KODIKU I 49-TË, I BERATIT
(TRAJTESA TEOLOGJIKE, NGA VEPRAT E GRIGORIT TË NISIT, SHKRUAR NË SHEKULLIN E 4-T TË ERËS SË RE)
Materiali: Letër e hollë dhe me shkëlqim.
Përmasat: 36 x 17.3 cm.
Sasia e fletëve: 216.
Grafia: E tipit të vonë.
Shkrimi: Në ngjyrë kafe të çelët. Tekstit i mungon fillimi dhe mbarimi, që do të thotë se
i janë hequr fletë nga fillimi dhe nga fundi. Kodiku nuk ka titull dhe as përmbajtje apo pasqyrë
të titujve të çështjeve që trajtohen.
Fleta 26 në të dyja anët ka një shkrim prej pene të trashë me shkronja më të mëdha e ngjyrë
të errët. Po ky shkrim haset në fletën 32 verso, si dhe në ndonjë fletë tjetër. Dy faqet e fletës
së fundme janë me shkronja më të mëdha e të trasha, si dhe faqja verso e fletës 115, kurse
faqja recto e kësaj flete është e pashkruar.
Dëmtimet: Katër fletët e para janë brejtur shumë nga mola, duke dëmtuar tekstin. Fleta e
fundit është ngrënë shumë nga insektet.
Në disa faqe ruhen shënime anësore që me dy–tre fjalë duan të tregojnë për çfarë flitet në atë
vend, por këto janë të rralla e të pakta krahasimisht me sasinë e madhe të fletëve të tekstit.
Ja dhe disa prej tyre:
Në fletën 24 është shënimi anësor: Mbi shfaqjen e egërsisë së vërtetë.
Në fletën 132: Mbi zemërimin e faraonit.
Në fletën 133: Mbi yjet e pastër të virtytit.
Në fletën 135: Mbi prekjen e errësirës.
Në fletën 138: Mbi mënyrën e të ushqyerit të qengjit.
Në fletën 140: Përse thërret tek mua, përse më drejtohesh?
Në fletën 173 verso: Shenjtërimi, çlirimi, Pashka e kryehierarkut.
Në fletën 175: Ushqimi.
Në fletën 176: Themeli kryesor i shëndetit.
Në fletën 151: Mbi të shenjtin e të shenjtëve.
Në fletën 142 verso: Mbi rregullimet, sistemimet.
Në faqen verso të kapakut të vjetër të kodikut peshkopi Joasaf i Beratit ka dhënë një shënim
me rëndësi si vijon: ”Ky dorëshkrim përmban shkrime të Grigorit të Nisit, Joasafi i Beratit”.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]