeshemi përsëri me dom Engjëllin, kësaj radhe si kryepeshkop në Shkodër. Erërat
e luftës i sjellin kësaj qendre urbane të Shqipërisë veriore nën pushtimin italian fitime e intriga,
me tregtarët që përpiqen të sigurojnë sa më shumë fitime nga pushtimi e me konfliktet sociale
që bëhen përherë e më të mprehta. Ndër veprat e tjera të Drinit janë romanet Kirurgët,
Tiranë 1984; Njerëzit dhe deti, Tiranë 1987; dhe Tanush Martini, Tiranë 1990; si dhe
përmbledhjet me tregime Kumbimet e reja të pyjeve, Tiranë 1972; Tregimet e veriut, Tiranë
1977; dhe libri me 380 faqe Rruga e njeriut, Tiranë 1990. Në vitet tetëdhjetë Ismail Kadare e
ngriti mjaft lart figurën e Skënder Drinit si shkrimtar. Në stilin e prozës së Drinit ndjehet shumë
edhe ndikimi i Kadaresë.
Vath Koreshi (l. 1936) nga Lushnja është një prozator prodhimtar, edhe pse pa shfaqur
ndonjë evoluim të veçantë. Koreshi ndoqi politeknikumin 7 Nëntori të Tiranës, punoi si
mekanik në Durrës dhe në ekspeditat gjeologjike në Tropojë e Kukës para se të kryente
studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Më pas punoi si gazetar në
Zëri i rinisë, si skenarist në Kinostudion Shqipëria e Re, dhe më vonë si drejtor drejtorie në
Komitetin e Kulturës e të Arteve në Tiranë. Për vëllimin më të suksesshëm të tij me tregime,
Dasma e Sakos, Tiranë 1980, që trajtonte konflikte të brendshme dhe natyra psikologjike të
individëve, ambiciet dhe reagimet e tyre, i është dhënë Çmimi i Republikës. Subjekti i tregimit
Haxhiu i Frakullës shtjellohet dy shekuj më parë në Berat, një qytet me tradita të pasura
kulturore islame, të shprehura mbi të gjitha në poezinë prej kohësh të braktisur të bejtexhinjve.
Ai na jep një tablo të rrallë, duke ringjallur atmosferën dhe aromën e madhështisë së harruar të
Shqipërisë myslimane. Marrëdhëniet shoqërore e individuale përbëjnë bazën e këtyre romaneve
të Koreshit: romanit të disishëm Dy të shtunat e Suzanës, Tiranë 1971, që pasqyron dasmën e
një çifti të ri; Mars, Tiranë 1975, roman me temën e punës; Mali mbi kënetë, Tiranë 1977, me
subjekt që shtjellohet në vitet tridhjetë e që është botuar edhe në frëngjisht me titullin Le mont
sur le marais, Tiranë 1986; dhe Rrugë për larg, Tiranë 1985. Pesë nga tregimet e tij janë botuar
në përmbledhjen Balada e Kurbinit, Tiranë 1987. Koreshi është shkrimtar koherent e i
qëndrueshëm, që në përgjithësi ndihet më mirë në tregime se në romane.
Teodor Laço (l. 1936) nga fshati Dardhë i Korçës u bë i njohur si prozator serioz me
romanin Tokë e ashpër, Tiranë 1971, që merrej me kolektivizimin e bujqësisë në zonat malore.
Laço, i cili ka qenë drejtor i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, kurse më vonë u zgjodh kryetar i
grupit parlamentar të Partisë Social-Demokrate, dëshmon një njohje të mirë të karakterit
kontradiktor të protagonistit të vet, një bujk i pavarur në mendim, që ‘gabimisht’ kujton se
kolektivizimi do të prishë gjithë çka ngritur me duart e veta. Mosbesimi i bujkut, që rrjedh nga
një jetë e tërë përpjekjesh e mundimesh për të mbijetuar, nuk mund të kapërcehet menjëherë.
Teodor Laço ka botuar deri tani nëntë përmbledhje me tregime, katër romane dhe një
numër pjesësh teatrore. Romani i tij i dytë, Përballimi, Tiranë 1975, është një tjetër vepër me
propagandë politike, kësaj radhe me një subjekt që shtjellohet në vitet e vështira 1948-1949. Për
të siguruar furnizimin me bukë të qyteteve dhe për të shmangur ndonjë konflikt ideologjik midis
punëtorëve dhe fshatarëve, Komiteti Qendror qe i gatshëm të dekretojë një sistem të ri radikal
për furnizimin me ushqime në dimër të vitit 1949, i cili përcaktonte masën e prodhimeve
bujqësore që fshatarët duhet t’i dorëzonin shtetit. Rreptësia me të cilën u zbatua ky sistem i ri
shkaktoi rezistencë dhe shqetësime sociale, të cilat, në një formë politikisht të zbutur, përbëjnë
sfondin e romanit. Lëndina e lotëve, Tiranë 1978, e botuar edhe në frëngjisht me titullin Le prédes larmes, Tiranë 1985, si dhe Korbat mbi mermer, Tiranë 1981, janë dy romane njëri pas
tjetrit me subjekte që shtjellohen në vitet 1930. I pari trajton fatin e hidhur të mërgimtarëve që
halli i detyron të largohen nga Shqipëria, një temë tjetër kjo e pëlqyer nga partia.
Të gjithë lumenjtë rrjedhin, Tiranë 1987, ka në qendër ndërtimin e digës së një
ujëmbledhësi të nevojshëm për të ujitur 7,000 ha tokë në një zonë të quajtur Sobarë. Arsen
Morina, inxhinier hidroteknik, është ngarkuar me projektimin, i cili kërkon zgjidhje teknike të
guximshme, mendim novator dhe mjaft kurajë për të përballuar konformizmin e druajtur të
zyrtarëve vendorë. Antagonisti kryesor i tij në roman është Bani Bashari, kryetar i Komitetit
Ekzekutiv të Rrethit që, pas disa dallimeve të vogla në mendim me të, nis ta luftojë me të gjitha
mjetet, me qëllim që të ruajë pozitën e vet. Konflikti i tyre është shembull e simbol i konfliktit
midis veprimtarisë krijuese dhe pengesave që ngre burokracia me mendimin tradicional.
Megjithë një numër të metash e dështimesh në fazat e ndryshme të ndërtimit si dhe të
kërcënimeve për vetë ekzistencën e projektit nga ana e Basharit intrigant dhe inxhinierëve të
tjerë, Morina arrin pak e nga pak të fitojë besimin e Besim Golemit, sekretarit të parë të partisë,
e të kolegëve të tij, dhe diga me ujëmbledhësin përfundojnë me sukses. Ky roman, ashtu si
mjaft të tjera të përmendura më parë, është prototip i letërsisë për ndërtimin socialist, që ndjek
traditën e letërsisë sovjetike të industrializimit në vitet tridhjetë (Ehrenburg, Gladkov, Leonov).
Ky krahasim nuk vjen si befasi, po të kihet parasysh se Shqipëria e viteve tetëdhjetë po kalonte
një minimum ndihme dhe teknologjie të huaj, nëpër po atë proces të mundimshëm
industrializimi që Rusia Sovjetike pati filluar në vitet njëzet. Linjat bazë të romanit dhe
portretizimi i personazheve kryesore ndjekin me besnikëri këtë traditë: Arsen Morina, një hero
thellësisht pozitiv që përfaqëson të gjitha virtytet e ‘njeriut të ri’, personazhi negativ i
pafuqishëm, Bani Bashari, dhe udhëheqja e pagabueshme e partisë. Megjithatë, në përvijimin
e dy protagonistëve kryesorë, Laço dëshmon mjeshtëri për të analizuar dhe karakterizuar tiparet
e personazhit e për të mbajtur gjallë tensionin dramatik. Edhe pse konformist në ide politike e
në subjekt, Të gjithë lumenjtë rrjedhin arrin të depërtojë në proceset e marrjes së vendimeve dhe
të zgjidhjes së konflikteve në shoqërinë shqiptare të viteve tetëdhjetë. Nga veprat e mëvonshme
të autorit, mund të përmendet romani Pushimet e kolonelit, Tiranë 1990, një satirë me subjekt
që shtjellohet në kohën e Zogut. Tregimet e Laços, që në përgjithësi janë më të mira se romanet,
janë botuar në librat: Portat e dashurisë, Tiranë 1980; Një ditë dhe një jetë, Tiranë 1983,
Zemërimi i një njeriu të urtë, Tiranë 1990, dhe anglisht A lyrical tale in winter, Tiranë 1988.
Një prozator tjetër nga Korça është Nasi Lera (l. 1944), vëllimet e shumta me tregime
të të cilit, ndonëse mjaft me temë të njëjtë, e kanë dëshmuar si figurë të shquar në fushën e
letërsisë. Lera është një nga stilistët më të mirë ndër prozatorët e sotëm në Tiranë. Ndër
përmbledhjet e tij janë Era e pishave, Tiranë 1976, Nisemi, djema, Tiranë 1977, dhe Ditë nga
ky shekull, Tiranë 1979. I është botuar edhe një përmbledhje tregimesh në anglisht: Selected
stories, Tiranë 1986. Romani i parë i Lerës Gjaku i prillit, Tiranë 1980, është një përkshkrim i
dhënë me një kompozicion të qartë i pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939. Pas tij
vijnë Të jetosh kohën, Tiranë 1984, Orët e qytetit të vogël, Tiranë 1986, dhe Nata e premierës,
Tiranë 1990. Sikundër ndodh me mjaft prozatorë të tjerë shqiptarë, edhe Lera romanet i ka më
pak bindës se tregimet.
Prozatori Koço Kosta (l. 1944) nga krahina e Lunxhërisë shkaktoi një farë skandali kur
botoi pjesën e parë të tregimit alegorik Ata të dy e të tjerë në revistën letrare të përmuajshme
Nëntori në prill 198675. Bëmat e Peshkut të Kuq dhe Djaloshit të Pashëm në Bulevardin e
Verbër u interpretuan tamam si nxirje dhe diskreditim i ‘realitetit tonë të sotëm’. Pjesa e dytë e
tregimit, e caktuar për t’u botuar në numrin e majit 1986, u hoq nga revista Nëntori në minutën
e fundit dhe u zëvendësua me diçka politikisht të pranueshme. Edhe Koço Kosta u zhduk, i syrgjynosur në fshatin Greshicë të Mallakastrës, e iu hoq e drejta e botimit për tre vjet, ‘pour
encourager les autres’. Në një artikull, që tani duket humoristik, me titull Mbi novelën thellësisht
të gabuar ‘Ata të dy e të tjerë’76, redaksia e Nëntorit u kërkonte falje lexuesve gjoja të indinjuar
për botimin e një vepre kaq të degjeneruar e të dobët artistikisht me frymëzim mikroborgjez e
homoseksual. Vetë Koço Kosta mundi të kthehet në Tiranë vetëm në janar 1991 dhe ka rinisur
karrierën. Ndër përmbledhjet e tjera me tregime janë ato modeste Dademadhja, Tiranë 1976;
Era e udhëve, Tiranë 1982; Tregime të zgjedhura, Tiranë 1985; dhe Paradite me shi, Tiranë
1991.
Ndalimi i novelës Ata të dy e të tjerë qe orvatja e fundit e ndjeshme e hapur e partisë për
t’i detyruar intelektualët shqiptarë që të nënshtroheshin e për të ndrydhur krijimtarinë letrare dhe
mendimin e pavarur. Që atëherë e deri në dhjetor 1990, në qarqet letrare sundoi një armëpushim
i nderë.
Ndër shkrimtarët e tjerë, që kanë dhënë ndihmesë të veçantë për zhvillimin e prozës së
sotme në Shqipëri, janë: Kiço Blushi (l. 1943) nga Korça; Neshat Tozaj (l. 1943) nga Vlora,
romani i të cilit Thikat, Tiranë 1989, u prit me interesim të gjerë për kritikën e hapët ndaj
shpërdorimit ‘teorik’ të pushtetit nga ana e Sigurimit; Fatos Kongoli (l. 1944) nga Elbasani;
Zija Çela (l. 1946), gazetar dhe botues nga Shkodra; Betim Muço (l. 1947) nga Tirana, i
ndikuar mjaft nga Kadare; Roland Gjoza (l. 1950) nga Tirana; Valter File (l. 1954) nga
Erseka, libri i të cilit Nata e kuajve të bardhë, Tiranë 1988, u prit mirë; gazetari dhe përkthyesi
Hysen Sinani; Bashkim Shehu (l. 1955), bir i udhëheqësit komunist Mehmet Shehu dhe autor
i një autobiografie të botuar frëngjisht me titullin L’automne de la peur, Paris 1993 (Vjeshta e
frikës) dhe shqip Vjeshta e ankthit, Tiranë 1994; tregimtari dhe poeti Preç Zogaj (l. 1957), i cili
në qershor 1991 u bë i pari ministër jokomunist i kulturës; Teodor Keko (l. 1958), autor i
romanit Loja, Tiranë 1990, si dhe i disa tregimeve e vjershave; Besnik Mustafaj (l. 1958) nga
Bajram Curri, tani ambasador i Shqipërisë në Francë, romani i shkurtër i të cilit Vera pa kthim,
Tiranë 1989, është përkthyer frëngjisht me titullin Un été sans retour, Arles 1992; Ridvan
Dibra (l. 1959) nga Shkodra; dhe Lazër Stani (l. 1959). Ndër prozatore femra janë Elena
Kadare (l. 1943), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë, Një lindje e vështirë,
Tiranë 1970; shkrimtarja prodhimtare Diana Çuli (l. 1951), ndër romanet e fundit të së cilës
kemi Zëri i largët, Tiranë 1983, Rrethi i kujtesës, Tiranë 1986, Dreri i trotuareve, Tiranë 1990
dhe Rekuiem, Tiranë 1991; Mira Meksi (l. 1960) e njohur më fort si përkthyese; si dhe
Mimoza Ahmeti (l. 1963).
Në këtë kuadër duhen përmendur edhe një numër autorësh jashtë shtratit kryesor të
letrave të sotme shqiptare. Përpos Kasem Trebeshinës (l. 1926) që u përmend më lart, janë edhe
disa prozatorë të tjerë, me besim politik të dyshimtë për regjimin, që patën pak ose aspak
mundësi botimi gjatë periudhës së diktaturës.
Bilal Xhaferri77 (1935-1986) nga krahina e Çamërisë botoi një vëllim me dhjetë tregime
me titullin Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Tiranë 1966, vepër me mendim e me nivel artistik, por
ndoshta tepër realiste për kohën. Xhaferri ka lindur më 10 maj 1935 në fshatin Ninat afër
Konispolit dhe u rrit bashkë me të motrat në internim, ku dhe u lejua të kryente shkollën e
mesme. Më 1968, ai u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit të Kadaresë Dasma,
Tiranë 1968, dhe u qortua rëndë nga i plotfuqishmi i atëhershëm Fadil Paçrami (l. 1922). U
dëbua nga Durrësi dhe u dërgua të punojë në fermën e Sukthit. Si për mrekulli mundi të arratiset
nga Shqipëria në Greqi më 30 gusht 1969. Më tej, emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku punoi në
gazetën Dielli të Bostonit dhe organizoi një shoqatë amerikano-çame. Vdiq në Çikago në gusht 1986. Një vëllim me vjersha, Lirishta e kuqe, Tiranë 1967, qe shtypur para se të binte në
fatkeqësi, por nuk u vu kurrë në qarkullim. Edhe romani i tij Krastakraus, Tiranë 1993, u botua
vetëm pas ardhjes së demokracisë.
Shkrimtari Lazër Radi (l. 1916) ka lindur në Prizren. Kur familja u shtrëngua nga serbët
të largohet më 1938, u shpërngul në Shkodër ku dhe kreu shkollën e mesme. Radi studioi për
drejtësi në Romë më 1942 dhe e kreu studime më 1944. Disa nga shkrimet e tij të para u botuan
nga Ministria e Jashtme e Italisë, për të keqen e tij më vonë, në një vëllim tani të rrallë me
titullin Fashizmi dhe fryma shqiptare, Tiranë 1940, me një hyrje nga neoshqiptari Vangjel Koça
(1900-1943). Radi u arrestua më 23 nëntor 1944 për mëkatet e tij, pak ditë pasi forcat
komuniste kishin hyrë në Tiranë, dhe u dënua me tridhjetë vjet burg. Ka qenë në një qeli me
Petro Markon (1913-1991), Jusuf Vrionin (l. 1916) dhe Andrea Varfin (1914-1992). Meqë mjaft
intelektualë, që kishin shpëtuar gjallë në kohën e kalimit të pushtetit, tani ishin në burg,
autoritetet komuniste, duke u treguar si rrallëherë pragmatistë, krijuan një grup përkthimi nën
regjimin e ri. Lazër Radi e drejtoi këtë sektor të parë përkthimi të qeverisë së Republikës
Popullore të Shqipërisë, me zyrat në burgun e Tiranës. Të gjitha dorëshkrimet e hershme të
Radit në shtëpi, të fshehura në një sirtar, u dogjën nga të afërmit më 1951 kur në Tiranë u bënë
bastisje shtëpi më shtëpi dhe ekzekutime masive pas shpërthimit të një bombe në ambasadën
sovjetike. I liruar nga burgu në prill 1954, Radi menjëherë u dënua me njëzet vjet internim dhe
u dërgua me radhë në fshatrat famëkeqe të internimit në jug: Shtyllë afër Fierit, Kuç të krahinës
së Kurveleshit, dhe Gradishtë, Çermë e Savër, të gjitha në fushën malarike të Myzeqesë, afër
Lushnjës. U lirua më 1991 pas gjithsej dyzetegjashtë vitësh burgimi e internimi. Megjithëse nën
vëzhgim të pandërprerë gjatë internimit, Lazër Radi vazhdoi të shkruajë, duke i fshehur
dorëshkrimet nën tokë. Ndër veprat që shpëtuan janë kujtimet mjaft të gjera, proza dhe poezi,
nga të cilat pak gjë është botuar deri më tani.
Një figurë po aq tërheqëse nga intelektualët e lënë në hije është Petro Zheji (l. 1929).
Lindur më 16 tetor 1929, bir i një oficeri pjesëmarrës në lëvizjen e rezistencës, Petro Zheji qe
student i shkëlqyer në matematikë e më pas punoi si mësues në Gjirokastër. U internua në fund
të viteve dyzet, sikundër pothuajse cilido me merita intelektuale në Shqipëri, por i shpëtoi për
gjithë kohën tjetër burgut. Ai është autor romanesh të pabotuara plot simbolizëm, njëri prej të
cilëve është me temën e të burgosurve në spitalet psikiatrike në Shqipëri; autor kujtimesh
autobiografike; i një monografie mbi gjuhën shqipe në formën dialoguese të Platonit. Nuk është
botuar as edhe një vepër e tij. Ato që ia dolën të botohen janë përkthimet mjeshtërore nga
letërsia, ndër to Foma Gordeyevi, Tiranë 1960, e Maksim Gorkit; Këmbanat e Bazelit, Tiranë
1964, nga Lui Aragon; romani në dy vëllime Obllomov, Tiranë 1966 i Ivan Aleksandroviç
Gonçarovit; pjesa e dytë e Sojliu mëndjemprehtë, Tiranë 1977, të Migel Servantesit; dhe Papa
jeshil, Tiranë 1980 të Migel Angel Asturiasit. Në nëntor 1990 emigroi në Romë bashkë me të
birin, dramaturgun Artur Zheji (l. 1961), dhe aktualisht banon në Detroit, Miçigan.
Nuk do të lëmë pa përmendur shkrimtarin Pjetër Arbnori (l. 1935) nga Shkodra, i cili
është autori i shtatë romaneve dhe mbi njëqind tregimeve të shkruara në burgun e Burrelit.
Arbnori kaloi mbi njëzet e tetë vjet në burg dhe mundi të botojë për herë të parë në qershor
1991. Në mars 1992 u zgjodh Kryetar i Parlamentit shqiptar.
Ndër shumë prozatorë të tjerë të përndjekur nën regjimin komunist, dhe që prandaj
talenti i tyre nuk i ra në sy publikut, janë Kin Dushi (1922-1994), autor i romanit 326-faqesh
Një emër në mes të yjve, Tiranë 1964, si dhe i veprave të tjera. Dushi u burgos rreth vitit 1966
pse gjoja kishte thirrur ‘Rroftë Hrushçovi’ dhe sepse kishte guxuar të deklaronte se shkrimtarët
duhet të shkruajnë çfarë ndiejnë e jo çfarë u thonë të tjerët. Punoi si skllav në ndërtimin e Hotel
Tiranës derisa u lirua rreth vitit 1989; Astrit Delvina78 (1920-1990) i cili vdiq në internim; romancieri Osman Bishqemi, që vdiq në burg; romancieri sentimental Mustafa Greblleshi
(1922-1986); dhe Mehmet H. Myftiu (l. 1931) nga Tirana, të cilin nuk e lejuan të botonte pas
qarkullimit në dorëshkrim më 1964 të romanit të tij Shkrimtari, Tiranë 1992.
______
74 Për analizën përkatëse, kr. Pipa 1991, f. 45 – 48.
75 ribotim kr. Kosta 1994.
76 në: Nëntori, Tiranë, 1986, nr. 5, f. 20-28.
77 kr. Hamiti 1994b, 1996.
78 kr. P. Zheji 1996.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia