13. GJAKU YNË I SHPRISHUR.
LETËRSIA SHQIPTARE E SHEKULLIT XX NË
ITALI E DIASPORË
13.1 Etapa e pjekurisë për letërsinë dhe studimet arbëreshe
Shekulli i ri qe një periudhë interesimi të paparë për kulturën shqiptare e arbëreshe si
dhe për studimin e saj. Poetët, që gjithmonë kanë qenë shtylla e letrave shqiptare, tani kishin një
traditë ku mund të kthenin sytë e mund të integronin veprimtarinë e tyre në një letërsi modeste,
por të afirmuar mirë. Veprat e tyre, nuk ishin gjithmonë arritje të mëdha artistike të një kulture
shkrimi të zhvilluar në shkallë të lartë. Por ato nuk u paraqitën më si shembuj të veçuar
krijimtarie letrare në një gjuhë baritore të përdorur dhe vetëm për komunikim gojor në fshatrat
malësore, ashtu sikundër kishte ndodhur gjatë mbarë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ato mund t’i
cilësojmë tani si një dukuri reale.
Në këtë periudhë ndeshemi me disa poetë që, ndonëse ishin artistë pa ndonjë talent të
jashtëzakonshëm, dhanë ndihmesë të rëndësishme për përparimin e letrave shqiptare. Më i
shquari ndër ta është Agostin Ribeku (ital. Agostino Ribecco, 1867-1928), mjek dhe figurë
publike nga qyteti Spixana (ital. Spezzano Albanese) në krahinën e Kozencës. Lirikat e tij
romantike ngjasojnë me ato të Zef Serembes, edhe pse u mungon trishtimi i këtij të dytit.
Ribeku, bashkëpunëtor i rregullt në një numër organesh shtypi të kohës, ka botuar një
përmbledhje me vjersha të titulluar Vjersha malli, Sofje 1902, libër me poezi dashurie që, sipas
traditës së romantizmit kombëtar të kohës, nuk përjashton vjersha dashurie për atdheun. Një
variant i kësaj përmbledhjeje i zgjeruar me disa vjersha fetare u shtyp në Kastrovilari më 1917.
Ribeku është edhe autor i një vepre filologjike të kohës si Vestutà della lingua albanese e sua
importanza nella spiegazione del mondo anticho, Valle di Pompei 1922 (Lashtësia e gjuhës
shqipe dhe rëndësia e saj për shpjegimin e botës së lashtë), si dhe i një përkthimi italisht të
pjesës melodramatike të Sami Frashërit Besa. Domenik Anton Markezi (ital. Domenico
Antonio Marchese, 1879-1927) nga Maqi (ital. Macchia Albanese) krijoi tri përmbledhje të
vogla vjershash: Mërii, Koriljano Kalabro 1898, Rrëmpa, 1900, dhe Liufa e malle, 1915. Ky
poet pak i njohur ka qenë edhe autor recensionesh dhe vjershash në organet e kohës. Avokati
Kozmo Serembe (ital. Cosmo Serembe, 1879-1938), nip i Zef Serembes, nga Strigari (ital. San
Cosmo Albanese), ka qenë studiues i zjarrtë për çdo gjë shqiptare. Ende student, botoi një
vëllim të vogël me vjersha shqip me titull Kënka lirie, Bukuresht 1898, kushtuar Shqipërisë nën
zgjedhën turke. Poema e tij epike për Skënderbeun, Kënkat e Krujës, me njëzet e pesë këngë
dhe 20,000 vargje, mbeti e pabotuar1. Çfarëdo merite të ketë pasur si poet, ai përmendet
kryesisht pse ndërmori botimin pas vdekjes të poezisë së xhaxhait të tij më të talentuar Zef më
1926, por fatkeqësisht, duke vënë dorë në të, aq sa mund të thuhet që pjesa më e madhe e
vjershave të botuara të Serembes nuk janë më autentike.
Në fushën e studimeve, ndër botimet e kësaj periudhe kemi të parën histori të
rëndësishme të letërsisë shqiptare, Manuale di letteratura albanese, Milano 1896 (Doracak i
letërsisë shqiptare), nga Albert Stratiko (ital. Alberto Straticò, 1863-1926). Kjo vepër me 280 faqe mbulon kryesisht letërsinë gojore, disa autorë të hershëm shqiptarë si Frang Bardhi dhe
Pjetër Bogdani, si dhe autorët më të shquar arbëreshë deri te bashkëkohësit e Stratikoit. Është
e çuditshme se Stratikoi nuk ndalet fare te zhvillimi i letërsisë shqiptare të shekullit të
nëntëmbëdhjetë. P.sh., nuk përmenden Naim dhe Sami Frashëri, veprat e para të të cilëve kishin
dalë në vitet 1880. Për Stratikoin letërsia shqiptare do të thoshte letërsi arbëreshe, kurse
krijimtaria letrare matanë detit në Gadishullin Ballkanik ishte vetëm një kujtim i largët i së
kaluarës.
Anselm Lorekio2 (ital. Anselmo Lorecchio, 1843-1924) ka qenë botues dhe figurë e
shquar publike arbëreshe. Ka lindur në Puhëri (ital. Pallagorio), në krahinën kalabreze të
Katanxaros më 3 nëntor 1843 dhe ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Napolit. Pas pak
kohe iu kushtua studimit të kulturës shqiptare dhe mori pjesë aktive në lëvizjet politike e
kulturore të kohës. Drejtoi punimet e Kongresit të Dytë Albanologjik në Ungër (ital. Lungro)
më 1897, u zgjodh president i Società Nazionale Albanese (Shoqata Kombëtare Shqiptare) dhe
botoi me shpenzimet e veta vepra të shumë shkrimtarëve arbëreshë. Edhe vetë ishte shkrimtar
e poet. Përmendet si autor i La questione albanese, Katanxaro 1898 (Çështja shqiptare), Il
pensiero politico albanese in rapporto agli interessi italiani, Romë 1904 (Mendimi politik
shqiptar në lidhje me interesat italiane), si dhe artikuj të shumtë. Megjithatë, i njohur u bë për
botimin e periodikut të shquar arbëresh La Nazione albanese (Kombi shqiptar), revistë e
përdyjavshme politike e kulturore, e cila zgjati nga 1897 e derisa vdiq më 22 mars 1924. Ndër
veprat që publiku arbëresh arriti të zbulojë me anën e La Nazione albanese qenë ‘Histori e
Skënderbeut’ e Marin Barletit, manifesti politik i Sami Frashërit Shqipëria – ç’ka qënë, ç’është
e ç’do të bëhetë, dhe poema osianike e Gavril Darës Kënka e sprasme e Balës.
Një tjetër studiues dhe folklorist arbëresh i shquar në zgrip të shekullit ka qenë Mikel
Markiano (ital. Michele Marchianò, 1860-1921) i lindur, si dhe Jeronim De Rada e Domenik
Anton Markezi, në Maq (ital. Macchia Albanese) në një familje me tradita mësuesie. Ai punoi
si mësues në Foxha e më pas u bë zëvendësdrejtor i një shkolle të mesme në Paola, në bregdetin
kalabrez. Markiano është autori i të parit studim për De Radën dhe veprën e tij, L’Albania e
l’opera di Girolamo De Rada (Shqipëria dhe vepra e Jeronim De Radës), Trani 1902, monografi
që e ruan vlerën edhe sot e kësaj dite. Ai e ka botuar edhe një përmbledhje italisht me poezi të
De Radës, Poemi albanesi di Girolamo De Rada, Trani 1903 (Poezi shqiptare të Jeronim De
Radës). Markiano qe mjaft aktiv në fushën e folklorit. Libri i tij Canti popolari albanesi delle
colonie d’Italia, Foxha 1908 (Këngë popullore shqiptare nga ngulimet në Itali), është një
përmbledhje me vlerë e folklorit dhe e poezisë arbëreshe të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë.
Ndër veprat e tjera janë Poesie sacre albanesi, Napoli 1908 (Poezi fetare shqiptare), me vargje
fetare të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë; Canti popolari albanesi della Capitanata e del
Molise, Martina Franca 1912 (Këngë popullore shqiptare të Kapitanatës dhe Molizes); dhe një
studim për përralla popullore greke.3
Imzot Pal Skiro (ital. Paolo Schirò, 1866-1941), peshkop dhe studiues arbëresh nga
Hora e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi) në Sicili, ndoqi studimet, sikurse të vëllezërit
Zef e Xhovani, në seminarin italo-shqiptar të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë.
Specialist për historinë dhe liturgjinë ekleziastike bizantine, ai është autor i mjaft përkthimeve
fetare që dolën sidomos në të përjavshmen e tij Fiala e t’in’ Zoti më 1912-1915. Arritja më e
madhe kulturore e tij është se solli në dritë Mesharin e Gjon Buzukut (1555), i pari libër në
gjuhën shqipe. Skiroi e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i tij i gjerë për mesharin nuk u botua i plotë4. Skiroi
vdiq më 12 shtator 1941.
Dekadat e para të shekullit të njëzetë dëshmuan një vazhdimësi të poezisë arbëreshe në
dy drejtime: poezi e kultivuar dhe poezi popullore. Dallimi midis tyre nuk është përvijuar
ndonjëherë në mënyrë bindëse. Filozofi dhe kritiku Benedeto Kroçe (Benedetto Croce, 1866-
1952) ka thënë5 se dallimi midis poezisë së kultivuar dhe poezisë popullore nuk qëndron
kryesisht në prejardhjen kolektive apo anonime të së dytës, por në faktin se poezia e kultivuar
është nga ana psikologjike më komplekse se ajo popullore, kompleksitet që më së miri
pasqyrohet në formën e shprehjes. Përpunimi stilistik i poezisë së kultivuar na emocionon me
pasionin, kujtimin, përvojën dhe mendimin e thellë, kurse vargu popullor është poezi e ndjenjës
së drejtpërdrejtë e të thjeshtë dhe si rrjedhim e shprehur më thjesht. Këtë ndjenjë e përcaktojnë
faktorë shoqërorë e historikë të kristalizuar në zërin kolektiv të popullit.
Një poet tipik popullor aty nga periudha e Luftës së Parë Botërore ka qenë Simeon
Orac Kapareli6 (ital. Simeone Orazio Capparelli, 1852-1930) nga Firmoza (ital.
Acquaformosa) në krahinën e Kozencës. Ky rapsod fshatar, i njohur nga bashkëfshatarët si Don
Oraxi, nuk dinte shkrim e këndim shqip. Ishte i zgjuar, por pa disiplinën e duhur për të bërë
shkollë të rregullt, dhe e la shkollën pas klasës së tetë. Nga fshati me sa duket është larguar
vetëm për të bërë ushtrinë në Kozencë. Ndër vargjet e tij me zgjuarsi fshatarake kemi lirika
dashurie, vjersha me tema shoqërore politike me frymëzim socialist dhe satira.
Një tjetër poet lirik dhe satirik popullor i kohës ka qenë Salvatore Braile7 (1872-1960),
lindur më 12 mars 1872 në Shën Mitër (ital. San Demetrio Corone). Pjesa më e madhe e
vjershave shqip, të krijuara midis viteve 1894 dhe 1953, ka mbetur e pabotuar. Ndodhet në një
dorëshkrim me titull Vjersha në dialektin e kolonivet shqiptare të Kalabrís. Gjuhën e ka të
pastër e pa artificialitete. Sikundër Kapareli, Braile e përdori satirën për të goditur padrejtësitë
shoqërore e për të propaganduar ide të majta. Ndërkohë që punonte si mësues i italishtes në
kolegjin françeskan në Shkodër në vitet 1924-1926, ai botoi një përmbledhje me vjersha rinore
italisht, Fra un telegramma e l’altro, Koriljano Kalabro 1925 (Nga njëri telegram te tjetri). Pasi
u kthye në Kalabri, punoi si nëpunës poste e si mësues filloreje. Përmendet në veçanti për
përkthimin La commediante, satira ai galantuomini di San Demetrio Corone, Shkodër 1924
(Aktorja komike, satirë për fisnikët e shquar të Shën Mitrit), nga origjinali shqip i Konstantin
Beluçi Shalës (ital. Constantino Bellucci Sciaglia, 1796-1867), poet popullor satirik arbëresh,
që kishte banuar në Shën Mitër një shekull më parë. Braile, me nam për përkthime të bukura
nga latinishtja (Virgjili, Katuli) dhe italishtja (Xhovani Prati), ka botuar edhe një vëllim me
poezi të shkruara nga e motra, Mariantonia Braile8 (1894-1917). Kjo përmbledhje e thjeshtë
me vjersha të buta e melankolike, me titullin I canti, Koriljano Kalabro 1917 (Këngë), pasqyron
mundimet e jetës së shkurtër të Mariantonias: lufta, sëmundja dhe vdekja e të birit.
Me prirje melankolike ka qenë edhe poeti Aristidh Manes9 (ital. Aristide Manes, 1897-
1974) nga Shën Benedhiti (ital. San Benedetto Ullano). Manes u prek thellë nga kasaphana e
kotë e luftimeve në frontin austriak gjatë Luftës së Parë Botërore. Mërgoi në Amerikën e Jugut
dhe jetoi me radhë në Brazil, Argjentinë dhe Kili. Përsiatjet e tij plot mall janë botuar atëherë në
organe të ndryshme. Në një të ardhme të afërt mund të botohet një përmbledhje me vjershat e
tij.
Ndër poetë të tjerë popullorë të Kalabrisë janë Dhimitër Kidikimo (ital. Demetrio
Chidichimo, 1846-1922), poet dhe prift nga Pllatani (ital. Plataci) dhe autor vargjesh me temë
mbi Skënderbeun; Kozmo Çerigone10 (ital. Cosmo Cerrigone, 1845-1933) me të birin Xhorxho
Çerigone (ital. Giorgio Cerrigone, 1871-1960) nga Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese);
Agostin Xhordano Plaku (ital. Agostino Giordano, 1881-1967) nga Ejanina (ital. Eianina);
dhe Skanderbeg Beluski11 (ital. Scanderbeg Belluschi, 1851-1931) nga Shën Mitri, autor i
Kërzë Kajzerit (Satirë për Kajzerin), krijuar më 1916.
Poeti Frano Krispi Glaviano12 (ital. Francesco Crispi Glaviano, 1852-1933) qe
shkrimtari i fundit shqiptar nga qyteti sicilian Pallaci (ital. Palazzo Adriano), ku tani gjuha
shqipe është shuar. Ai ishte jo vetëm poet dhe shkrimtar prodhimtar, po edhe mbledhës i zjarrtë
i folklorit. Kështu ndihmoi Xhuzepe Pitrenë (ital. Giuseppe Pitrè, 1841-1916) me material nga
Pallaci për përmbledhjen e tij në katër vëllime me përralla popullore siciliane13. Një pjesë e
poezisë lirike të Krispi Glavianoit, me tema kombëtare apo vjersha dashurie, u botua në organet
e kohës (Kombi, Arbri i ri). Vepra e tij më e madhe, e botuar pas vdekjes, është Mbi Malin e
Truntafilevet, Palermo 1963, një poemë epike me rreth pesëdhjetë këngë për brengat e
pafundme të shqiptarëve mërgimtarë në Sicili. Një herë në vit, në solsticin veror, banorët e
Pallacit dilnin bashkë jashtë qytetit dhe i ngjiteshin Malit të Trëndafilave, aty afër, nga ku mund
të shihnin detin. Me fytyrë nga lindja, ata këndonin himne e vaje për tragjedinë e mërgimit e për
fatin e atdheut të humbur. Këtyre riteve kolektive plot mall të përvajshëm u bën homazh Krispi
Glavianoi në këtë poemë të gjatë dhe të pasur me figura nga folklori.
Me vlerë madhore si për letërsinë arbëreshe ashtu edhe për studimet letrare shqiptare
janë veprat e Zef Skiroit14 (ital. Giuseppe Schirò, 1865-1927). Për ta dalluar nga historiani i
letërsisë Zef Skirò i Riu (1905-1984), e cilësojnë edhe me emrin Zef Skirò Plaku. Skirò Plaku
ka qenë poet neoklasik, prozator dhe studiues, veprat e të cilit mund të thuhet se shënojnë një
pikë kalimi drejt letërsisë bashkëkohore shqiptare në Itali. Skiroi ka lindur më 10 gusht 1865 në
Horën e Arbëreshëvet në Sicili. Që në moshë të re u ushqye me dashurinë për gjuhën dhe
kulturën e kombit të vet nga kushërira Kristina Xhentile Mandalà (ital. Cristina Gentile
Mandalà, 1856-1919), e cila më vonë e ndihmoi për të mbledhur përralla popullore shqiptare e që vetë ka qenë autore e një përmbledhjeje të pabotuar me përralla popullore15.
Zef Skiroi e filloi karrierën letrare në moshën nëntë vjeç me një vjershë atdhetare
kushtuar Skënderbeut. Gjatë studimeve të para në seminarin italo-shqiptar në Palermo vazhdoi
të tregojë interes për kulturën e të parëve të vet si dhe për klasikët e letërsisë botërore që i
lexonte me etje: Homeri, Dante, Ariosto, Servantes, Klopshtok, Gëte, Shiler dhe Tasso. Më
1887, së bashku me Françesk Petën (ital. Francesco Petta), Skiroi themeloi revistën Arbri i ri në
Palermo dhe botoi përmbledhjen e tij të parë me vjersha. Përfundoi studimet për drejtësi më
1890, por pasionin e pati kryesisht për folklorin dhe letërsinë, sidomos për letërsinë klasike dhe
italiane të cilën e dha në shkollën e mesme Garibaldi në Palermo nga 1888 deri më 1894. Kjo
ka qenë një periudhë mjaft pjellore në krijimtarinë e Zef Skiroit, vite kur dolën veprat e tij
letrare madhore. Ishte mik i romancierit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo (ital. Luigi
Pirandello, 1867-1936), të cilin e kishte njohur në Universitetin e Palermos, edhe pse në
krijimtarinë letrare pak i ngjan atij. Skiroi gjithashtu ka pasur letërkëmbim me albanologë dhe
personalitete kryesore të kulturës shqiptare të kohës, ndër ta me filologun austriak Gustav Majer
(Gustav Meyer, 1850-1900), me baroneshën Josefinë fon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-
1908), me albanologun frëng Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), si dhe me shkrimtarët
rilindës Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Pashko Vasa (1825-1892) dhe Visar Dodani
(rreth v. 1875-1939). Më 1901 u emërua në katedrën e sapokrijuar të studimeve shqiptare në
Institutin Oriental Mbretëror në Napoli, funksion që e mbajti gjithë jetën, kurse më 1904 botoi
të përdyjavshmen jetëshkurtër Flamuri i Shqipërîs / La Bandiera albanese. Po në këtë periudhë
doli vepra e tij për letërsinë e hershme dhe kulturën folklorike të arbëreshëve: Canti popolari
dell’Albania, Palermo 1901, përmbledhje me poezi popullore shqiptare, këngë dasme, këngë
epike dhe dashurie me një përkthim italisht; Canti sacri delle colonie albanesi di Sicilia, Napoli
1907 (Këngë kishtare të ngulimeve shqiptare në Sicili); dhe Canti tradizionali ed altri saggi
delle colonie albanesi di Sicilia, Napoli 1923 (Këngë tradicionale dhe sprova të tjera të
ngulimeve shqiptare në Sicili). Skiroi punoi në Shqipëri si inspektor për shkollat italiane nga
1912 deri më 1914, vite që dëshmuan shembjen përfundimtare të Perandorisë Osmane dhe
lindjen e shumëpritur të Shqipërisë së pavarur. Më pas vazhdoi veprimtarinë albanologjike në
vendin e vet në Napoli, me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Vrasja e të birit
Mino, viktimë e një intrige politike më 1920, ia rëndoi me trishtim vitet e fundit të jetës. Zef
Skiroi vdiq në Napoli më 17 shkurt 1927, i nderuar e i respektuar si personaliteti më i madh i
letërsisë bashkëkohore arbëreshe të Sicilisë.
Botimi i parë letrar i Skiroit, Rapsodie albanesi, Palermo 1887, doli kur autori ishte
njëzet e dy vjeç. Sipas traditës osianike të Darës së Ri, Skiroi e paraqiti këtë vepër si antologji
poezie tradicionale. Poezia shqiptare në këtë libër, e shoqëruar me një përkthim italisht, ishte aq
bindëse, saqë specialistët dhe autoritetet e kohës, ndër ta Xhuzepe Pitrè dhe Gustav Majer u
befasuan prej saj. Poema e tij Mili e Hajdhia, Palermo 1891, është një idil fantastik dashurie në
tetëmbëdhjetë këngë në shembullin e Milosaos së Jeronim De Radës. Pinjoll i shqiptarëve të
parë që lanë atdheun e tyre të drobitur luftërash dhe erdhën në pranverën e përjetshme të
Sicilisë, heroi i poemës, Mili, magjepset kur vjen rasti për të takuar Hajdhinë e bukur. Më pas
ajo sheh në ëndërr sikur takon një nga shokët e luftës të Skënderbeut, i cili i rrëfen për
qëndresën heroike kundër turqve. Mili, tani i fejuar me Hajdhinë, niset për të luftuar për
Shqipërinë. Kjo poemë sentimentale, ashtu si Milosao e De Radës, mbyllet me vdekjen tragjike
të të dy të rinjve të dashuruar. Për sa i përket stilit, fjalorit poetik dhe metrikës, Mili e Hajdhia,
me tri botime, më 1891, 1900 dhe 1907, mund të quhet kryevepër e poezisë shqiptare të
shekullit të njëzetë, kurse nga pikëpamja estetike, ndoshta vepra më e mirë e Skiroit, me gjithë
zgjatjet dhe trajtimin sentimental të personazheve kryesore. Por mungesa e njësisë në konceptim, që vjen sidomos nga ndryshimet dhe shtesat në botimet e mëvonshme, bëjnë që t’i
ulen vlerat tërësore artistike dhe sjellin një ngatërresë, që të kujton veprat e De Radës.
Kënkat e luftës, Palermo 1897, është një përmbledhje vjershash kushtuar aspiratës për
pavarësinë e Shqipërisë, që si nga përmbajtja edhe nga forma është në një hulli me poezinë e
Rilindjes me frymë romantike kombëtare që krijohej asokohe në Shqipëri. Edhe pse thirrja
entuziaste për të rrokur armët dhe flaka e patriotizmit sot mund të duken diçka e tepruar, ky
tingëllim kombëtar është i kuptueshëm po të kemi parasysh sa e ngutshme ishte bërë kërkesa
për të fituar pavarësinë në atë zgrip shekulli. Skiroi i këndon popullit të vet nën zgjedhën turke,
luftërave të tij dhe ditës së re që po agonte për ta. Te dheu i huaj, Palermo 1900, i botuar me
ndihmën financiare të Anselm Lorekios, është një idil i gjatë historik, i qëndisur me elemente
të folklorit dhe mitologjisë, që rrëfen për ikjen epike të shqiptarëve të shekullit të
pesëmbëdhjetë nga atdheu i të parëve për t’u ngulur në Sicili. Varianti përfundimtar i kësaj
vepre iu botua pas vdekjes më 1940.
Elegjia me tetë pjesë Mino, e botuar në Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie
albanesi di Sicilia, sjell në letërsinë shqiptare një larmi të gjerë metrash të rinj: hekzametrin,
pentametrin e vargun safik. Ajo është përjetim letrar i vdekjes tragjike të birit të poetit, Milo,
viktimë e një vrasjeje politike më 23 korrik 1920. Ndonëse shqiptar i betuar, Skiroi e vlerësonte
lart potencialin kulturor të Italisë. Në shqetësimet e tij për shtetin e sapolindur shqiptar, ai
shpesh kishte theksuar rolin që Italia, nëpërmjet pakicës arbëreshe, mund të luante për
mbrojtjen kulturore e politike të këtij vendi të vogël nga planet armiqësore të fqinjëve
ballkanikë. Në Kënkat e litorit, Palermo 1926, ai shkonte edhe më tej duke i thurur lavde lindjes
së lëvizjes fashiste italiane që në fillimet e saj.
Këthimi, Firence 1965, është një poemë heroike për pavarësinë e Shqipërisë, me dyzet
e një këngë në 4077 vargje. Ajo dëshmon kthimin e poetit arbëresh në Shqipëri dhe përvojën e
tij gjatë viteve të turbullta, kur përfundimisht u shpall pavarësia. Heroi Milo, personifikim i vetë
autorit apo ndoshta i të birit të vdekur, ulet e puth tokën kur mbërrin në dheun e të parëve. Aty
takon Esad Toptanin, Dervish Himën dhe Ismail Qemal bej Vlorën, i cili shpalli qeverinë e
Shqipërisë në Vlorë më 1912. Po këtu i bëhet jehonë edhe mbrojtjes heroike të Shkodrës nën
rrethimin malazez. Në ciklin e dytë, ndeshemi me botën meditative të bektashinjve në figurën
e Baba Aliut, të parë me sytë e të krishterit Milo. Cikli i tretë i bën jehonë Prenk Bibë Dodës
(1850-1920), princ i Mirditës, dhe rolit të arbëreshëve e të Italisë në mbështetje të lirisë së
Shqipërisë. Ndërsa pjesë të veçanta të poemës Këthimi, e cila në brendi është më fort
autobiografike se historike, përmbajnë vargje melodioze që mund të hyjnë në punë për tekste
këngësh, pjesët e sipërpërmendura nuk arrijnë të shkrihen në një tërësi harmonike. Poema vuan
po nga ajo mungesë njësie e veprave të mëparshme. Edhe për gjuhën e Skiroit ia vlen të thuhen
dy fjalë. Ai përdor një leksik të pasur e të larmishëm me mjaft frazeologji të marrë nga letërsia
gojore. Është i pari autor arbëresh që u përpoq mjaft për të shmangur përdorimin e
italianizmave, të cilat i gjejmë në shumicën e veprave të mëparshme të letërsisë arbëreshe. Kur
ndeshemi me fjalë të huaja, më tepër gjasa ka të jenë me prejardhje greke, çka dëshmon
parapëlqimin që Skiroi kishte për qytetërimin bizantin.
Me gjithë meritat, Skiroi u vlerësua nga historianët e letërsisë në Shqipërinë komuniste
më pak se shkrimtarët e mëparshëm arbëreshë si Jeronim De Rada dhe Zef Serembe. Besimi i
patundur i Skiroit te Italia si mbrojtëse dhe roje e mundshme e kulturës së këtij vendi të vogël
ballkanik binte ndesh me aspiratat e mëvonshme të nacionalizmit shqiptar, të bazuar në
pavarësinë e plotë nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Italinë. Sikundër ndodhi edhe me
shumë shkrimtarë të tjerë të periudhës së paraluftës, kriteri politik ndërhyri jo për mirë në kritikën letrare për veprën e Skiroit. Skiroi u kthye e u bë anatemë në Shqipërinë komuniste16,
dhe për këtë ndikoi edhe më shumë animi i dukshëm i tij në fillimet e lëvizjes fashiste, siç e
dëshmojnë edhe disa nga shkrimet e tij të mëvonshme.
Megjithatë, duhet thënë se Skiroi ishte i pari që arriti të gërshetojë elementet romantike
të poezisë folklorike arbëreshe me përpikmërinë artistike të poezisë klasike e neoklasike
italiane, për të krijuar një korpus poetik harmonik e të barazpeshuar. Atë që kishte bërë për
letërsinë arbëreshe Jeronim De Rada në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e bëri Zef Skiroi në
shekullin e njëzetë.
_________
1 Dorëshkrimi i kësaj vepre ruhet në Arkivin Shtetëror në Tiranë. kr. Z. Kodra 1967.
2 kr. Mandalari 1939, dhe Antonini 1966-1967.
3 Për botime të tjera, kr. Elenco delle opere di Michele Marchianò në revistën La Nazione Albanese, vël. 17, nr. 18.
4 kr. Schirò & Petrotta 1932. Për dorëshkrimet e Pal Skiroit në Kopenhagë, kr. Gangale 1973, f. 15 (II 9) si dhe thecae II 33, II 38, IV 3 dhe IV 15.
5 kr. Croce 1933.
6 kr. Rennis 1987.
7 kr. Petrotta 1932, f. 336, Gradilone 1958, 1960, f. 207-214, Schirò 1959, f. 226-228, dhe Faraco 1991.
8 kr. Gradilone 1960, f. 215-217.
9 kr. Fortino 1988, f. 191.
10 kr. Gangale 1973, f. 101 (V 25).
11 kr. Faraco 1989.
12 kr. Petrotta 1932, f. 337, Schirò 1959, f. 157, K. Kamsi 1960, Gangale 1973, f. 26 (II 21), 63 (IV 9) si dhe thecae II 16, II 22, III 23, dhe Fortino 1988, f. 190.
13 kr. Pitrè 1875.
14 kr. Petrotta 1950a, f. 25-36, Schirò 1959, f. 205-226, Koliqi 1972b, f. 193-214, Gradilone 1974, f. 78-148, 1983, f. 39-85, Qosja 1986, vëll. 3, f. 384-421, dhe Mandalà 1990.
15 kr. Gangale 1973, f. 17 (II 11) dhe 42 (II 40).
16 kr. për shembull Razi Brahimi në Shuteriqi (red.) 1983, f. 325, dhe Xhiku 1989, f. 143-146.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia