KODIKU I 99-TË, I KORÇËS
(REGEST, VENDIME TË SINODEVE (KËSHILLAVE) KISHTARE TË MITROPOLISË SË KORÇËS PËR PROBLEME TË JETËS
SË KISHËS, PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE, FETARE, ARSIMORE, HUMANITAREDHE ADMINISTRATIVE)
Përmasat: 260 mm x 440 mm.
Numri i fletëve (të numërtuara): 109.
Koha e shkrimit: Viti 1676 (data më e hershme). Shkrimi më i hershëm përmban
formulën kishtare të falënderimit të besimtarëve që dhurojnë pasuri për kishën, duke filluar
prej kohës kur ky kodik iu dhurua Kishës së Shën Mërisë. Kjo formulë është përkthyer në
shqip së paku dy herë, nga dy klerikë, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, për nevoja
shërbese. Me këtë rast, secili përkthyes ka pasuruar listën e emrave të dhuruesve me më të
rijtë. Falënderimi bëhej Ditën e Ortodoksisë.


Regesti ka vazhduar të mbahet për afro dy shekuj e gjysmë me radhë. Shenjimi i fundmë
është i vitit 1943. Këtë e shkroi Ilo Mitkë Qafëzezi, “më 26 të vjeshtësë së parë më 1943”. Ky
saktëson se “shkrimin e kësaj faqje e diktoi imzot Çamçe“. Për mitropolitin Agathangjel Çamçe,
I. M. Qafëzezi shkruan se „është i pari mitropolit korçar që nga ditët e Parthenit (1670-1676)
dhe të Joasafit të parë (1709-1741). Në përbërje të kodikut ka copëza fletësh me tekste të
mëvonshme, deri në mesin e shekullit të 20-të (fletët 95-97: „Kisha e Shën Ilias“, „llogaria e
qirinjve“). Ilo Mitkë Qafëzezi kishte ndërmend ta përkthente këtë kodik, bashkë me disa
dorëshkrime të tjera që i përshkroi në vitin 1943. Ndërsa Kosta Naçi njofton se „një përkthim
për përdorim të brendshëm të Kodikut të Madh të Korçës ka bërë Petraq Pepo“, por ky
përkthim nuk u gjet, me gjithë kërkimet që u bënë në disa institucione. Nga këto kërkime del
se P. Pepo ka kumtuar shkurtimisht rreth këtij kodiku në Konferencën e Parë të Studimeve
Albanologjike.
Dorëshkrimi nuk ka një grafi të vijueshme. Mund të identifikohen tre-katër shkrime afatgjata,
njëri prej të cilëve me vlera estetike. Shkrim me vlera kaligrafike ka në fletët 48 dhe 53.
Shkrimi më i bukur gjendet në fletët 62 verso deri 63. Në fletët 82-94 ka shkrim me bojë lejla.
Në fletën 58 ka, gjithashtu, kaligrafi dhe gjendet e vetmja nistore kapitale e dekoruar, por
shumë thjesht, sa për të kujtuar shkrimin e vjetër. Herë pas here përsëritet shkrimi me ngjyrë
ari, por prej varaku (fleta 16 verso, fleta 21 verso, fleta 27 verso). Disa prej shkruesve kanë
vënë nënshkrimin në fund të tekstit. Ka nënshkrime me vlera, për stërhollimet e tepëruara të
tyre, që të kujtojnë stilin e nënshkrimeve të sulltanëve. Disa nënshkrime janë në ngjyrë të
blertë dhe ngjajnë me vizatime në miniaturë (fleta 32 verso, fleta 36 verso).
Materiali: Letër e trashë, e fortë, industriale. Kodikut i janë bërë here pas here shtesa prej
letre tjetër, më të hollë, të vijëzuar. Fashikulli i parë i tij është me letër të re. Ndërkaq, gati
gjysma e fletëve të letrës së hershme është pa tekst. Fashikulli i parë, i cili ka vetëm 4 fletë të
shkruara, është prej letre të vonët. Herë pas here kodiku përmban një fletë letre me shenjë të
fshehtë, që mund të dallohet vetëm duke e vendosur përballë dritës (e ngjashme me letrën e
sekretuar). Kjo ka një shenjë që në pozicionin recto duket si një hënëzë, e cila përsëritet tri
herë, duke u zmadhuar progresivisht, kurse në pozicionin verso duket si germa s e greqishtes
së vjetër (jo sigma, por s-ja lunatike në formën e germës C të shqipes). Letra me tri hënëzat
që rriten gjendet në fletët 35, 73, 75-76, 79-80.
Prej fletës 36 e në vijim letra është prerë afërsisht 1.5 cm horizontalisht në anë, për të krijuar
boshllëqe për renditje të përshkallëzuar të shkronjave orientuese për lëndën që do të përmbante
kodiku, pak a shumë si në fjalorët. Shkronjat, megjithatë, nuk janë vendosur në radhë alfabetike,
as sipas greqishtes. Shkronja e parë është C (fleta 36); pastaj germa P (fleta 40), germa E
(fleta 62), germa S (fleta 71), vijojnë germat H, L, X, Q. Disa prej germave të tjera janë të
palexueshme. Këto janë shkruar me të kuqe dhe me dekoracione floreale anash. Janë një
imitim i nistoreve kapitale të shkrimeve të hershme ungjillore. Duket se shkronjat orientuese
janë vizatuar herët. Ka mundësi që këto të kenë qenë inicialet e kishave ose të famullive,
njëfarë treguesi gjeografik-rajonal, por nuk është respektuar. Nuk ka renditje lënde sipas
germës orientuese.
Kodiku ka disa numërtime të fletëve një mbi një. Numërtimi i fundmë është ai që u është bërë
nga arkivistët. Ka numërtime të tjera, të pjesshme, me shifra romake e me numra arabë, të
paktën katër. Në disa fletë ka deri gjashtë numërtime. Në këtë përshkrim fletët referohen
sipas numërtimit të fundmë, të bërë prej arkivistëve. Në disa fletë ka shkrime të ngjitura, që
nuk janë krijuar nga Mitropolia. Një shkrim i tillë i ngjitur, që gjendet në një letër të hollë të
tejdukshme, është në fletën 81 verso.
Kodiku ka kapakë të dyfishtë. Kapakët e brendshëm janë prej kartoni, të veshur me letër, mbi
të cilën ka motive floreale. Zbukurimet i ka pasur letra vetë, nuk janë vizatuar me dorë (letër
industriale dekorative). Kjo vërehet nga fakti se dekoracionet vijojnë edhe në pjesën e
brendshme të kapakut, në masën që është kthyer letra. Në qendër gjendet një tufë lulesh,
trëndafila, që të kujtojnë zbukurimin e shtëpive të krishtera për festa fetare (Krishtlindje,
Pashkë). Në krye dhe në fund të letrës ka një shirit lulesh më të vogla të gërshetuara. Këto
janë të thjeshta, pa vlerë artistike. Sundon ngjyra e kuqe, e blertë dhe lejla. Lulet e stilizuara
janë pesëfletëshe dhe jo trifletëshe, siç ndodh zakonisht në shkrimet e krishtera.
Kapaku i jashtëm është më i vjetër dhe duhet të jetë kapaku origjinal i kodikut. Ky është prej
fletësh letre të presuara e të ngjitura me njëra-tjetrën, të veshura me lëkurë, pa zbukurime.
Në gjendjen e sotme duket sikur ky kapak është pak më i vogël se përmasa e fletës, por kjo
ndodh sepse fletët janë shqitur. Në të dyja anët e brendshme të kapakut të vjetër gjenden
shenjime të një dore, me grafi relativisht më të hershme, ndoshta grafia më e hershme e
gjithë tekstit.
Për këtë kodik në Fondin 488 nuk ekziston skedë (pasaportë). I vetmi shenjim që gjendet prej
autorit të katalogut, Theofan Popa, është se „kemi kapërcye numrin (dhe kemi përshkruar
më parë „Kodikun e 100-të, të Fierit“), sepse kodiku me numër 100 ishte vënë (ishte bërë
pjesë e Fondit 488) pa u punuar kodikët e tjerë (pa u pajisur me të dhënat përshkrimore)“.
Në kapakun e dorëshkrimit gjendet ky titullim, që është përgatitur prej arkivistëve: „Kodiku i
madh i Korçës, që përfshin ngjarje të viteve 1572-1941, si dhe lista (listën) e pasurive të
Mitropolisë së Korçës (të) vitit 1887“.
Eshtë quajtur „kodiku i madh“, me sa duket, për shkak të përmasave mjaft të mëdha të
letrës.
Shkaku i hyrjes me vonesë në Fondin 488 duhet të shpjegohet me faktin se për një kohë
relativisht të gjatë ky kodik ka qenë pjesë e një fondi tjetër, me referenca arkivistike: Fondi 141
(Mitropolia e Korçës), Dosja 622.
Sido që thuhet se kodiku bën fjalë për ngjarje që fillojnë prej vitit 1572, as grafia, as koha e
shkrimit nuk janë të shekullit të 16-të. Dëshmohet qartazi nga një shenjim se ky kodik filloi të
shkruhej në vitin 1676, „kur ishte patrik i Ohrit Joasaf Voskopojari“. Në një dëshmi tjetër në
gjuhën shqipe, që ruhet si shtojcë e kodikut dhe ka titullin „Pikërisht e njëshme“, thuhet:
„Joasaf-i, me dëshirën e Perëndisë kryeepiskop i Justinianës … kryetar i Ohrisë dhe patriark
i Bullgarisë, gjithë Maqedonisë dhe gjithë Shqipërisë, prej Voskopoje, vërteton (dëshmon) /se
/ në vitin 1725 u ngrit ky tempull i burimit jetëdhënës të Korçës dyke qenë dhespot hirësi e tij
mitropolit’ i Korçës dhe Zvezdës, dyke qenë ekzark i fort të lumturit z. Parthen prej Korçe, prej
të cilit u dhurua ky kodik në ditët e epitropëve dhe ndërtonjësve të kësaj kishe… U vendos që
ky kodik i dhuronjësve të këndohet çdo vit ditën e sotme, që quhet e diela e ortodoksisë“.

Kjo mund të jetë arsyeja që Ilo Mitkë Qafëzezi, në një shenjim të shkruar në vitin 1943 në
brendësi të fletës së kodikut, e quan „Codex Zosimea-Partheni-Kavalioti“.

Emri i Parthenit është zgjedhur për të njëjtën arsye, si mitropolit korçar i respektuar. Emri i Kavaliotit mund të
jetë zgjedhur për faktin se kodiku ka fletë të tëra për Voskopojën (fletët 86-87 dhe të tjera).
Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, „Codex Zosima-Partheni-Kavalioti“ mund të jetë një „titull i paskajuar
i këtyre kondikëve /kodikëve / për diturina të kërkimeve ballkanike“ (titull i përgjithshëm). Në të
njëjtin shenjim ky përmend edhe një „kodik të Llasos“, të cilin e titullon „Codex Neofit Gjirokastriti
Llassos“. Ky dijetar, i cili ka punuar me dorëshkrimet e bibliotekës së Mitropolisë së Korçës
për afro dy muaj, nuk jep të dhëna për kodikun e dytë. Përmend përveçse e ka kopjuar „në 7-
8 radhonj, me afro 100 fletë“. „Llassos“ ishte emri i një arke për mbledhje të hollash për
bamirësi.
Një tekst tjetër, gjithashtu në gjuhën shqipe, që përsërit pak a shumë tekstin e cituar më sipër
për dhurimin e kodikut nga Joasafi prej Voskopoje, lejon të kuptohet se bëhet fjalë për një
përkthim shqip të shenjimit me grafi relativisht të vjetër, që gjendet në dy anët e brendshme të
kapakëve origjinalë. Nga ky version i të njëjtit tekst del se kisha që iu dhurua kodiku quhej
„Zonja Shën Mëri“, se në atë kohë mitropolit i Korçës ka qenë Sallasfori i Zvezdës, se kjo
kishë „u zugrafis prej zotërinjtë vëllezërit Zografët“, se „u shkruhen emrat në këtë kodik të
gjithëve atyre që kanë falur …“ pasuri e ndihma për kishën.
Në fakt, pjesën më të madhe të lëndës së kodikut e zënë regjistrimet e dhuratave të besimtarëve
për kishën: toka, para, sende me vlerë, punishte. Të dhëna të tilla përmbajnë fletët 6-7, 9-15,
17-23, 42-45, 72-73, 80-82. Midis dhuruesve bie në sy emri i Athanas Zografit (fleta 52); emri
i „kryetarit / princit të Hungaro-vllahisë Joan Mavrokodhrato“ (ky përmendet edhe një herë
tjetër si dhurues i madh, sepse jep çdo vit 150 groshë për shkollat e Korçës, fleta 90).
Sipas A. Plasarit, „Hungarovllahi emërtohej asikohe principata rumune e Vllahisë për t’u dalluar
prej „Vllahisë së Madhe“ të Epirit dhe Maqedonisë, qeverisur prej Engëllorëve. Trajta
„Hungarovllahi“ daton prej shekullit të 14-të…“ („Mendimi“, 2003, nr. 2, f. 43).
Përmendet gjithashtu emri i rusit Pavel Molenskij, që ka dhuruar një petrahil të qendisur me
flori dhe sende të tjera; esnafi i bakejve, që ka dhuruar „korën e Triarhondëve“; një banor i
Korçës me mbiemrin „Kukuzeli“ / „Kokuzeli“, që ka dhuruar një vreshtë. Nga lista e dhuruesve
mësohet për ekzistencën e një „kore të Shën Kryqit“, të një „kore tjetër“ të Zografit që tregon
„Zotin Krisht kur lindet“, si dhe për mjaft vepra të tjera të artit kishtar, që nuk dihet se çfarë fati
kanë pasur dhe a mund të gjenden më.
Në fletën 19 gjenden dy tekste të ngjitura mbi fletën e kodikut: njëri osmanisht dhe tjetri në
gjuhën greke. Teksti osmanisht ka vulë dylli me shenja heraldike të qarta. Ka mundësi që vula
e dyllit të jetë e Mitropolisë dhe vetë teksti të jetë një testament. Në vulë duket qartë imazhi i
një shqiponje me krahë të hapur dhe me një kokë, me profil nga e djathta. Shqiponja ka dekor
që formohet me degë të harkuara. Në anën e djathtë lexohen germat GZ, e para më e madhe
se tjetra. Shkronja duhet të ketë pasur edhe në anën e majtë, por këto nuk lexohen. Poshtë
shihet viti, 1827. Vula të dëmtuara dylli ka edhe në fletë të tjera (fleta 24 verso, 67 verso).
Pjesa më e rëndësishme e kodikut, në pikëpamje të përmbajtjes, është ajo që bën fjalë për
vendimet e regjistruara në kodik. Disa prej tyre kanë të bëjnë me jetën laike të besimtarëve.
Në fletët 48-51 përshkruhet veshja e dhëndrit dhe e nuses. Janë regjistruar vendime të
esnafëve, sipas mjeshtërive. Një vendim i vitit 1847, siç del nga një shënim pa emër (duhet të
jetë i K. Naçit), përcakton rregullat e esnafit të bukëpjekësve dhe ndëshkimet për ata që
shkelin këtë rregull, ku bie në sy gjoba e rreptë prej 500 groshësh. Një vendim tjetër i përket
esnafit të armëpunuesve. Në fletën 17 gjendet një vendim i esnafit të kasapëve, të cilët
vendosin që të dielave dhe në ditët e festave të therin bagëti me radhë: kush vepron kundër
këtij vendimi dënohet me gjobë dhe „me një zijafet“ falas, për t’u ripranuar në esnaf. Nga
vendimet kishtare ka: për emërime epitropësh, për shpërblime klerikësh, për caktimin e
dhjakëve, për caktim pleqësie. Në fletën 60 ruhet një përshkrim mbi trajtimin e ankesës (së
besimtarëve) ndaj një kleriku. Ka disa vendime për çështje financiare, evidentim dhuruesish,
administrim pasurie, dhënie trojesh etj.
Kodiku përmban regjistrime të fejesave, çështje të pajës dhe të prikës (fletët 56, 66-67), që
paraqesin interes etnozakonor. Ka edhe testamente, akte shit-blerjeje, deklarim trashëgimie
(fleta 41, fletët 77-79).
Një pjesë tjetër e kodikut përmban thjesht llogari, bilance të shpenzimeve të kishës në rrjedhë
kronologjike (fl. 28-32, 40-45, 64-68 etj.).
Fleta 20 përmban një mallkim ndaj një mosbesuesi / heretiku /-anatemim.
Në fletët 40-64 herë pas here ka të dhëna për shkurorëzimet.
Në fletën 27 gjendet ky shenjim: “Në vitin 1856-1857 u ndërtua shkolla e re e vajzave, greqisht,
me shpenzime të besimtarëve. Mësuese e parë e shkollës së vajzave u caktua Ekaterina V.
Kundurioti (Kunturiotis) nga Athina. Në vitin 1849 u krijua “arka e shenjtë”, e mbiquajtur
“Llassos”, me vendim dhe me dhurime të besimtarëve. Të ardhurat nga kjo arkë u përdorën
për shkolla dhe kisha, si dhe “për vajzat e pamartuara” (si duket për çështje prike). Veçanërisht
një ndihmë të madhe dërguan patriotët e Egjiptit. Emrat e secilit dhurues janë regjistruar në
kodik. Gjer më sot, 30 janar 1861, kapitali arrin dy mijë lira turke“.
Në fletën 60 është ruajtur një letër e Patriarkanës drejtuar parisë dhe të krishterëve të Korçës
lidhur me ankesat që këta kanë bërë kundër klerikut Neofit. Letra është dërguar nga
„kryeepitropi i Kostandinopojës dhe i Romës së Re, patriku ekumenik Joakim“. Ankesa është
regjistruar një fletë më pas. Patriarkana ka ndërmjetësuar për pajtim (fletët 62-63).
Në fletën 62 gjendet gjurma e një vule të vogël të njomë, ku mund të lexohen germat RTZS.
Ka edhe një germë në fillim që nuk lexohet. Germat janë të alfabetit latin; kjo dallohet nga fakti
që shkruhet s latine dhe jo sigma e greqishtes. Fleta 62 dhe ajo 63 kanë shkrimin më kaligrafik
të të gjithë kodikut.
Në fletën 66 ka kronika për Voskopojën.
Në fletën 82 Ilo Mitkë Qafëzezi ka shenjuar shqip përkthimin e një teksti të një kleriku, që ai e
quan „shkresë e dhaskal Kostë Xhepit, Vithkuqarit“, ku thuhet: „Ju lutem, këtu do të ketë vend
letra arzuhall e adresuar Ali (pashës) Tepelenës“. Por nuk vërehet të ketë vërtet një letër të
tillë; kjo fletë, verso, është bosh.
Në fletën 83 gjendet një raport përmbledhës i veprimtarisë së Mitropolisë së Korçës për
vepra bamirësie. Ky raport është hartuar meqenëse mjeku Joan Llambridhi, i cili cilësohet „i
dëgjuar“, ka vendosur të botojë një libër për bamirësinë. Raporti është shkruar, ose së paku
është parë e miratuar nga „mitropoliti i Korçës dhe Përmetit“, Dorotheu, në vitin 1879. Në
këtë raport ka të dhëna të hollësishme mbi ndarjen administrative të Korçës dhe të Përmetit,
mbi zhvillimin ekonomik dhe jetën shoqërore, mbi çifligjet dhe „fshatrat e pavarur“, mbi shkollat
edhe kishat. Sipas vlerësimit të Mitropolisë, Korça ndahet në tri pjesë: Korçë, Devoll dhe
Opar. Në fletët 83 dhe 86 bëhet fjalë vetëm për Oparin.
Në fletën 86 shkruhet për krijimin e “Vëllezërisë për të varfërit“, më 1870, „me ndihmën e
mytesarifit Asim pasha. Në këtë shoqëri bënin pjesë të krishterë e muslimanë dhe përfitonin
ndihmë të varfërit pa dallim. Kjo shoqëri ndërtoi në qytet të parën „foshnjore“ / çerdhe / dhe
pagoi shpenzimet e mësueses për dy vjet. Me financat e kësaj shoqërie u hap një shkollë
fillore në Pogradec, një tjetër në Opar dhe një e tretë në Borovë të Kolonjës. Në të njëjtën fletë
është shkruar për ndërtimin e çezmave nga bejlerët e Plasës dhe nga një qytetar me emrin
Jani Banga. Aty shkruhet gjithashtu për punën që bënë më 1784 ndërtuesit „gegë e voskopojarë“
(„moskopoliti“) për ndërtimin e orës së madhe të qytetit mbi këmbanën e madhe pranë pazarit.
Sipas një të dhëne që gjendet në këtë fletë, në vitet 1750-1760 voskopojarët kishin arritur të
mblidhnin 400 mijë aspra për shkollat. Në atë kohë tregtarët e Voskopojës kishin veprimtari
në Austri, në Vllahi, në Bullgari e Maqedoni, si dhe në Serbi. Qyteti kishte esnafin e
hekurpunuesve, të bakejve, të kasapëve dhe të argjendarëve. Në këtë kohë, sipas të dhënave
të mbajtësit të kronikës të kodikut, Voskopoja kishte shtypshkronjë të mirë.
Në fletën 87 flitet prapë për Voskopojën. Ka të dhëna për banorët e saj në kohën e lulëzimit (të
paktën 12 mijë), për shkollat, për rregullimin urban të qytetit, për gjuhët që janë folur (përmendet
shqipja, greqishtja dhe vllahishtja).
Në të njëjtën fletë përshkruhet se si „koxha Mirahori“ – është fjala për Iljaz bej Mirahorin, pasi
u kthye në musliman, fitoi simpatinë e sulltan Bajazidit dhe, si mirënjohje për përfitimet, ndërtoi
një xhami atje ku ishte Kisha e Shën Parashqevisë. Thuhet se kjo „ka ndodhur 392 vjet më
parë“, që do të thotë se shenjimi është mbajtur përafërsisht në vitet 1860-1870, duke pasur
parasysh se fermanët e Sulltanit të sipërpërmendur për dhënie timari beut të Mirahorit i takojnë
vitit 1486.
Në fletën 88 gjendet një kronikë e hollësishme mbi pasojat e tërmetit të vitit 1879, tërmet që
„rrëzoi mbi dy mijë oxhaqe“ dhe u pasua nga një thatësirë e madhe. Pasoi një zjarr i
përbindshëm, që dogji „600 punishte“. Në të njëjtin vit u mat temperatura më e ulët që mbahej
mend gjatë dimrit, minus 17 gradë. Për këtë arsye u ngritën çmimet aq sa nuk ishte parë e
dëgjuar ndonjëherë. Po në këtë fletë falënderohet Mehmet pasha nga Plasa, i cili kishte
ndërtuar një rezervuar uji të pijshëm, përkundër kopracisë së „bankierit Sina“, që nuk dha
asgjë.
Eshtë pretenduar që ky kodik përmban ngjarje „prej vitit 1572“, sepse nga fundi, në fletën 92,
është lista e mitropolitëve të Korçës prej vitit 1572 deri më 1923. Një pjesë e listës (Jerthe
Jakopulli nga Çarshova e Përmetit, Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Evlogj Kurilla-Llavrioti,
Agathangjel Çamçe etj.) është shkruar shqip.
Në vijim kodikut i bashkëngjiten tekste prej fletësh që nuk janë të tij. Në njërën prej tyre gjendet
një listë me titullin „Dihma prej Konize“ / Ndihma prej Konice/, ku përmenden mbiemrat:
Floqi, Ziçishti, Panariti, Vasi, Çekrezi, Pishtari, Furxhi etj. Fletët 103-106 janë po ashtu shtojca.
Një shënim bën të ditur se „ky është shkrimi i të ndjerit Vani Bimblli“.
Kjo pasaportë u përgatit nga Shaban Sinani duke iu referuar përmbajtjes së këtij kodiku, në të
gjitha pjesët e tij përbërëse; si dhe të dhënave të kufizuara që përmbajnë mjetet e kërkimit
arkivistik (titulli i dosjes etj.), dhe disa shënimeve të gjetura aty-këtu nëpër fletët e kodikut nga
Ilo Mitkë Qafëzezi, Petraq Pepo dhe, ndoshta, të ndonjë kleriku të Mitropolisë së Korçës. Iu
bashkëngjit kodikut sot, më 19.03.2003.
Burimet:
1. Pepo, Petraq: „Kodiku i madh i Korçës si burim historik”, në “Konferenca e parë e studimeve
albanologjike”, II, Tiranë 1965, f. 530-536.
2. Pepo, Petraq: „Materiale dokumentare mbi veprimtarinë e zanatçinjve të Korçës e të Voskopojës në
shekullin e 18-të e të 19-të“, Studime historike, 1967/1, f. 166-181.
3. Giakoumis, Konstantinos: „The monasteries of Jergucat and Vranishte in Dropull and of Spelaio in
Lunxheri as monuments and institutions during the ottoman period in Albania 16th-18th centuries”, tezë
doktorate në dy vëllime, Birmingham University, shkurt 2002.
4. Naço, Kosta: „Të dhëna për kodikët e Shqipërisë”, fl. 1-3, dorëshkrim.
5. Plasari, Aurel: Shën Nifoni në oborrin e Skënderbeut, “Mendimi“, 2003/2, f. 42-48.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]