MALËSIA E MADHE


MALËSIA E MADHE
✤ Krahinë në V të rrethit të Shkodrës, midis luginës së Vermoshit në V dhe asaj të Rrjollit në J. Shtrihet në VL deri në Qafë të Pejës e të Tethores, në J deri në Qafë të Shtogut, kurse në P deri në liqenin e Shkodrës. Vazhdon edhe jashtë kufirit shtetëror në trojet e banuara prej shqiptarëve në Mal të Zi (Hoti, Gruda, Triepshi, Kuçi etj.). Brenda kufirit bën pjesë Keimendi, një pjesë e Hotit (nga Rapsha në Han të Hotit), Kastrati dhe Shkreli. Është e përbërë kryesisht nga gëlqerorë e dolomite të mesozoit, si dhe nga flishi. Relievi është tepër i copëtuar, me kontraste të theksuara midis luginave të thella lumore (lugina e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë, e Rrjollit) dhe kurrizeve të larta malore. Viset më të larta dhe më të mprehta janë Bjeshkët e Namuna (shih), Çardaku (2250 m), mali i Marlulës (2188 m), Vila (2108 m), Golishi (2025 m) etj. që ruajnë gjurmët e akullimit .kuaternar (cirqe, lugina akullnajore). M. e M. ka klimë malore me temp. mesatare vjetore 7.2°C, të janarit -2.6°C, të korrikut 15.9°C, sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin 2400 mm, trashësia e borës 72 cm. Lumi kryesor është Cemi (shih), lumenjtë e tjerë, Përroi i Thatë. e ai i Rrjollit, gjatë verës shterojnë fare. Bimësia është e pasur dhe përfaqësohet nga zona e shkurreve, ahut, pishës dhe kullotat alpine. Në shek. XV, në trevat që përbënin më parë principatën e Pultit, u formuan ndarjet më të vogla etnografike: Gruda, Hoti, Kastrati, Kelmendi, Kuçi, Trepshi e Shkreli. Këto bashkësi ekonomike-shoqërore shkuan drejt përqendrimit në shekujt e mëpasëm duke marrë emrin e përbashkët Malësi (nga organizimi në «male»). Për mbrojtjen e saj, M. e M. ngriti edhe forca të bashkuara ushtarake, që luajtën rol në luftërat për liri e pavarësi. Popullsia merrej kryesisht me blegtori. Marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin sipas Kanunit të Maleve. Nga ana gjuhësore, e folmja bën pjesë në gegërishten veriore, Tipi i banesës ishte shtëpia e zgjatur, ndërsa në shek. XX u përgjithësua një variant i kullës. Burri vishej me një lloj të gunës dhe me tirq, që kishin prehër e xhepa; në kokë mbante qeleshe gjysmësferike. Gruaja mbante një variant të xhubletës, që ishte pasuruar. Është treva në të cilën është ruajtur deri më sot i gjallë cikli i kreshnikëve, përdoret lahuta e fyelli, dhe ka një tip valleje që kërcehet pa shoqërim muzikor. M. e M. dikur një nga krahinat më të prapambetura, është transformuar thellësisht pas Çlirimit. Ka minerale të dobishme, është e zhvilluar bujqësia, (misri, thekra, patatja, pemëtaria), blegtoria (delja, lopa, derri, dhia) shfrytëzimi i pyjeve (Vermosh, Fushë e Zezë). Qendrat kryesore të banimit janë: Tamara, Vermoshi, Selca, Vukli, Boga etj.

(Gj. G.-Rr. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Malësia E Madhe


[cite]