INSTITUTI I LARTË BUJQËSOR I TIRANËS


INSTITUTI I LARTË BUJQËSOR I TIRANËS
✤ Institucion i lartë arsimor e kërkimor-shkencor, qendra më e madhe për përgatitjen e kuadrove për degët e ndryshme të bujqësisë e të blegtorisë. U themelua më 1951 me degët e agronomisë e të zooteknikës, më pas u hapën dhe degë të tjera. Sot ka 4 fakultete: i agronomisë, i veterinarisë, i pyjeve, i ekonomisë agrare (shih). Pranë institutit funksionojnë 30 katedra, Ekonomia didaktike eksperimentale dhe një sërë laboratorësh për kryerjen e punimeve shkencore e të praktikave mësimore, biblioteka shkencore dhe pallati i kulturës, qendra shëndetësore etj. I. i L.B. është qendra më e madhe shkencore për sektorin e bujqësisë. Ai ka kryer një sërë studimesh të rëndësishme për ekonominë në fushat e pedologjisë, agrokimisë, agroteknikës së bimëve, ka krijuar kultivarë të rinj gruri e hibride misri. Studime me vlerë janë kryer për të ushqyerit, përmirësimin racor, ruajtjen e shëndetit të bagëtisë; për ruajtjen, mbarështimin dhe shfrytëzimin e pyjeve; për përqendrimin e specializimin e prodhimit bujqësor, etj. Në këtë veprimtari ai bashkëpunon me një sërë institucione kërkimore shkencore, ndërmarrje e koop. bujqësore. I. i L.B. është qendër e kualifikimit pasuniversitar për specialistët e bujqësisë. I. i L.B. boton tekste mësimore, libra, broshura, si dhe 4 buletine me karakter bibliografik e referativ. Së bashku me institucionet e tjera kërkimore-shkencore të bujqësisë boton organet Buletini i shkencave bujqësore dhe Buletin i shkencave zooteknike e veierinare (shih). Deri në vitin 1984 ka përgatitur mbi 10 000 specialistë të lartë. I. i L.B. është vendosur si një qytezë e veçantë në kodrat e Kamzës në VP të Tiranës.

(L.Xh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti I Lartë Bujqësor I Tiranës


[cite]