MBLEDHJA E MUKJES


MBLEDHJA E MUKJES
✤ (1943). U mbajt me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (të përkohshëm), sipas propozimit të Komitetit Qendror të PKSH, me qëllim që të bëhej edhe një përpjekje e fundit për ta larguar organizatën e Ballit Kombëtar nga rruga e tradhtisë, të bashkohej me Frontin NÇ, duke u hedhur pa rezerva në Luftën ANÇ. Zhvilloi punimet nga 1-3 gusht 1943 në fshatin Mukje të Krujës. Delegacioni i Frontit NÇ kryesohej nga Ymer Dishnica, anëtar i Byrosë Politike të KQ dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe përbë^ hej nga 5 anëtarë. Në krye të delegacionit të Ballit Kombëtar ishte Mithat Frashëri dhe në të bënin pjesë edhe krerë të tjerë të kësaj organizate. Në kundërshtim me direktivat e marra, Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi, që bënte pjesë në delegacionin e Këshillit të Përgjithshëm NÇ ranë në pozitat e Ballit Kombëtar dhe tradhtuan interesat e Lëvizjes NÇ. Ata pranuan kërkesën demagogjike të Ballit Kombëtar për «shpalljen e pavarësisë» dhe «rrëzimin e asamblesë fashiste të 12 prillit», në të cilën kishin bërë pjesë gati gjithë krerët e Ballit dhe që populli nuk e kish njohur kurrë, pranuan tezën e «Shqipërisë etnike» që reaksioni shqiptar dhe pushtuesit fashistë e përdornin si armë për të mashtruar popullin shqiptar që të harronte armikun kryesor në atë kohë, pushtuesin e huaj dhe të armiqësohej me popujt fqinjë. Në mbledhjen e Mukjes u pranua propozimi i ballistëve për krijimin e një farë «Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë», me një numër të barabartë përfaqësuesish nga Balli Kombëtar dhe nga Fronti Nacionalçlirimtar, që do të kishte atributet e një. qeverie të përkohshme dhe që në fakt do të thoshte likuidimi i Këshillit të Përgjithshëm NÇ. Në këtë mënyrë Balli, që jo vetëm s’kishte hedhur asnjë pushkë kundër armikut, por kishte bashkëpunuar me të, vihej në një pozitë të barabartë me Frontin NÇ. Ky ishte një kompromis pa parim dhe i rrezikshëm. Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi pa autorizimin e KëshiIlit të Përgjithshëm NÇ dhe të KQ të PKSH dhanë pëlqimin të shpërndahej një proklamatë e «Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë», me anën e së cilës i njoftoheshin popullit vendimet e Mukjes. Ata ranë kështu kryekëput në kurthin e reaksionit dhe kapitulluan plotësisht para tij. Komiteti Qendror i PKSH dhe Këshilli i Përgjithshëm NÇ me iniciativën e shokut Enver Hoxha, porsa e morën vesh, e hodhën poshtë marrëveshjen e Mukjes duke e cilësuar atë si një tradhti ndaj interesave të popullit shqiptar dhe ‘luftës së tij elirimtare. Marrëveshjen e Mukjes e hodhi poshtë edhe Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare (shih), e cila zhvilloi punimet në Labinot të Elbasanit nga 4-9 shtator 1943.

(Xh. F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mbledhja E Mukjes


[cite]