LIQENI I OHRIT


LIQENI I OHRIT
✤ (Lacus Lychnidus). Liqen në Shqipërinë JL, në kufi me Jugosllavinë, i dyti nga madhësia pas liqenit të Shkodrës dhe një nga më të mëdhenjtë e Gadishullit Ballkanik. Shtrihet në lartësinë 693 m, ka sipërfaqe 363 km2, (111,4 km2 brenda kufijve shtetërorë të RPSSH) gjatësi dhe gjerësi maksimale përkatësisht 30.4 dhe 14.5 km, thellësi mesatare 145 m, dhe maksimale 295 m, duke qenë liqeni më i thellë i Shqipërisë dhe i Ballkanit dhe një nga më të thellët e Evropës. Ka vëllim të përgjithshëm të ujërave 50 miliardë m3 dhe sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës rreth 2800 km2. Brigjet me gjatësi të përgjithshme 88 km janë të larta e shkëmbore në L e P dhe të ulëta, me plazhe zallore e ranore, në V e J. Në bregun P (shqiptar) gjendet gadishulli i Linit dhe fshati me të njëjtin emër, në bregun L (jugosllav) — gadishulli i Ohrit dhe qyteti me të njëjtin emër. Në bregun V pranë Strugës del Drini i Zi. Në J gjendet Pogradeci dhe Shën Naumi (Jugosllavi). Niveli i liqenit, për shkak të ushqimit nga burimet nëntokësore dhe nga shkrirja e borës, si dhe të temp. relativisht më të ulëta të ajrit, pëson luhatje sezonale shumë të vogla (30-40 cm). L. i O. nëpërmjet rrugësh nëntokësore ushqehet me ujë nga Liqeni i Prespës, që gjendet 157 m më lart, nëpërmjet burimeve që dalin pranë bregut (Shën Naum, Drilon, Tushemisht etj.) ose nën liqen, që kanë prurje të përgjithshme rreth 15 m3/sek. L. i O. shquhet për pastërtinë dhe tejdukshmërinë e madhe të ujërave (deri në 30 m thellësi) që kanë ngjyrë të kaltër në blu, temp. mesatare vjetore në sipërfaqe gjatë muajve të dimrit 5.4°, ndërsa gjatë muajve të verës 22°C, me mineralizim të ulët (200-250 mg/lit), ku mbizotërojnë bikarbonatet e kalciumit dhe magneziumit. L. i O. i formuar që në miocen dallohet në gjithë Evropën për lashtësinë dhe origjinalitetin shumë të madh të faunës së tij dhe konsiderohet si një muze fosilesh të gjalla. Midis peshqve endemikë që rriten këtu dallohet korani, belushka etj. Për kultivimin e koranit në Tushemisht pranë Pogradecit dhe në fshatin Lin janë ngritur stacione ku ai ushqehet, shumëzohet e rasatet lëshohen në liqen. Dimërojnë rosa të egra, pulëzeza, mjelma etj. Përveç peshkimit ujërat e L. të O. përdoren gjerësisht edhe për ujitje me anë elektropompash. L. i O. dhe mjediset rreth tij me natyrë shumë të bukur, klimë të shëndetshme dhe plazhe të rregulluara është një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.

(N. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Liqeni I Ohrit


[cite]