LIQENI I BUTRINTIT


LIQENI I BUTRINTIT
✤ Liqen në pjesën jugore të Shqipërisë në bregdetin e Jonit, me sipërfaqe 16,3 km2, gjatësi maksimale 7.1 km, gjerësi 3.2 km, thellësi më të madhe 21,4 m. L. i B. ka prejardhje tektonike dhe është një Iagunë tipike bregdetare me ujëra të kripura. Brigjet L dhe P janë të larta dhe të pjerrëta, ndërsa ato V dhe J të ulëta. Në bregun JP gjenden rrënojat e qytetit antik të Butrintit. Pjesët V e J të L. të B. kanë thellësi të vogla, ndërsa pjesa qendrore ka thellësi të madhe. Në V liqeni është i gjerë, ndërsa në J ngushtohet dhe formon gjirin e cekët dhe të zgjatur të Kalasë, prej nga fillon kanali natyror i Butrintit, nëpërmjet të cilit kryhet një ujëkëmbim mjaft veprues me detin Jon, si rrjedhojë e baticave. L. i B. ka vëllim të përgjithshëm të ujërave rreth 210 milionë m3, që përbëhen nga dy shtresa të veçanta ujore e të vendosura njëra mbi tjetrën. Në shtresën e sipërme me trashësi rreth 8 metra, ujërat janë me dendësi më të vogël, të pasura me oksigjen dhe ka jetë bimore e shtazore; ndërsa në shtresën e poshtme me trashësi rreth 17 m, ujërat kanë dendësi më të madhe, në të mungon oksigjeni, ka mjaft gaz sulfidrik dhe me përjashtim të mikrobeve aneroide, jeta mungon. Kripësia e ujërave të L. të B. Iëkundet nga 15 deri në 36 gramë për litër dhe është pasojë e procesit të ujëkëmbimit me detin. Po nëpërmjet ujëkëmbimit në liqen futen nga deti peshq si: levrekë, koee, ngjala, qefuj etj. që peshkohen. Zhvillim të gjerë ka marrë edhe rritja e midhjeve Në të kaluarën në L. e B. derdheshin Bistrica dhe Kalasa, por pas bonifikimit të fushës së Vurgut, ujërat e këtyre lumenjve derdhen në detin Jon nëpërmjet Kanalit të Çukës (shih). (N. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Liqeni I Butrintit


[cite]