KODIKU I 3-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 28 x 18 cm.
Sasia e fletëve: 145.
Teksti: Në dy kolona për faqe.
Kapakët: Nuk ka pasur.
Ngjyra e shkrimit: Kafe, titujt janë në kafe të kuqërremtë.
Datimi: Gjysma e dytë e shek. IX. Ngjan me Cod. Urbin, Gr. 61 (Vatikan) dhe Cod.
Plut. (Laurenziana).
Dekoracione: Ruan dy vinjeta, njërën në fletën e 2-të dhe tjetrën në fletën e109-të.
Dekoracionet janë në ngjyrë kafe me nuanca. Ka dhe iniciale / nistore / të pikturuara.
Anëshkrime: Ruan një anëshkrim në fletën 143, ku lexohen fjalët: “Fjeti shërbëtori i
Perëndisë Mihaili Sidhirofa, në muajin janar 13, ditën e dielë, ora 9.00”.
Vërejtje: Nuk kuptohet se çfarë vlere i jep shifra p greke, vendosur mbi omegën (w),
që dihet se tregon numrin 100.
Fleta e parë e dorëshkrimit është i ndonjë kodiku tjetër dhe duhet të jetë vënë për mbrojtje,
meqë Kodiku i 3-të i Beratit nuk kishte kapakë. Teksti i ka shkronjat mjaft të zbehta, sa që
herë-herë nuk lidhen fjalët.
Gjendja e kodikut: Ky dorëshkrim ka pësuar shumë dëme. Prej fletës së parë deri në të
nëntën është ngrënë pergamena në cepin e majtë ku lidhen fletët, duke dëmtuar mjaft edhe
tekstin e kolonës së majtë, sidomos prej fletës 2 deri në fletën 8.
Në fletën 3, në mes të kolonës së djathtë, është ngrënë pak pergameni, por duke mos i
zhdukur shkronjat. Gjithashtu në fletën 12 kolona e djathtë ka pësuar pak grisje duke dëmtuar
tri shkronja. Prej fletës 13 deri në fletën 16, kolona e djathtë, në të shtatë rreshtat e sipërm, e
ka të holluar pergamenën, duke dëmtuar shkronjat, kurse fleta 14, nga hollimi i pergamenës,
ka dëmtime në pjesën e poshtme të kolonës së majtë dhe asaj të djathtë. Në fletën 18,
kolona e djathtë, rreshtat e sipërm, si dhe në fletën 19, pjesa e poshtme të dy kolonat, janë
dëmtuar mjaft nga hollimi i pergamenës. Në fletët 21, 22 dhe 23 është dëmtuar teksti i kolonës
së djathtë. Në fletën 26 ka një grisje të rrumbullakët të pergamenës në kolonën e djathtë
sipër, duke dëmtuar në pjesën fundore rreshtin e tretë e të katërt. Në fletën 47 kanë humbur
dy-tri shkronja në rreshtat 3, 4 dhe 5 të kolonës së djathtë. Sipër fletës 55 ka një grisje në
kolonën e majtë, deri në rreshtin 5. Fletët 59, 60, 61 dhe 62 e kanë të dëmtuar tekstin në
rreshtin e fundit të kolonës së majtë nga grisja e pergamenës. Fleta 79 ka një grisje në
rreshtin 12 nga poshtë të kolonës së djathtë, grisje që ka kaluar mjaft dhe në të majtën. Fleta
86 ka një grisje në katër rreshta të kolonës së djathtë. Në fletët 94, 95 e 96, në kolonën e
majtë, rreshtat 4, 5 e 6 kanë të ngrëna në pergamenën e holluar nga dy-tri shkronja. Fleta 114
ka një humbje teksti (çngjyrosje) në rreshtin 7 nga poshtë në kolonën e djathtë. Fleta 126, në
rreshtin e fundit të kolonës së majtë, ka të grisura tri shkronja nga hollimi i pergamenës.
Fletës 127, nga dëmtimi i pergamenës, i janë zhdukur mjaft shkronja të kolonës së djathtë.
Të dyja kolonat e fletëve 130 dhe 133 kanë një shqyerje të vogël mbi rreshtin e tretë nga
poshtë, pa e dëmtuar shkrimin. Prej fletës 139 deri në fletën 144 dorëshkrimi ka një vrimë në
rreshtin 4 të kolonës së djathtë, e cila vjen duke u zmadhuar e duke dëmtuar shkronjat deri
në fletën e fundit 145; kurse prej fletës 142 deri në atë 145 është hapur një vrimë tjetër, po në
kolonën e djathtë, duke dëmtuar rreshtin 4 e 5.
Fleta e fundit, në cepin e sipërm, ka të dëmtuar rreshtat e kolonës së djathtë. Tre rreshtat e
parë janë zhdukur krejt, i katërti ruan shkronja, kurse i pesti ka të dëmtuara disa shkronja. Në
fletën e fundit teksti i perikopesë është i pambyllur.
Rreshtat e kolonave: Çdo kolonë ka 25 rreshta.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]