(Term nga Kodikët e Shqipërisë)
Nga gr. “eikon” – imazh i shenjtë, dhe “klazein”, të thyesh. Lufta me ikonat. Konflikti i gjatë i kishës me idhujtarinë (idoltarinë) pagane në mesjetën e hershme. Konflikti buronte nga qëndrimi i ndryshëm ndaj ikonave. Tek besimtarët vazhdonte të ekzistonte dëshira për t’i shembëllyer hyjnitë, si në epokën antike, kurse kisha ishte kundër shenjtërimit të perëndive pagane në ikona. Në shqip kjo fjalë-rrënjë (ikonë) ka hyrë në periudhën e paleokrishtërimit, që i përgjigjet periudhës ilire, prandaj del edhe në formën e rotacizuar “korë”. Ikonoklastia ka lënë gjurmë edhe në toponomastikë. Në Turqinë e sotme gjendet qyteti Konya, që fillimisht quhej Ikonya – qytet i ikonave. Lufta kundër ikonave në krishtërim mori karakter të ashpër në shekullin e 7-të dhe mbaroi në shekullin e 9-të. Ikonografia kishtare, megjithatë, njohu përhapje në Kishën lindore vetëm nga shekulli i 12-të. Në Kishën romane, në vend të saj, u zhvillua afresku dhe piktura murale (në periudhën e Reformës dhe të protestanizmit). Deri në mesjetën e vonët ekzistonte një sekt heretik që e luftonte kultin e imazheve të shenjta, duke e konsideruar hyjnoren të papërshkrueshme dhe të papërfytyrueshme (taboo). Nga ky sekt ikona konsiderohej shprehje paganizmi dhe adhurimi për hyjnitë mitologjike. Diskutimi për ikonën vazhdon edhe sot, brenda dhe jashtë krishtërimit. Në besimin hindu, edhe në kohët moderne, shtrohet çështja se “ndërsa ne nuk kemi zgjidhur ende çështjen se cilës (prej disa milionë) perëndi t’i besojmë, në Perëndim diskutojnë se a duhet të besojmë dhe si duhet të besojmë”.
Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë