KODIKU I 4-T, I BERATIT
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 20.5 x 16 cm; trashësia 9 cm.
Sasia e fletëve: 238.
Teksti: Me një kolonë, me 25 rreshta për faqe.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë dhe kjo riveshur sipër me pëlhurë, që ruhet
në mënyrë fragmentare.
Grafia e tekstit: Kafe e çelët në të kuqe. Shënimet e kanoneve, si dhe titujt e ungjijve
dhe inicialet e perikopeve, janë prej ari.
Kodi përmban katër ungjijtë: Ungjillin sipas Mateut, sipas Markut, sipas Lukës dhe sipas
Gjonit.
Në gjashtë faqet e para janë vënë kanonet që tregojnë perikopetë, që lexohen gjatë gjithë vitit,
sipas festave. Kanonet janë ato të Eusebit. Ka dhe shënime rreth kanoneve.
Zbukurime: Në tri fletët e para ruhen gjashtë kanone me ornamente prej skenash të ndryshme,
të pikturuara me motive lulesh të stilizuara, ku mbizotëron më tepër bluja, kurse kornizat e
tyre përkufizuese janë prej linjash ari. Janë pikturuar nga dy pallonj, thëllëza dhe tre çifte
zogjsh të stilizuar, mbi çdo kanon nga dy shpezë.
Kodiku ka vinjeta të pikturuara me të njëjtat motive lulesh si dhe kanonet. Këto gjenden në
fletët: 6, 7, 9, 73, 74, 75, 113, 115, 117, 186, si dhe në fletën 189, recto e verso. Kodiku ka
figura të pikturuara. Në fletën 8 është figura e ungjillorit Mateu. Ndërmjet fletës 74 e 75 është
marrë një fletë, në të cilën ka qenë figura e ungjillorit Mark. Në fletën 116 ruhet figura e ungjillorit
Luka. Në fletën 189 ruhet figura e ungjillorit Gjon. Këto figura, ndonëse kanë pësuar shumë
dëme, sidomos në portretet, paraqiten nga më interesantet për nga vlera e tyre artistike,
vështruar nga çdo aspekt, si në kompozimin real të tyre, si për ngjyrat e kultivuara dhe gracioze,
përdorur në mënyrë harmonike, por sidomos për arritjen e tyre me një plastikë të theksuar
reale, që vërehet më mirë tek figura e Shën Lukës.
Grafia e teksit mund të thuhet se do të jetë marrë nga kaligrafët më të shquar në përgjithësi
në artin e kaligrafisë bizantine – është grafi e dorës së parë nga çdo aspekt. Gjithashtu, sa u
takon zbukurimeve, si për kanonet dhe vinjetat, për motivet e luleve dhe për dekoret e
ndryshme, mund të thuhet se janë të një niveli shumë të lartë artistik. Sa për shpezët, pallonjtë,
thëllëzat, zogjtë e stilizuar, këto flasin për vjetërsinë e këtij kodiku dhe për ndikimin e tipareve
antike.
Të gjitha këto na bëjnë të pohojmë se burimi i këtij kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 10-të.
Fleta e fundit nuk ka lidhje me shkruesin e kodikut, ajo është përdorur për të përforcuar
lidhjen e kodikut. Kjo fletë përmban një pjesë nga teksti i Ungjillit sipas Gjonit, pikërisht pjesa
që bën fjalë për episodin e dënimit / faljes së lavires.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]