KODIKU I 50-TË, I BERATIT
(PSALTIR I DAVIDIT – LIBËR I PSALMEVE -)
Materiali: Letër
Përmasat: 20.5 x 13.5 cm.
Sasia e fletëve: 198, në letër.
Teksti: Në një kolonë.
Grafia: E tipit të vonë, në ngjyrë të zezë. Titujt dhe inicialet janë në ngjyrë të kuqe.
Datimi: Në faqen e parafundit, fleta 197 verso, ruhet data e riprodhimit të kodikut, viti
6919 (viti 1411 sipas kalendarit të ri).
Deri në fletën 185 recto, kodiku përmban 150 psalme të Davidit dhe ode të Asafit, (poezi,
këngë) shkruar për raste (të kremte) të ndryshme.
Prej fletës 185 recto fillon një psalm i papërfshirë brenda këtyre 150 psalmeve të para. Ky
përmban kujtimin e duelit që bëri Davidi me Goliatin. Pas këtij psalmi në faqen verso të fletës
185 fillon kënga e Moisiut, që gjendet në librin „Dalja“ („Ekzodos“). Në fletën 186 verso fillon
kënga e Moisiut, që gjendet në librin „Ligja e dytë“ („Dhefteronomion“).
Në fletën 189 verso rreshtat e fundit fillojnë me fjalët: Lutja e Anës mëmës së Samuelit.
Në fletën 190 verso fillon kënga e profetit Arakum.
Në fletën 192 rekto fillon kënga e profetit Isaia.
Në fletën 192 verso fillon kënga e profetit Jona.
Në fletën 194 verso fillon kënga e etërve të shenjtë.
Në fletën 197, në gjysmën e faqes recto, fillon mbishkrimi që pason: “U shkrua dhe u përfundua
ky psaltir me kontributin dhe shpenzimet e të nderuarit jeromonak dhe arkimandrit zotit Maksim
dhe e vunë në manastirin e shenjtë të të perëndinderuarës të lavdëruar, zonjës sonë Hyjlindëse
dhe gjithmonë virgjëreshë, Mari, në Vriazezis, ku dhe tani … arkimandriti gjendet; ai atë e mori
në dorëzim për këtë kishë të shenjtë të Perëndisë dhe për mësim të fëmijëve. (Ai) që e jep
këtë jashtë kishës pastë kundërshtar të përmbishenjtën Hyjëlindësen në këtë jetë dhe në të
ardhmen. U shkrua me dorën time, të të përvuajturit Theodhorit, që u dha, sekretar i Beratit
… pranë zotit (kreut) Teodor Muzakës dhe (që) qëndron në kalanë në mes të Skraparit, i
mbyllur me pranga që prej plot tri vjet. Dhe kushdo që ta lexojë këtë duhet të lutet dhe jo të
mallkojë gabimet, sepse u shkrua në vuajtje të mëdha, dëshpërime (duke qenë) në gjendje të
keqe, dhe të më kuptojë mua trifish të mjerin. Në vitin 6919 (1411)“.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve