LEGALITETI
✤ Organizatë politike tradhtare e krijuar më 20 nëntor 1943 me porosi të imperialistëve anglezë, në një të ashtuquajturin kongres, që organizuan në fshatin Zall-Herr të Tiranës, një numër elementësh zogistë, me Abaz Kupin si përfaqësues kryesor. Legaliteti kishte për qëllim, që, duke bashkëpunuar me reaksionin e jashtëm anglo-amerikan, si dhe me nazistët gjermanë, të rivendoste në Shqipëri regjimin e urryer të A.Zogut (shih).
Legaliteti mbeti deri në fund një lëvizje krerësh dhe e parisë reaksionare të disa viseve të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, pa asnjë bazë e mbështetje në popull. Bashkëpunimin midis qeverive kuislinge dhe Legalitetit e mbështetën edhe pushtuesit gjermanë, duke vendosur lidhje të drejtpërdrejta me Abaz Kupin dhe duke e furnizuar me armë e municione kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Likuidimi i bandave të armatosura të Legalitetit ishte një nga objektivat ushtarako-politikë që iu ngarkua UNÇSH në kuadrin e Mësymjes së Divizionit II për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (shih). Nën goditjen e Ushtrisë NÇSH, forcat e Legalitetit u shpartalluan plotësisht, ndërsa disa krerë të tij u arratisën jashtë* vendit.
(M.De.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Legaliteti