Arkivi Arkiv-i:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Nga gr. “arhaios”, me kuptimin “i vjetër”. Institucioni që merret me diplomatikën, pasurinë dokumentare; me mbledhjen, ruajtjen, përpunimin dhe shërbimin e dokumenteve. Vetë pasuria dokumentare e një familjeje, zyre, subjekti, vendi a shteti. Arkivat më të hershëm u takojnë faltoreve të krishtera, të cilat kishin “bibliotekat e dorëshkrimeve”. Një prej arkivave më të pasur me dorëshkrime të hershme është ai i Mitropolisë së Beratit. Sipas një dëshmie të Batiffol-it, në kohën kur ai vizitoi Beratin (1886), kishte mësuar se në Gjirokastër ruhej një dorëshkrim ungjillor i shekullit të parë dhe një tjetër i shekullit të katërt. Origeni, një prej mbledhësve më të hershëm të dorëshkrimeve ungjillore, gjeti në Nikopojë (Arta e sotme) një ungjill të shekullit të parë. Në fillimet e mijëvjeçarit të dytë zhvillohet tradita e arkivave të familjeve patronimike (bujaria arbërore). Në këto familje, krahas nëpunësisë dhe funksionarëve të tjerë, gjendet edhe kancelari, sekretari (“gr. “gramatikoi”), logotheti (mbajtësi i korrespondencës). Funksionet e kancelarit pranë Gjergj Kastriotit i kryente arkipeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli. Në Europë shërbimi arkivor nisi të shndërrohej në një veprimtari institucionale duke filluar prej fundit të shekullit të 17-të dhe fillimit të shekullit të 18-të.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]