Edikti i Milanos

Edikti i Milanos

Perandori Kostandin u takua me Liçinin në Milano dhe në vitin 313 nxorrën një dekret, me të cilin u jepej liria të krishterëve që të praktikonin lirisht besimin e tyre. Eusebio i Qesarisë tek “Historia e Kishës”, (libri X, kapitulli V), na flet për Ediktin e Milanos. “Duke patur parasysh që liria e ushtrimit të fesë nuk duhet ndaluar dhe se i duhet njohur secilit e drejta për të nderuar Perëndinë, siç e gjen të udhës, kam dhënë urdhër edhe më përpara që të krishterëve t’u lejohet të rruajnë kultin dhe besimin e tyre. Pra unë perandori Konstandin, bashkë me perandorin Liçin, kemi ardhur në Milano dhe kemi menduar për gjithçka që është e dobishme dhe e mirë për shtetin. Vendosëm ndër shumë të tjera, të cilat i konsideruam të dobishme për shoqërinë, të rregullojmë së pari ato që kanë lidhje me adhurimin e Perëndisë, d.m.th t’u akordojmë si të krishterëve ashtu dhe të gjithë të tjerëve lirinë, për të zgjedhur nderimin e Perëndisë që ata vetë do të pëlqejnë, që Perëndia të tregohet dashamirës për ne, dhe për të gjithë sa jetojnë në perandorinë tonë. Veç kësaj, vendosëm në lidhje me të krishterët, që lokalet ku ata zakonisht mblidheshin, t’u kthehen përsëri gradis dhe pa vonesë, qoftë të konfiskuara nga shteti e qoftë të blera nga të tjerët. Edhe n.q.s dikujt i janë dhuruar këto lokale, t’jua kthejë detyrimisht të krishterëve. Dhe n.q.s. të krishterët kanë patur përveç lokaleve të kultit edhe të tjera, jo si pronë individuale, por që i përkisnin komunitetit të tyre, ju urdhërojmë që ti ktheni….. Zbatoni sa më parë këtë urdhër, që të ndihmoni në rruajtjen e qetësisë publike. Dhe që rregullat e kësaj urdhërese të mund t’u bëhen të njohura të gjithëve, ti afishoni kudo.” Çdo paragraf i Ediktit të Milanos ishte i frymëzuar nga parimet e barazisë dhe tolerancës fetare. Kostandini ishte i bindur se dekreti i tij, do ti sillte popullit paqe e lumturi.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Edikti i Milanos, Ngjallja, maj 1993, faqe 3.

Besimi — Ortodoks

[cite]