MANZA
✤ Fshat në rrethin e Durrësit (VL), në fushën e Erzenit të mesëm në rrëzë të kodrave të Vorës-Ishmit. Qendër e fshatit të bashkuar, që përfshin edhe fshatrat: Armath, Barç, Hamalle, Kameras, Kuçok, Radë, Shkallë, popullsia gjithsej 6400. M. është fshat i lashtë. Në kodrat pranë M. është gjetur një sëpatë guri e neolitit. M. përmendet në burime të shkraara që në shek. XIII me emrin Mansio. Fshatarët kanë ndihmuar Luftën ANÇ. U çlirua më 14.11.1944. Në përpjekje me bandat e diversantëve gjatë viteve të para pas Çlirimit kanë rënë 5 dëshmorë. Kolektivizimi i bujqësisë u bë në shkurt 1956. M. është qendër e koop. bujqësore të bashkuar e ngritur më 1969. Ka drejtim kryesor prodhimin e drithërave të bukës dhe të bimëve industriale (pambuk, luledielli). Është e njohur sidomos për painbukun, më 1983 ka marrë 14.2 kv/ha në tërë sipërfaqen dhe mbi 16 kv/ha, në zonën fushore të intensifikuar me përparësi. Pranë M. është ngritur miniera e qymyrgurit dhe qendra e banuar e minatorëve. M. ka shkollë të mesme bujqësore, shkollë 8-vjeçare, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale.

✤ Qendër e banuar punëtorësh në rrethin e Durrësit, në VL të Durrësit. U ngrit pranë fshatrave Manzë e Kuçok,. pas vënies në shfrytëzim të minierës së qymyrit. Është një qytezë e bukur me shtëpi komode për minatorët e familjet e tyre. Ka shkollë të mesme profesionale të minierave, shtëpi kulture, sallë kino-teatri, park të madh lodrash për fëmijë, fusha sportive, qendër shëndetësore, rrjet tregtie dhe shërbimesh komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Manza


[cite]