LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS


LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS
✤ (1899-1900). Organizatë politike-ushtarake mbarëshqiptare që ndoqi rrugën e Lidhjes së Prizrenit dhe luftoi për çlirimin e vendit nga sundimi osman dhe bashkimin e tij kombëtar. U themelua në Kuvendin e Pejës më 23-29 janar 1899, ku morën pjesë mbi 450 vetë, të ardhur nga vise të ndryshme ië Shqipërisë dhe kryesisht nga qendrat e vilajetit të Kosovës. Kuvendi u përgatit nga komitetet shqiptare brenda vendit. Organizata u quajt Lidhja Shqiptare e Pejës ose «Besa-Besë». Në krye të Komitetit drejtues të saj u vu Haxhi Zëka. Kuvendi miratoi rezolutën prej 11 pikash dhe «Aktin e Besës» prej 12 pikash, që u shpallën më 29 janar. Po këtë ditë u shpall thirrja «Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën», botuar në Bukuresht nga një grup atdhetarësh që u përgjigjejL synimeve të L. Sh. të P.

Ne vëndimet u shpreh vendosmëria e shqiptarëve për të përballuar me forca ushtarake vullnetare çdo orvajtje të re që monarkitë ballkanike, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare duke shfrytëzuar të ashtuquajturën «çështje maqedonase* dhe u parashtrua kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare, e vendosjes së një statusi apo kushtetute të veçantë për administrimin e tyre, zhatimi i së cilës do të çonte në formimin e një province të vetme territorialeadministrative të qeverisur nga shqiptarët.

L. SH e P, pati përkrahjen e atdhetarëve rilindës brenda dhe jashtë atdheut që u shpreh sidomos në veprën e S.Frashërit «Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhët?» (shih), botuar në mars 1899 si edhe në thirrjen «Të zgjohemi» («Ujanallëm») (shih). L. Sh. e P. përqendroi në duart e veta kompetencat e pushtetit lokal. Ajo e shtriu autoritetin e vet në gjithë vilajetin e Kosovës, që ishte vatra e saj kryesore, dhe dora-dorës edhe në atë të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës. Vendimet e Lidhjes u miratuan në mbledhje të gjera popullore që u organizuan në krahina të ndryshme të vendit, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin ato të sanxhakut të Prizrenit (shkurt të vilajetit të Shkodrës (shkurt-mars), të Dibrës (shkurt-mars), Ohrit, Elbasanit (mars-maj) etj. ku u formuan edhe komitetet lokale të Lidhjes. Me programin e L. Sh. të P. u bashkua edhe popullsia e Manastirit, Korçës, Kërçovës, Tiranës, Beratit etj. Projektet e atdhetarëve shqiptarë për të thirrur një kuvend të ri, të përgjithshëm shqiptar në maj-qershor 1899, që do ta konsolidonte përfundimisht Lidhjen, hasën në kundërshtimin e vendosur të Portës së Lartë. Në vjeshtën e 1899-ës krahu radikal i lëvizjes së udhëhequr nga L. P. kaloi në qëndresë të armatosur kundër administratës osmanepër tëruajtur pushtetin e komiteteve lokale ekzistuese dhe për ta shtrirë atë në vise të tjera të vendit. Luftime u zhvilluan në sanxhakun e Dibrës në tetor 1899, në Shkup, Prizren, Mitrovicë, Pejë dhe vise të tjera në fillim të 1900. Porta e Lartë, duke qenë edhe nën presionin e Fuqive të Mëdha dhe të qarqeve shoviniste të vendeve të Ballkanit, që mbajtën një qëndrim armiqësor ndaj L.Sh. të P., ndërmori nga pranvera e 1900-ës masa të forta ushtarake që çuan, në fundin e atij viti në rënien e përkohshme të lëvizjes për autonominë e Shqipërisë.

(K.Pr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lidhja Shqiptare E Pejës


[cite]