(Term nga Kodikët e Shqipërisë)
Tekste biblike në formë të vargëzuar. Këngë, himn. Psalmet janë pjesë e Dhjatës së Vjetër. Në hebraisht quheshin “Sefer tehil’lim”, ose thjesht “Tehil’lim”. Përkthyesit e “Septuaginta-s” i quajtën “psalme”, duke qenë se vegla me të cilën shoqëroheshin, një instrument kordofon i periudhës antike, tek grekët quhej “psalterion”. Psalmet janë 150. Zakonisht njihen me emrin “Psalme të Davidit“. Por autorësia e Davidit mbi të gjitha psalmet është e diskutueshme, sepse vetëm pak prej tyre arrijnë në mendësinë e kohës së Davidit (“Bibla”, 1994, f. 658, përkthim i dom Simon Filipit). Një dorëshkrim që ruhet në Fondin 488 përshkruhet se përmban “Psalme të Davidit e të Goliathit”, sido që, siç dihet, Goliathi ishte kundërshtari dhe viktima e Davidit. Një pjesë e psalme janë himnore (lavdërim i veprave të Zotit), një pjesë janë psalme lutjesore; ka gjithashtu psalme të ankimit dhe të vajtimit dhe të mirënjohjes (falënderimit). Në numërimin e përgjithshëm të psalmeve del edhe një me numrin 151, por këtë të fundit autoriteti i Kishës nuk e pranon si pjesë të librit të psalmeve. Nga “psalterion” rrjedh edhe “psalt-i” – meshtari që këndon lutjet; “psalt” – veprimi i meshtarit gjatë të kënduarit; “psaltir” – libër psalmesh etj. Termi është huazuar edhe në vjershërimin laik (“Psalme murgu” – Asdreni). Nga “psalm” rrjedhin edhe:a. Psaltir – libri i psalmeve; b. Psalt – klerik që këndon psalmet; pjesëmarrës në një kor kishtar që këndon psalme.
Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë