KODIKU I 52-TË, I BERATIT
(MINEJ I JANARIT)
Materiali: Letër.
Përmasat: 28 x 21.5 cm.
Sasia e fletëve: 206.
Teksti: Në një kolonë.
Grafia: E tipit të vonë, në ngjyrë të zezë. Titujt e shënimet janë në ngjyrë të kuqe, si
dhe inicialet.
Ky kodik përmban poezitë e shërbesës për çdo ditë të muajit janar. Këto poezi janë të lidhura
me kultin.
Dy fletët e para dhe dy të fundit janë në pergamenë dhe nuk i përkasin këtij vëllimi. Nga grafia
del se teksti i tyre nuk është shkruar prej së njëjtës dorë. Këto katër fletë duket se kanë
mbetur nga një minej tjetër, më i vjetër, i zhdukur.
Ktitori (porositësi, pronari) i minejit është Leu, legjislator i qytetit të Beratit, siç rezulton nga
mbishkrimi i fletës 204 verso, si pason: “U shkrua ky minej (mujor) me shpenzimet e të
shumënderuarit Leu, legjislator i qytetit të Beratit, dhe e vuri në manastirin e Shën Mitër
Mirablit të lavdëruar, të cilin e ndërtoi prej themeli në qytetin e Beratit, për shpëtimin e shpirtit
të tij dhe për faljen e mëkateve, si dhe për kujtimin e prindërve të tij, që kanë kaluar më parë“.
U shkrua në vitin 6937 (1429).

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]