MASAKRA E 4 SHKURTIT


MASAKRA E 4 SHKURTIT
✤ (1944) Dhunë gjakësore e nazistëve gjermanë dhe e kuislingëve shqiptarë kundër popullit të Tiranës natën e 4 shkurtit 1944. Të tërbuar nga zgjerimi i Luftës ANÇ ata kryen raprezalje e bastisje nëpër shtëpitë e popullit të thjeshtë dhe vranë barbarisht nëpër rrugët e Tiranës brenda një nate 84 veta, të rinj e të reja, burra e gra të pafajshëm si dhe arrestuan mbi 300 të tjerë. Këtë masakër e drejtonin xhelatët dhe tradhtarët e popullit shqiptar Xhafer Deva dhe Xhelal Staravecka. Qëllimi i kësaj masakre ishte që të detyrohej populli të largohej nga rruga e luftës dhe të sigurohej kështu «qetësia» e regjimit të pushtimit. Por ata nuk ia arritën dot kurrë qëllimit të tyre. Në qytete e në fshatra u ndez edhe më e ashpër lufta çlirimtare e popullit shqiptar.

(M. De.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Masakra E 4 Shkurtit


[cite]