RRETHI I LEZHES
✤ Shtrihet në Shqipërinë VP, në bregdetin e Adriatikut. Sipërfaqja 479 km2. Popullsia 54.200 banorë. Ka dy qytete: Lezha, qendër e rrethit e Shëngjini dhe 58 fshatra të grupuara në 9 fshatra të bashkuara. Dendësia mesatare; 113 banorë/km2. Popullsia qytetare 18,1%, popullsia fshatare 81.9%. Rritja natyrore: 2,16%, Relievi i L. është pjesërisht fushor, pjesërisht kodrinor-malor. Fushat: në VL fusha e Zadriinës e formuar nga aluvionet e Drinit, në VP fusha e Kakarriqit (e Torovicës) e vendosur midis kodrave të Shëngjinit në P dhe të Kakarriqit në L, fusha e Bregut të Matit në J, e vendosur në bregun e djathtë të malit. Këto fusha para Çlirimit kanë qenë kënetë dhe u bonifikuan në vitet e pushtetit popullor. Tokat e tyre aluviale janë pjellore dhe tani punohen tërësisht. Malet ngrihen në anën L të rrethit (Malësia e Kashnjetit dhe malësia e Lezhës me majën më të lartë Malin e Velës: 1172 m). Kodrat kryesore: kodrat e Shëngjinit (Rrencit) dhe të Kakarriqit në VP. Klima është e butë në përgjithësi, me përjashtim të pjesës L malore, ku ashpërsohet. Temp. mesatare vjetore: 15.7° (Lezhë), temp. më e lartë absolute:42.2° në Kallmet, temp. më e ulët absolute: —18,5° në Kallmet. Erërat karakteristike: murlani, erë VL dimërore e fortë, e ftohtë dhe e thatë. Reshjet janë të shumta: 1250 mm-1800 mm në vit. Lumenjtë kryesorë: Drini i vjetër i Lezhës që vjen nga Vau i Dejës me një rrjedhë të qetë nëpër Zadrimë. Në brigjet e tij janë ngritur prita dhe nuk ndodhin më përmbytje si para Çlirimit. Gjadri rrjedh nga malet e Kashnjetit e të Pukës dhe derdhet në Drin. Drejtimi me një shtrat të ri në Drin pranë Vaut të Dejës dhe ndërtimi i një argjinature në bregun e majtë të tij e shpëtuan Zadrimën nga përmbytjet. Mati në rrjedhjen e poshtme të tij hapet me një shtrat të gjerë nëpër fushë dhe formon meandre para se të derdhet në det. Zalli i Dibrit derdhet në lumin Fan të Mirditës, si liqen natyror është laguna e Kënallës në buzë të Shëngjinit dhe që lidhet me kanal me detin. Pasuritë minerale: bakër, boksit, magnezit. Tokat bujqësore: kryesisht toka livadhore aluviale, të kafenjta malore dhe të kafenjta livadhore. Pyjet: shkurre mesdhetare (70%), dushqe dhe halorë. Në të kaluarën Rr. i L. ka qenë shumë i prapambetur. Kishte disa mullinj për bluarjen e drithit dhe disa punishte të vogla zejtare (kovaçana, punishte opingash etj.). Në vitet e pushtetit popullor bonifikimi i fushave (tharja e kënetave të Kakarriqit, Zadrimës, Bregut të Matit) dhe çelja e tokave të reja, mekanizimi i bujqësisë dhe rritja e modernizimi i industrisë e ktheu Lezhën në një rreth të zhvilluar bujqësor-industrial. Ind. jep rreth 43% të prodhimit industrial bujqësor të rrethit. Degët kryesore janë: ind. ushqimore që jep 1/2 e prodhimit industrial të rrethit (fabrika mielli, për çembrionizim misri, tharje e konservim frutash dhe perimesh, vaj luledielli dhe konserva peshku). Në strukturën e industrisë së rrethit një peshë të madhe zë ind. e letrës, e cila është krijuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Janë zhvilluar gjithashtu ind. e përpunimit të drurit, ajo e prodhimit të materialeve të ndërtimit etj.
Bujqësia jep 57% të prodhimit të përgjithshëm industrial-bujqësor të rrethit. Sipërfaqja e punueshme zë 37% të sipërfaqes së rrethit. Ujitet rreth 7/10 e sipërfaqes së punueshme, 90% e zënë bimët e arave. Kulturat kryesore: gruri 30% të sipërfaqes së punueshme, misri 14.6%, Iuledielli, duhani, patatet, fasulet, perimet, pemët, rrushi, ullinjtë. Ka 6 koop. të bashkuara, 2 KTL dhe 1 NB. Rendimentet e prodhimit: gruri 34.6 kv/ha, misri 51.4 kv/ha, luledielli 15.7 kv/ha. Në blegtori Rr. i L. dallohet në Republikë për rritjen e derrit, shpendëve e bletët. Rrugët kryesore automobilistike dhe hekurudhore: Lezhë-Shkodër, Lezhë-Tiranë. Rr. i L. ka 6 shkolla të mesme me shkëputje nga puna, 7 shkolla të mesme pa shkëputje nga puna, 26 shkolla 8-vjeçare, 47 çerdhe, 57 kopshte, 39 muze, 11 shtëpi kulture, 33 vatra kulture, ansambël folkloristik, 2 spitale, 2 poliklinika, 20 reparte lindjeje, 56 ambu’ianca, qendër sanitare dhe epidemiologjike, 2 shtëpi pushimi (Shëngjin). Qendra turistike: Lezha, Hoteli i Gjuetisë i Ishullit të Lezhës, rezervati i gjuetisë në Kune etj. Rr. i L. ka rrjet të gjerë të shërbimit tregtar e komunal.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rrethi I Lezhes