Shenjtorët
Shenjtorët janë të panumërt dhe nuk është e mundur të llogariten, por ata njihen si miq të Perëndisë. Apostull Pavli, i karakterizon ata si “re” (Hebrenjve 12:1). Shenjtorët i kemi nga të gjitha shtresat shoqërore, dhe çdo të moshe, pleq si Shën Harallambi, të rinj si Shën Nestori, nëna si Shën Sofia, virgjëresha si Shën e Premtja, ushtarakë si Shën Gjergji, ushtarë të thjeshtë si dyzet martirët, mjekë si Shën Pandeleimoni, hamenj si Shën Kristofori, punëtorë si Shën Niqifori, barinj si Shën Themistokliu, kuzhinierë si Shën Efrosini, bujq si Shën Polikroni etj. Dita e nderimit të çdo shenjtori është përcaktuar në kanonet e Sinodit VII Ekumenik. Për të nderuar dhe himnizuar shenjtorët, kisha hartoi për nder të tyre tropare të kënduara. Në këtë ceremoni përfshihen përleshoret, shkurtoret, madhështimet, zbritësoret, kanonet, vargjet, lavdërimet, etj. Në këto tropare ka të dhëna për jetën, virtytet, përpjekjet dhe martirizimin e shenjtorit që kremtohet. Himnografi i Kishës duke pasur parasysh bëmat e shenjtorit hartoi shërbesën përkujtimore të tij duke e përjetësuar në shekuj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)