Joan Pelushi
shqiptar ortodoks Joan Pelushi (1956- ) ka lindur në Tiranë më 1 Janar të vitit 1956 në një familje bektashiane, e cila nuk shihej me sy të mirë nga rregjimi komunist. Babai i tij konsiderohej “armik” dhe ka qenë i burgosur politik. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Tiranë. Në vitin 1975, kur Joani ishte në vitin e fundit të gjimnazit një shok i dha një Bibël në frëngjisht. Leximi i Shkrimit të Shenjtë dhe librave të tjerë fetarë bëri që Joani të pranonte krishterimin. Në vitin 1979 u pagëzua në fshehtësi nga prifti i patrembur Atë Kozmai, në shtëpinë e këtij të fundit. Joani filloi të merte pjesë në takimet që organizonin të krishterët e fshehtë. Pas përfundimit të gjimnazit punon në Spitalin Psiqiatrik të Tiranës. Në vitin 1990, ai shkoi në SHBA dhe kreu studime teologjike në Fakultetin e “Kryqit të Nderuar” në Boston falë një të drejte studimi të caktuar nga shqiptarët e Amerikës në përkujtim të Imzot Fan Nolit. Kur ishte student ai hyri në kontakt me Kryeepiskopin Anastas, i cili u bë ati i tij shpirtëror. Më 1993 u gradua nga kjo shkollë Master në studimet teologjike dhe më pas u kthye në Shqipëri, ku filloi të kontribuojë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke dhënë mësim në Seminarin Teologjik “Ngjallja”. Imzot Joani ka dhënë lëndën e Dogmatikës dhe të Dhiatës së Vjetër. Më 27 shkurt 1994 u hirotonis dhjak nga Kryeepiskopi Anastas dhe më 4 dhjetor 1996 u dorëzua në gradën priftërore. Më 1995 u kthye në SHBA për të ndjekur studimet pasuniversitare në Fakultetin e “Kryqit të Nderuar”, me bursë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe në vitin 1996 mori Masterin e dytë në teologji. Më 19 nëntor 1996 ai u bë Arkimandrit dhe përveçse jepte mësim në Akademinë Teologjike, ku ishte dhe nëndrejtor i saj, punoi në shumë detyra kishtare. Më 18 korrik 1998 u hirotonis dhe më 20 korrik 1998 u fronëzua si Mitropolit i Korçës. Imzot Joani ka përkthyer shqip këta libra teologjikë. 1-Mbi Shpirtin e Shenjtë, botuar më 1996. 2-Besimi Ortodoks. Vëll. I Doktrina, botuar më 1997. 3-Besimi Ortodoks. Vëll. II Adhurimi, botuar më 1997. 4-Besimi Ortodoks. Vëll. III Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, botuar më 2000. 5-Besimi Ortodoks. Vëll. IV Spiritualiteti, botuar më 2002 6-Shën Siluani, botuar më 2003 7-Dogmatika, (Dispensë) tekst mësimor në Akademinë Teologjike. 8-Shenjtorët iliro-shqiptarë, (Dispensë) 9-Predikime. Gjithashtu Mitropoliti i Korçës Joani ka botuar artikuj të shumtë në gazetën “Ngjallja”, ka referuar kumtesa nëpër simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me kujdesin e tij del revista “Tempulli”, me nivel të pëlqyeshëm.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, (Nga vitet apostolike deri në ditët tona), Tekno Paper, Tiranë 2005, faqe 247-248.