LUFTA ITALO-GREKE
✤ Luftë agresive imperialiste që fashistët italianë shpërthyen në tetor 1940 kundër Greqisë. Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u thye dhe u detyrua të tërhiqet nga tokat e pushtuara greke. Gjatë muajve dhjetor 1940-prill 1941 lufta u zhvillua në tokën shqiptare e nga fundi mori formën e luftës pozicionale. Më 4 prill 1941 Gjermania hitleriane i erdhi në ndihmë Italisë fashiste duke sulmuar Greqinë nga toka bullgare. Në këto rrethana ushtria mbretërore greke kapitulloi dhe vendi u pushtua nga fashistët e nazistët. Populli shqiptar, megjithëse i pushtuar vetë nga Italia fashiste, e kundërshtoi dhe e sabotoi me aksione të guximshme agresionin fashist kundër Greqisë ahe bëri çmos për të ndihmuar popullin grek në luftën e tij çlirimtare. Ushtarët shqiptarë që u dërguan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan në masë; sabotimet kundër makinës ushtarake fashiste u bënë më të shpeshta edhe në prapavijat; popullsia e zonave të pushtuara nga forcat greke i ndihmoi këto me sa mundi. Por qeveria greke, si gjatë Luftës II Botërore ashtu dhe pas mbarimit të saj mbajti një qëndrim të hapur shovinist ndaj popullit shqiptar. Ajo u përpoq të vinte në jetë planet e vjetra të borgjezisë grekomadhe për aneksimin e Korçës e të Gjirokastrës. Për më tepër ajo, nën preteksin se Italia fashiste sulmoi Greqinë nga toka shqiptare, shpalli në nëntor 1940 si shtet armik edhe Shqipërinë dhe deklaroi «gjendjen e luftës» ndaj saj. Ky dekret absurd e antishqiptar mbeti në fuqi edhe pas mbarimit të Luftës II Botërore.
(P. Bi.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lufta Italo-Greke
[cite]