MERMERI
✤ Shkëmb me ngjyrë të bardhë, të përhime, rozë, të kuqe etj. shpesh me nuanea dhe vizatime të bukura, me strukturë sheqerore dhe që lustrohet mirë. Është i formuar nga rikristalizimi dhe metamorfizimi i gëlqerorit dhe dolomitit. Në praktikë emërtohen M. edhe lloje gëlqerori e dolomiti me shkallë të ndryshme kristalizimi, aë punohen dhe lustrohen mirë e përdoren në ndërtim, skulpturë etj. Në Shqipëri M. është njohur e nxjerrë që në lashtësi dhe është përdorur në ndërtime të ndryshme, në vepra skulpture etj. Pas Çlirimit janë zbuluar e vënë në shfrytëzim disa vendburime M. e gëlqerori të mermerizuar, si në Muhur (Peshkopi), Lis (Burrel), Karaburun, Sarandë etj. I njohur është sidomos vendburimi i Muhurit, ku nxirret dolomit dhe gëlqeror i mermerizuar i triasit të poshtëm, me strukturë mozaike, ngjyrë vishnje, të kuqe e rozë, me deje kalciti të bardhë e të zi. Ky M. është mjaft i ngjeshur, lëmohet shumë mirë dhe përdoret për shtresa e veshje kolonash e muresh të brendshme. Në Lis nxirret gëlqeror i mermerizuar i triasit, me ngjyrë të kuqe vishnje që përdoret për shtresa e veshje të brendshme. Në Çukë të Sarandës nxirret gëlqeror pllakor pak i mermerizuar,. i bardhë e i fortë, që lustrohet mirë dhe përdoret për shtresa e veshje muresh, ndërsa në Karaburun nxirret gëlqeror i bardhë pak i mermerizuar i kretakut, që nuk merr lustër. Në Qafën e Priskës (Tiranë) nxirret dolomit pak i mermerizuar i kretakut, i hardhë dhe i përhimtë që përdoret për veshje të brendshme e të jashtme.

(G. P.-I.Tu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mermeri


[cite]