KODIKU I 98-TË, I ARDENICËS1
(LETËRSI FETARE)
Kodiku në fjalë përbëhet prej fashikujsh katër, gjashtë ose tetëfletësh, prej pergamene, me
dimension 14.2 cm gjatësi dhe 12.2 cm gjerësi. Ka mundësi që disa fashikuj të jenë përdorur
për së dyti, pasi në fletën 6 duken në dritë disa beta dhe omega të mëdha.
Kodiku përmban letra të Pjetrit, Palit, Gjonit, Judës, që përfshihen në tekstin kanonik të Dhjatës
së Re.
Në krye të çdo letre, kodiku ka një përmbledhje dhe koment të shkurtër prej një autori të
panjohur që nuk përfshihet në tekstin kanonik të Dhjatës së Re.
Anash kodiku ka shënime që shërbejnë si një lloj treguesi për lëndën, burimin e citateve,
rastet e përdorimit etj. Shënimet, po ashtu si dhe titujt e nëntitujt, janë të shkruara me bojë të
kuqe, po kjo nuk është e detyrueshme. Shpesh boja është e njëjtë me atë të tekstit në
përgjithësi.
1. Pasaportat e kodikëve në vazhdim, janë përpiluar nga të tjerë autorë.
Kodikut i mungojnë frontespici dhe faqet e para, si dhe faqet e fundit.
Përmbajtja e kodikut është si vijon:
Pjesa e fundit e letrës së Pjetrit, fletët 1-2.
Përmbajtja e letrës së parë të Gjonit (nuk përfshihet në tekstin kanonik të Dhjatës së Re).
Letra e parë e Gjonit.
Përmbajtja e letrës së dytë të Gjonit (nuk përfshihet në tekstin kanonik të Dhjatës së Re).
Letra e dytë e Gjonit.
Përmbajtja e letrës së dytë të Gjonit (nuk përfshihet).
Letra e tretë e Gjonit.
Përmbajtja e letrës së Judës (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e Judës.
Prologu i librit të Palit apostull (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Dëshmia (martirizimi) i Palit apostull (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Përmbajtja e letrës së parë drejtuar të krishterëve të Romës (nuk përfshihet në Dhjatën e Re ).
Letra e parë e Palit drejtuar të krishterëve të Romës (mungon paragrafi 25 në fund).
Përmbajtja e letrës së parë të Palit drejtuar të krishterëve të Korinthit (nuk përfshihet në
Dhjatën e Re).
Letra e parë e Palit drejtuar të krishterëve të Korinthit (paragrafi 25, 26, 27 dhe 28 janë prishur).
Përmbajtja e letrës së dytë të Palit drejtuar të krishterëve të Korinthit (nuk është në Dhjatën e
Re).
Letra e dytë e Palit drejtuar të krishterëve të Korinthit.
Përmbajtja e letrës drejtuar të krishterëve të Galatës (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra drejtuar të krishterëve të Galatës.
Përmbajtja e letrës së Palit drejtuar të krishterëve të Efesit (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e Palit drejtuar të krishterëve të Efesit (pjesërisht, mungojnë disa paragrafe).
Përmbajtja e letrës drejtuar të krishterëve të Filipit (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e Palit drejtuar të krishterëve të Filipit.
Përmbajtja e letrës së Palit drejtuar të krishterëve të Kolosit (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e Palit drejtuar të krishterëve të Korinthit.
Përmbajtja e letrës së parë të Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut (nuk përfshihet në
Dhjatën e Re).
Letra e parë e Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut.
Përmbajtja e letrës së dytë të Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut (nuk përfshihet në
Dhjatën e Re).
Letra e dytë e Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut.
Përmbajtja e letrës së Palit drejtuar çifutëve (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e Palit drejtuar çifutëve.
Përmbajtja e letrës së parë të Palit drejtuar Timotheut (nuk përfshihet në Dhjatën e Re).
Letra e parë e Palit drejtuar Timotheut (jo e plotë).
Përmbajtja e letrës së dytë të Palit drejtuar Timotheut (jo e plotë).
Letra e dytë e Palit drejtuar Timotheut (jo e plotë).
Letra e Palit drejtuar Titit (jo e plotë).
Sipas mendimit tonë kodiku duhet t’i përkasë shekullit të 12-të ose të 13-të, duke u nisur nga
lloji i kaligrafisë dhe nga fakti se pergamena ka filluar të mos përdoret për këto lloje shkrimesh
që në shekullin e 11-të dhe është zëvendësuar plotësisht nga letra në shekullin e 13- të.
Në fund duhet shtuar se pjesët që nuk përfshihen në Dhjatën e Re përbëjnë anën origjinale
që ia shton vlerën këtij kodiku.
Shënim shtesë: Në fletën 6 duken disa shkronja që të lënë të mendosh se fleta është përdorur
për së dyti: me sa duket këtu kemi të bëjmë me atë që i thonë palimpsest. Dorëshkrimet e
hershme i janë nënshtruar shpeshherë këtij procesi, kryesisht për mungesë pergamene.
Nga përpunimi kimik i palimpsestëve në shekullin e kaluar janë zbuluar vepra të Ciceronit, të
Platonit ose të klasikëve të tjerë që mendoheshin si të humbura.
Pasaporta u përgatit nga Zef Simoni në Tiranë më 5.11.1986.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]