KODIKU I 51-TË, I BERATIT
(TRAJTESA TEOLOGJIKE, INSTRUKSIONE SHPIRTËRORE DHE MORALE TË EVRAIM SIRIANIT)
Materiali: Letër
Përmasat: 29 x 22 xm.
Sasia e fletëve: 300.
Grafia: E tipit të vonë, ngjyrë kafe të errët, me tekst në një kolonë.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë.
Autori i kopjimit: Jeromonak Simeoni i manastirit të ungjillizimit (Evangjelistra), në
kalanë e Beratit.
Viti i riprodhimit: 1425.
Dëmtimet: Kodikut i kanë grisur 13 fletë në fillim, duke e lënë mjaft fragmentare lidhjen
e vëllimit.
Në fund të librit janë dy fletë shtesë me përmasa të fletëve të kodikut, me grafi më të vogël
dhe me tekst në dy kolona, që përmbajnë një shënim me shkrim të imët, ku gjendet titulli i
dorëshkrimit, me shkronja të kuqe. Shënimi ka fjalët: ”Kanonet e apostujve të shenjtë”.
Kodiku ka disa shënime, që po i japim këtu më poshtë:
Mbi kapakun prej dërrase, në faqen verso, ruhet ky mbishkrim: ”Njoftim. Ky dorëshkrim
përmban instruksione shpirtërore dhe morale të ndryshme, të atit tonë Evraim (Sirianit)”. Kjo
vepër është shkruar në shekullin e 4-t të erës sonë. Mbishkrimin e shkruan Joasafi, peshkop
i Beratit, më 1877.
Në fletën 298 ruhen dy mbishkrime. I pari thotë: “… libër është i së mbishenjtës Hyjëlindëses
së ungjillizimit (evangjelistës) dhe kushdo që ta dëmtojë pastë mallkimin e etërve
perëndidashës“. Ky mbishkrim është shkruar nga kopjuesi i librit. Kjo rezulton nga mbishkrimi
tjetër, që gjendet po në këtë faqe, dhe kumton si pason: “Unë jeromonak Simeoni e shkrojta
këtë libër të Evraim (Sirianit). Kushdo që ta ketë këtë libër, që është në manastirin e
Vangjelistrës (ungjillizimit), pastë mallkimin e 318 etërve të dhënë tek Perëndia si edhe
mallkimin e të gjithë shenjtorëve…“. „Kushdo që ta ketë“ këtu ka kuptimin brenda manastirit,
kurse mallkimi u takon atyre që e nxjerrin jashtë.
Disa tituj rreth përmbajtjes së kodikut:
Në fletën 32: Mbi ndërrimin e vendit (lëvizjen prej njërit vend në tjetrin).
Fleta 41: Mbi përulësinë.
Fleta 48: Mbi laviret.
Fleta 96: Mbi virgjinitetin dhe urtësinë.
Fleta 279: Mbi testamentin që u lë nxënësve të tij Evraimi.
Në këtë frymë trajtohen dhe çështjet e tjera të kodikut.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]