Shqipja është një gjuhë që e ka prekur fjalorin biblik qysh prej kohës së krishtërimit të hershëm. Një varg emrash të përveçëm biblikë e ungjillorë; toponime historike të kësaj hapësire, emra të përgjithshëm të terminologjisë kishtare, kanë, për këtë shkak, formën e tyre të shqipëruar. Kështu, është shkruar “Gjon” për “Joan”, sepse forma “Gjon” del si e tillë në trajtë të shkruar në faltoret e shqiptarëve qysh në shekullin e 7-të. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, kur emrat e përveçëm nuk kanë të bëjnë me figura biblike, por me personazhe historike, në kllapa është dhënë edhe forma e huazimit të mëvonshëm të të njëjtit emër biblik, kurse në disa raste të tjera është zbatuar parimi historik dhe është respektuar forma që ka përdorur vetë personaliteti, si: Jan Kukuzeli i Ri, Joasafi i Beratit etj. Megjithatë, për të lehtësuar kuptimin e kësaj lënde relativisht të panjohur në botën shqiptare të letrave, është përgatitur një fjalorth shpjegues. Theksojmë se fjalori u referohet kuptimeve që kanë këto terma në studimet për kodikët. Në raste të veçanta, kur ka qenë e nevojshme të saktësohet një kuptim prej tjetrit, është dhënë edhe përmbajtja semantike e termit në përdorimin kishtar. Shumica e termave të këtij fjalorthi burojnë nga greqishtja e mesme, me përdorim shumëshekullor në shkrimet dhe shërbesat kishtare. Kuptimet e tyre në greqishte citohen sipas ligjërimit “katharevus”. Pjesa më e madhe e termave lidhen me tipologjinë e dorëshkrimeve kishtare (ungjill, katërungjillësh, omilie, perikope ungjillore, psalm, martirologji, patrologji, tipikon). Një pjesë tjetër lidhet me paleografinë (scriptio continua, pnevma, uniciale, hrysografi, diptik, kodik). Një pjesë e tretë e termave që u ndje e nevojshme të shpjegohen lidhet me terminologjinë e shërbesës kishtare, pa të cilën nuk do të mundësohej leximi tërësor i tekstit. Për plotësimin, saktësimin dhe redaktimin e këtij fjalorthi, që shpresoj se do të lehtësojë të kuptuarit e shkrimeve të këtij botimi, falënderoj përzemërisht zotin Grant van Cleve dhe z. Robert Walker (Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), dom Nikë Ukgjinin dhe dr. Nevila Nikën, në mënyrë të veçantë znj. Lila Plasari, për ndihmën e tyre të çmuar dhe të pakursyer që më dhanë për përzgjedhjen e leksemave, plotësimin dhe saktësimin e tyre. SHABAN SINANI